top of page

“Maskë e veçantë”


Nga Petrit Malushi


“Fituesi”


Në nisje gare, ngrehur si dreri

Mendje shiste ndër garues.

I mprehur ishte për vende nderi.

“Pa diskutim do jem fitues !”


E gjatë rruga, e drejtë, me kthesa

Brryla e shtyrje “ndihmë, dhuratë”.

Dihej, priteshin këto pengesa,

Jo pistë baleti, por gropa e baltë.

Gara mbaroi, e lanë mbrapa.

Ia kaluan edhe ca këmbëthyer,

Tre, pesë, tetë, dhjetë hapa.

Në krye, të parë dolën të tjerë.

Atletë, vrapues rrëmbyen trofetë.

Atij e kuqja i duket jeshile.

“Fitues jam unë ! S’është e vërtetë !...

Zhurmon e ngjirret “Ma bënë me hile !”


Nga Petrit Malushi


“Maskë e veçantë”


Nuk harron, prej pandemisë

I ndërron maskat dy herë në ditë.

Kopsitur del prej shtëpisë,

Mbi gojë e hundë shtrin shirit.


Si vjegë shtëme varur në vesh,

Vendos e heq llo-lloj modeli.

Palos më dysh, palos më tresh,

Njëpëdorimshe dora i ngeli.


Dhe po kërkon të gjejë mes tyre,

Një të veçantë pa çarje, vrimë.

T’i rrijë ngjeshur për fytyre,

Maskë për dyfytyrësinë !


I tha një shitës ambulant

“Përse lodhesh, je kaq kërkues ?

Dyfytyrësinë ti, shpesh lë garant,

E, për çdo problem ke dalë fitues !”

7 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page