Martirët Flori dhe Lauri


Gani Mehmetaj

Ulpiana nuk ka vetëm rrëfime për princër e princesha, për amfiteatrin antik, për aktorët me maska, për aristokracinë e kamur që bënte jetë luksi. Nga Ulpiana u shpërnda rrëfimi i trishtë për vuajtjet e flijimin e dy martirëve vendës, që i vranë, sepse e përhapnin fenë e krishterë. Bëmat e tyre pastaj morën dheun, u përhapën në Gadishullin Ilirik e më tutje.

Sipas kronikave, sundimtari i qytetit i kapi dy përhapësit e fesë së re, i arrestoi, i urdhëroi të hiqnin dorë nga feja e tyre që të shpëtonin jetën, por ata nuk pranuan me asnjë çmim të mohonin asgjë. Dy fatkëqijtë quheshin Flori dhe Lauri. Thuhet se i ekzekutuan publikisht, nën akuzën se e përhapnin një fe të panjohur e të huaj për vendësit, se mohonin perënditë romake e ilire, madje i akuzuan se i kanë përdhosur shtatoret e hyjnive në Ulpianë. Sheshi i qytetit të Ulpianës u bë gjykatore. Turma qëndroi në heshtje një kohë të gjatë derisa bëhej gjyqi. Sikur nuk u besonte prokurorëve. Megjithatë, turma e tumiri vrasjen e Florit e Laurit. Më vonë u penduan. Në qytet shpërthyen pakënaqësitë, por nuk pati trazira të përgjakshme. Banorët pëshpëritnin se vrasja e tyre ishte e panevojshme.

"Pse sundimtarët tanë duhej t'u shkonim për shtat romakëve që u treguan mizorë ndaj hyjnive ilire?", - pyesnin me pëshpërima më të guximshmit. Sundimtari i qytetit që të mos kishte trazira i dëboi jashtë mureve të kështjellës mbështetësit e dy martirëve të krishterë. Shumë dardanë u shkonin prapa, i dëgjonin predikimet e tyre, disa u pagëzuan në përroskën afër qytetit nga një burrë me mjekër të gjatë. Pagëzimet ndiqeshin me kërshëri nga muret e kështjellës.

Arkeologu H. Mehmetaj, që ka hulumtuar disa vjet në këtë qytet dhe që ka nxjerrë artefakte me vlerë nga parahistoria e antika, për shenjtorët shkruan: "Në mesin e shek. II në Ulpianë nga administratori dardan Licin ishin flijuar Flori dhe Lauri, dy martirët e përhapjes së krishterimit".

Dy shekuj më vonë, për ironi, Ulpiana u bë seli ipeshkvnore, ku u zhvilluan ngjarje dramatike në lëvizjet e krishterimit, madje u bënë luftëra të përgjakshme për njërën apo dogmën tjetër. Në Koncilin e Sardikës (343) është i njohur edhe emri i ipeshkvit nga ky qytet, që në aktet e këtij koncili njihet me emrin Mecedonius a Dardania de Ulpianis, shkruan Gjon Berisha, duke iu referuar E. Hoxhajt.

Sipas Berishës, Ipeshkvi i Ulpianës luajti rol të rëndësishëm në fërkimet fetare që u bënë në kohën e Justinianit. Kështu, Prokopi njoftonte se konflikti fetar në Ulpianë ishte i lidhur me mospajtimet për Tre kapitujt. Madje Ulpiana paraqitej si qendër kryengritëse, ndërsa u dërguan ushtarë që ta qetësonin.

Nga libri: "Qytetet e Ilirisë"

13 views

Shkrimet e fundit