"MARTESA"


Miho Gjini "Mjeshtër i Madh"

Tregim

Kristofori e kishte mbyllur atë punën e martesës njëherë e mirë, kur e thirri papritur e ëma dhe i tha se "ja, -u dashka që të bësh një lloj "martese tjetër"". Ai nuk e pa nënën e tij, po mbylli sytë. Se qe një "perde e mbyllur" martesa, kur edhe vetë ajo, e ëma, nuk pati fat me martesën e parë dhe kishte bërë të dytën, me një burrë krejt të panjohur, sepse "duhej bërë patjetër një martesë e dytë, që të mbyllte gojët e fshatit",-kishte thënë ajo atëhere dhe erdhi këtu, në ishullin përkarshi fshatit të saj, sa ishte hapur kufiri detar e qe vendosur një traget, që njerëzit të venin e të vinin lirisht nga Korfuzi, nga ku dukeshin natën edhe makinat kur ecnin bregut të detit, ndërsa ne agun e mëngjesit, tjegullat e kuqëremta të shtëpive, nën ullinjtë e dëndur të fqinjëve.

-Mos e zërë në gojë fare e mos u lodh! -tha prerazi ai.

-Budalla i dreqit! -i tha ajo djalit të saj 34 vjeçar, qetësisht, pa e prishur terezinë...,-nuk do martohesh de, po do bësh sikur do martohesh e do marrësh një dorë para. Kaq!

Atëhere sytë e Forit u hapën përgjysmë. E ëma dukej sikur po tallej me aktin më të shenjtë të njeriut, që ai e kishte përbuzur, qyshkur edhe e ëma, e mallkonte atë ditë që ishte mpleksur me të atin atje në fshatin e tyre. Dhe pikërisht këtë donte të thoshte, po goja i mbeti gjysmë e hapur.

-Mos fol fare! Hidhen në ajër dhjetë mijë euro për këtë "punë" e nga këto para tetë janë të tuat, sa të vësh vetëm një firmë. Ajo pastaj do vejë në punë të saj e ti në punën tënde. Kaq! Dhe ajo vjen nesër këtu. Nesër! Që nga "fundi i botës", në afërsi të Polit të Veriut, që të bëni kartat në Bashki, të vësh një firmë që figuroni të martuar, do pimë kafen e "martesës", do futësh paratë në xhep e do bësh përsëri jetën tënde, atje në Kassiopi, me ata qentë e derrat, tek "kolibja jote". Kaq!

***


I gjithë ishulli Grek i Korfuzit që ishte bërë si i tiji, tani i'u turbullua deri përtejë detit, nga ana e fshatit të tij të lindjes, matanë hapësirës që i ndante të dyja shtetet. Burri i nënës i kishte besuar pronën e vogël që i mbeti në Kassiopi, pasi u largua prej andej, për më tepër që të "mos e kishte nëpër këmbët e tij". Dhe Kristofori mbante aty disa qenë të racave të ndryshme, që i rriste dhe i shiste me të shtrenjtë, dy-tri derra që çuditërisht shtoheshin aq shumë, derisa rriteshin e bëheshin për mish, dy gjela e 10 pula për vezë e mish, po edhe një dhi race për qumësht, me dy keca pranë gjithashtu. Dikur kujdesej vetë për gjithë këtë katandi, po tani që gjeti grua, matanë kufirit dhe, meqënse gruan e mori me "kec" nga mbrapa", 14 vjeç djal, ku ta gjente më të hajrit që, pikërisht ai duhej vendosur në atë "brinjë, me të gjitha të mirat pranë, sikundër e kishte nisur kurbetin edhe ai",-thoshte pa rreshtur...

Kristofori mbërriti në pronën e vogël familjare në fshatin Kassiopi me "Hundain" e vjetër, e futi brenda gardhit rrethues dhe e parkoi përbri ngrehinës ku flinte vetë, kur pulat turfulluan të uritura. Derën e hekurt e hapi me tufën e çelsave që po e përdridhte me nervozizëm, bëri një kafe, mbushi edhe një gotë raki e doli tek ay "dy gjisht vënd" që e quante "verandë", ku gjithsesi i pëlqente ta pinte, me vështrimin mbi syprinën e detit, ngulur matanë bregut. E ktheu një gllënjkë raki, e rrufiste të nxehtë edhe kafenë dhe u mat ta qëllonte tryezën gjysmë të kalbur me grushtin e tij. "Si kështu?! Të martohej, ashtu kot, kur martesa i qe urryer? Të firmoste për një grua që as e donte e as e kishte

parë kurrë, e cila, që të nesërmen nuk do të ishte fare e tija dhe do t'ia mbathte me tjetrin, pa u tharë firma në letër. Një leshko dhe aq! Jo! Nuk do ta bënte kurrë këtë. Po atëhere, përse iu mbyll goja?!" U ngrit t'u hidhte ushqimin e ditës qenve të racës, derrave, pulave e nxitoi ti vinte dhisë "malteze" përpara barrën e gjetheve të njoma që i mblodhi para se ti vinte. Deti llamburiste aty poshtë e i dukej sikur qe i mbushur me lluspa peshku tej e përkëtejë. Pas pak ia dha truri të shkonte e të kridhej në det. Qe muaji shtator, në të dalë, po ngrohtësinë e mbante si në maj e qershor. Dhe ashtu i thellë, i pastër, sa mund të shihje kumin e shtruar aq butë në fundin e vet, si të qe një sendon llamburitës. Po Fori,-siç e thërrisnin në Shqipëri, preferoi të hidhej me kokë nga një shkëmb aty pranë, të vente deri në fund, të mbushte të dyja grushtat me kumin e poshtëm e pastaj të ngjitej me vërtikë mbi sipërfaqe. Jo, nuk do pranonte që t'i shtonte ngatërresa vetes. Vërtetë qe 34 vjeç tani, po edhe sikur ta martonin me të vërtetë, me të "bukurën e dheut", si nëpër përralla, askujt nuk i duhej kjo, para lirisë që kishte siguruar këtu, në vetminë e tij dhe në atë ngrehinë të mënjanuar, përbri kolibeve të kafshëve e të shpendëve, me të cilat po bënte 20 vite që jetonte në harmoni, sikur të kishte disa banorë frymorë pranë, që s'duheshin braktisur kursesi me belara grashë, firmash e të disa parave qe hidheshin ashtu, së koti, gjoja si sadaka, po për t’i siguruar një jetë tjetër një njeriu tjetër, që s'e njihte fare e që nesër dejë, firma që do të vinte, mund t’i "pëlciste buzën", fare pa punë. Jo, nuk do ta vinte atë firmë.

***

Atij si kishte dalë mirë gjumi mëngjesit, kur ra zilja e telefonit. E kuptoi se kush e merrte e nuk e ngriti. Mirëpo zilja do të binte pa ndërprerje, me këmbënguljen e rrezikshme se, në të tilla raste, "burri i nënës" do të shfaqej aty, jo më vonë si gjysmë ore më pas, me "Land Rover"-in e tij dhe do të shfrynte si dinte vetëm ai, në ngjashmëri me derrin e egër. Kishte arrdhur këtu gjatë trazirave të Luftës Italo-Greke, me gjithë bagëtitë që kishte zënë andej dhe mbeti në Korfuz përgjithmonë, duke mbarështruar gjënë e gjallë e shtuar kopenë aq mirë, sa arinte ta mbulonte tregëtinë e tij dhe të fitonte shumë më tepër, me therjen e të imtave. Ngjante njëlloj si vendasit, jo vetëm nga pamja, nga katandia, po edhe nga gjuha, pse jo, edhe nga ajo shkathtësia me plotë dredhira. Më në fund e ngriti receptorin, për të dëgjuar matanë telit zëmërimin e tij, që përfundonte gjithmonë me një ton zëri të zbutur e me qortimin prindëror: "Dëgjo, pedhi mu!", edhe pse nuk ishte djali i ligjshëm i tij..."I hodha ushqim gjësë së gjallë",-tha Kristoja. "leri që të gjitha, se si gjenë gjë dhe eja shpejt! Mamaja ta ka hekurosur "kostumin e dhëndërisë" që të veni aty, në qeverinë e vendit, si njerëz për të qenë. Nusja të erdhi që nga larg e të pretë!" E mbylli receptorin me tërsëllim, pasi shau vënçe burrin e nënës!

Mamaja e priste jashtë shtëpisë dykatëshe, nga ana lindore e ishullit, afro 20 km më poshtë Korfuzit, brenda një rrethimi me agrume, një kilometër e ca më larg nga nomeja e tyre. Kristofori nuk i foli njeriut që përdridhte mustaqet me tangërllëkun e vetë e as së ëmës, po shkoi pas saj, si zgjidhja më e mirë që mund të bënte, për t'i rrëfyer kostumin që duhej të vishte. Të gjitha po bëheshin kaq me nxitim e papritur saqë ai, si i zënë ne befasi, nuk arinte të kundërshtonte dot para tyre. Dhe tani, shtohej aty edhe një personazh tjetër që vinte prej një vendi të largët, siç i kishin thënë, nga Amerika e sipërme, në afërsi me Polin e Veriut! E gjitha, e ideuar, e skicuar dhe e dhënë për realizim njëherë e mirë, prej hallës së vetë, një ndrikull e shkëlqyer për "kësi punësh"! Dhe vjen pastaj një çast kur teatri nuk luhet më në skenë, po në jetë. Të gjithë personazhet e lojës ishin po aty: ajo që do t