top of page

“Marta” vjen udhëmbarë


Dr. Ilir Shyta

“Marta” vjen udhëmbarë në poezinë e Pojanakut!


Publikimi i vëllimi poetik “Marta” mbetet sa festë e bukur personale për autorin Dhimtër Pojanaku, aq sa edhe për lexuesin që e do, çmon, kërkon dhe ble poezinë e autorit, fitues i shumë çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare në poezi. “Asnjëherë s’duhet kurrë harruar, që kritika letrare është subjektive. Kritika është një gjykim, një gjykim i vlerës së librave. Po në letra si në jetë, mund të thuhet se janë dy mënyra gjykimesh: Gjykimi i shkurt e i prerë, i pampshtetur në arsyera; edhe gjykimi i gatitur me dëftime e me shpikje, e i sjellë si një rrjedhë e pritur, jo si i hedhur, si një urdhër mizori. Kur del një njeri dhe më thotë se aksh libër është “fort i bukur”, mund të ketë të drejtë, por nuk jam i shtërnguar t’i zë besë fjalës së tija. Edhë një çaush a një dragat mund të presë me hanxhar gjykime të atilla. Kritika është një punë tjatër, dhe ca më e vështirë. Kur pëlqen dhe kur ç pëlqen një vepër, nuk arrin të këcej a të çfryj: duhet të shfaq përsetë e pëlqimit atë çplëqimit tim, në qoftë se dua të përpiqem të shokësoj këndonjësit në një ndjenjë me mua, shkruan Faik Konica në “Kohëtore e letrave shqipe”. Kësisoj, në qasjen ndaj këtij vëllimi poetik do ndalojmë me lexuesit në tri figura, që përbëjnë stacione poetike, në krijimtarinë e Dhimitër Pojanakut. Ato janë Deti, Nëna dhe Marta. Ndërkaq, duke qëndruar te e para, kujtojmë se vargu i tij konçiz e lakonik njëherësh, mbart një det të madh mendimesh sa Adriatiku e Joni bashkë, e duket sikur e lënë në hije liqenin dhe meditimin për të, që mbase poeti e anashkalon qëllimshëm. Çuditërisht poeti madhështon detin në varg, pikërisht atë, figurën e tij më të gjendur në poezinë që ai shkruan, ide e rrënjosur kjo tek unë edhe prej intervistave që Pojanaku ka dhënë herë pas here ndër media. Sikundër thinjet deti; sa më tepër më ikin vitet, aq më tepër të ngjaj det; shoh pulëbardhat që fluturuar ikin nga deti në mal, zog fluturoj në qiell apo rrjedh si lumë drejt detit; etj., janë pika orientimesh që ndriçojnë farin e tij krijues. Sepse Deti është i gjerë dhe i thellë në shpirt!

Sepse Deti:

Mban dy botë!

Njërën

Poshtë,

Lindur nga barku i vet,

Tjetrën,

Lart,

Mbi lëkurë,

Që nuk e njeh!

Edhe kur ndodh, që botët përmbysen,

Ja sjell fati,

Jo shpirti!

Sepse:

Kur ndahen toka dhe deti

Ka fajtor?!

Deti që tërhiqet

Apo toka që nuk lëviz as gishtin ta joshë,

Të jetë një vendim i të dyve për të provuar fuqinë e dashurisë?

Sepse:

Zemra më lundron me ditë e më net’ në det të hapur

e s‘pyet për moshën

Sepse:

Lumenjtë bëhen pleq po s`u derdhën në det,

e malet sheshohen po nuk mbajtën qiell.



Në këtë lundrim poetik Deti mbetet kryfigura më e përfaqësuar e Pojanakut, për t’u pasuar nga ajo e NËNËS së poetit, që edhe pse ka ndërruar jetë, troket në poezinë ambiguide, e cila të grish për lexim. Mungesa është forma më e lartë pranisë së dikujt që ka ndërruar jetë, ndaj në vargun e Pojanakut, figura e nënës dhe vdekjes, personifikohen si një e gjitha. Në perandorinë e kalçiumit poetik krijohet një gjendje e etertë.

Në je nisur për tek unë,

Hiqe rroben e zizë.

Boll e llastuat mortjen!

Të panë tek mbaje dhimbjen time përkrahu, nënë!

I ratë rrotull shtëpisë

***

Si nuk kam qenë asnjëherë te varret natën?! Si nuk ma shtiu askush ndërmend?! Nën pipëtimë, T`i përgjoj të mitë, Në flenë apo rrotullojnë dherin.

***

Perandoria e bardhë/ Eshtë shtrirë mbi botë

Pa kufij,

Se të gjithë flasin gjuhën e gjumit.

***

...varrezat

Me pikëllimin,

Ushqejnë lulëzimin.

MARTA është figura më e re, ndalesë në stacionin tonë, por që sigurisht nënkuptohet edhe si ekzistencë e mëhershme në figurën vajzërore, që mbart krijimtaria e Pojanakut. Nëse ti e pyet poetin, a mos Marta ngjason me një X portret femëror, Dhimitri nuk të lë ta përfundosh mendimin. Gjithmonë sipas tij, Marta mbetet sharm poetik, që lartëson emrin e njeriut në letrat shqipe. Të paktë janë librat që mbajnë për titull kategorinë e emrave të përveçëm, ndonjherë edhe në bashkëpunim me folje, lidhëza e përcaktorë. Në këtë poezi, poeti sinjalizon se e ka parë Martën shtatë herë, por ajo nuk e pa asnjherë, sepse sytë e saj visheshin me avuj gëzimi. Të gjithë ikin në jetë, vetëm emri është shenjuesi që mbetet dhe tregon pavdeksi. Poeti e pa Martën teksa hiqte nga mollëzat rozë të gishtrinjëve borë, ca grimca prej dheut të lagësht. E pa edhe tek mbyllte ditën lehtësisht, si perdet e një dritareje. E pa të arratisur ikonash kishtare, te çezma e vareve apo dyqani i çantave... Pra, shkrirja e kohës e bën poezinë e Pojanakut të marrë formën e monologut autobiografik dhe t’i japë atij gjithmonë tisin e koherencës. Duke shkrirë kohët në një të vetme, fitohet leximi vertikal, që përpos atij horizonatalit, përcjellin mesazhe të gjithëpëlqyera për lexuesin.

Shtatë herë e pashë Martën sot. Te pagëzimi i Naumildit, Si flakë e dalë nga ikonat, Ish stolisur me fustan të kuq në të verdhë. Te i riu Gjokë, Shtrirë ku ish kazani i pagëzimit, I ranë mbi pelerinën e hirtë në të zezë, Ca pika lot rruazë Sa dhe prifti u nemit.


Te krijimtaria e Pojanakut në përgjithësi, por dhe në veçanti te “Marta”, theksojmë se sendërtohet raporti fabul/gjendje, raport ky i plotësuar edhe përmes një figuracioni origjinal, ku mbizotëron më së shumti ajo e metaforës. Në këtë sens, poezia e tij, fiton emocionin e ngjarjes dhe përcjell meditimin te lexuesi. Dhe në këtë bashkëlexim autor-libër-lexues, duket sikur para teje shfaqen një film ose video artistike, me protagonsitë gjithsecilin nga ne, për të provuar ekzsitencën e rrojtjes sonë mbi këtë dhe.

Titujt e poezive në krijimtarinë e Dhimitër Pojanakut mbeten art më vete. “Fjalët e fundit të një vjeshte tërmet”, “Flur”, “Zbehje në fytyrën e miqësisë”, “Lulja e greminës”, “Duart e anonimatit”, “Çarqevënësit”, “Puthja tragjike e muajti shkurt”, “Monologu i verdhë”, “Monologu i një dite çudi”, dhe “Qeni i emigrantit”, janë titujt më intrigues të këtij vëllimi, që padyshim së bashku me titujt e tjerë, përbjnë vlerë të gjithësishme në republikën e letrave shqiptare. Titujt, herë të shprehur me simbole, herë me metafora e herë me paralelizma figurativë, fare bukur të emocionojnë dhe të shtyjnë drejt idesë së një poezie të mirë, pa nisur leximin e saj. Titujt vijnë të shkrirë në mënyrë organike e të njehsuar me përmbajtjen e mesazheve, përmes një damari të dukshëm dhe të spikatur që mban në unitet formën me përmbajtjen. Në këtë sens logjike, të largëtat vijnë pranë e të afërtat bëhen ëndërr poetike, sepse poezia e Dhimitër Pojanakut është një sistem i modifikuar dhe shpesh tekanjoz, brenda së cilës njehsohen poetika e përjetësisë me stilin lirik.

Në “Teorinë e Letërsisë” kemi dy lexime të një vepre letrare. Lexim të brendshëm dhe lexim të jashtëm. Leximi i brendshëm është analiza kontekstualiste e këtij vëllimi poetik që po kryejmë në këtë moment dhe analiza e jashtme përfshin dukjen e librit, thënë shkurt dhe saktë, kopertinën, por dhe botimin në tërësi të librit. Mesa duket gjendjen fluide të Martës, piktori pogradecar Henri Shkruti e ka realizuar plot fantazi e suspansë, që lexuesi ta mendojë vetëm të bukur Martën e Pojanakut. Ndërkaq, koceptimi i një botimi luks, i kuruar deri në detaje nga shtëpia botuese “Onufri” është realizuar me finesë.


53 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page