Marramendje staliniste e dashurisë së pafundme për Udhëheqësin e mençur
Fatmir Terziu
Aty nga fundi i muajit Shtator të vitit 1994 në Komunën e Gostimës së Rrethit të Elbasanit, organizohej një seminar. Të ardhur nga Tirana dhe nga OJQ të ndryshme synonin t’i jepnin një frymë tjetër pushtetit lokal. Në mesin e të ardhurve binte në sy edhe një grup Motrash Domenikane të së Lumes Imelda Lambertini, që vepronin në atë zonë në ndihmë të të sëmurëve të kohës së diktaturës, që kishin qenë me Leprozë. Kjo ishte një qendër që funksiononte për këta të sëmurë, e ngritur që në kohën e Mbretit Zog dhe më tej deri në kohën e pushtimit Italian. Kishte funksionuar edhe më vonë gjatë kohës së diktaturës, dhe pas 1990-ës, këto bamirëse tregonin tashmë miqësisht ndihmën dhe fjalën e përkujdesjes në këtë qendër tashmë në funksion tjetër dhe përkujdeseshin deri në Sulovë e në Mollas. Me këtë rast në një mision të përcaktuar mediatik një grup xhirimi nga RAI, ishte interesuar për këto shërbime të dikurshme, dhe për më shumë për punën ndihmëse dhe vullnetare të murgeshave nga Vatikani dhe synonte realizimin e programit që kishte një dritare më të gjerë në drejtim të pasqyrimit të jetës në atë zonë me ndikim të hershëm të shërbimit të karitasit italian. Për t’a realizuar atë sa më mirë kërkuan ndihmën edhe të gazetarëve vendës. Në projektin e tyre u përfshiva edhe unë me propozimin e Kryetarit të atëhershëm të Komunës së Gostimës, Ilmi Plaka, një njeri tepër i përkushtuar ndaj proceseve demokratike, pasi vinte nga shtresa e cilësuar e kulakëve të zonës dhe i dhënë shumë për detyrën e tij pasi kishte pasur ëndërruar me kohë që të shërbente për komuntetin dhe njerëzit e dashur të zonës. Në bashkëpunim e sipër, ekipi i RAI-t më kërkoi të ndihmoja në gjetjen e disa fakteve që të pasqyronim edhe një detaj që i shtohej rëndësisë së materialit si shtesë në kuptimin e jetës së banorëve të kësaj zone para kohës së diktaturës dhe gjatë saj.
Detaji lidhej me të shkuarën e kësaj zone, por dhe me kohën e Diktaturës Komuniste, ku sipas fakteve që dispononin ata kjo zonë ishte ndër më të goditurat e Reformës dhe Ligjit stalinist të vitit 1929 që kërkonte likuidimin e klasês së kulakëve dhe këtu ishin cilësuar rreth 50% e familjeve ‘Kulakë’. Këtyre familjeve u ishin sekuestruar me qindra dynymë tokë, krerë bagëti, krerë lopë e buallica, flori e pasuri të tjera.
Në një fletore shkrimi e cila ishte mbajtur pa u shkatërruar nga komunistët, në këtë fletore të kohës së ish Bashkimit Sovjetik, me kapak ngjyrë jeshile të errët me një shkrim dore ishte shkruar,: “të dhënat mbi gjëndjen e kulakëve Gostimë dhe Shtëpanjë deri në vitin 1973”. Brenda po me të njëjtin shkrim shkruhej “gjendja ekonomike para çlirimit”; “qëndrimi politik gjatë luftës N.Ç.L”; “mbas çlirimit”. Këto tre nëndarje ishin thuajse për të gjithë familjet në fletore. Aty jepeshin edhe shënime të tjera, si përshembull për A. Sh. P. thuhej: “I nipi i M. ka të njëjtat të dhëna sikurse M. para dhe gjatë luftës kanë qënë së bashku në familjen e A.P. Në vitin 1959 është ndarë nga M. dhe tani banon veç. Në vitin 1956 babai i tij SH.P. është pushkatuar për vjedhje dhe sabotime. Në familje përbëhet prej disa frymësh. Është i martuar dhe ka fëmijë”.
Për një tjetër thuhej: “I biri i M.P. ka këtë gjendje ekonomike: Para çlirimit ka pasur 300 dynimë tokë, 1 bujk, 100 kokë dhen, 10 krerë lopë e bullica, 3 pendë qe e buaj, 2 hyzmeqarë, 2-3 kuaj ngarkese, një pjesë mulliri, një dyqan në Gostimë. Mbas çlirimit: Me reformën agrare i mbetën 25 dynymë tokë, një pendë buaj, një kalë ngarkese. Qëndrimi politik: Gjatë rregjimit të Zogut, babai i tij ka qenë njëri me influencë në fshat dhe në krahinë, ka qenë kryeplak fshati. Gjatë luftës N.Ç.L. babai i tij M.P. ka qenë i lidhur ngushtë me Ballin. Kanë qenë komandantë Balli si M, dhë vëllai i tij, kanë luftuar kundër partizanëve me armë në dorë. Mbas çlirimit, M. ka qenë i internuar 6 vjet që nga viti 1946 deri në vitin 1952. Në vitin 1961 u burgos dhe u dënua me 8 vjet burg për agjitacion dhe propagandë kundër Partisë së Punës së Shqipërisë dhe Pushtetit. Në fillim të vitit 1963 vdiq në burg. Xhaxhai i tij N.P. ka qenë i arratisur jashtë shtetit si kriminel dhe u vra me rastin e kapjes së Hamit Matjanit. Vetë M. nuk ka marrë pjesë dhe nuk ka treguar ndonjë aktivitet kundër partisë dhe pushtetit. Ndërsa në vitin 1961 kur është arrestuar dhe burgosur i ati është bërë anormal kur mori vesh, ishte ushtar…”
Për të plotësuar disi këtë ‘evidencë” le të pasqyrojmë fjalë për fjalë edhe këtë: “G.P. Gjendja ekonomike para çlirimit: Ka qenë bashkë me M.P., është vëllai i M. dhe i N. Qëndrimi politik: …G. ka qenë njeriu më avdall që M. dhe N. nuk e pyesnin fare si vëlla që e kishin, bile nuk e përdornin si vëlla, por si hyzmeqar”. Më tej thuhet për situatën mbas çlirimit: “Nga reforma agrare ka përfituar 20 dynymë tokë. Në vitin 1963 duke mos i rezistuar tatimeve dhe duke mos qenë në gjendje tokën që dispononte ia dorëzoi Kooperativës Bujqësore Gostimë. Në vitin 1957 G. iu gjet një pushkë në shtëpi”.
Kështu në këtë fletore material sekret i organeve të brendshme të asj kohe, që i përkiste i vitit 1954 dhe të rinovuar përsëri në vitin 1973, vazhdohet edhe për dhjetra familje dhe familjarë të tjerë. Përshembull një fakt interesant është pasqyrimi i Ll.P. ku thuhet se gjatë Luftës N.Ç.L. “ka qenë komandant Balli, ka luftuar kundër partizanëve, ka plaçkitur popullin. Ju ka marrë florrinjtë e veshit grave, kudo kërkonte mish e bakllava”. Kjo ishte lufta e tipit enverist që ishte ushqyer nga stalinizmi dhe që tashmë përpunohej më imtësisht në kushtet e enverizmit, ku kërkonte tashmë jo vetëm likuidimin e plotë të klasës së kulakëve, por edhe ndjekjen e mëtejshme të tyre, tek nipërit, mbesat e të gjithë brezat që pasonin më tej.
Po si kishte funksionuar stalinizmi në nivelin e udhëzimeve politike enveriste? Në një qasje të parë, gjërat mund të duken të qarta: stalinizmi ishte një sistem komandimi rreptësisht i centralizuar, kështu që lidershipi më i lartë nxori direktiva të cilat duheshin respektuar deri në fund. Megjithatë, këtu ndeshemi me enigmën e parë: “si mund të bindet dikush kur nuk i është thënë qartë se çfarë të bëjë?” Në përpjekjet e kolektivizimit të viteve 1929-1930, për shembull, “nuk ka pasur ndonjëherë udhëzime të hollësishme se si të kolektivizohet sipas dokumentit të lëshuar dhe zyrtarët lokalë që kërkuan udhëzime të tilla u qortuan.” Gjithçka që u dha në të vërtetë ishte një shenjë, fjalimi i Stalinit në Akademinë Komuniste në dhjetor 1929, ku ai kërkoi që kulakët të "likuidoheshin si klasë", me të cilin pezullohej rendi juridik pozitiv, ligji “i pastër”, forma e urdhërimit/ndalimit "si i tillë", shpallja e një Urdhërese të privuar nga çdo përmbajtje.
Në thlebin e parë likuidimi si klasë ishte një tipar, tjetri ishte ligji. Ligji kishte të bënte me veprimet sekrete dhe ato që bëheshin publike për qëllime të paramenduara. Ai më duket se është ende edhe sot në një farë mënyre, ku na bën fajtorë të gjithëve, edhe ne që bëjmë se e kuptojmë, dhe heshtim, dhe atyre që ndoshta në kushtet e reja të kapitalizmit nuk duan të bëjnë hasha atë që i prek me të shkuarën e këtij ligji meskin. Në sytë e këtij Ligji “të çmendur”, ne jemi gjithmonë-tashmë fajtorë, pa edhe duke e ditur se për çfarë, saktësisht, jemi fajtorë. E ndoshta pa e kuptuar pranojmë të heshtim kur një nga politikanët e sotëm qeverisë quhej i padiskutueshëm global, krahasohet me liderët gjigandë… etj. Kjo ndodh sikur ekziston ende ai ligj. Ai ligj që të merrte gjithçka, të largonte nga pronat e tua, të degdiste … të hiqte lirinë pa shkak juridik. Ai ligj është metaligji, ligji i gjendjes së jashtëzakonshme në të cilin pezullohet rendi juridik pozitiv, ligji “i pastër”, forma e urdhërimit/ndalimit "si i tillë", shpallja e një Urdhërese të privuar nga çdo përmbajtje, heshtja për braktisjen e vendit, përzënia e rinisë me kushtin paradoksal, se „të gjithë kombet emigrojnë?!“. Dhe, në fakt, a nuk është ky ligji stalinist, a nuk ofron, ndër të tjera, regjimi stalinist një provë të qartë se si një Ligj i tillë "irracional" i pakushtëzuar përkon me dashurinë? Në sytë e Ligjit Stalinist, çdokush mund të shpallet fajtor në çdo moment (i akuzuar për veprimtari kundërrevolucionare); vetë mohimi i fajit konsiderohet si prova përfundimtare e fajit, e kështu me radhë - por, njëkohësisht, duke iu bindur një domosdoshmërie të thellë strukturore, marrëdhënia e subjekteve staliniste me Udhëheqësin e tyre përcaktohet si ajo e dashurisë, e dashurisë së pafundme për Udhëheqësin e mençur.
Dhe ngjashëm veprohet edhe sot si atëherë. Atëherë kuadrot e niveleve më të ulëta, të etur për të përmbushur këtë urdhër, në ankth për të mos u akuzuar për tolerancë ndaj armikut të klasës, kulakut dhe mungesë vigjilence, natyrisht e plotësuan urdhrin e tepërt, vetëm atëherë kemi "gjënë më të afërt me një deklaratë të qartë të politikës publike", letrën e famshme të Stalinit "Marramendje nga suksesi", botuar në Pravda më 1 mars 1930, e cila hedh poshtë teprimet në atë që ishte bërë pa udhëzime të sakta nga zyrtarët lokalë. Dhe ky lideri shqiptar i qeverisjes së somte, pranon të bëjë këtë lojë, jo pak herë në publik, në takimet me të huajt, servilizmin ndaj tyre, por dhe në mediat që i sillen si orbitë rreth tij dhe qeverisjes së kësaj forme.
Atëherë, si mund të orientoheshin këta kuadro vendas? A ishin ata krejtësisht në humbje, ballë për ballë me një urdhër të përgjithshëm të papërcaktuar? Jo plotësisht: boshllëku u plotësua në mënyrë të paqartë nga të ashtuquajturat "sinjale", elementi kryesor i hapësirës semiotike staliniste: "Ndryshimet e rëndësishme të politikave shpesh 'sinjalizoheshin' në vend që të komunikoheshin në formën e një direktive të qartë dhe të detajuar". Sinjale të tilla "tregonin një ndryshim të politikës në një fushë të caktuar pa përcaktuar saktësisht se çfarë përfshinte politika e re ose si duhet të zbatohej." Ato përbëheshin, le të themi, nga një artikull i Stalinit që diskutonte një pikë të vogël të politikës kulturore, një poshtëruese anonime, koment në Pravda, një kritikë ndaj një funksionari vendas të partisë, lavdërimi i papritur i një punonjësi provincial, madje një shënim shpjegues për një ngjarje historike që kishte ndodhur qindra vjet më parë. E ai shkon përtej dashurisë nga marramendje alla-staliniste e dashurisë së pafundme për Udhëheqësin e mençur.
E po do të thoni se kuqëndron problemi i kulakut këtu? Nuk besohej se nuk është e kuptueshme. Nuk besoj se nuk kuptohet largimi i të rrinjve. Nuk besoj… janë me dhjetëra pika që të afrojnë aty. Por shtirja është ngjashëm. Ishte dhe mbetet një sinjal si loja dinake e vetë Stalinit. Një sinjal i tillë u lëshua atëherë në një mënyrë joformale, për shembull, Stalini i telefonoi personalisht një shkrimtari (Pasternakut), duke e pyetur, me habi të shtirur, pse nuk kishte publikuar një libër të ri së fundmi dhe lajmet qarkulluan shpejt në inteligjencë.
Prandaj, paqartësia ishte totale: një zyrtar lokal, i përballur me një urdhër të përgjithshëm të papërcaktuar, u kap në dilemën e pazgjidhshme se si të mos akuzohej për butësi, por edhe si të shmangej të qenit fajtor si përgjegjës për "ekseset". Megjithatë, nuk duhet harruar se ngërçi i udhëheqjes së Partisë që lëshonte këto sinjale nuk ishte më pak dobësues: me pushtetin total në duart e tyre, ata nuk ishin në gjendje as të jepnin urdhra të qartë se çfarë duhej të bëhej. A nuk është edhe e sot po ashtu?
Comments