top of page

Marina e Durrësit drejt modelit “Afrikano-Meksikan”


Ark. Enea Papa





“Sulm barbar” ndaj një qyteti historik do ta quaja investimin strategjik të qeverisë shqiptare në marinën e Durrësit. Ky nuk është thjesht opinioni im si qytetar durrsak por është mendimi profesional dhe akademik si arkitekt dhe urbanist, i bazuar në argumenta, të cilat po i rendis si më poshtë:


Mosfunksionimi i shtetit ligjor dhe anashkalimi autonomisë vendore


Zhvillimi i porteve si zona strategjike patjeter që mund të nis nga një vizion ose nismë e qeverisë për rikualifikim apo trasformim të tyre, por në çdo rast, duhet të mbështetet në një vizion kombëtar që merr parasysh tërësinë e marinave apo porteve të territorit të Shqipërisë, dhe që përcakton qartë specializimin e tyre dhe po ashtu funksionimin e tyre si një e tëre në të gjithë vijën bregdetare. Hierarkia e planeve, duke u nisur nga vizioni kombëtar mbi zhvillimin e porteve deri te nderhyrjet specifike në një port të caktuar (në këtë rast Durrësi) është një proces tejet kompleks që duhet të bazohet në të dhëna statistikore për të hartuar studime të mirëmenduara dhe plane të përshkallëzuara në të gjitha nivelet. Kështu, slogani “ porti më i madh i Ballkanit apo i Mesdheut” për profesionistët e fushës tingëllon sa tragjik aq dhe qesharak, jo sepse është i pamundur, por sepse nuk plotëson asnjë kriter ligjor përvecse diktatit, kapricove personale, tejkalimit të kompetencave, mosrespektimin e hierarkisë së planeve dhe shkeljen e autonomisë vendore.


Vendosja e gabuar e prioritetit të kriterit të parasë përpara kriterit të zgjidhjes


Në literaturen e menaxhimit urban të një territori, të mendosh të vendosesh prioritet sasinë e parave të investimit përpara zgjidhjes urban është krejtësisht absurde. Megjithatë, të gjendur para faktit, të supozojmë për një moment se: Investitori është ai që vendos për zgjidhjet urbane të një qyteti 3 mijë vjecar. Investitori ka një vizion afatshkurtër dhe shumë personal të zhvillimit që përkon pak a shume me jetën e tij dhe fitimet e momentit, ndërsa për jetën e qyteti kjo kohë është shumë e shkurtër dhe kjo duhet kuptuar drejt. Durresin nuk e kemi trashëguar nga prinderit por ia kemi marrë hua femijëve tanë dhe kemi detyrimin tja lëmë ashtu sic na e kanë lënë të parët tanë (koncepti i zhvillimit të qëndrueshëm). Kemi detyrimin ta zhvillojme por pa e shitur, kemi detyrimin ta jetojme por pa i shteruar oksigjenin, kemi detyrimin ta menaxhojmë territorin pa e masakruar. Dhe kjo është e mundur vetëm me mëncuri, profesionalizëm, ambicje, largpamësi dhe të tjera si këto por të gatuara me humanizëm dhe jo me barbarizëm. Zgjedhja e investitorit (pra e parasë) si prioritet përpara zgjidhjes urbane, sigurisht ka tejkaluar të gjithë kriteret profesionale dhe ambicioze të një zgjidhje urbane të qëndrueshme.


Vizioni urban i “rrethimeve luksoze Afrikano-Meksikane”


Informacioni që kam mundur të shikoj është minimal por i mjaftueshëm për të kuptuar vizionin e ndërhyrjes dhe për të shpjeguar hapur strategjinë e ideatoreve të djallëzuar por edhe dritëshkurtër. Qartësisht, vizioni është dhënia me koncesion e waterfrontit të Durrësit, nga shëtitorja deri në Agip ku përfshihet një sipërfaqe të paktën 100 ha (ndërkohë që Durresi historik nuk është më shume se 300ha) pra 1/3 e sipërfaqes së Durresit i jepet një investitori për të berë dicka të bukur. Tragjike dhe qesharake bashkë. Një waterfront i ri para waterfrontit egzistues, brenda në port, ndërtuar masivisht me objekte, qoftë dhe luksoze, shoqëruar me pontile velierash apo terminal krocierash. Një “mur” për qytetin e Durresit ku qyteti dhe deti do të jenë dy realitete sa pranë aq dhe larg njëra-tjetrës.

Mos harrojmë që historikisht porti dhe qyteti kanë jetuar së bashku dhe me vitë të tëra urtësia Durrësake ka promovuar mundësinë e dialogimit të qytetit me portin, mundësinë e ndërlidhjes, të hapjes së portit apo të funksioneve të tij dhe lidhjes se jetës intelektuale dhe kulturore të qytetit me portin. Vizioni i propozuar është krejt e kundërta. Plani imagjinon një qytet të ri, një barrierë që izolon qytetin nga deti, një ishull “parajsë” e cili nuk ka rëndësi ku ndodhet, rëndësi ka të ketë pas shpine një qytet për tu furnizuar me krahë të lirë pune, pra me skllevër. Shembuj të tillë autoritarë ka në botë por në vendet me të varfra dhe me nivel korrupsioni të lartë. Ky vizion, vec të tjerash azgjëson qytetin historik, duke e bërë Durrësin të jetë i kudondodhur pra pa identitet, pa vokacion, i barabartë me zero pikërisht si ideatorët e këtij vizioni përballe praktikave më të mira të Bashkimit Europian.


Vizioni i gabuar i menazhimit ekonomik urban


Të gjithe e dimë dhe e ndjejmë në kurriz faktin që Shqipëria është një vend i varfër në aspektin ekonomik, por kjo nuk do të thotë që një vend pune si skllav i respektuar në vendin tënd është zgjidhja. Një zhvillim i ekuilibruar dhe modest ekonomik i bazuar në empatinë njerezore midis qeverisë dhe qytetarëve, midis kërkesës dhe ofertës se një turizmi historik bregdetar dhe familjar të bazuar në shpërndarjen e pasurisë dhe jo në perqendrimin e saj do të ishte formula me e mirë sipas meje. Strukturat turistike në Durrës kanë vite që mundohen të përmirësojnë shërbimet por vizioni i ri e çon dëm mundin e tyre, duke ndryshuar rregullat e lojës, duke krijuar barriera të pakalueshme dhe duke orientuar turizmin drejt një modeli që vetëm me historinë dhe traditën lokale nuk ka lidhje. Ky është një model ekonomik i një vendi të pa shpresë sepse nuk stimulon promovimin e vlerave dhe ekonomisë lokale, nuk stimulon forcimin e shtresës së mesme, nuk stimulon shpërndarje të pasurisë në territor por përkundrazi stimulon përqendrimin e pasurise dhe të monopolit. Pasojë e këtij modeli do të jetë zhvlerësimi masiv i pronave, humbje të identitetit historik dhe kulturor, rritje të kriminalitetit, emigracioni, etj.

Cili mund të jetë vizioni urban bashkëkohor për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe urban të territorit në respekt të institucioneve, të ligjit, dhe të praktikave më të mira europiane? Cila është rruga e duhur, por padyshim e gjatë dhe e mundimshme për një ndërhyrje të tille?

Hartimi i strategjiseë kombëtare për organizimin dhe specializimin e porteve dhe marinave.

Hartimi i detyrës së projektimit në bashkepunim të ngushte me Bashkinë Durrës ku në fokus duhet të jenë te paktën 3 pika kyce të panegociueshme:

a) Lidhja e qytetit me portin (funksionale dhe kulturore)

b) Specializimi dhe optimizimi i aktiviteteve portuale (egzistuese dhe të reja)

c) Stimulimi i ekonomisë lokale dhe turizmit vendas dhe tradicional duke e konsideruar Durrësin si vend historik magnetik (jo turizmit apstrakt pa identitet)

Hartimin e masterplanit të portit të Durresit nëpermjet konkursit të lire (kombëtar apo ndërkombëtar) dhe ndjekjes së të gjithë hallkave ligjore dhe koordinimit me Planin e Përgjithshëm Vendor.

Në pamundesi ekonomike per realizimin e projektit, i cili jo domosdoshmërisht përmban ndërtime, organizohen takime pafund për të gjetur marreveshjen (PPP) më të mirë pa shkelur zgjidhjen urbane të kontraktuar me konkurs të lire dhe pa shitur token e Shqipëtarëve.


59 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page