top of page

"MANAT me hardhi" të POETES MIMOZA XHINDI !



       


Nga   Përparim   Hysi 




Libri me poezi "Monumenti i  përjetësisë"

                      (ese )




     Ka një rit"martese" midis manit dhe hardhisë në MYZEQE. Sipas traditës së lashtë, kjo"lloj martese" bën që hardhia të japë prodhim  të bollshëm. E kam parë me  sy dhe nuk shkruaj me apriori. Nëse metaforizoj gjithë botimet letrare të poetes MIMOZA XHINDI,e bëj enkas se ka një përkim. Përkim me një ngjarje këtu e  70-vjetëve më parë,që ka lidhje me manat të"martuara me hardhi".

                                                          *     *    * Ishte shtator,aty nga viti 1950, kur ende nuk kish rënë flama në fshat. Kur lexoni"flama", nënkuptoni kooperativa. Mirë apo keq,fshatarët kishin tokat e  tyre (ua kish dhënë reforma agrare) dhe, veç tokave arë, secili sipas mundësive apo nevojave, aty, pranë shtëpisë,kish bahçenë e tij. Unë  po  vija nga shkolla për në shtëpi dhe, mu aty,pothuaj ngjitur me rrugën,qe bahçeja e një bashkëfshatarit tonë. Shkoja rrugës,por sytë më mbetën mbi"kalaveshët"  e rrushit të pjekur për merak,mbi manat. I zoti e pa lakminë time prej fëmije dhe vuri një palë shkallë dhe ma zgjati një"kalavesh" të madh në duar.Unë e rrëmbeva tërë lakmi dhe as i thashë dot :-Të faleminderit! Ndërsa po fusja kokrrën e parë ( e mbaj mend qe "korinth i kuq" me kokrra të mëdha dhe me majë), shoh një udhëtar që t'i thotë të zotit të bahçesë:- A më lë të ha ndonjë vesh rrush? Dhe i zoti (po vallë a ka myzeqar që ta mbyll derën e bujarisë?),i tha:- Hip,jaran, se aty i ke dhe shkallët.Hipi udhëtari dhe, për çudinë time,më përpara zbriti,se sa hipi. Thashë, aha, ky e vuri në provë këtë fshatar babaxhan,se nuk dashka rrush dhe po ndiqja me sy udhëtarin,kur do largohej. Por jo. Udhëtari,sikkur të ish në bahçenë e tij, i hoqi me terezi shkallët nga mani i parë dhe iu ngjit të dytit. Unë përtyp dhe shiko, kur, sa zbriti nga i dyti, hipi tek i treti. Tek i katërti dhe,pasi i numërova,qenë gjithësej 6- mana dhe të gjashtë me rrush "korinth". Kur zbriti dhe nga i gjashti, e falnderoi të zotin dhe iku. Unë vërtet nuk e falnderova,por nga goja gjithmonë kam qenë "brisk" dhe i them:- O xha Qamil,po ai boti sikur e kish bahçenë e tij, nuk la man pa hipur! Xha Qamili,zemërbardhin që e kujtoj me mall, më tha:" Digjo, or çun, të keqen xhixhaj tyja. Ai që lyp,e nxinë një  faqe, kur kërkon. Ti, po i dhe, zbardh dhe faqen tënde,por pak dhe të tijin. Nëse nuk i jep atij që lyp, i ke nxirë  të dyja faqet. Unë(po kur i kam vënë fre ndonjëherë gojës?),po ai nuk la man pa i hipur,-zura të ankohem unë. Miku,- tha xha Qamili,- nuk pyetet për huqet dhe duhet begenisur me huqet që ka.Pas kësaj shpërtheu në të qeshur dhe unë,sado që mendoja që po qeshte me pyetjet e mia prej fëmije,prapë i thashë:-Hallall, o xha Qamil,që qesh  me mua. Jo, të keqen xhixhai tyja, nuk qesh me tyja, por me"atëna" që iku. Mbeti pa ngrënë, i shkreti. Qe nepsmadh dhe nuk u ngopti. Hip e zbrit,e bëri punën. Tani qe radha ime të qeshja.

                                                                *     *     *

E bëra gjithë këtë digresion apo  parabolë  me të shkuarën dhe m'u kujtuan 6 manat me rrush të xha QAMILIT, se "gjashtë mana me hardhi" më dhuroi dhe mua,poetja nga Roskoveci, MAJLINDA XHINDI. Nga"mani i parë" i saj, sa zbrita, shkrova esenë "Kumtet me vlerë". Tani, sa"zbrita nga mani i dytë". Është fjala për librin  me poezi " Monumenti i përjetësisë". Dhe pse po ndalem tek ky libër?

                                                               *      *    * Një libër,në prozë apo poezi, unë e përfytyroj si një shtëpi.  Kjo"lloj shtëpie",sado metaforike që të qendrojë në këmbë,do një "arkitra". Arkitrari nga ustai zgjidhet nga një dru i shëndoshë që,sado të kalojnë vitet, nuk e ha mola. Pra, mbetë ashtu siç e vendos. Kështu ka ndodhur dhe me këtë"Monument përjetësie". Flitet për një njeri që unë e kam njohur prej kohësh. Këtë njeri e ka njohur gjithë SHQIPËRIA. Është fjala për ish deputetin FATMIR XHINDI për të cilin nuk gjen dot fjalët e përshtatshme që t'ia bësh portretin fizik e moral ashtu siç e meriton. Më shumë se sa poezitë e autores,kam arsye personale (këto nuk janë as nepotike dhe as pragmatiste), për të shkruar. Kemi qenë kolegë që e njihnim njëri- tjetrin. Kur u zgjodh FATMIR XHINDI,kryetar i komunës KURJAN dhe qe përfaqësues i PS,unë u zgjodha kryetar për rajonin Qendër në Fier dhe përfaqësoja PD. Kur kandidoi  për deputet për PS ai, unë kandidova për deputet për PD.Ai fitoi dhe unë humba.Më nuk u mora me politikë,po kurrë nuk e harroj mikun tim qe ishte aq i ndershëm. Dhe pse mos e them:-Ndjeva dhimbje për fundin aq tragjik të një NJERIU që i bënte nder Parlamentit si përfaqësues i popullit. Mund të  zgjatesha dhe më, po më mirë se sa MIMOZA XHINDI, nuk mund të flas për të. Tek i shoh poezitë që MIMOZA XHINDI i ka kushtuar,FATMIR XHINDIT, nuk kam si mos mbresohem dhe  mos e lakoj  si një POETE që sjell mesazhe të bardha. Nëse vajton për atë fund tragjik (FATMIR XHINDIN, një dorë ezezë e vrau tek pragu i shtëpisë), MIMOZA XHINDI meriton të lakohet si një zë unik në fushën e letrave:- Nuk gjendet kund një kunatë (MIMOZA, më thonë ata që e njohin, është nuse e vëllait të FATMIRIT) që të ligjërojë gati mbi dhjetë poezi për  të ndjerin? Sidoqoftë,unë ia gjej përgjigjen këtij ligjërimi vajtues kaq të gjatë. MIMOZA është bijë nga MALLAKASTRA ku këndohet kënga:" Bijë,aty ku fute këmbët/aty të rënçin dhëmbët". Ajo erdhi në familen "XHINDI" dhe nga nuse e shtëpisë,u bë bija e saj. Ndaj,ngaqë ka dhe dhuntinë e poetit, e qan kunatin e saj,ashtu siç di të qajë një motër. Kunata në traditën familjare është gati si motër. Por poetja nuk e qan vetëm si familjare, por më tepër si deputet dhe  si përfaëqsues të denjë të popullit.Vetëm me dy vargje,kupton se sa vlerë kanë vargjet e saj:"Fatmir XHINDI,monument i gjallë/deputet i të gjithëve:i lartë sa një mal!!! Dhe në një poezi tjetër,vargu që vë domenin:"Deputet ke qenë/ deputet do të jetë"!!! Nuk do rri pa theksuar guximin e saj aq qytetar që me vargje akuzon qoftë dhe të"ashtuquajtur" miq të FATMIRIT që bëjnë që,edhe pas dhjetëvjetësh, sikur kërkojnë vrasësin.Poetja nuk e kursen askënd prej tyre:"Mos je ti? Po ti? Mos jini ju! Dhe guximi akuzon:"Vrasësi është midis jush!"                                                              *      *    * Sado që e ka bërë,edhe më tepër se sa duhet, detyrën si nuse e shtëpisë,detyrën si intelektuale,MIMOZA XHINDI nuk është egoiste. Ajo e di mirëfilli që dhimbjen më të madhe në këtë kob apo mort që mbrriti në familje,e ka nëna. MIMOZA është nënë vet dhe i ka  vënë librit një degë dafine,duke sjell me vargje dhimbjen e nënës për të birin. Si mësuese ajo e di mirë atë postulatën e PESTALOCIT që thotë:-Vetëm nëna është njeriu që na do, pa na parë akoma". Nëna ka humbur të birin,shtyllën e shtëpisë dhe poetja,përmjet vargjeve,na sjell një nënë"...e shihja buzëplasur se si mërmëronte/shikonte habitshëm sa derën, aq portën dhe vargu apogje:- Mblidhte fuqitë të rrëzonte botën!!! Në gjykimin tim, për "Çështjen FATMIR XHINDI", poetja ka rënë "peng" i asaj thënies që nuk e humbet asnjëherë aktualitetin:-Mjerë ai që mendon se drejtësia është e drejtë!!! Për të ardhur keq,po me të vërtetë,kështu ka ndodhur. Dhe POETJA akuzon dhe nuk hesht. Ajo urren fajtorët (ata që futin kokën në rërë si struci),por këtë urrejtje nuk e mban përbrenda se, siç ka thënë amerikania LAWANA BLACKWILL,"Po e mbajte urrejtjen përbrenda,ajo kthehet në një thëngjill që të djegë ty më shumë se të tjerët". Por, natyrshëm,si një intelektuale me horizont, ajo e di mirë se që" Është e pamundur të shkosh përpara,ndërsa je duke shikuar nga prapa",Fjalët në thonjëza janë të arkitektit gjermano- amerikan,LUDWIG MIES van de RHOE(1886-1969)                                                                 *     *    * Libri ka dhe poezi të tjera dhe vlera e tyre rritet nag mesazhet me bukë që sjell autorja. Në doni të shihni mësuesen që nxënëseve (siç lexoj në fcb, e saj) u thotë:-Jini ju,pa jam unë. Në doni të shihni intelektualen që penën herë e kthen në kamzhik kundër politikanëve pa vlerë,herë e kthen në plug për të çarë arat e letërsisë, mos nguroni që të lexoni librat e kësaj autoreje. Nëse nuk po vazhdoj edhe më,dua  ta lë  kuriozitetin e atyre që nuk e kanë lexuar, dhe jo vetëm kaq:- Do fitoni nga ky lexim. Urime,POETE MIMOZA  XHINDI!

                                                                Tiranë,5 nëntor 2020

210 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page