Mallimi prej së trishtës, tek vargjet e pavdekshme të Fishtës.



Fatmir Terziu


Mos u malloni me një rrënjë Rrapi që s'lexon. Rrapi që është bërë gjithçka, që ëndërron, që shkruan …, që fotografon, që pretendon, që adhuron, që mendon, që këshillon, që … fundja lum si ne që jemi rritur nën Hijen dhe Rrënjët e (a)tij Rrapi madhështor(!) (Sa breza me fat që paskemi qenë!) dhe ende jemi, se tashmë dëgjojmë çfarë ndodh në formën më Globale, ndjejmë anën më të thukët materiale, sygjerbojmë dhimbjen natyrale, e më tej shkojmë ashtu sikurse shkohet me sytë e përlotur në një ambient të lodhur nga Njeriu që pret pensionin e Tjetrin që ka harruar tollonin, por që e ka zëvëndësuar me racionin, sigurisht me stilin e ri, me papunësinë masive në vazhdimësi… E sytë dhe mendja na qëndrojnë si Komb në Kosovë, aty ku janë bërë stivë e spicë trupat provokuese deri në rikthimin e dhimbjes tjetër në Mitrovicë.

E poshtë dhe lart ka hije, ka shenja të një Rrapi me dhe pa vetëdije. Ka dashuri Globale. Dhe aty shkruhet, pa shkronja, pa fjalë të urta, me dhe pa Gjuhën e Fishtës, vetëm me atë që bluhet…

E gjitha thuajse, dhe ashtu sikurse shkruhet është dyll, pra mos u sikletosni, „Bini në dashuri me pemën që gjeni në një pyll“. E ku qëndron problemi këtu?! Sigurohuni që të mos jetë nga fis Rrapi, rrënjët e tij, hijet e tij, sinorët e tij, damarët e tij… dallditë dhe dalldisjet e tij… Gjejeni atë në kulmin e furtunës dhe të shtrëngatës së një vjeshte që sapo ka nisur, më pas në prag-dimri dhe më tutje të një nate që lë pasoja. Sigurohuni që ajo të mos e përziejë vërdallisjen e saj me dhimbjet dhe ulërrimat e tjera të qena e të paqena, që u dalin simotrave të tjera nga jashtë e nga brenda. Duajeni atë që është duke shkulur flokët e saj xhufka-xhufka në krah të rrjedhës dhe rrëkëllimës me mejdan gjysmë të zbrazët. Mos e quani vdiq, por ndërroi jetë dhe u bashkua me numrin e qëlluar arithmetikë, me shënimin e poshtër: „Mallkuar qofsh o Covid!“

Por ju kërkojeni ta gjeni. Kudo që ta gjeni, gjejeni atë që ka mbetur duke buzëqeshur me buzët e ngrira, sa nga etja e madhe, aq edhe nga pija. Sigurohuni që të zgjasë kjo ndodhi pak më shumë. Përdorni linja marrëse dhe dhënëse dixhitale, me praktikën nga kohërat moderne, nga më të fundit dhe argëtojeni atë me të shara parlamentare, qeveritare, rrugore, zyrtare, të kuptimta e të pakuptimta. Mos e zgjoni ndjesinë e saj të rraskapitur nga një ditë e gjatë dhe mos ia faturoni gabimet që dini se do të bëhen, vetëm në Tiranë. Merreni atë jashtë dhe dashurojeni në shi. Bëjeni kështu duke imagjinuar…, ose sepse e keni parë në një film. Komentoni për mirësinë e saj apo të tij. Për mirësinë e asaj peme që e keni dashuruar duke kërkuar veten tuaj të përhumbur në një pyll, madje në një xhungël postmoderne. Mos e krahasoni me ndonjë pikturë alla-zyrtare, as me ndonjë ftesë për të qenë në ndonjë ekspozitë të tillë.

Gjithësesi edhe Ju tashmë jeni në atë Pyll. Jeni në atë xhungël. Jeni me hir, a me pahir. Ndaj, tërhiqeni atë në një marrëdhënie të tolerueshme. Lërini muajt të kalojnë pa asnjë vërejtje. Pastaj le të kalojnë vitet pa u vënë re. Flisni, por jo për gjëra të rrëndësishme, por për asgjë, për asgjë me rëndësi dhe tërhiqeni bisedën nën të, kur ajri rritet i ndenjur dhe mbrëmjet bëhen të gjata. Luftoni se si stërkalat e dushit (nëse e keni, apo ato kanaçet me vajguri në se i keni mbajtur) duhet të mbahen larg nga kaçurrelat e kësaj peme…, ajo tashmë është e mbyllur në pyllin e saj. Vetëm të Huajt duhet të flasin për fatin e saj, vetëm disa të ftuar, disa të angazhuar, dhe nëse ka mbetur ndonjë nga të paangazhuarit.

Propozoni pak më vonë, më vonë se sa të prononcohen të Huajt, sepse e kuptoni që do të kishit humbur kaq shumë, nëse do ta kishit bërë propozimin në ndonjë kohë ndryshe, thjesht para tyre. Merreni atë në një restorant, që shkatërron stomakun e pangrënë mirë me muaj me salcë dhe peshq të marinuara dhe kërko me dashuri nga kamerieri që të sjellë një shishe shampanjë të shtrenjtë…

Por, kujdes mos harroni bëni një fotografi se do të ju duhet.

Mos harroni!

Ofroni një unazë modeste dhe mos u shqetësoni shumë nëse nuk ndjeni asgjë nga sinqeriteti, ose angazhimi i tërë kësaj strukture. Ju po jetoni të lumtur. Dhe aspak nuk duhet ta kuptoni se është fallco, krejt me dëshirën e të Huajve, ju po e dashuroni atë.

Bëni këto gjëra. Sepse një jetë e jetuar në purgator është më e mirë se ajo që jetohet në ferr. Ajo do ta bëjë atë më ferr. Unë po ju lus, qëndroni larg nga pema që rritet e tillë, nga pema që s'lexon, s'shkruan dhe flet si Njeri. Kush qesh, apo qan, kur ajo bën dashuri? Të huajt do të thoni JU? Kush mund ta delendisë me kujdes shpirtin e saj dhe ta rrotullojë atë duke e kthyer në prozë dhe poezi? Nëse ajo e do poezinë, … ore, ikni. Mos guxoni ta shikoni nga pas, as një shikim nga mbrapa. Ajo do të mbetet e vetme. Buzëqeshjet e vogla janë të rrezikshme, dhe ato duhet t’ju bëjnë të tronditeni. Mos buzëqesh duke lënë sytë nga mbrapa.

Mos u dashuroni me një pemë që mendon. Do ta kuptoni se ajo është e përbërë nga magji dhe e njeh veten si magjistare. Mos e doni atë që di të zhduket brenda një libri, ose një poezie, apo qoftë larg brenda një pikture. Nëse ajo harxhon më shumë se disa sekonda duke shikuar në sytë e një mëkatari, dilni prej aty. Më mirë të futeni në Bunk-Art, ose të imagjinoni se e keni kuptuar strukturën e diktuar nga Lart. Hë, ju lutem bëni kështu!

Mos u dashuroni me pemën që është e interesuar për frikën, e cila ndjen një si sëmundje kur e sheh jetën dhe arsyen në padrejtësi. Mos e doni atë që është intensive, të kthjellët dhe karizmatike. Qëndroni larg nga ajo që ka ndonjë ndjenjë, ambicie, rebelim, apo edhe aludimin më të vogël që të të çudisë në sytë e saj. Jini të kujdesshëm ndaj atyre që nuk mund të jetojnë pa muzikë. Nëse ajo mund të të tërheqë, të të shpjerë diku që të të argëtojë, të të pushojë dhe të pushojë shpejt së ndikuari mbi ty.