top of page

MALLI PËRVËLUES


Nga Fiqri Shahinllari

Në kohën e damllasë me emrin koronavirus që ka pllakosur botën dhe e ka vënë ndër këmbë atë, edhe unë jam karantinuar si gjithë të tjerët këtu në Amerikë. Gjëra të rënda dëgjojmë orë e çast. Por ama kemi shpëtuar nga "mokra" politike që na çau daullen e veshit sa herë hapnim televizorin. Kovid 19 i hodhi ujë zjarrit politik në Shqipëri që me siguri gërrvërrja do fillojë kur të thyejë qafën virusi. Le ta lemë mënjanë "mokrën" politike e ta çojmë gjuhën ku mua më "dhemb dhëmbi "Te Malli Përvëlues. Si njeri që më "çpon elbi" e nuk rri dot pa punë kam dyfish të drejtë të shkruaj; Së pari se kohën e kam me pashë pasi jam i moshuar e pensionist e nuk punoj gjëkundi për të siguruar ndonjë të ardhur financiare dhe, së dyti kohëzgjatja mbyllur në shtëpi e shton koronavirusi. Çudi me njeriun e gjorë. E zë belaja me menaxhimin e kohës. Keq kur ajo i mungon, keq kur atë e ka me bollëk. Në këto kushte detyrohem t'i hap vetes punë në 100 mënyra si i thonë fjalës. Kur nuk shkruaj, shikoj në televizor, bëj ndonjë punë shtëpie por sidomos komunikoj me miq , shokë e koleg e me familjarë e të afërmit e mi domosdo. Pastaj më shkrepet të shikoj inboxin e kompjuterit. Një ditë "grepi i syrit" kapi në inbox një poezi të Luan Çipit, mikut tim vlonjat me gene gjirokastrite, i palodhur në krijimtari n'daç në prozë, n'daç në poezi. Ai aktualisht jeton sa në Tiranë, aq edhe në Vlorë. Poezia quhet "Mall për Atdheun", shkruar në Çikago në 26 Mars 2011. Luani në vargje kujton Tiranën plot freski ndërkohë kur në Çikago binte dëborë e bënte ftohtë. Pastaj përmallshëm...hop, kërcen drejt Vlorës së tij të dashur ku ka lindur, është rritur e ka punuar. I këndon zemra e shpirti për njerëzit e dashur e miqtë e tij ku i takon lokaleve për kafe. Kthen sytë nga dy kaltërsi; të detit e të qiellit, vazhdon me gjelbërimin e fushave e maleve, me Llogoranë e famshme me diell e borë. "Pishën flamur" nuk mund ta harrojë. Pastaj, hë pastaj.. me fuqinë e shpirtit dhe zërin gjëmues, fton e pyet njerëzit larg Atdheut, pse i shtyjnë vitet e jetës mërguar, kur Shqipëria e bekuar nga Zoti ata i fton?! Poezia e Luan Cipit më çoi 17 vite pas kur edhe unë erdha në Amerikë duke iu bashkuar djalit e vajzës. Dy tri muajt e parë kaluan ashtu, pa u vënë re, me dashuri pranë fëmijëve tanë, me njohjen e ambientimin e jetës amerikane, me zbatimin e ligjeve e respektimin e policisë rrugore e gjithçka tjetër këtu. Hë, hë, hë, hë kalonte koha si pa e kuptuar. Po ndjeja se diçka e rëndësishme më mungonte. Më dukej se vetja ime më kishte futur në gracka. Kisha prekur krizën e identitetit. Pesha ime e gravitacionit shoqëror po barazohej me zero. Sa keq! Ka çaste në jetë kur njeriu vdes shpirtërisht edhe pse jeton fizikisht. Ç'kisha kështu xhanëm? E kuptova. Më preu malli për Atdheun, për Shqipërinë. Besoj se kështu ndodh në fillim me çdo emigrant. Të kap mania e ëndërrimit për moshën e fëmijërisë , të adoleshencës e të rinisë, të kap malli i madh për shokët e shoqet, për kolegët, të afërmit, për rrugicat e fshatit e qytetit, për mësuesit e parë. Dhe baret me mend nëpër rrugët e rrugicat e fshatit a qytetit. Hedh sytë nga muret dhe avllitë mbushur me myshk jeshil.. Kur e provon vetë këtë pezëm malli, i jep më shumë të drejtë poeteve të Rilindjes që i kanë kënduar Atdheut dhe mallit që të ngjiz ai. Lexova këto ditë një shkrim të Profesor Resmi Osmanit për atdhedashurinë e Ndre Mjedës. Resmiu analizon me detaje çdo varg të poezive të Mjedës që prekin telat e zemrës e të shpirtit për atdhedashurinë. Në dallgët e mallit për atdheun kanë notuar edhe Çajupi e Naim Frashri, sidomos, e mjaft të tjerë Rilindës patriotë. Duke e provuar vetë mallin përvëlues për Atdheun , pyes veten: Kush është ajo lloj enzime, ta marrë djalli, që pikon në gjakun e shpirtin e njeriut emigrant që e ngre lart zhivën e termometrit shpirtëror të tij dhe përflak mallin për Atdheun dhe për njerëzit e dashur që jetojnë aty? I jap shumë të drejtë Faik Konicës, i cili ka konstatuar se "...duhet të jesh jashtë Atdheut, larg tij për të kuptuar se ç' bukuri të ëmbël ka për veshët fjala Shqipëri" . Edhe Ismail Kadare, në një nga poezi të e tij, përafërsisht shkruan se ai që ka zbuluar shpejtësinë reaktive me siguri ka qeni larg Atdheut për një kohë të gjatë. Nuk kam pikë dyshimi se malli për Atdheun, me përjashtime shumë të rralla, kap shumicën e emigrantëve. Ky mall shfaqet si intrigë, si befasi rrëqethëse. Fjalën e kam për ata që pjesën e adoleshencës, të rinisë e pse jo? edhe të pjekurisë së moshës e kanë kaluar në vendlindje. Tek ata jeta në Atdhe është fshehur si perona ne dru lisi. Kujtimi i saj ndez flakë dëshirën për ta parë e riparë vendlindjen. Shpesh, jo rastësisht, shikoj hartën e Shqipërisë. Ky Atdheu ynë i vogël këmbët i fut dhe i lag në detin me ngjyrë blu e kokën e mban lart në male, ja këtu me ngjyrë kafe. Këta hartë e kemi parë që kur ishim në klasën e parë të shkollës fillore. Obobo, shumë male e pak fusha! I vogël si vend por hallemadh. Nuk e kishin gabim gjyshërit e prindërit tanë kur këndonin:" O ju male me dëborë pse s'qani hallet e mia?! Shikoj në hartë Korçën, vendlindjen time. Shikoj Tiranën ku kam jetuar pjesën më të madhe të jetës, ku kam punuar , ku kanë lindur fëmijët e mi. Shikoj gjithë Shqipërinë , të cilën për shkak të punës si gazetar e kam shëtitur pëllëmbë për pëllëmbë. Luan Çipi shkruan për Tiranën e më me hollësi për Vlorën. Por si për mua ashtu edhe për Luanin atdheu është edhe Shkodra edhe Tropoja, ashtu siç është pjesë e Atdheut Konispoli për hasjanin, Kolonja për tropojanin, Devolli për bregdetasit e anasjelltas. Me pak fjalë Atdheu është shumëfishi i vendlindjes së secilit. Në mbyllje të këtij shkrimi nuk mund të rri i qetë pa përmendur një përkufizim të Kristo Floqit për Atdheun e Kombin, për patriotizmin e nacionalizmin. Më pëlqen se përkufizimi i tij është i thjeshtë e i kuptueshëm për të gjithë, për çdo moshë. Atdheu, sipas K. Floqit, është ai truall toke ku jeton një popull me gjakun, gjuhën e zakonet e veta. Po Kombi cili është? Komb quhen gjithë njerëzit e një gjaku e të një gjuhe që përfshin Atdheu jo vetëm ata që ka në gjirin e vet por edhe ata që rrojnë të shpërndarë jashtë tij e që kanë një gjuhë, një gjak e një palë zakone si të parët e tyre. Me një fjalë Atdheu është shtëpia, kurse Kombi është familja, njerëzit e saj të cilët lidhen me shtëpinë, alias Atdheun përmes gjuhës, gjakut, historisë, legjendave, folklorit, përrallave, këngëve popullore kombëtare. Të jesh patriot do të thotë ta duash Atdheun pa urryer të tjerët popuj, nacionalisti vërtet e do Atdheun por ka raste që shfaq urrejtje për një popull tjetër . Një sjellje e tillë stonon sidomos në kohen e globalizmit. Malli përvëlues për Atdheun është sot, do të jetë edhe nesër ashtu siç ka qenë në të kaluarën. Për emigrantin Atdheu është Itaka e tij në mos fizikisht patjetër shpirtërisht... Daiu im, Teki Ramadani, ish Kryetar i Shoqërisë Patriotike me emrin domethënës"Skënderbeu" në Buenos Aires të Argjentinas, erdhi dy herë në Shqipëri pas 45 vjetëve nga dita e largimit të tij nga Shqipëria. Pas vizitave zyrtare në Tiranë , Lezhë, Krujë në krye të delegacionit të Shqiptarëve të Argjentinës, ai qëndroi në Tiran te unë disa ditë, shkoi në Korçë e Pogradec te të afërmit e tij, vëllezër e motra që i kishte lënë fare të vegjël e i gjeti të martuar e me fëmijë. Më tregoi jo pa krenari ditën kur u hap ambasada shqiptare në Buenos Aires. Ishin bërë me krahë gëzimi të gjithë shqiptarët e Argjentinës, kish lezet- më tha- ai Flamur Kuq e Zi. E kuqja përfaqëson gjakun e dëshmorëve rënë për mbrojtjen e Atdheut që nga koha e Skënderbeut dhe Shkaba e zezë me dy krerë është roje vigjilente e Atdheut me sqepin dhe kthetrat e mprehta gati kundër çdo armiku..Para se të largohej nga Shqipëria dai Tekiu mori me vete një grusht dhe' nga varri i s'ë ëmës në Floq dhe një grusht tjetër mbi varrin e babait të tij në Pogradec. Pata përshtypjen se ai dhe' për Tekiun do të shërbente si maja Atdheu për ta "krijuar e zmadhuar" në shpirtin e tij Shqipërinë! Mora vesh më vonë nga kushërirat e kushërinjtë e mi në Buenos Aires, se ata ia kishin plotësuar dëshirën Tekiut par t'ia vendosur atë dhe' Shqipërie, brenda arkivolit të tij...

Fiqri Shahinllari 10 Prill 2020 Alexandria, ShBA

51 views2 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page