Maliq Torra, poezia e zemrës dhe shpirtit të lirë
Nga Fatmir Terziu
Poezia e poetit Maliq Torra „Mos e harroni Mokrën“ është, si të thuash, titulli më prekës, më mesazhdhënës në kanunin alternativ të poezisë së tij të krijuar ndër vite. Jo vetëm për shkak të ostracizmit të autorit pas botimit të mjaft poezive të tij me këtë tematikë, por mbi të gjitha për shkak të shtjedhës cilësore në poezi të bërë nga poema në fjalë dhe nga poezi të tjera si „Ja sepse…“; „Unë“; „Vjeshtë e mbarë“ e të tjera që ai i vendos disa herë në nëntituj dhe kategori, si për shembull me poezitë e renditura tek saga „Parajsa e katundit“. Ostracizmin e vetë poetik ndryshe nga kuptimi parësor, duhet ta kuptojmë pse nuk është përjashtues, dhe poeti në çdo varg, ose çdo akt, nuk rreket të thelloj ndonjë akt injorimi dhe përjashtimi të individit që për shumë arsye është një arsye "nënteksti", teksa shprehet me thirrje: „Thirrje nga ashti i shpirtit për çdo Mokrar mërgimtar që kurrë mos e harroni Vendlindjen, Dheun ku treten eshtrat e patretura të të Parëve, për të mos harruar Gjuhën e Hyjnive, Gjuhën Shqipe, që fëmijët, nipër e mbesat Tuaja edhe pse linden dhe rriten në dhera të huaj, ta kenë të shenjtë Atdhe, Komb dhe Gjuhë“.
Në tërësinë poetike të këtij poeti, ka një gjuhë të pastër, të qartë e të kuptueshme nga të gjithë, sikurse është edhe thirrja e lartcituar. Kjo përbën në thelb një vazhdimësi, arkeologjia e së cilës paraqet një sfidë të vërtetë për tematikat që ai ngre, trajton, vargëzon dhe i dedikon për lexuesin e gjerë. Ai shkon në themel të një trualli poetik të shëndoshë, madje ku hera-herës mes sinqeritetit dhe thjeshtësisë, hyn dhe depërton tek rindërtimi dhe ritregimi i një trualli të mirëthukët poetik.
Rindërtimi dhe ritregimi i këtij trualli mes marrjes në konsideratë të poezisë së tij do të na siguronte më shumë njohuri për mekanizmat me të cilët lind mesazhi alternativ poetik në rrjedhën e një përditësie të një normaliteti të ditëve që jetojmë e më gjerë në një hapësirë të ngjashme me Mokrën e tij të dashur. Ai ndërton dhe shtjellon vargje me të cilët ligjërimi i pushtetit poetik kërkon të ofrojë lirinë për vetë letërsinë, ku ai ngarkon me faj të rrëndë atë që vjen nga dështimi, apo me thartoren e lidhjeve miqësore të sotme që synojnë të paracaktojnë fatin receptiv të një poeti, të një poezie, të një libri dhe të programojnë pozicione e sjellje në fushën e shkrimit të deautonomizuar. Në këtë mes është vetë poeti i lirë në shpirt e në krijim, në ide e në frymëzim, Maliq Torra, dhe po aq ai vetë është udhërrëfyes tek poezia e zemrës dhe shpirtit të tij të lirë.
Të kuptojmë më qartë këtë le të ndjekim disa shembuj të tij si „Prandaj i drejti s'ka shumë shokë,/Se nuk do rreth vetes miq të rremë./Kjo botë nga të drejtët është trokë. Se të liqtë me ligësitë e tyre flenë.“ (Poezia, „Ja, sepse“, Maliq Torra). Një tjetër theks i ngjashëm është poezia „Unë“, një poezi e thjeshtë dhe e sinqertë, por shumë filozofike: „Unë i ngjasoj një autobuzi urban,/Hipin dhe zbresin në çdo stacion./Fatorino biletash s'dua dhe s'kam/Vargu i poezisë gjumin ma zgjon.“ Në këtë të fundit ostracizmi i tij poetik vërtet duket se përjashton një grup, si përshembull atë të faturinove, apo një tërësie mbartëse si autobusi urban, por në thelb ky ostracizëm është një alarm për mesazhin e qartë që mbart dhe që shpërndan. Autori e sheh turmën të ndarë nga vetja, për arsye të qarta e të drejta. Poeti sqaron „Unë i ngjasoj një autobuzi urban./Ku pres e përcjell pafund udhëtarë./Fatorino biletash nuk dua e s'kam,/Shpërblim për udhë nuk kam marrë.“ (Po aty)
Në leximet publike të shpërndara në rrjetet sociale nga vetë poeti, poezitë nga dorëshkrimet e përgatitura i shkëmbejnë reciprokisht kuptimet me mjaft poetë të njohur, i mbartin mesazhet po aq të fuqishme sa mjaft të tjerë, pra poezitë të cilat janë realizuar në të njëjtat lexime dhe në të njëtat dimensione. Mjedisi i përgjithshëm në të cilin ata rezonojnë është relativisht i përgjegjshëm. Dëgjuesit/lexuesit inkurajojnë gjeste sfiduese në tekste si „Vjeshtë e mbarë“ e ku thellësitë e mesazheve janë të ndjeshme, të gjitha janë të qarta e të sakta, lexuesit tek këto poezi të këtij lloji njohin veten dhe botën e së djeshmes, shenjat e së cilës, megjithatë, vazhdojnë t'i rrethojnë.
Prandaj, nuk duhet të anashkalojmë të dukshmen, një numër vargjesh nga kjo poezi dhe të ngjashme si kjo lexohen si simbolizime të drejtpërdrejta të ndërgjegjes dhe stinës jetike në ndryshim, ku theksi është tek puna, sikurse është dhe procesi i zierjes së rakisë: „Po ama , do goxha punë,/Gjer te gota pikë e parë./Kur lodhesh bën dhe gjumë./Edhe punët të venë mbarë.“ („Vjeshtë e mbarë“, Maliq Torra).
Hera-herës poeti Maliq Torra e shoqëron poezinë e tij në formatin satirik, dhe me mundësinë që të japin rrjetet sociale me fotografi. Përshembull satirën dhe alegorinë e poezië „Zyrtarët para e dashnore, Malua gomarin“ e shoqëron me vetveten dhe me një gomar në krahun e tij të majtë. Ndërsa vargu „Sa në hall janë zyrtarët, s'i merr as natën gjumi./Nuhasin posi zagarët,/Paraja u shkon si lumi.“ Është pjesa tjetër ku ostracizmi ka domethënien e vetë. Autori i kësaj poezi e përjashton veten nga ai grup poltik që abuzon dhe ndërsa e drejton mesazhin „Malua mbeti me një gomar“ ai sedërton tufat alegorike të bisedave me vetveten që lidhin në një kuptim të përbashkët ata që pasurohen me fitoren e demokracisë dhe me viktimat e po këtij sistemi më pas. I thjeshti i gjuhës së përzgjedhur dhe thjeshtësia e kësaj gjuhe bëhen bashkëbiseduesi më i dëshiruar për heroin e lirë, ndërsa ai ndiqet dhe mesazhi i tij i pastër, i ndjeshëm dhe kuptimplotë paralajmërohet nga vargjet: „Unë kur eci, nuk ul kokë./As kurkujt borxhe s'i kam./I rrethuar me miq dhe shokë./Jam si mbreti në Velçan./As kërkënd s'kam gënjyer./Shpirtin kam si qelibar./Me pisllëqe nuk jam lyer./Pasuri kam një gomar.“ (Po aty)
Është përfshirja e drejtpërdrejtë e vargëzimit të tij në mjedisin letrar e social të epokës që jetojmë dhe që paracakton diskutimin e lartë të tij. Përfundimisht, për këtë arsye, ai nfgadalë e bindshëm po bëhet i papranueshëm për botim. Me këtë nuk theksojmë se Maliq Torra nuk e ka marrë autoritetin e poezisë së tij që meriton të ndjehet krenare dhe në libër, por duam të ritheksojmë se Maliq Torra, poezia e tij janë fitilat e vetë zemrës dhe shpirtit të lirë, që ushqehet me mundin dhe djersën e punës dhe të lirisë absolute të natyrës. Ai nuk hyn në sfida me vargun e tij se sfidat i ka të qarta e të mirëkuptueshme, dhe përkundrazi, poezia e tij i kapërcen kontekstet e situatës, sepse shkrimi i dorës së tij të pastër i hollon vazhdimisht në mënyrë alegorike kufijtë referencialë dhe ia dedikon dashurisë së pastër. Shembull tipik është poezia e tij „Xhinde që s'u binde“, në të cilën, në pamje të parë, paraqiten themelet e një dashurie të sinqertë, por gjithsesi gradualisht „Po s'pat drita asaj shtëpie,/Portës fare s'do t'i bie./Kacavirrur poshtë avllie,/Falur ty nur shenjtërie“ mund të shkrijë dhe alpinistët ngjitës që nxjerrin frymën drejt majës. Kjo është dashuria. Arritja në majën e saj mund të lexohet edhe si një përkushtim vetëmohues ndaj „rebelit“, por edhe si një ndjekje vetëthelbësore në cepin më të ndjeshëm të moshës dhe moralit njerëzor. Kështu ndodh edhe me vargjet: „Të jam lutur gjatë moj xhinde,/Po s'u binde që s'u binde./Që tani dhe qëkur linde,/Veshur mban fustan me kinde./Fustani me kinde veshur,/Sa i shkon fytyrës qeshur./Kollanin për mesi ngjeshur/Merak bëre këdo ke ndeshur.“ („Xhinde që s'u binde“, Maliq Torra).
Publikimi i këtyre poezive, ndalesa jonë tek këta vargje të thjeshta, të siqerta e mjaft kuptimplote, por më së shumti kjo e fundit synon ta ndihmojë atë, i cili padyshim ka një talent në fushën e poezisë, vetë satirës dhe alegorisë, dhe ky talent duhet ndihmuar dhe jo mënjanuar. Dhe kjo ka të bëjë me kritikën tonë, kritikës që vlerëson hera-herës humorin e tij dhe mesazhin e qartë të tij poetik, por dhe tani duhet të vërë në dukje mesazhet e qarta e të ndjeshme dhe jo thjesht se tani është në një ngritje të madhe krijuese, se tani po shkruan poezi rrënjësisht të ndryshme nga ato në zanafillën e tij të të shkruarit mesazhe me poezi. Rezulton se poezia e tij e bazuar në rimë dhe në traditë, po zhvillon një ngritje domethënëse për të modeluar si situatën letrare të vendndodhjes, ashtu edhe sjelljen e një poezie të tillë të një autori, që përjeton situatat jetike në fshatin e tij të dashur Mokër.
___________________________________________________________________
Maliq Torra: "Thirrje nga ashti i shpirtit për çdo Mokrar mërgimtar që kurrë mos e harroni Vendlindjen, Dheun ku treten edhtrat e patretura të të Parëve, për mos harruar Gjuhën e Hyjnive, Gjuhën Shqipe, që fëmijët, nipër e mbesat Tuaja edhe pse linden dhe rriten në dhera të huaj, ta kenë të shenjtë Atdhe, Komb dhe Gjuhë."
O Mokrarë mërgimtarë ,
Nëpër botë të shpërndarë ,
Mokrën keni Dheun e Parë ,
Ku patë diell e ndezët zjarrë .
Tani Mokra mbet e mjerë ,
Trup e rroba , grisur , çjerrë .
Kësaj Nëne që u ka pjellë ,
Mbajani rrënjët e mbjellë !
Gjuhën folur në këto Troje ,
Si uji rrjedhur ndër kroje ,
Mjaltë pikuar nëpër hoje ,
Trashëgojeni nëpër zgjoje !
Vendi yt është Vendi yt ,
Si Dheu yt nuk gjen të dyt' ,
Ku shkel këmbë e shohin syt' ,
Larg Atdheut dhimbja mbyt .
Comments