
Sot protestohet pa ndjenja. Sot protestohet pa pjesëmarrje. Sot, ndërsa të vrasin, as nuk munden të të qajnë. Sot kush të vret ngrihet në “pjedestal”. Sot kush vdes duket sikur nuk ka qenë kurrë i gjallë. Sot një fëmijë mbyll sytë pa i hapur “kurrë” ato. Sot një fëmijë pritet në besë. Sot i pambrojtur është ai që është i drejtë dhe i mbrojtur është ai që është i zhdrejtë. Sot gjithçka dhe gjithëkush nuk ka kuptim. Sot gjithçka dhe gjithëkush merr një drejtim pa drejtim. Sot, jo vetëm që është pa “sot” por dhe nesër do të mbetet pa “nesër”. Sot ngjarjet rrjedhin dhe vetëm shija e hidhur e tyre helmon gojën e çdo kujt. Sot jemi të ngopur nga padrejtësitë dhe të pangopur nga dëshirat që mbesin në tentativë.
Pse sot nuk jemi as si dje!? Vallë mungesa e një “busti”, kuptohet politik, bën të jemi kështu statikë!? Shpirtrat sot duken të ndryshkur. Heshtja sot duket e kopsitur. Politika sot duket e huaj dhe politikanët duken të sajuar. Krimi, korrupsioni, pislliku, keqdashja dhe hajdutlliku janë tituj që konkurojnë njëri - tjetrin. Sot familjet paguajnë për fëmijët në shkollat më të “mësuara” ndërsa lirë duket të kenë shitur vlerën “edukim”. Sot i jepet frymë vetëm ekonomisë së lekut!? Sot ekonomia shpirtërore nuk kurohet ajo vetëm varfërohet!?..
Sot si sot as tezat e mësipërme nuk qëndrojnë. Sot vritet fëmija e një nëne, gruaja e një burri e burri i një shtëpie. Sot vritet prindi i një fëmije. Sot vritet gjyshi i një nipi. Sot vritet gjithëkush vetëm për të mbi jetuar djalli. Sot vritet i arsyetueshmi. Sot vritet sakrifica. Sot vritet dëshira. Sot vritet tentativa e qëllimit pozitiv. Sot vritet fakti dhe jeton vetëm halli. Sot ka probleme të sajuara dhe drejtësi të munguar. Sot nuk ka më shpresë sepse shpresa krijohet nga ëndrra dhe ëndrra është jeta. E si mund të ketë ëndërra kur nuk mund të ketë shpresa dhe kështu nuk mund të jetë jeta.!?
Sot edukohet e keqja. Sot nuk ka emocione. Sot nuk ka vërtetësi. Sot ka vetëm gënjeshtra. Sot trillimi po edukon përsosmërinë e të pavërtetës. Sot kaq shumë ndihet zhgënjimi saqë dhe loti i dhimbjes thahet pa u derdhur. Sot nuk ekzistojnë ditët e zisë. Sot i fajshmi tërheq çdo ekran, gazetë apo rrjet social dhe i pafajshmi vazhdon e ruan përvetësinë e tij ja ashtu si i pa parë. Sot krimineli feston fitoren e trillimeve të tija. Se sot nuk ka sot, nesër nuk do të mund të ketë nesër.
Pse sot jeta është si vdekja dhe vdekja s’është si jeta!? Sot vdekja është ulur gju më gju në gjirin tonë dhe jetës duket se as hije nuk i lejon!? Sot nuk gëzohet, sot vetëm hidhërohet. Sot qahet pa lot dhe qeshet pa qeshje. Sot nuk ka vdekje me rite apo zakone. Sot zakonet kanë humbur sepse jeta ka humbur. Kur dje vdiste dikush, ashtu pa pandehur, të qarët çanin muret e morgut dhe depërtonin deri në memorjen e hidhur të asaj që quhej vdekje e papritur. Frika e vdekjes dje përkëdhelte dhe shpirtrat më të vrazhdë. Sot frika e vdekjes as nuk ekziston. Sot frika e vdekjes është zëvendësuar me frikën e jetës. Sot mund të jetosh si skorie humane sikurse të vdesësh pa jetuar jetën…Sot nuk jemi të zotë as sa një kafshë që di të mbrojë këlyshin e saj nga çdo kërcënim i pa parë.
Ne sot flejmë me rrezikun dhe gdhihemi me armikun. Dje armiku ynë kishte një kufi. Dje armiku ynë kishte përballë një ideologji. Sot thuhet që, ai që është përtej kufirit nuk është më armiku ynë. Po po sot ai “armiku ynë” jashtë kufirit, na pret në shtëpinë e tij, ja ashtu si pa teklif dhe atëhere kur ne e vizitojmë si klandestinë. Ai na jep për të ngrënë, na pyet ç’njerëz kemi dhe po t’i pëlqejë biografia jonë, na krijon dhe kushte ja ashtu sikur të kemi shkuar në një kamp “pushimi”. Por dhe ne ama ja kemi shpërblyer, i kemi dhuruar çfarë ai ka pëlqyer. Toka, pyje, kodra, dete, lumej dhe historinë tonë po të dojë, ne ja dhurojmë. Kështu jemi ne. Ne të falim dhe shpirtin. Po ku dhe si do të pyesni ju... ja duke lënë vendin tonë dhe duke u “aziluar”nëpër botë. Ja atje jashtë kufirit tonë thonë që do të jemi si mbreti në kështjellë.
Kush!? Si kush!?..Ne pra, ne që dhe arsyes njerëzore i kemi thënë ”vdeksh” dhe epshit kafshëror i kemi dhënë jetë. Sa epshe kafshërore janë mirë jetuar e sa nevoja njerzore janë keq trajtuar. I madhi kap të voglin, e vogla e pa rritur, e pa luajtur dhe e pa ditur sillet si e madhe pa qënë e vogël. Ç’bëhet vallë u prish shoqëria dhe shtëpia!?... Kush është fëmija e kush është prindi nuk dallohet e jo më të kuptohet. I paudhi, që do të thotë njeri pa rrugë, ka ditur sot të mbjellë vetëm paudhësi. Sot qanë fëmija pa u lindur ndërsa e pret prindi pa e ditur. Sot nuk ka rregulla e nuk ka kohë. Sot ka vetëm shkelma dhe shumë forcë. Sot ka frikë e gjak borxh. Sot ka gjuhë bordellosh plot. Sot groteskja ka marr ngjyrën e elegancës dhe eleganca është tashmë kohë e shkuar. Kështu është fort vështirë të jetosh. Edhe lekë shumë të kesh do paguash vetëm për të keq. Do pranosh të jetosh pa sens dhe të kthehesh ashtu i pandjenjë dhe i padenjë. Rreth teje do kesh sharlatanë dhe kriminela shumë të aftë.
Po si mund të jetosh me ç’njerëzor kur ti çdo natë ëndërron hyjnorë!!. Sot djalli të flet ndërsa ëngjëlli hesht. Sot ëngjëlli u shua sepse djalli ka pjellur të tjerët e tij. Sot fjalët shpojnë si thika në shpirt. Sot nuk ka xhaxha e dajë. Sot patronazhistët të shtrojnë tavolinën e parë. Të martojnë e të ndajnë ashtu si ata duan. Të vjedhin, të shajnë e të hajnë ja ashtu si të pa parë. Sot as ti vetë nuk e di se kur do dalësh e kur do hysh. Ata të nxjerrin pa mund fare, me tromba e dajre. Sipas gradës së frikës luajnë psikollogjinë e thikës. Fol po deshe se të hanë dhe gërrmazë dhe pa u tutur të çojnë në botën matanë.Sa të sikletshëm dhe të ethshëm! Njerëz të dalur nga padalja dhe të lindur nga moskamja. Njerëz vampira të thekur nga gjaku dhe leku. Sot emergjenca është urgjenca e lekut. Sot leku ngre në piedestal notën dhe votën. Leku sot të bënë të “zgjuar dhe të nderuar”. Sot leku lëshon limite në botën e mirësisë. E mira sot konsiderohet e keqe dhe e keqja e mirë.
Sot armiku nuk ka më kufi por ka fuqi pa kufi. Sot një tjetër armik po lind. Sot dhuna është armiku më i zi. Sot ajo të vjen në shtëpi dhe ashtu si pa të keq për triumfin e vdekjes ngren dollinë.
Sot dilema “ të rrosh apo të mos rrosh” shtohet nga dita në ditë. Sot po shkojmë kuturu, pa një guidë dhe pa një mundësi. Sot të rraskapitur e syrgjynosur, të sfilitur e sakatosur ikim dhe prap vijmë për t’u syrgjynosur përsëri. Si të rrojmë e si të vdesim? Kush vendos e kush firmos!?. Sot flasin për demokraci. Po pse vallë nuk ka drejtësi!?. Demokraci pa edukatë!?.. Ç’është kjo hata!!.,. Ja ta themi me pak fjalë. Një i mitur nga autobusi i shkollës lëshon një ulërimë. Jehon e saj mbi ne kalimtarët fluturon dhe fjalët fyese një vello hidhërimi krijojnë. Sot, si pa të keq fjalët fyese zbavisin shumë adoleshentë. Sot ato rrisin ethshëm bullizmin duke mbjellur kështu keq edukimin. Sot flasim e themi ashtu sikur flet e thotë qeveria. Se sot po bëjmë sikur po jetojmë dhe nesër do bëjmë ashtu sikur po bëjmë sot. Kështu si po shkojmë është e sigurtë që nuk do të ketë nesër sepse për të nesërmen nuk jemi duke menduar sot. Dhe se sot nuk mendojmë për sot si do të mund të mendojmë për nesër!? Sot, ndjehemi të lodhur e si do të jetojmë nesër kështu të lodhur nga sot!? Nuk ka mundësi të jetosh sot pa shpirt sikur nuk ka mundësi të jetosh nesër në mungesë të shpirtit të sotëm.
E pra e sotmja ka rëndësinë kryesore për të kujtuar të djeshmen dhe për të ndërtuar të nesërmen. Pra sot është një ditë lidhëse midis të djeshmes dhe të nesërmes. Pra se nuk ka “sot” nuk paska pasur “dje” dhe po kështu nuk do të ketë “nesër”. Është koha të ndërtojmë të sotmen për të kujtuar të djeshmen dhe për të ndërtuar të nesërmen. Po kujtuam se si jetuam dje sigurisht që nuk do të pranojmë që atë të djeshme ta jetojmë sot sikurse në mënyrë kategorike nuk do të pranojmë që ta jetojmë nesër.
Durrës 2 dhjetor 2024
Comments