top of page

Mahnitja


Prof Dr Fatmir Terziu


Cilësia e të qenit me forcë dhe misteriozisht joshës, ose i hirshëm e ndjek njeriun dhe angazhimin e tij përditësues edhe kur ai nuk mendon të kundërtën e saj. Edhe kur është i sëmurë mendon se është ngashënjyes, tërheqës. Edhe kur ndodh të jetë në një fazë kalimtare të procesit të jetës, njeriu në mendimin e tij e ka një formë të besimit tek ajo që i ka mbetur në cipal të syrit. Kështu padyshim kjo lloj sfilitje mentale tek njeriu, jeton për aq kohë sa jeton njeriu. Pra, thuajse në të gjitha skutat e jetës është mahnitja. Mahnitja është emocioni i parë që shfaqet në të parë, në lexim, në shkrim, në qasje, meditim, mendim, përfshirje, angazhim, trajtim, teatër, film, çdo krijim e madje dhe në poezi. Në filozofi është emocioni i parë që qaset si i tillë, ose më saktë duhet të sillet në një kënd të tillë filozofik.

Në mjaft raste sot mjediset sociale, mjaft faqe letrare, e marrin dhe e konsiderojnë aq shumë të mirëqenë sa në mjaft raste mahnitja është misterioze dhe enigmatike. Është e tillë se qasja e parë është një retishencë foshnjore. Dhe dihet se një foshnjë nuk mund të mendojë për gjithçka të re që do të mësojë në jetë. Një filozof duhet të bëjë atë që duhet ta bëjë, që të mbetet në jetë, një filozof duhet të habitet sa herë që dëgjon një tingull, sheh një ngjyrë, prek një sipërfaqe dhe mbi të gjitha në lidhje me atë që ka të bëjë me këtë fakt të jashtëzakonshëm që ne e quajmë është jetë. Dhe në jetë një mahnitje është më se e vërtetë!

Kjo e vërtetë është edhe në një poezi.

Edhe lufta ka poezinë e saj! Edhe Covid-19 ka një krijimtari të vet… edhe një poezi e krijimtari e tillë na tregon rrugën, dhimbjen dhe na fton të flasim me të padukshmen, të mahnitemi, të vuajmë nga mahnitja. Sot kultura totale në masë ka zëvendësuar arratisjen nga e dukshmja dhe është arratisur krijimtarisht, poetikisht dhe mendimtarisht tek e padukshmja. Fotografi më elegant ka filluar të zhbirojë e të njoftohet me imazhin e ënddrrës së tij, të një nate të ftohtë me kollë, e me probleme në frymëmarrje. Shkencëtari i gjithëlogjisë është më pranë një virusi që e gjuan, si armiku armikun me shtizë. Dhe ashtu sikurse ndodh kur fotografon fluturimin e aeroplanëve që fluturojnë mbi retë, lojën e shkëlqyeshme të dritës në makineritë lëvizëse, faqet e brishta të përfaqësuesve të zgjedhur të popullit imitojnë atë dhuratë të mahnitjes me imagjinatë.

Në raste të tilla vetë jeta është një kinema. Në këtë kinema mahnitja vetëmahnitet. Vetëmahnitja është pa e kuptuar mjerimësi. Kjo mjerimësi midis fotografisë dhe imagjinatës, mbetet një pseudodezi. Një e tillë mbetet thjesht një e tillë. Mbetet e tillë se është vetëm fuqia që qëndron prapa kësaj poezie të përditshme në Facebook, dhe s’na bën përshtypje me paraqitjen e saj me ngjyra dhe lavdi që akoma jemi në këtë luftë. Një dridhje poetike duke u mahnitur nga mahnitja. Ne nuk jemi më të paditur, ne i afrohemi imazhit të vetëdijshëm estetik të tronditur, duke u mahnitur. Hans Urs von Balthasar, që konsiderohet një filozof dhe teolog i rëndësishëm i shekullit të 20-të sugjeroi: Në një botë që nuk ka më besim të mjaftueshëm në vetvete për të pohuar të bukurën, provat e së vërtetës kanë humbur shkathtësinë e tyre.

58 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page