MADHËSHTORE MBI GJITHË MADHËSHTITË
- Prof Dr Fatmir Terziu
- May 31, 2021
- 1 min read

Vullnet Mato
MADHËSHTORE MBI GJITHË MADHËSHTITË
Dashuri, ti bashkon gjallesat në tokë e dete,
ti qetëson dhe egërson dallgëzimet e jetës,
ti na bën të kemi një tufë engjëjsh me vete,
dhe engjëjt i ndan, pas një tjetër martese.
Dashuri, je perlë në guaskë shpirti mbyllur,
për ty krenohemi, apo përflitemi më gjatë,
për ty grindemi dhe qajmë me lot të hidhur,
vritemi me armë, copëtohemi me sëpatë.
Dashuri, ti na rrëmben mendjen, kohën, gjumin,
ti na vjel fjalët, shëndetin, gjakun dhe paratë.
Dashuri ti bën njerëzit, nga sytë të na humbin,
lind diellin në mbrëmje, të na ngrohë në mesnatë.
Dashuri, ti je bujku dhe ara e begatshme e jetës,
ku mbillet fara e gjakut e mbijnë filizat njerëzor,
je djepi shekullor i familjes, ku fisi zgjat degët
dhe varri i lakmitarit, nxitur nga verbimi epshor.
Dashuri, ti bën të mos kemi trurin përherë me vete,
të marrim udhët e botës, nëpër largësi të mëdha,
ti bën të na duken malet, fusha, lëndina bari, detet.
Dashuri ti na shkrin akujt e na sjell dimrin në behar.
Dashuri, ti na e bën të bukur, e të shëmtuar fytyrën,
bën të shembemi përtokë, e të fluturojmë përpjetë,
ty të përkëdhelim, të pështyjmë, të heqim ngjyrën,
të hedhim nëpër plehra, ushqim të tepërt për qentë.
S'dihet nga kanë dalë për ty, epitetet e tmerrshme:
të themi “Kurvë” e “kurvar”, kur bën zgjedhje të lirë,
ndryshe, kur je femër e ve, ti mbetesh “e ndershme”
pranohesh pa pretendime virgjërie, quhesh e dëlirë.
Dashuri, je oksigjeni që i duhet gjakut, për t’u pastruar,
të kapim si zog të artë, të lëshojmë si balonën te retë.
Je madhështorja, mbi madhështitë, që duhen nderuar,
por, në asnjë kohë s’ta kemi ditur, vlerën e vërtetë!...
Comments