MA SHOVE MALLIN E MA NDEZE BRENGËN KOZMA TRAJA


Kozma Traja

Ai erdhi me një libër dhe një letër në mes të librit, një libër të mikut tim të viteve të punës me shtypin, të Velo Cfarkut. Erdhi dhe më mori me vete. Jo me librin “Golloborda në optikën e kohës“. As me letrën e Velos që hapte krojet e një dashurie e respekti për t’i lënë të rrjedhin përrenjve të kujtesës. Ato i lash mënjanë, siç lihet sheqerparja dibrane për pas ahengu. I lashë për një herë tjetër...

Ai më mori me vete për të më lënë në Klenjë, në atë vend që ka lindur jo vetëm “inxhinierë asistentë“ dhe mjeshtër të mëdhenj të ndërtimit, por edhe bujq e blegtorë, madje edhe shkencëtarë të prodhimit të farës së patates në gjjeneracione super elitë...

Kur mbaruam mu shua malli...por mu ndez brenga...

* * *

Kozma Traja ! Je nga fisi i njohur i Trajeve të...

Klenjës.

Më the që ke mbaruar pedagogjiken e Peshkopisë në vitin 1968...

Po. Pastaj kam vazhduar shkollën e lartë me korrespondencë në Tiranë, për kimi biologji. Kam punuar si arsimtar kryesisht në Klenjë. Kam qenë edhe zëvendës drejtor i shkollës së mesme të bashkuar të Klenjës.

A ekziston shkolla e mesme e bashkuar në Klenjë ?

Tani nuk ekziston më. Aty nga fillimi i viteve nëntëdhjetë u mbyll shkolla e mesme. Pasi u mbyll shkova e punova katër vjet në Trebisht, në shkollën e mesme të bashkuar të fshatit. Punova atje deri në vitin 1999.

Deri në vitin 1999 ka qenë shkolla ?

Dhe vazhdon të jetë. Por vazhdon si shkollë nëntëvjeçare, jo si shkollë e mesme.

Deri në vitin 1999 dhatë mësim në tetëvjeçare apo në të mesme ?

Atëherë ishte edhe shkolla e mesme.

Po mirë, nga Klenja në Trebisht, me sa e njoh unë distancën edhe po të ecësh me mend lodhesh e jo me këmbë, fushës së Klenjës, fushës së Gjinovecit, të tatëpjetës e të përpjetës së Trebishtit...

Qesh. E njohke mirë rrugën.

Ti ke ecur në këmbë...

Nuk kisha rrugë tjetër. Shkoja tre herë në javë, me një normë të reduktuar, me 18 orë në javë. Shkoja të hënën, të mërkurën dhe të premten.

Në ’99 – ten luajte...

Pastaj vendosa, për arsye familjare të vij në Greqi. Dhe që atëherë jam këtu si emigrant ekonomik. Erdha dhe ngela këtu. Në vitin 2001, kur u hap legalizimi, bëra dokumentet dhe jam këtu.

Gollobordasit kanë pasur një traditë. Iknin dhe ktheheshin. Herët iknin në kurbet deri thellë në Bullgari e Turqi, aq sa për to thonë se “Po të digjej Stambolli ata e ndërtonin krejt të ri, por po të digjej Dibra Stambolli nuk e ndërtonte dot.” Para vitit 1990 ata ndërtonin Shqipërinë, aq sa thonë se me përjashtim të Kolonjës nuk ka pas krahinë e rreth, vepër të madhe ku të mos ishte dora dhe mëndja ndërtuese e gollobordasit. Iknin dhe familjet i mbanin në fshat. E patën bërë traditë që të ktheheshin për 1 Maj dhe për 10 Korrik ku gjatë një jave bënin dasma, fejesa e martesa... Edhe fëmijët i lindnin me sezone...

Ha, ha, ha...me fushata. Ashtu është. Tani ndryshuan kushtet. Me që jemi larg në emigracion një pjesë i kemi marrë familjet me vete.

Në Klenjë kush ka ngelë ?

Kanë mbetur rreth njëzet familje që merren kryesisht me bujqësi e blegtori.

Fusha e madhe e Klenjës ku nuk ngriheshin patatet besoj se është shndërruar në kullotë...

Pjesa më e madhe është kullotë. Punohet pak. Punohen vetëm tokat rreth fshatit. Nuk ka më ujitje si dikur. Impianti i ujitjes nuk funksionon më. Ishte një impiant modern, me rrjedhje të lirë. E shkatërruan.

Po spitali ekziston në Klenjë ?

As spitali nuk ekziston. As shkolla e mesme nuk ekziston. As postë telegrafa nuk ekziston. Edhe Klenja si qendër nuk ekziston më. Komuna u zhvendos në Trebisht. Klenja ka qenë gjithnjë qendër e zonës, qendër lokaliteti...

Ua paska marrë Trebishti...

Në vitet e demokracisë u treguan më “demokratë“ dhe na e morën (buzëqesh) qendrën. Kjo edhe sepse shumica e popullsisë është atje.

Trebishti, me të tre “bishtat“, në mos i kam harruar – Bala, Çelebi dhe Muçinë, është ndër fshatrat më të mëdhenj të Dibrës...

Është fshati më i madh i zonës, një nga fshatrat më të mëdhenj të Dibrës.