top of page

MA MIRË DIÇ SE HIÇ


Një libër nderimi nga Mehmet Loci, për ata individ që sakrifikuan për krijimin e institucioneve të shteti të ri të Kosovës.


MA MIRË DIÇ SE HIÇ


Besimi im personal është se e vërteta, sikurse të gjitha vlerat e tjera janë relative. Sot kur, u shkatërrua miti i besimit, kur janë fshirë dallimet ndërmjet të moralshmes dhe të pamoralshmes, të drejtës dhe të padrejtës, kur gjithçka është bërë problematike, e pashpjegueshme dhe arbitrare, kur gjithçka kalon në konflikt interesi, pa një sinqeritet dhe respekt, për pasojë u ngjall te unë dëshira të shkruaj për punën e bërë në zbulim dhe kundërzbulim nga struktura profesionale e Ministrisë paralele të Punëve të brendshme dhe shërbimeve të saj informative në Republikën e Kosovës (1992-994). Të shkruash për punën e Shërbimit paralel Informativ në Republikën e Kosovës, shërbim që u ngrit në një teritor të okupuar me plot pasiguri, tension, rreziqe për jetë, befasi, zhgënjim dhe dëshpërim, shërbim i cili duhej të vepronte kundër shërbimeve të sigurimit shtetëror serbo – jugosllav, jo vetëm që është e nevojshme por është e domosdoshme që të dihen sot këto histori nga gjeneratat e reja të Kosovës. Prandaj, zëri i arsyes na thërret t’i qasemi kësaj veprimtarie informative për të lënë vragë që një ditë do t’i shërbejnë dhe do të jenë të dobishme ndonjëherë për dikë. Me këtë, nuk pretendoj ta detyroj lexuesin të mendojë se para vetes ka vetëm këtë të vërtetë mbi këtë temë, pasi mund të ketë edhe të vërteta të tjera. Prandaj, vogëlsia ime profesionale më thërret të shkruaj pa anim, por me fakte lidhur me fillet e ngjizjes, formimit e zhvillimit embrional, të ngritjes dhe ndërtimit të organeve të sigurisë në Republikën e Kosovës. Shkrimi i këtij libri, merr përsipër sfidën të ofrojë informacione dhe të dhëna mbi organizimin institucional të Ministrisë së punëve të Brendshme në Republikën e Kosovës, brenda së cilës ishin të organizuara dhe vepruan: Shërbimi Informativ i Kosovës dhe Shërbimi Informativ Publik. Shkrimi i një libri të një fushe të tillë, sigurisht nuk mund të jetë i plotë dhe gjithpërfshirës. Pasi dhëmbi i kohës për qëllimet e veta ka zhdukur materiale operative, që mund të përbënin thelbin e plotë të veprimit të shërbimit informativ të Republikës së Kosovës në vitet 1992-1994. Sherbimi itiligjent i Kosoves sic e thamë u kriju nga idealist vizionar patriot shqiptarë. Ky sherbim nuk u krijua as nga engjuj as nga djaj, por u krijua nga njerëz që do ti dilnin zot Kosovës , që pas goditjes nuk do tia kthenin faqen tjeter godites Ky material operativ i prodhuar nga shërbimet informative të Kosovës, për fat të keq u konfiskua gjatë Nëntorit të vitit 1994, kur pjesëtarët e MPB – Republikës së Kosovës u arrestuan, nga ana e MPB-Republikës së Serbisë. Dokumentet e kapura do të përbënin një vlerë të posaçme historike dhe nacionale për shtetin e Kosovës po qe se ato dokumente do t’i dispononim sot. Në këtë pikë vjen një dëshirë e mirë nga ana ime për grumbullimin e materialit operativ dhe shkresave gjyqësore që lidhen me veprimtarinë e shërbimit të fshehtë informativ të Republikës së Kosovës. “Shumë të vërteta historike, të thjeshta apo të komplikuara, me pak vlerë apo të rëndësishme, nuk shfaqën e nuk thuhen në kohën e tyre. Jo rrallë ato heshtin diku, vonojnë të dukën, mbulohen nën peshën e dhembjes, apo humbasin përgjithmonë. Vendin e tyre e zënë pëshpërima spazmatike, imazhe të deformuara, copëza përrallash, legjenda apo më keq akoma keqinterpretimet, të cilat ofrohen si të vërteta. T’i gjesh dhe t’i thuash ato që kanë munguar apo janë thënë ndryshe për kaq kohë, është njëlloj si të gjesh mesazhin e një amaneti të patretur, rënkimin e një shpirti që ende gulçon larg, tek e kaluara”, shkruan profesor Irakli Koçollari.

Prandaj ky libër, merr përsipër edhe sfidën të japë informacionin e duhur për të mos lënë hapësirë të pandriçuar, për një kohë të kaluar dhe, që sa më shumë i largohemi, aq më shumë bëhet e pandjeshme dhe aq më shumë rritet rreziku i harresës. Shërbimi informativ i viteve nëntëdhjetë ishte një makinë e veçantë e luftës informative kundër elementit kundërshtar. Të organizohet një shërbim i fshehtë informativ në një vend të shkelur – pushtuar, aty ku vepron çizmja e pushtuesit, për shumë kënd nuk mund të kuptohet, por ai ishte. Natyrisht, shërbimi i Kosovës nuk ishte në lartësinë profesionale për shkak të kushteve dhe rrethanave të veprimit nën pushtim, pa objekte pune, mjete të nevojshme operativo teknike dhe shumë e shumë nevoja të tjera. Jam i vetëdijshëm se ky libër ka mangësitë e veta metodologjike, shkencore të cilat një historian do t’i shtrinte më mirë po t’i posedonte dokumentet burimore, çfarë unë i posedoj. Mirëpo, si ish profesionist dhe strukturë aktive e shërbimit informativ si dhe si ish operativ i sigurimit shtetëror në Pejë (shkurt 1979 – gusht 1990) ju rroka shkrimit të këtij libri nisur nga thënia: “Ma mirë diç se hiç”. Një rrugëtim të tillë e përshkon sakrifica dhe puna e palodhur në shndritjen e bartësve të ngritjes, funksionalizimit dhe veprimtarinë e strukturës operative dhe rrjetit të informativë të Shërbimit Informativ në Republikën e Kosovës. Në këtë rrafsh me vullnet dhe pëlqim politik të grupit koordinues të partive politike shqiptare të Kosovës e më pas të strukturave të larta politike dhe shtetërore të Republikës së Kosovës (presidentit, kryeministrit, krye parlamentarit), do të realizohet projekti i iniciuar nga bërthama e MPB-R.K-së, për organizimin, formimin e këtij institucioni të rëndësishëm shtetëror. Ideja e autorit në këtë libër “Shërbimi Informativ në Republikën e Kosovës” rrok afër tri vite (1992-1994), kur president i Kosovës ishte Ibrahim Rugova. Libri mendoj se ka vlerë njohje dhe konsideroj së është një kontribut modest nga ana ime për historiografinë e Kosovës në përgjithësi. Ka vlera të padiskutueshme për shërbimin e fshehtë në veçanti, për informacionet arkivore të hulumtuara që mbart dhe përcjell, pasi kam shfrytëzuar dhe kam arritur të siguroj të dhëna arkivin shtetëror në Prishtinë dhe arkivat ndërkomunale në Pejë, Prizren, Gjilan, si dhe dokumentet nga burimet tona konfidenciale që kanë arritur t’i kapin brenda resorit të sigurimit shtetëror serb në Kosovë si dhe të dhëna të tjera nga librat e autorëve serbë që kanë lëvruar këtë fushë të veprimtarisë të SHIRK-së. Aty ku të tjerët nuk pajtohen me mua, dëshiroi që ky shkrim t’i nxisë të tjerët të hulumtojnë, studjojnë dhe të shkruajnë përtej këtij libri. Ky libër mbi shërbimet informative në Republikën e Kosovës është konceptuar në trembëdhjetë pjesë, mbështetur në dokumente arkivore, dokumente jo arkivore, shkresa gjyqësore, të dhënat narrative, shkrime të publikuara në shtypin e përditshëm në gjuhën shqipe dhe serbe, etj.

Ky institucion legal kushtuetues shtet formues u themelua nga njerez vizionarë dijnitarë, patriotë të sprovuar shqiptarë, si akt i nguljes së themeleve të shtetit të ri e jo si një aventure rasti. Zbardhja e vendimeve te kuvendit të republikes se Kosoves nga kryetari Iliaz Ramajli, zbatimi i vendimeve te ketij kuvendi të Repubiles se Kosovës nga presidenti Rugova, Kryeministir Bugoshi dhe gjithë institucioneve të varësis janë një shërbim i cmuar, shumë i ndricuar i akteve të shtetit e politikës juridike të shtetit të ri të kosoves të cilet i bejnë një shërbim shumë të madh historis së shtetit të Kosoves.

Pjesa e parë

LINDJA, SYNIMET E BAZA SHKENCORE E SHËRBIMEVE TË FSHEHTA - LINDJA E SHËRBIMIT TË FSHEHTË

Shërbimi i fshehtë informativ ka lindur me njeriun për t’i shërbyer njeriut, qysh në parahistori. Nevoja e jetës i ka shtyrë njerzit e kohës të kërkojnë vende më të përshtatshme, të gërmojnë dhe të zbulojnë e grumbullojnë të dhëna të ndryshme për mbijetesën e tyre. Gradualisht, me lindjen e fiseve, tribuve, rendeve, klasave, lindi edhe lufta midis tyre për zgjerim territoresh e sundim, lindi shteti me organet e tij të specializuara në fushat përkatëse, ndër to edhe shërbimi i fshehtë, që më të drejtë cilësohet si “SYRI” dhe “VESHI” i çdo vendi. Prandaj, pa shërbim të fshehtë nuk mund të mendohet funksionimi dhe ekzistimi i shtetit.

QËLLIMET KRYESORE TË SHËRBIMEVE TË FSHEHTA

Në mbarë rruzullin tokësor, që në ditët e para, qëllimet kryesore të vendeve në përgjithësi ishin dhe mbesin: mbrojtja , sundimi dhe zgjerimi në të gjitha fushat: politike, ushtarake, ekonomike, shkencore, kulturore, arsimore, territoriale e tjera. Disa gjëra huazoheshin në mirëkuptim midis shteteve, por gara për epërsi te çështjet me rëndësi të veçanta, të fshehta, jo vetëm për mbrojtjen, por sidomos ato për zgjerim në çdo fushë, veçanërisht në ato shkencore dhe ushtarake, duke marrë dhe dhënë të dhëna dhe informacione për mbrojtjen dhe sigurinë, për paqen, për demokracinë, mbaheshin dhe mbahen shumë të fshehta.

BAZA SHKENCORE

Në këtë drejtim paraprin “Syri” dhe “Veshi” i shtetit . Shteti dhe shoqëria pa fjalën e gjallë - faktorin njeri (oficer sigurie, punëtor operativ dhe rrjet informativ në cilësi bashkëpunëtori, informatori, lidhje operative, spiuni, agjenti e të ngjashëm), të cilët janë “Syri” dhe “Veshi” i shtetit, as që mund të mendohet një vend apo shtet. Pa ta shteti është si trupi i njeriut pa “Sy dhe Vesh”. Falë këtyre hallkave, në të gjitha kohërat, shërbimet e fshehta kanë ndikuar në rrjedhën e historisë së vendeve. Por njihen shumë pak veprime ose ngjarje kur puna e tyre ka merituar pohimin zyrtar. Ata nuk përmenden nga strukturat e shtetit për atë që shërbimet e fshehta të shtetit ju kanë dhënë në zbulimin e huaj dhe kundërzbulimin. Detyrat e shërbimit të fshehtë historikisht kanë karakter si informativ (përfshirë parandalues nga veprimtaritë e kundërshtarit) dhe sulmues në kryerjen e operacioneve operative, që synojnë të përmbysin ose të dëmtojnë pushtetin e ligjshëm nëpërmjet veprimtarisë së fshehtë në interes të armikut të vendit. Mbledhja e informacioneve në ditët e sotme, shpesh mbështetet në problemin e përpunimit dhe analizës së informacionit zyrtar, i cili, në sajë të autoritetit të një ndërveprimi shkatërrues-destruktiv qarkullon neper kanalet informative, duke filluar nga gazetat dhe programet televizive, portalet, e duke përfunduar në forcën grumbulluese të Internetit.[1]

Ç’ËSHTË SHËRBIMI INFORMATIV

Institucion i specializuar, relativisht i pavarur i aparatit shtetëror, i autorizuar për të përdorur metoda dhe mjete ligjore, por edhe sekrete, për të mbledhur të dhëna dhe informacione të rëndësishme të inteligjencës për shtetet e tjera ose institucionet e tyre dhe kundërshtarët e mundshëm të brendshëm të shtetit të tyre, të nevojshme për kryerjen e veprimeve të vendit, politikën dhe ndërmarrjen e veprimeve të tjera në paqe dhe në luftë, si dhe të zbatojë një pjesë të qëllimeve shtetërore e politike të vendit me veprimtarinë e vet, në mënyrë të pavarur ose në bashkëpunim me organet e tjera shtetërore[2].

Ç’ËSHTË SHËRBIMI KUNDËRINFORMATIV

Veprimtari e organizuar ose organizatë e specializuar - institucion i një lëvizje ose shteti, që zbulon, përcjell ose pamundëson veprimtarinë e shërbimeve informative të kundërshtarëve ose armikut, organizon dhe angazhohet drejtpërdrejtë në mbrojtjen e të dhënave sekrete në strukturat e lëvizjes ose shtetit, punon në dezinformimin e kundërshtarit ose armikut dhe është pjesë e sistemit të sigurisë të një shteti ose lëvizjeje të caktuar. Ajo manifestohet në kundërshtimin e veprimtarisë së shërbimit informativ të kundërshtarit. Paralelisht me aspiratën për të kapur sekretet e armikut, duke shfaqur aktivitetet që sekretet e saj t’i mbrojë dhe duke i bërë ato të paarritshme për armikun[3].

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page