top of page

M. GLEZOS : NJË MIK I VJETËR NË PARLAMENTIN EUROPJAN….



NGA KRISTO ZHARKALLIU

KRIZA ekonomike në Greqi ka më se pesë vite që po mundon qytetarët e këtij vendi, vend për të cilin askush nuk mund të mohojë të kaluarën e tij të lavdishme kulturore, shkencore historike, ashtu si nuk mund të mos pranohet kontributin e padiskutueshëm i këtij vendi të vogël në të gjitha fushat e zhvillimi njerëzor të Europës. Sigurisht këtu nuk do të numërojmë çka i ka dhënë botës Greqia e lashtë, mjafton të hidhni një sy në emërtimet shkencore-mjekësore,historike, kulturore demokratike dhe do të kuptoni se sa shumë ka ndikuar ky popull I lashtë në zhvillimin e njerëzimit-jo vetëm të Europës. Dikur, një professor grek që u bë i famëshëm për bizhuteritë e tij prej ari që akoma ekzistojnë në Greqi,mbajti një fjalim njizet minutash në parlamentimn britanik (në gjuhën angleze) duke përdorur vetëm ato fjalë gtreke që përdoreshin e përdoren dhe sot në gjuhën angleze. Ky professor dhe njeri i talentuar quhej Zollotas dhe kush viziton dhe sot Athinën do të ndeshet në zonat luksoze me magazinat e tij të famëshme, ndonse ai ka shumë vjet që ka vdekur Por thamë se këto gjëra janë të njohura dhe populli grek nuk mund të jetojë as të ushqehet më madhështinë e stërgjyshërve të tyre të lashtë. Megjithatë një fare mirënjohjeje duhej ta shprehnin ata që sot janë të fuqishëm dhe drejtojnë fatet e popujve të Europës. Mjafton të shtojmë këtu se vetë emri Europa e ka nga gjuha e lashtësisë helene…

Kur nazifashistët, që t’i kthehemi qëllimit të këtij shkrimit,pushtuan Greqinë, gjënë e pare që bënë ishte të ulnin flamurin grek nga Akropoli dhe të vendosnin në shkëmbin e famëshëm atë nazist me kryqin e thyer të urryer.Kudo që të banoje aso kohe në Athinë-nuk ishte qytet kaq i madh si sot as ndërtesa shumëkatëshe ishin ngritur aso kohe,gjënë e pare që shihte njeriu ishte Parthenoni dhe patjetër flamurin nazist të valvonte atje majë shkëmbi. Athinasit në ato ditë të zymta takonin përditë të vdekurit nga uria në rrugët e qytetit, ose ata që vriteshin nga patrullat naziste dhe patjetër flamurin nazist atje majë shkëmbi. Flamuri sigurisht ruhej mire natë e ditë nga të gjitha hyrjet e shkëmbit por jo nga ana ku shkëmbi dukej i pakapërxyeshëm, ashtu si është dhe sot. Prandaj merreni me mend një mëngjes kur athinasit pane që në majë të shkëmbit valvitej krenar flamuri Helen! Nuk mund t’u besonin syve…dhe një rreze shpresë u ngrohu zëmrën duke besuar se pushtuesit kishin thyer qafën… Ishte kaq e madhe habia e tyre dhe aq e papritur ndërrimi i flamujve sa as vetë nazistët nuk e kishin marrë vesh se ç’kishte ngjarë atë natë! Sigurisht u dha alarmi, forcat SS dhe Gestapo nisi të kërkonte “shkaktarët e guximëshëm” që kishin turpëruar ushtrinë naziste…Por nuk u desh të kërkonin shumë pushtuesit gjermanë: në komandaturë arriti një letër ku dy të rinj tetëmbëdhjetë vjeçarë merrnin përgjegjësinë për aktin që turpëronte ushtrinë e Vermahtit dhe bashkëpunëtorët e tyre grekë. Të dy të rinjtë quheshin Manolis Glezos dhe Santos. Sigurisht i gjithë aparati ndjekës të pushtuesve u vu në lëvizje që të kapte të dy të rinjtë arrogantë që i ishin ngjitur shkëmbit me litarë natën dhe kishin zbritur flamurin me kryq të thyer (zvastika) por më kot. Qytetarët i mbrojtën dhe i fshehën të rinjtë dhe forcat e pushtimit i dënoi nga dy here me vdekje (thua se nuk mjaftonte njëherë!) Megjithë ndjekjet dhe spiunët e panumërt, nazistët nuk mundën të kapnin dot të rinjtë trima…

Por atë që nuk mundën ta bënin nazistët e bëri reaksioni vëndas. Pas luftës falë politikës kriminale të udhëheqjes së Partisë Komuniste e cila kishte udhëhequr dhe Luftën Nac.Çl. (EAM-HELLAS), nisi lufta vllavrasëse që bëri që Greqia, vendi i vetëm në Europë, të vazhdojë luftën civile akoma dhe katër vjet të tjera, deri në gusht të vitit 1949 (shqiptarët e njohin mire gushtin e 49-ës) Pasi forcat nacionaliste, bashkë me ish bashkëpunëtorët e nazistëve fituan luftën, nisi ndjekja e shtrigave-kushdo që kishte luftuar pushtuesin quhej komunist! Kësisoj në vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar u bë gjyqi më i bujëshëm pas fitors mbi nazizmin: në Athinë gjykohej heroi kombëtar i Greqisë, ai që kishte zëvëndësuar flamurin nazist me atë grek në shkëmbin e Akropolit, Manolis Glezos! Akuza? Për tradhëti të lartë ndaj Atdheut! Ndjekja kundër tij vazhdoi me vite dhe unë djalosh akoma, më kujtohet se shihja në gazetat shqiptare fotografinë e një njeiut të ri me mustaqe të zeza që e çonin me pranga nga gjyqi në gjyq! Pikërisht në këtë kohë kalova kufirin dhe shkova në Greqi për të gjetur lirine dhe demokracinë. Megjithse Glezosi ishte i burgosur, një parti e majtë EDA, vuri kandidaturën e tij në dy legjislatura dhe ai mori më shumë vota nga kushdo në parlamenti grek, megjithatë nuk u lirua. U desh që në vitin 1964 të mirnin pushtetin forcat demokratike të qëndrës me Jorgos Papandreu (plaku) që edhe Glezosi dhe shumë të internuar të tjerë në ishujt e vdekjes të liroheshin dhe të vepronin e punonin lirisht në vendin e tyre të bekuar. Sigurisht shumë nga ata që kishin dëgjuar e lexuar për të, asqë mund të imagjinonin se dikur do ta takonin, pa le të bëheshin miq me Manolin… Këtu nuk bënte përjashtim edhe shkruesi i këtyre radhëve i cili nga ditët e para të jetesës në Greqi u inkuadrua në forcat demokratike të qëndrës, duke pasur naivitetin të besonte se në vendet kapitaliste demokracia ishte e padiskutueshme! Por demokracia e Papandreut nuk ishte veçse një interval se shumë shpejt filluan mosmarrëveshjet me pallatin mbretëror që donte të kontrollonte gjithçka në vend sidomos ushtrinë dhe forcat e rendit. Kjo do të sillte anomalinë (renegatët e qëndrës) të vitit 1965 që detyruan kryeministrin e ligjëshëm Papandreun të jipte dorëheqjen. Pallati dhe të huajt po përgatisnin atë që do të ngjiste pas dy vjet: më 21 prill 1967 u bë grrushti i shtetit të jundës fashiste…

Me Glezon u njohëm ato ditë të stuhishme të demostratave të vazhdueshem pas shëmbjes së qeverisë demokratike të Papandreut. Por edhe një koiçidencë tjetër e çuditëshme. Për mjaft vite banonim në të njëjtën rrugë,Fedriados të Kipseli- unë në Nr.49 dhe ai në Nr.79… si rrjedhojë pothuajse takoheshim përditë. Por edhe më 21 prill kur u bë grrushti shtetit u arrestuam në të njëjtën ditë dhe bashkë na degdisën në ishullin famëkeq Jaro, i cili ishte përdorur si vend shfarosës të kundërshtarëve të tyre nga …romakët! E shikoni si përsëritet historia? Ashtu si më dukej mua e pabesueshme se si u njoha dhe u miqësova me një njeri emri të cilit ishte legjendar për kohën që po flasim….

Që atëhere kanë kaluar shumë vite. Glezoja vazhdoi të mirrej me politikë, duke qënë ngahera me forcat e majta të vendit (asnjëherë nuk kishte qënë komunist!) kurse unë si isha quajtur “luftëtar për demokracinë helene” për një kohë të shkurtër u inkuadrova në PASOK pastaj u tërhoqa që të…shikoja punën time. Rrugët tona u ndanë, pasi ai iku dhe nga rruga ku banonim,si ika dhe unë.. Bëmë një takim të stuhishëm për Kosovën (e majta greke përkrahte Millosheviçin dhe sërbët) por kjo nuk na ndaloi të mbeteshim miq. Veçse nuk takoheshim më. Që të dy jemi mjaft të moshuar- ai ma kalon rreth 20 vjet.. dhe nuk kishim më ç’të thoshim se ndryshimet në botë, pas vitet 90, ishin të papritura dhe të paparashikuara. Megjithatë e ndiqja nga larg se si ky nëntëdhjetëvjeçar duket i palodhur dhe gjithnjë në rend të ditës..Dhe ja tani që Greqia kalon edhe njëherë ditë tragjike, Glezoja u shfaq edhe njëherë. Si dikur kur luftonte kundër nazistëve gjermanë sot po lufton kundër demokratëve gjermanë që edhe njëherë mbizotërojnë në Europë… Ky plak 92 vieçar edhe tani qëndron në ballë të luftës për shpëtimin e vendit të tij nga lakmitë e fajdexhinjve dhe bankave botërore. Ai e di se populli dhe ai vetë nuk përfituan asgjë nga borxhet e tmerrëshme që ka sot Greqia. Por edhe njëherë duan t’ja ngarkojnë popullit këtë barrë se ata që i hëngrën paratë e borxheve janë të pakapëshëm! Kurse kreditorët me gjermanët (ç’kuiçidencë prapë!) në krye kërcënojnë Greqinë, vendin ku lindi emri i Europës , (Nxirri rrënjën helenike eurosë dhe nuk mbetet asgjë!) ku linden demokracia, letërsia dhe filozofia, ta hedhin jashtë nga Europa dhe Eurozoni se nuk mund të paguajë me borxhet…(se si u vunë këto borxhe do të shkruajmë here tjetër kur të jenë qetësuat gjakrat) .Dhe ja në parlamentin europjan ku të gjithë, ose pothuajse të gjithë akuzojnë dhe kërcënojnë Greqinë, u ngrit një plak i krrusur me mustaqe të bardha si figurë mitologjike dhe u tha pseudoeuropjanëve…

JU NUK MUND TË NA DËBONI NGA EUROPA! EUROPA ËSHTË E JONË DHE NUK JU A FALIM!

Të gjithë duartrokitën plakun legjendar, edhe ata, armiqtë më të egër të qeverisë së sotme greke. Kurse larg nga Brukseli, unë miku i tij i vjetër nuk munda të mbaja lotët .Është menjimënd privilegj i madh në jetë të jesh njohur, të kesh pasur bashkëluftëtar dhe mik heroin grek MANOLIS GLEZOSIN!!!

KRISTO ZHARKALLI, ATHINË 8-7-2015

41 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page