top of page

Mësuesja më e parë në Çermenikë


Çaush KULLAFI


Rabie Xhani, mësuesja më e parë në Çermenikë


Në çdo 7 Mars lule për mësuesen e parë të Çermenikës, znj. Rabie Xhani.

Nxënës dhe ish nxënës tregojnë vlerësim dhe mirënjohjen për këtë mësuese të përkushtuar.

Të krijosh një histori në jetën tënde, veçanërisht në fushën e mësimdhënies, kontributi yt vlerësohet nga brezat në kohë. Historinë tënde e krijon për kontributin që ke dhënë në cilësi dhe sistemim të njohurive tuaja për t’i vënë në shërbim të brezave që i ke mësuar dhe edukuar. Mirënjohjen dhe vlerësimin në breza e ruan kur ti skalit në jetën e tyre punën me profesionalizmin e përkushtimin që ke bërë për formimin e tyre.

Qytetërimi i një kombi ka fytyrën e atij që e ka mësuar dhe edukuar. Shqiptarët kanë treguar se janë një popull arsimdashës, ndoshta më unikalë në Europë në zhvillimin e arsimit në shekuj, megjithëse, për fat të keq, fqinjët e tij e kanë sulmuar masakrisht mësimin në gjuhën shqipe. Genocidi osman në vendin tonë la gjurmë të rënda për zhvillimin dhe kulturën. Ky regjim, krahas pengimit të mësimit në gjuhën shqipe, krijoi dhe bindjen se femrat nuk duhej të shkolloheshin, por duhet t’i shërbenin skllavërisht vetëm burrit dhe familjes.

Të gjithë e dimë se pushtuesit në Shqipëri e bënin të vështirë organizimin e Sistemit edukativ–arsimor, pasi këto pushtues punonin pa pushim që të ndryshonin realitetin historik për të harruar indentitetin tonë.

Historitë e femrës shqiptare të japin ndjesinë e dhembshurisë, se si ato ishin një “send” i përdorur nga figura e burrit. Mua, rrëfimet e znj.Rabie Xhani më çuan herët në kohë dhe më nxitën të shkruaj disa rreshta për historinë e kësaj zonje.

Rabia lindi në fshatin Librazhd – Katund të Librazhdit më 16 prill 1941.

Shqipëria dhe veçanërisht fshatrat e saj, ishin një vend i prapambetur, si në kulturë dhe në arsim. Mjerimi në fshatra shënonte kulmin e tij. Familja Hysa në Librazhd – Katund, si gjithë familjet e tjera fshatare, përballej me vështirësi ekonomike. E ardhura e vetme e tyre ishte bujqësia dhe blektoria. Arsimimi i fëmijëve ishte i vështirë, kuse për femrat ishte i pamundur. Vullneti i shqiptarëve për t’u arsimuar nuk mungonte, por kushtet ekonomike dhe opinioni mediokër që kishte kultivuar pushtimi osman në vendin tone, ishin një pengesë e madhe për shkollimin e femrave.

Familja Hysa shihnin te vajza e tyre Rabie dëshirën për të mësuar. Çdo ditë ajo shfletonte librat fetarë, që babai i saj i kishte ruajtur në sëndukun e tij me shumë nostalgji para se të ndërronte jetë. Ajo i merrte ato libra i shfletonte, ndonëse vajza e vogël nuk kuptonte asgjë nga ato herioglife të alfabetit arab, me të cilat ishin hartuar ato libra. Ashtu si në çdo fshat të Shqipërisë edhe në Librazhd – Katund funksiononte një shkollë fillore. Nga dëshira e madhe që vajza e vogël kishte për shkollën, ajo u regjistrua nën moshën e detyrimit shkollor. Në vitin 1950 Rabija mbaroi shkollën fillore dhe regjistrohet në shkollën e arsimit 7 vjeçar në Librazhd. Në ato vite ishte e rrallë në trevat e Librazhdit që një femër të shkonte në shkollë larg familjes.

Biseda me Rabien të emocionon dhe menjëherë futesh në historinë e saj. “Ato ishin vite të vështira për mua, - tregon Rabia. - Dëshira për të vazhduar shkollën më pushtonte në çdo moment. Prindërit e mi, të dy arsimdashës, donin që unë të të shkollohesha. Ato më regjistrojnë në shkollën 7-vjeçare në Librazhd, e cila ishte dy orë në këmbë nga shtëpia ime. Rruga ishte e vështirë dhe me plot rreziqe. Klasa që unë vazhdoja mësim ishin vetëm djem dhe vetëm unë isha vajzë”.

Pas mbarimit me plot vështirësi të shkollës 7-vjeçare në Librazhd, Rabija iu përkushtua punëve të shtëpisë, për të ndihmuar nënën e saj.

Si në çdo familje shqiptare, ato kohë tradita e donte që vajza duhet të shkonte në derën e burrit, të martohej, pasi ndryshe quhej një vajzë e mbetur, që nuk e merrte njeri. Në vitin 1959 Rabia martohet në fshatin Gizavesh të Librazhdit, me Hyqmet Xhanin. Hyqmeti ishte një djalë plot vizion dhe që, ashtu si Rabija, e dashuronte arsimin. Ai vendosi që ta dërgonte nusen e tij të re në një kurs 7-mujor për mësuese dhe më pas në Shkollën e Mesme Pedagogjike në Elbasan, ose ”Normalja e Elbasanit”, siç quhej në atë kohë. Për opinionin e fshatit nuk ishte normale që një femër, dhe, më keq akoma, një nuse e re të shkonte për studime larg familjes së saj. Por Hyqmeti nuk donte t’ia dinte se ç’thonin të tjerët. E rëndësishme për të ishte që nusja e tij do ktheheshe në fshat e shkolluar dhe me profesion.

Vitet e shkollës për Rabien ishin të arta. Dëshira dhe pasioni për të studiuar ishin për çdo ditë prezente. Ajo u njoh me një shoqëri dhe kulturë e cila ishte e ndryshme nga ajo çfarë la në fshatin e saj. Rabia tani u ndërgjegjësua se arsimi i femrës ishte një e drejtë e saj dhe e të gjitha femrave të tjera shqiptare, që duhej të ishin zot i vetes së tyre.

Rabie Xhani mbaroi shkollën Pedagogjike në Elbasan me rezultate të shkëlqyera. Ajo solli në fshatin Gizavesh një kulturë tjetër veshje dhe sjellje. Tashmë Rabija në gjithë Librazhdin u etiketua si luftëtare e së resë. Familja Xhani, me kthimin e nuses së tyre të shkolluar, u bënë shembulli më i mirë në fshat dhe më gjërë. Në vitin shkollor 1961–1962 Rabija u emrua mësuese në shkollën e Gizaveshit. Ishte e para mësuese femër me origjinë nga Librazhdi.

Në 81 vjetorin e lindjes lexoj urimet që shkruhen për mësuese Rabijen nga ish nxënësit e saj. Çdo urim të rrëmben brenda emocioneve dhe futesh shpejt në jetën e saj. Ish nxënësi i saj, z. Enver Shkurti, shkruan: “Respekt! Kam patur nderin dhe kam qenë me fat që për katër vite kam qenë nxënës i mësuese Rabies. Mësuesja që më mësoi të eci në jetë. I uroj jetë sa më të gjatë!” Një tjetër ish nxënës shkruan: “Mësuese Rabija, dielli që ndriçove te unë rrebeshin e paditurisë. Ti je e shtrejta ime mësuese. Dora jote skaliti të ardhmen time. Qofsh e bekuar nëna ime e dytë!”

Rabia punoi në profesionin e saj të mësimdhënies prej 30 vitesh duke lënë mbresa të pashlyera te nxënësit e saj në atë komunitet. Rabie Xhani, si intelektuale që kontriboi në civilizimin e gruas librazhdase ka marrë disa çertifikata e medalje nderi. Ajo është dekororuar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me medaljen “ Naim Frashëri”.

Në vitin 1991, në moshën 50 vjeçe, Rabija doli në pension, të cilin e gëzon për 31 vite.

Mësuese Rabia ende dhe sot banon në fshatin Gizavesh së bashku me bashkëshortin e saj. Fëmijët e tyre janë të gjithë të shkolluar. Djali i saj, Alket Xhani dhe nipi Renato Xhani, kanë bërë emër si stamatologë profesionistë në Durrës e Tiranë.Vajza, Mimoza,vajza e saj, prej shumë vitesh punon si mësuese në Durrës. Djali i madh Shpëtimi ka shkëlqyer si muzikant në shumë aktivitete,veçanërisht në Festivalin Folklorik Gjirokastër.

Mikpritja është virtyti i çiftit Xhani. Tashmë që janë në pension, dy bashkëshortët, Hyqmeti dhe Rabia, trashëgojnë si bletërritës një traditë qindravjeçare të familjes Xhani.

I urojmë mësues së nderuar Rabie Xhani jetë sa më të gjatë dhe lumturi në familjen e saj!


149 views0 comments

تعليقات


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page