top of page

Mësuesja e disa brezave Hava Bebi feston ditëlindjen.


Magjia e kujtesës. Mësuesja e disa brezave Hava Bebi feston ditëlindjen.

 

Prof. Dr. Fatmir Terziu


“E dashur mësuese, kur mora këshillat dhe mësimet e para të tua, mora guximin të ndryshoj jetën” – këto janë fjalët e një bashkëqytetari, ish-nxënësi nga qindra e qindra të Hava Bebit, në vitet e shërbimit të saj në Elbasan. I citoj sepse janë thelbi i asaj që mund të shkruhet për këtë zonjë meritore në arsim, edukim, familje, shoqëri dhe në tërë angazhimin e saj jetik. Të njëjtin emocion dhe akoma më të fortë e kam përjetuar pasi lexova urimet që i dedikohen asaj ndër vite. Doja shumë ta gjeja këtë person, t'i falenderohesha si një bashkëqytetari të respektuar, ku në thelbin e asaj që shpreh gjej një shtyllë të vërtetë morale dhe kronike të ekzistencës së respektit dhe vlerësimit që vjen dhe nga një fjali. Dhe kjo natyrisht meritore edhe për shumë arsye.

Një zonjë me kulturë të gjerë, e jashtëzakonshme, e cila e kaloi tërë jetën e saj në shërbim të edukimit, dhe krah për krah më pas me një figurë të nderuar sikurse ishte bashkëshorti i saj, Stefan Bebi, edhe ai arsimtar, të cilin e ndoqi, e përkrahu dhe e ndihmoi në bashkëudhë, por dhe në angazhimin e tij të thellë demokratik të pas-nëntëdhjetës, ku ai u bë një figurë politike në Elbasan dhe ajo mbeti në krah të tj.

Kështu Hava Bebi, në këtë udhëtim mbetet si pjesë e një rrëfimi që dinamizohet herë nga patosi qytetar, herë i ndërthurur në sekuanca qytetarie dhe politike që ndërtojnë filozofinë e dizajnit të modelit të një qytetareje që gjithnjë ka synuar dhe synon të ndërtoj familje model, sikurse ndodhi. Tek kjo plejadë me të cilën ajo ngarkoi qëllimin e saj fiksohet ekuilibri i arsyes dhe ndjenjave në personalitetin e natyrshëm që herë shtyhet në nivele të ndryshme të rrethanës, e herë në majën e një modeli për të gjithë. Si tulla të një ndërtese të mirëmenduar, detajet e përditshme të kësaj udhëjete të Profesoreshës së respektuar, Hava Bebi, përshtaten së bashku me nivelet e mendimit-analitik, që ish-nxënësit, kolegët dhe miqtë i dedikojnë asaj mes mesazheve.

Rrjedha e kujtimeve të urimeve të ndryshme është zotëruar në një stil të qartë, të lehtë dhe piktoresk në këtë kontekst, aq sa e bën këtë përkushtim të mbetet një arsye tjetër pse duhet respektuar një figurë e tillë, që kemi nderin ta urojmë edhe në këtë ditëlindje të saj. Leximi i asaj që i përkushtohet sot Hava Bebit, po aq dhe asaj në vite, është kënaqësi, po aq sa dhe përgjigjja e saj e denjë ku lexohet estetika e fjalës dhe ku e gjitha kombinohet me sinqeritetin dhe drejtpërdrejt me atë të rrjedhës së jetës së saj të hershme familjare në Lagjen „Partizani“ në Elbasan, ku të parët dhe familjarët e saj ishin mjeshtrat e parë të ëmbëlsirave.

Modestia e një familjeje të tillë, sikurse ishin dhe mbetën Alimanët, është dhe një kulturalizëm konfidencial i jetës së vet që mes kësaj enigme e pushton lexuesin, e përfshin atë në empatinë me çdo situatë. Çdo rresht kërkon reflektim dhe kur ndiqnin edhe mesazhin e fundit duket sikur jeni një person tjetër. Jo një kënaqësi e lexuar, por një kristal shumëngjyrësh, i këputur nga gishti i thërrmuar i historisë së një jete të tërë në arsimin e Elbasanit, që shkëlqen në pëllëmbën e madhe të arsimbërësve dhe arsimdedikuesve në vite e vite.

Duket se mesazhi e parathotë: Hava Bebi është një model mësuesi që duhet rimarrë, që duhet ngritur në një piedestal respekti më të fuqishëm. Përballë një standardi për njerëzimin dhe ndërgjegjen, për intransigjencën civile dhe profesionalizmin e përkushtuar, këtë e shikojmë si një transparencë ku natyrisht vendosim edhe veten në një pasqyrë të pakompromis. Dhe duke shkruar nuk mund ta fsheh se mesazhet që i përkushtohen, faktet që janë në thelb, e bëjnë çdo njeri të lidhur me fatin e mësimdhënies dhe mësimmarrjes të bjerë në gjunjë para asaj që arriti të ruajë virtytet e etnotipit shqiptar, pavarësisht kushteve të kohërave në të cilat ajo dha mësim. Shpirti i lirë marshon nëpër vragat e përditësisë dhe dëshmon se asgjë nuk mund ta thyejë personalitetin nëse nuk dorëzohet vetë. Kjo ishte dhe mbetet në memorje dhe në urime si një nga shumë e shumë mësuese të denja e të përkushtuara të Elbasanit. Hava Bebi urimet tona dhe jetofsh gjatë me shëndet e mbarësi pranë të dashurve tuaj!

754 views2 comments

2 Comments


Guest
Jul 01

Nuk ka si te shkruhet me bukur.Ky shkrim eshte mese i merituar per kete figure te thjeshtesise dhe dashurise sic eshte mesuese Hava Bebi (Alimani). Bravo autorit te shkrimit. Mirenjohja eshte virtyt i inteligjences. Une kam patur fatin ta kem mesuese ne shkolle te mesme, por dhe komshije( prinderit).

Like

Guest
Jul 01

Një përshkrim jetësor per nje figurë kaq të dashur të një arsimtareje ne djepin e arsimit shqiptar,Elbasanit, është mëse i merituar! Janë breza që do mbeten tê rrallë ,Shqipërisë! Mirënjohje pa fund ketyre gjeneratave per mundin e djersën e tyre ne edukimin e brezave. Jetë te gjatë ,mësuese Havasë e pleqëri të mbare! Flm miliona herë nga zemra për atë që bëtë për kë të vend! Urime!

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page