MËSIMET NGA LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT PËR AKTUALITETIN
POLITIK MBARË SHQIPTAR: A EKZISTON MË BESA SHQIPTARE?
Nga Frank Shkreli
Përball aktualitetit konfliktual politik në trojet shqiptare, por edhe duke marrë parasysh situatën e krijuar në veri të Kosovës dhe reagimet e ndërkombëtarëve për shtensionimin e menjëhershëm të situatës në veri të Kosovës, ndërsa paralajmëruan pasoja në rast të dështimit – përfshir sanksione të njëanshme kundër Republikës së Kosovës – ndoshta ia vlen të shikohet se çfarë mësimesh mund të nxirren nga Lidhja Shqiptaer e Prizrenit në 145-vjetorin e saj. Në një kohë kur sot, jo shumë ndryshe nga atëherë, rrezikohet copëtimi i trojeve shqiptare.
Historia e shqiptarëve na tregon se kurdoherë që trojet shqiptare kërcnoheshin nga fqinjtë dhe armiqtë e jashtëm – shqiptarët bashkoheshin dhe thirrnin mbajtjen e kuvendit dhe lidhnin Besën për të mbrojtur, të gjithë së bashku, interesat e Kombit shqiptar në të gjitha trojet e veta. Përball rreziqeve të shumta që i kanoseshin krahinave shqiptare në atë kohë nga fqinjtë grabitqarë hidhet kushtrimi për mbajtjen e Lidhjes Shqiptare në Prizren në mbrojtje të tokave, interesave dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Nuk ishte pra ky një takim krahinor ose gjysëm përfaqësues, por ishte mbarë kombëtar.
145-vite më parë, me 10 Qershori të vitit 1878 është mbajtur Kuvendi Kombëtar në Prizren, aty u përfaqësuan të gjitha krahinat e Atdheut, me qëllim, sipas fjalëve të Abdyl Frashërit, “Që t’u presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”, ka thënë ndër të tjera, Abdyl Frashëri, përfaqsuesi kryesor i Lidhjes së Prizrenit. Aty u vendos njëzëri themelimi i “Lidhjes Shqiptare”, si organizata e vetme kombëtare shqiptare, objektivi i të cilës do të ishte bashkimi i të gjithë shqiptarëve në luftën për të mbrojtur territoret autoktone shqiptare dhe për të siguruar të drejtat kombëtare të gjithë Shqiptarëve.
Me atë rast, një Komitet Qendror u krijua për të drejtuar Lidhjen e Prizrenit, ndërkohë që u morën vendime me rëndësi historike për Kombin dhe i cili do të ushtronte kontroll mbi të gjitha degët e tija. Ky Komitet, si enti përfaqësues më i lartë i Lidhjes së Prizrenit, kishte një përfaqësi mbarëkombëtare prej 47 anëtarësh nga të gjitha trevat shqiptare.
Kush mund ta marrë me mend sot një organizim të tillë mbarëkombëtar – përball konflikteve aktuale politike brenda dy shteteve shqiptare dhe përball mosmarrveshjeve të vazhdueshme politike midis Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, në lidhje me çeshtjet më madhore të Kombit.
Qershori i vitit 1878 ishte muaji i Lidhjes së Prizrenit, por edhe i memorandumeve, peticioneve që hartuan shqiptarët në mbrojtje të të drejtave të tyre kombëtare dhe të tërësisë tokësore, por edhe i protestave të organizuara anë e mbanë trojeve shqiptare.
Në një memorandum të datës 13 qershor, 1878, shkodranët i shkruajnë, ndër të tjera, kryeministrit britanik të asaj kohe, Lordit Beaconsfield: “… Ashtu si nuk jemi dhe nuk duam të jemi turq, po ashtu e kundërshtojmë me të gjitha forcat tona cilindo që do të dëshironte të na bënte sllavë, ose austriakë ose grekë… Ky karakter kombëtar që nuk është përgënjeshtruar kurrë dhe që ka luftuar ngadhënjimisht kundër egërsisë osmane për më shumë se katër shekuj, nuk mund dhe nuk duhet të zhduket tani në këtë shekull qytetërimi nga dora e aeropagut evropian…”.
Nga protesta e 16 qershorit, 1878 në Shkodër, në një memorandum të nënshkruar nga 320 përfaqësues të popullsisë së rretheve të Tiranës, Durrësit, Krujës, Lezhës, Shkodrës, Ulqinit, Tivarit, Podgoricës e tjera, ndër të tjera thuhet: “Ne të nënshkruarit, në emër të të gjithë popullit, kemi nderin të shpallim se kombi shqiptar, qoftë mysliman, qoftë katolik, që ndryshon prej sllavëve… është njëzëri i vendosur të mbrojë Atdheun e vet kundër ndarjes së territorit që është projektuar, si një veprim që është në kundërshtim me historinë e tij, me interesat e tij dhe me dëshirat e tij…”
Ndërsa në memorandumin drejtuar ministrave të jashtëm të Fuqive të Mëdha, disa personalitete shqiptare që ndodheshin në Stamboll, shkruajnë: “Duke i parashtruar Kongresit dëshirat e veta dhe duke iu lutur që t’i marrë ato parasysh, populli shqiptar proteston përball Evropës kundër aneksimit të cilësdo pjesë më të vogël të truallit të tij nga një komb tjetër dhe shpall se është gati të bëjë fli të gjitha fuqitë e veta jetësore dhe ushtarake për ta mbajtur këtë vendim suprem, të cilin e konsideron si një detyrë të shenjtë të diktuar nga e drejta e tij dhe nderi kombëtar…”
Në letrën protestë kundër popullsisë së sanxhakut të Prishtinës drejtuar Kongresit të Berlinit më 25 qershor, 1878 kundër mizorive të kryera mbi popullsinë shqiptare prej ushtrive serbe, ruse, malazeze dhe bullgare, shkruhet: “…Po qe se do të ndodhte flijimi i kombit tonë dhe ky do bëhej viktimë e padrejtësive të lartpërmendura…ne do të vdesim me nder deri tek njeriu i fundit, që të mos jemi aspak viktima e këtij nënshtrimi…”.
Dhe në vendimin që mori Lidhja Shqiptare për Jugun në mbledhjen që u bë në Janinë me 24 korrik, 1878 për t’i kërkuar qeverisë osmane bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm për të mbrojtur tokat shqiptare nga copëtimi, theksohet se, “Shqiptarët, të udhëhequr nga ndjenjat e natyrshme patriotike, e gjithë Toskëria dhe Gegëria, u betuan dhe lidhën besën me shkrim për të mbrojtur tokën e shenjtë të vendlindjes…”. (Citimet e mësipërme marrë nga libri “Lidhja Shqiptare e Prizrenit, 1878-1881”, Kristo Frashëri).
Ja ku jemi sot! Është korriku i vitit 2023 – 145-vite ç’prej themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kombi shqiptar -- përball kërcnimeve të vazhdueshme të fqinjve ndaj të drejtave të shqiptarëve, sidomos nga Serbia me mbështetjen e Rusisë -- as sot nuk po gjenë paqën në trojet e veta.
Zëri i burrave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u bën sot jehonë liderve të kombit, në këtë 145-vjetor të saj. U bën thirrje, në emër të karakterit të përbashkët kombëtar, që të dilni ngadhënjimtarë nga ky kaos dhe egërsi politike në të cilën e kini hedhur vendin, qoftë në marrëdhëniet me njëri tjetrit, qoftë në marrëdhëniet rajonale. Burrat e Lidhjes së Prizrenit ishin më të përparuar dhe më patriotë se përfaqësuesit e sotëm të klasës politike shqiptare, megjithëse kushtet politike, ekonomike dhe shoqërore ishin shumë më të vështira për ta, në krahasim me gjendjen e sotme të shqiptarëve. Besëlidhja e tyre kundër armikut dhe sfidave të përbashkëta konsakrohej me besën shqiptare!
Përball rrezikut të brendshëm dhe të jashtëm, liderët shqiptarë aktualë, në vend që të lidhin besëlidhje me njëri tjetrin. në emër të interesave madhore të Kombit për zgjidhjen e sfidave dhe të kundërshtimeve politike trokasin dyerve të kancelarive evropiane – jo për të mbrojtur interesat kombëtare kundër synimeve armiqësore të të huajve – por për tu ankuar kundër njëri tjetrit, para autoriteteve të huaja. Miqët perëndimorë i duan shqiptarët të bashkuar në objektivat e përbashkëta në mbrojtje të të drejtave të tyre shekullore dhe në miqësi me kombet fqinje.
Në qoftë se qershori i vitit 1878 ishte muaji i shpresave për Kombin Shqiptar, i besëlidhjes dhe i besës për të shpëtuar Kombin nga kërcënimet e armiqve të jashtëm, qershori i vitit 2023 – pa dyshim është muaji dhe viti i zhgënjimeve politike e shoqërore, të brendshme dhe të jashtme. Zëri i burrave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u bën sot jehonë, në këtë 145-vjetor të saj. I bën thirrje Tiranës zyrtare dhe Prishtinës zyrtare -- në emër të karakterit dhe interesave të përbashkta kombëtare, të dilni ngadhënjimtarë nga ky kaos dhe egërsi konfliktesh politike, në të cilën i kini hedhur dy shtetet shqitare dhe Kombin mbarë.
Besoj se duhet të jeni të vetëdijshëm se, në qoftëse me të vërtetë reflektoni mbi veprimet tuaja politike sot – si në arenën kombëtare ashtu dhe ndërkombëtare -- ato janë në kundërshtim të plotë me historinë e Kombit shqiptar, me interesat e tij dhe me dëshirat e tij kombëtare dhe politike, “si një detyrë të shenjtë të diktuar nga e drejta e tij dhe nderi kombëtar…”. Por edhe në kundërshtim të plotë me Besëlidhjen e Gjergj Kastriotit-Skenderbeut në Lezhë dhe të Besës Shqiptare të Lidhjes së Prizrenit.
Jeni në rrugën e gabuar dhe në kundërshtim të plotë me dëshirat e shumicës së shqiptarëve anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në diasporë. Si të tillë, në qoftë se vazhdoni në këtë rrugë, do të poshtëroheni politikisht dhe do të dënoheni moralisht – si politikanë individë dhe si grup politikanësh – nga ky brez dhe nga brezat e ardhshëm të shqiptarëve, për mos përfilljen e të drejtave dhe interesave kombëtare të shqiptarëve.
Shqiptarët kanë dy shtete të vetat në Ballkanin Perëndimor. E kini në dorë të bëni ndryshimin e madh për të cilin pret Kombi shqiptar: Për një jetë të paqë e pajtim midis shqiptarëve pa dallim, në siguri dhe në harmoni recipkroke bashkjetëse me fqinjët, në familjen e madhe euro-atlantike, ku shqiptarët e kanë pasur gjithmonë karrigën e vet. Por, nëqoftse shqiptarët nuk kujdesen për veten, për interesat e njëri tjetrit dhe për të mirën e përbashkët afatgjatë si komb, atëherë, pse të lodhen të huajt me ne, kur e shohin se shqiptarët nuk kanë as një kompaktësi as unitet objektivash madhore kombëtare.
Pa një bashkrendim të ideve dhe qëllimeve të përbashkëta mbarë-kombëtare – bazuar në Besën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit -- nuk besoj se diplomacitë solo nga Tirana dhe Prishtina zyrtare, në lidhje me krizën në veri të Kosovës do të çojnë drejt përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje të krizës aktuale në veri të Kosovës, por as të krizave të ardhëshme me të cilat do të përballet kombi shqiptar në vitet dhe dekadat e ardhëshme. Tre dekadat e kaluara të tranzicionit politik na kanë mësuar tanimë, që sipas thenjes së romakëve të vjetër, “të mos shpresojmë pa dyshuar, por dhe të mos dyshojmë pa shpresuar.” Shpresa, thonë se vdes e fundit! Por shënjat, nuk duken të mira. Nuk e di pse, por përball krizave të sotme me të cilat përballen shqiptarët – po më shkon mendja larg tek ata që së janë më, por që janë të pranishëm me veprat e sidomos me idealet dhe përpjekjet e tyre -- besa besë – në mbrojtje të interesave kombëtare.
Sot realiteti i egër e kërcënues, në forma të ndryshme, ndaj fateve dhe interesave të Atdheut dhe Kombit po shfaqet gjithnjë e më shumë – në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar – por Besa Shqiptare e Lidhjes së Prizrenit – arma më e fortë, historikisht, e shqiptarëve për tu përballur me kërcënimet ndaj Kombit: Nuk është më, fatkeqsish!
Comments