Tregim*
Ne s’po dimë ku jemi. Diçka e çuditshme po ndodh. Mbase unë nuk mund ta shpjegoj këtë me disa fjali. Por... këto ditë na u ndërrua ‘Gjeografia’; zysha domethënë. E reja quhet Sibora dhe ngjan shpirt njeriu. Pa le që është aq e bukur, vishet mirë dhe duket gjithnjë e këndshme e bie erë lulesh kur të kalon aty pari... Ani. Problemi ynë është se na na kërkoi të shkruanim një hartim të shkurtër për vendin tonë: Ku ndodhet ai, ç’pasuri ka, fushat, mineralet, kultura, diçka e tillë.
Mbase zysha do të dijë pikërisht ku jemi... Po vërtet, ku? Sot, aty nga fundi i orës, duke mbajtur në duar fletoret tona, ajo na vështronte si e përhumbur. Dhe kur filloi të fliste, ‘moti’ u ngrys; nuk i kishin pëlqyer hartimet. Tha se duhej t’i linim mënjanë lëvdatat me Histori, pastaj edhe Ronaldon e Mesin, po ashtu estradat e fundjavës me policë (përherë) budallenj dhe me ‘çifte të lumtur’... sepse detyrën e kishim qarë me lot. Po, po, kështu e përmbylli: ‘qarë me lot’.
-Disa nga ju - gati psherëtiu më pas - duket sikur nuk jetojnë këtu. Elda na lokalizon në Detin Mesdhe. Petri e ka mbushur hartimin me emra futbollistësh...
Këta janë ‘tanët’. Elda mëson përmendësh. Kurse Petri di gjithçka për Kampionatin Italian të Futbollit. Dhe jo vetëm aq. Celularin e bën që ta ketë zili edhe shpikësi i tij.
-Kush është Petri? Hë, eja këtu, të lutem! - E ftoi zyshë Sibora. - Le të themi bashkë diçka për Bujqësinë e vendit tonë, për fushat, për vreshtat, për serat...
Petri shikoi njëherë përqark dhe pastaj ia filloi me vrull:
-Bujqësia? Okej! Bujqësia në Shqipëri. Në Shqipëri, bujqësia... Kjo do të thotë... Prit! Ajo zhvillohet. Doemos. Ne, këto... për bujqësinë... Ato nga bujqësia...
Po vinte anës dhe e bëri përshesh atë emër të uruar, por assesi nuk po thoshte ndonjë gjë për të qenë. Dhe zysha ndërhyri për ta ndihmuar pak:
-Mirë, mirë. Hidhu në një degë tjetër!
‘Të Ekonomisë’ e kishte fjalën ajo. Por Petri filloi të hidhej e të kërcente vërtet. Ke parë ti kështu!
-Jo, zemër, jo! - E qetësoi zysha - Nuk jemi në palestër. Thashë të flasim për diçka tjetër, po në këtë temë. Për shembull, për pyjet, për Blegtorinë.
-Blegtoria? - ia filloi Petri, disi më i sigurt këtë herë. - Blegtoria! Okej! Blegtoria në Shqipëri... Blegtoria është që... Prit! Ka shumë prodhime blegtorale. Ato...
Ato çfarë? Ne shikonim zyshën. Ajo shikonte Petrin. Dhe ky, befas na la të gjithëve gojëhapur teksa e ngriti zërin lart dhe bërtiti fort:
-O maaalet e Shqipërisë...
Disa nga klasa ia dhanë gazit. Prapë mirë që po i kujtohej diçka nga letërsia.
-Dhe ju o liiisat e gjatë...
‘Gjeografia’ ose e mori vesh që Petri ishte tabelë e bardhë e s’dinte asgjë ose nuk po i pëlqente recitimi i tij. Ajo ua shkoi dorën flokëve si për të fituar kohë dhe na ftoi në një temë e pasuri tjetër: Mineralet e Shqipërisë. Madje, pa i hequr nga ato duar të bukura fletoret tona, që e kishin trishtuar aq shumë, shtoi se mund të fliste edhe dikush tjetër.
Por Petri donte me doemos të përmirësonte imazhin e të merrte ndonjë notë të mirë; ia filloi sërish me po atë grintë:
-Mineralet? Okej! Mineralet e Shqipërisë! Mineralet tona... Prit! Ato janë... Shqipëria njëherë, ka shumë minerale. Kjo dihet. Okej! Ajo... Domethënë ato… Mineralet janë që… Mineralet na duhen për…
-Cilat janë disa prej tyre? - E nxiti zyshë Sibora. - Deri tani, kemi dëgjuar vetëm okej okej. Për çfarë tjetër është i njohur vendi ynë?
Edhe pykë të ishe e asnjë faqe mos kishe shfletuar, duke parë atë profil të hijshëm e duke dëgjuar atë zë që vibronte aq mirësi, disi do të ligjëroje. Por... e thashë, ka diçka që nuk po shkon mbarë me ne. Atëherë, ku jemi, de? Ne dhe vendi ynë.
Petri ‘kërceu’ sërish të ndreqte ndonjë gjë:
-Vendi ynë? Okej! Vendi ynë është i njohur, është shumë i njohur. Ai… Ato… Ne njëherë, jemi shqiptarë. Prit! O maaalet e Shqipërisë dhe ju o liiisat e gjatë…
Klasa vlonte në gaz; anipse zysha e ëmbël na bënte shenjë të qetësoheshim e të mblidhnim mendjen. Pastaj iu kthye përsëri Petrit dhe iu lut të harronte thirrjet teatrale e të thoshte diçka të vërtetë nga Gjeografia. Çfarë dimë për muzeumet dhe turizmin? Zysha dukej e tejet e dëshpëruar. Hiqini nga mendja notat! Kush mund ta ndihmojë shokun?
Por shoku nuk donte t’ia dinte për askënd:
-Turizmi? Okej! Turizmi është… Prit! Turistë ka kudo...
Marrëzitë e Petrit vazhdonin të bashkoheshin me të qeshurat tona. Turizmi ashtu dhe kështu. Turizmi andej dhe këtej. Zysha u përpoq të shtonte diçka; me kë e ke!...
-Një ditë - s’pushonte Petri - unë kam parë dy turistë. Ata dukeshin të lodhur nga vapa… Turistët janë njerëz të mirë…
Epo, si të mos argëtoheshim; nuk kishim rastin të dëgjonim përditë gjëra kaq të mençura. Kur erdhi fjala te kultura, ai prapë e ngriti zërin dhe tha se kultura është... një gjë e mirë. Për ‘Syrin e Kaltër’ nuk kishte dëgjuar. Por tha se edhe sytë janë... një gjë e mirë. Çfarë mund të bënim tjetër, përveçse të qeshnim? Kështu shkoi ajo punë: Ne qesh e Petri mbytja edhe më keq. Galeria e Arteve? Prit! Në vend të përgjigjes, ai buçiti përsëri nga e para:
-O maaalet e Shqipëriiisë!
E shkreta Shqipëri! Mirë që ra zilja, se nuk di ç’mund të kishte ndodhur tjetër në atë orë gazmore. Zysha na dha disa porosi për mësimin e ardhshëm dhe doli nga klasa e trishtuar. ‘Vajza e Hollivudit’ ishte mërzitur me ne. Prandaj po them se diçka nuk shkon. E shpresoj të jetë ndryshe herën tjetër. Dhe ju, o lisat e gjaaatë!...
...................................................................................
*Tregimi është shkëputur nga libri “Rrëfime nga shkolla ime”/ ASD Studio, Tiranë 2004.
Comments