Mësim për herë tjetër



Astrit Lulushi


Në mos gjë tjetër, çdo komb ka një qëllim edhe kur s’e sheh qartë ose nuk e përcakton dot. Megjithatë, qëllimi është si sekreti i simbolit ‘V’, që do të thotë ‘Vazhdim’, por ne e lexojmë ‘Victory’, shenjë e fitores, dhe gëzimi na shkon kot.

Njeriu asnjëherë nuk është i kënaqur me arritjet e veta; Natyra, Perëndia a kushdo qoftë, flet në kohëra të ndryshme me mënyra të ndryshme për parët, për profetët, të cilët shumë herë tregojnë në shumë forma të ndryshme, duke parashtruar pak nga pak planet e tyre, duke provuar kotësinë e famës dhe fuqisë.

Përtëritja vjen dhe shkon, por toka mbetet përgjithmonë. Dielli lind e perëndon, ndërsa del i pikturuar përsëri atje ku u ngrit. Era fryn jug-veri, këtu-atje, përpara-prapa, e duke u sjellur rrotull. Dhe i njëjti fat i kap njerëzit, të mençurit e të budallepsurit e mjerë; mendja e urtë dhe mendja boshe gjithashtu vdesin të dyja njësoj.

Njerëzit nuk janë më të mirë se kafshët; marrin frymë në të njëjtin ajër dhe vdesin njësoj. Të gjithë shkojnë në një vend, mbulohen në pluhurin nga kanë ardhur dhe pluhur bëhen. Çfarëdo që bën Natyra a Zoti është përfundimtare; fjala nuk thyhet; vetëm fjalia kundër një vepre të keqe nuk është përfundimtare.

Historia është grumbull rrënojash a kujtese e fituesit, fuqisë dhe qëllimit. Dhiata e vjetër është themeli i kulturës laike dhe fetare, krishtere e islame. Aty tregohet për kohërat kur të gjithë njerëzit kishin vetëm një Zot. Më vonë mbretërit krijuan zotër të tjerë dhe harruan se ishin zgjedhur për t’u kujdesur për njerëzit dhe jo për t’u pasuruar në kurriz të tyre dhe idhullizuar veten.

Kombi është si bari; gjithë lavdia është si lulja; bari thahet, lulja bie; kështu, për të mos humbur, fillimisht, herën tjetër, mbille farën thellë në zemër, nëse ke për qëllim, që barin ta shohësh gjithmonë me lule, të gjelbër.

14 views0 comments

Shkrimet e fundit