Ky galop oligarkësh i ngjan erës së Milotit, kërkush s'po ia ze frymën, gjasa askush s'po e gjen nga është nisur dhe ku do të ndalet. Si një shigjetë e helmuar po depërton në shpirtin e kohrave të reja, ndër dhimbje të kahershme ëndërrimtare. Oh! Çfarë dhimbje idolesh të mermerta, të akullt, bufonë si në ritet pagane të llaxoreve, ku për një kokërr vezë bridhnim derë më derë natës së lumnueme. E hera -herës nga ballkoni me perde të verdhueme, zbrazej legeni me kurrnacërinë e akullt në ditën e llaxoreve. Një fraq i egërt shfryn nga vrimat e kujtesës, depërton tej mundësisë, deri sa shkallmon portat e mjegullta të regjimeve. Grindeshim ahere ne fëmijtë çamarrokë, por edhe adoleshentë të hazdisur në vete, të gjenim rrënjët e të vërtetave bredharake, çull ndër shekuj. Por rrënjët ishin diku thellë përtej shpirtit të kësaj toke, përtej mushterisë së kombit, thellë në parzmën e shpirtit të tij. Mes të vërtetave nxjerrin krye hera- herës dhe keqkuptimet, ata janë si monedhat, që kanë dy anë, po kjo s'do të thotë se ato nuk ekzistojnë. Sidomos sot, mëshira dhe e vërteta, janë kokolepsur keqas. Njeriu i shkretë ndoshta në pafajsi mund të lëndojë dhe njerëzit më të dashur por kurrë nuk duhet harruar, se në atë pafajësi qëndron ari i një të vërtete, që buron nga thellësia e shpirtit. Kur ndokush ngacmon në parlament, në reklamat e debatet televizive, i zhytur në kolltukun panel, demin e lashtë të legjendës, ai dhe tjetri turfullon nga sytë veç zjarr. Mbërthyer keqas me legjendën, mëshira për të vërtetën zjarrmohet, nuk mbrrin askund përmes këtij zjarri. Ndalet në kujtesën e një pike uji, kapërcen avujt e dëshirave dhe sërish turret të kapërcejë honet e ndasive klasore. Hera - herë sogjeton hapësirat me dëshirën për të kapërcyer këtë imazh, si dëshirat fëminore për të kapërcyer ylberin, me dëshirën e lakmuar për një ndryshim. Por, kur del në një zabel të pashkrumbuar nga zjarret, i lodhur vë veshin në tokën ku do të ketë prehjen; dëgjon melodi dhe zërin e vajtojcave, si të një Circeje të harruar kohrave të shkuara. Sytë zgurdullohen nga habia, se si grinden mjegullat e grisura, mbledhur lëmshe- lëmshe humbëtirave. Vetëm ahere nga mëshira e të vërtetave, nëpër dhimbjen e dëshirave, turfull-turfull rigon një shi i dëndur me llohën e shpirtrave të sogjetarëve, thellë, thellë martirizuar. Sado të mundohen me rroben e mashtrimit, tre gjëra nuk mund të fshihen në këtë botë: dielli, hëna dhe e vërteta. Edhe dielli mbulohet nga retë, por kurrë nuk e humb ndriçimin dhe ngrohtësinë e tij. Herë - herë kjo shqotë, dalë birave të dheut, kthehet në shakullimë, ngjit shpirtrat lart në frone yjesh. Tubohen shpirtrat në formën e ujit, rigojnë në formë lotësh mbi tokën e vërdhome, mbuluar mugastrash e sëmurë. Mbi këtë tokë, qullosur me lotë shpirtrash, në delir, mbi një fron të përgjakur, aktron Hamleti i kohrave moderne me kafkën e të vërtetave në një dorë dhe në dorën tjetër shpatën e Demokleut. Nën gjunjë, si bisqet e një trung- lisi krasitur keq, njerëzit e mirë, duke iu lutur perëndive ndër faqet e enciklopedive njerëzore, që s'kanë të mbaruar. Lutet njeriu i mirë për mëshirën e të vërtetës, e cila, që nga shkallarja e parlamentit, qeverive, trotuareve është ngurtësuar. Etja dhe dëshira s'iu ndanë njeriut të shkretë. Tani ai është kthyer si një lundërtar pa busull në një oqean të paanë, thua se koha e Noes tani ka ardhë. Nga dritare e mendimit lëshon përmbi dallgë pëllumbat e dëshirave, bie në gjunjë e i lutet përsëri perëndive si i pari i tij pagan. Mes shkumës së valëve dalin veç cironka me barkun qiellandritur si zmerald. Gjindja me grerën e mendimit përgjon, përgjon mbi shkumën e zhultë, mes pabesisë së dallgëve në bunacë. Pret të zgjohen kandilët e detit e me to të ndezë dritën e shpresave, të vërtetave, duke pirë hidhërimin e pritjeve në një kupë Graal.
top of page
bottom of page
Opmerkingen