MËRZIA E KRONIKËS ZEZË
Sa herë ndjek lajmet, më mbyt mërzia Me kronikë të zeze, si mos më keq; Krisht i kryqëzuar më vjen përdita, Mërzinë e shpirtit dot s'ma heq.
Në qepallë më ngrin lot i jetës Si motit për një ditë të ndritur, Mbetem në shtratin e lumit të Letës, Në fundo, mbytem i zhuritur.
Vështrimet nxitohen ndër glaukoma, Tjetërsohen në botën e shtypit përralltarë, Murrosur mes mbetjesh, fjalësh fërtoma Me shpirt të akullt, t'acarit polar.
Çdo ditë me lajme mërzia më ndjek Me fytyrën makabre të Qoftëlargut, Në ulërima gjaku damarët rrjedh, Plandosur shpirti në syrin e pragut.
Me kronikë të zeze si mos më keq Mërzinë shtatëplagëshe kjo botë s'ma heq.
Commentaires