top of page

MËNGJEZ PLOT DASHURI




Nga Timo Mërkuri

Ka disa ditë që një miku im më ka dërguar poezinë “Mëngjez” të poetës Natasha Lako me dëshirën e mirë që ta lexoj, ti shpreh mendimin tim, të shkruaj diçka a së paku ta analizoj me një sy kritik si një krijim poetik të një poeteshe të njohur. Që Natasha Lako është një poete fine në kuptimin e plotë të fjalës, këtë besoj se nuk është nevoja tjua them unë. Që Natasha Lako është një Zonjë, me “Z” të madhe e poezisë shqipe, këtë besoj e kini dëgjuar shpesh, por që Natasha Lako të “çorodit” mendimet me poezinë e saj, këtë po jua them unë sot. Ja shikoni, kam mbi një javë që e lexoj ditë për ditë poezinë e saj “Mëngjez” dhe nuk marr guximin të ulem e të shkruaj dy rreshta për ‘të, pse kjo poezi më ngjan me një vazo qelqi të brishtë e të hollë, të cilën kam frikë ta marr në duar, në kuptimin e një analize. Kaq e brishtë dhe e hollë është kjo vazo sa që kam frikë të vendos qoftë dhe një trëndafil, druhem se mos thyhet nga goditja e kërcellit në fundin e saj. Jo vetëm kaq, por kam frikë ti hedh qoftë dhe petale trëndafili përsipër, nga droja se mos befasisht ato rrëndohen nga forca tërheqëse e bukurisë së saj dhe instiktivisht apo graviticionalisht shndrohen në gurë dhe godasin fortë qelqin poetik.

Është prej atij qelqi të hollë kjo vazo-poezi sa që ke frikë t'a nxjerrësh në dritën e diellit apo të hënës, nga droja se ndoshta nxehtësia e tyre e djeg dhe nxin sadopak dhe ja humb bukurinë. Madje edhe drita e ndonjë ylli të largët, aktualisht i shuar e dëmton, vetëm drita e një ëndërre dashurie mund të krijojë imazhin e duhur te përthyerja, si në një prizëm në qelqin e saj.


Nuk është një vazo lulesh prej qelqi, nga ato që vendosen në tavolinë, kjo është një poezi, e cila nuk analizohet me sy kritik, kjo poezi vetëm përjetohët, ashtu siç përjetohet dashuria, pse është sikur mba në duar një shpirt njeriu, fërgëllima e drithërima plot dhimshuri e të cilit të meh frymën në një moment mrekullie.

Është shkruar shumë thjeshtë kjo poezi, me ca fjalë të zakonëshme si gurët në zallin e detit, të lëmuar nga valët por që gjithsesi brenda tyre kanë atë origjinën vullkanore që ende i djeg. Kjo poezi është shkruar me fjalë të thjeshta që përmbajnë ca këshilla gruaje për burrin e saj në mëngjes, por që çuditërisht nga zanoret e fjalëve kullon dhimshuri e përkujdesje, merak e dashuri siç kullon mjalti nga hojet e bletëve dhe ajo aspirina, oh ajo aspirina sa e “ëmbël” është. Sa shumë lexues do dëshironin ta pinin, jo vetëm në mëngjez, do nxitonin ta rrëmbenin sikur të ishte një thesar, apo së paku çelësi i një thesari, por ja që ajo është thjeshtë një aspirinë dhe atë vetëm një njeri e meriton.

Nuk do t’i bëj analize kritike kësaj poezie, por do vazhdoj ta lexoj çdo ditë në mëngjes dhe pa i marrë lejen poetes, po jua jap dhe juve miq të mi të lexoni.

Është një poezi plot dashuri e cila vetëm përjetohet.


Sarandë, më qershor 2023


Natasha Lako

MËNGJEZ

Dita është ngritur në majë të gishtave,

të të shohë ty duke fjetur.

Si gjithmonë sa të dalësh prej ëndrrës

mos harro hapin tënd të parë drejt luleve të prera. Ndërro ujin e vazos së bardhë

që të rrojnë edhe një ditë trëndafilët pastaj ik.

Karafilin e bardhë hidhe sot, por po të mos kesh kohë ,

le ta durojë edhe një ditë së bashku me ty trishtimin.

Të mos tronditësh vazon që mban në duar,

ec ngadalë si mëngjezi vetë

Mos harro asnjëherë ujin e

freskët dhe të mirë

kthehu pastaj dhe gjej një aspirinë,

thërrmoje me kujdes, lulet të flenë qetë.

Pataj kërko trokitjet e diellit tënd,

në dritaren e posahapur,

dhe lere ujin të rrjedhë në fytyrën tënde.

20 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page