![](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_9de15f65b54b42a697b4a97929a62cc1~mv2.jpg/v1/fill/w_943,h_942,al_c,q_85,enc_auto/a48dbc_9de15f65b54b42a697b4a97929a62cc1~mv2.jpg)
Mëkati i një babai
Tregim nga Fatmir Terziu
Mbase kërkesa e brendshme ishte më shumë si hamendësimi i një leximi në faqet e panjohura të një libri të kërkuar. E dija se ndodhej një kërkesë e tillë brenda meje. Një e tillë e lindur në ditët me sy të fryra nga pagjumësia e një telefonate. Në gërrvërin ritmik të mesazhit elektronik të celularit kishte mbetur zëri i dyshimtë. U mundova t'i ktheja pas detyrimin tim, në fillim numrit të panjohur, pastaj dhe shqetësimit të brendshëm, atë që ndjeja se do ta merrja cingërrimën e dytë, pasi të kisha dalë në sipërfaqe, nga udha e hekurt, që shpërndan arteriet e komunikimit në shtjellën e thellësisë ndërlidhëse londineze.
Një telefonatë? Jo thjesht një e tillë. Më saktë e dinë kuotimin e saj të gjithë ata që ndodhen në kushte të njëjta me mua. E mbajta larg dhe afër shqetësimin tim. Por jo për shumë gjatë. Kërkova ndihmën e një specialisti të gjeja burimin e atij mesazhi, numrin e atij celulari. Të paktën t'i ktheja një përgjigje. Të paktën…
Pasi e lashë këndin e ngushtë të hapësirës ku djaloshi i komunitetit armen kryente zbërthimet misterioze të celularëve në laptopin e tij, u ndjeva se përpara meje po hapej një hapësirë e madhe e pafundme, që i ngjante natyrës së lirë e të pavëmendshme të Njeriut, e që në sy lexohej e ngashëruar hera-herë me fuqinë e rënqethshme biblike të transfertës së përjetësisë. Dukej se po fluturoja. Kisha tashmë numrin e celularit dhe mezi prisja të ktheja pas zërin tim.
Në fillim formova numrin e pastaj shtypa me kujdes butonin thirrje. Se dija përse po veproja si i zënë ngushtë, ose më saktë si i shtyrë në ndonjë detyrim të kushtëzuar. E si përfundim ndodhi të realizohej thirrja. Celulari im shënonte atë që duhej, „ringing“. U binda dhe njëherë duke e afruar leximin në sy, por askush nuk përgjigjej. Provova disa herë. E njëjta gjë. Provova të kërkoj ndihmë në një dyqan ku shesin celularë të llojit tim, por dhe atje, dhe ata që ishin specialistë të thirrjeve të tilla, u gjendën të pamundshëm të më bënin disi të gëzuar.
E lashë për disa orë. Diçka e brendshme më gërryente fort. Nuk mund të qëndroja ashtu me mendjen tek ai mesazh gojor i lënë në celularin tim, nga një zë që herë më dukej si i njohur, e herë si një zë krejt i padëgjuar më parë, por që nuk dëgjhej plotësisht mirë. E fundja dija vetëm kaq, se ai ishte zë burri, dhe në mesazh ishte një zë i qartë prindi, një zë babai. Ky zë përkonte medoemos diçka prej meje. Kërkonte …, ndoshta ndonjë ndihmë.
Provova përsëri. Linja dilte e zënë. Por këtë herë vendosa të lija edhe unë një mesazh: „Ju lutem, nëse e merrni këtë telefonatë, më tregoni cili jeni dhe ju lutem më telefoni pas, pasi tashmë jam në pritje. Ju faleminderit!“
Ndërsa mbarova mesazhin ngjita shkallët e bibliotekës, ku më duhej të përfundoja kërkimet e duhura të ditës dhe natyrisht në njërën dorë e mbaja gjithnjë të shtrënguar dhe mjaft afër celularin tim. Qetësia e asaj biblioteke, që zakonisht rallë shprishet nga ndonjë rënie libri nga duart e ngarkuara të studentëve, apo nga një tastierë e vjetërruar kompjuteri më krijonte një lloj zbrazëtie në vetvete. Kjo zbrazëti ishte e ngjashme me atë që ndjen teksa prek instiktivisht në thellësinë e mendimeve që të pushtojnë ndjesinë për natyrën e lirë e të pavëmendshme të Njeriut, e atë që prek vetvetiu e të qaset me fuqinë e rënqethshme biblike të transfertës së përjetësisë. Dukesha sikur isha dhe nuk isha aty, e në të njëjtën kohë hapësira qiellore më ngjante si një shapkë e pafundme mbi një trup misterioz në rrethrotullim.
E mora sasinë e domosdoshme të librave në skedarët e paragjetur dhe bëra nga vendi ku qetësia është relativisht e domosdoshme për studiuesit. Është në fakt rregulli numër një në biblioteka të tilla kërkimore. E aty sërrish ajo që ndjeja më parë dukej si një algoritëm përsëritës. Celulari ishte kryevëmendja ime. Sa herë që ai ndriçonte nga lëvizjet dhe prekjet e pavullnetshme më dukej se do të ndodhte ajo që po prisja. Do të ritelefonte pikërisht ai zë që më kishte lënë atë mesazhin e mistershëm e të paqartë telefonik me zë. Dhe pa humbur kohë nisa të lexoja…, pikërisht atë që po mundohesha të realizoja si ndihmë publike në ato ditë të vështira për të gjithë.
Origjina e një epidemie. I isha qepur keqazi tërë ato ditë leximeve të hershme të letërsisë britanike, e cila ngashërohej herë me natyrën e lirë e të pavëmendshme të Njeriut, e herë me fuqinë e rënqethshme biblike të transfertës së përjetësisë. Të dyja ishin në një lëvizje. Të dyja ishin kontradiktore në mendjen time. Sigurisht si lexues. Si Njeri?! Këtë ende nuk e di. Vërtet ende nuk e di…
Veprimet e shkruara dhe më pas të lexuara e të rilexuara ende më duket se flasin si thika që gdhendin në shpirtin e qenies sime. Ata godasin mishin e butë të besimit tim. Fjalët e tyre detyrojnë rrugën e tyre nëpër gjoksin tim të ngritur nga piruni që i ngulet sipërfaqes së gjuhës
dhe më shqyen zemrën që s'pushon duke rrahur fort e më fort. E gjithë kjo që pason fletë pas flete, libra të tërë me kapakë të trashë e të zverdhur nga koha, libra që ndonjëherë më duhet t'i lexojë me doreza specifike të siguruara nga sporteli me dhjetëra udhëzime përdorimi.
Por rrahjet vazhdojnë mistershëm duke lënë një zgavër të hapur mes arterieve të ngatërruara
që nxjerrin emocione të shpërndara. Nga thellësia e tyre, atje brenda më duket se qaset një i copëtuar një ind i gjakosur, që mbetet apo s'mbetet është përsëri në mëdyshjen time të leximit dual, me natyrën e lirë e të pavëmendshme të Njeriut dhe me fuqinë e rënqethshme biblike të transfertës së përjetësisë.
E lexuara, sikurse ndodh mbetet e ekspozuar dhe e pambrojtur ndaj elementeve të tjera, mbetet një terror i shtuar, e duket sikur në sy, por jo vetëm aty krijohet një plagë. Plaga acarohet. Përskuqet shpejt. Vjen nga era e brendshme e fletëve të palitura që të përcjellin mushtin e një arsyeje që i përket vetëm erës së tyre të krijuar kohërave deri në zverdhje arkivore. E gjitha është vetëm firomë, Frymë, dhe kësaj fryme i qepet padashje dhe pakuptuar dhe ajo që metohet, përhapet nga era jote. Ndonjëherë e ndjen. Ndonjëherë e humbet këtë ndjenjë. E ndonjëherë i shkon më tej të kërkosh e të rikërkosh në përhumbjen e leximit natyrën e lirë e të pavëmendshme të Njeriut, e po ashtu edhe fuqinë e rënqethshme biblike të transfertës së përjetësisë.
Por leximi ka dhe një arsye tjetër. Ka brenda tij vetë urrejtjen infektive, që rrëshqet fuqishëm në të gjitha arteriet e shkëputura dhe konsumon çdo mendim përtej dhembshurisë. Dhe ndodh jo pak herë që vetë leximi është si një i sëmurë me hakmarrje progresive. Dhe kjo hakmarrje është më tej ajo që bëhet forca lëvizëse e forcës që shëron faljen. Faljen?! Natyrshëm ndodh në vetë natyrën e lirë e të pavëmendshme të Njeriut, të dualizuar edhe me fuqinë e rënqethshme biblike të transfertës së përjetësisë.
Kjo duket një dashuri tjetër. Një dashuri që ngashërrohet. Një dashuri që trazohet. Një dashuri…Dhe ndjej se mes leximit të tillë vjen pikërisht ajo dashuri e pakushtëzuar: imuniteti natyror që prodhon atë që mbetet në këtë dualitet. E ndjej në një pikë loti. E ndjej. Edhe pse është i tillë, i hidhur, sikurse është vetë loti, në lexim e sipër e pranoj se është një ilaç i përkohshëm për zemrën që kërkon të shkarkojë dhimbjen e pashërueshme. E kjo dhimbje e tillë është vetë depresioni dhe jo ai i thjeshti, ai depresioni i përhershëm.
Jo pak herë në lexime të tilla ndjej dhimbje të përjetshme. Është një kohë që më tejshpie në mjedise të errëta. Kjo më përndjek ende. Më tall. Më shqetëson përsëri…, përsëri dhe përsëri... Dhe kështu fillon murtaja! Murtaja?
Nuk ishte nevojë të shpërqëndrohesha tashmë. Më duket se celulari kishte marë një ndriçim tjetër e forma drithëse e tij më detyronte të përqëndrohesha pikërisht në sipërfaqen e tij. Kaq ishte. Shtypja e butonit menjëherë më solli një zë në gjuhën vendase në veshin tim. Pasi më ptregoi se numrin e kishin siguruar nga thirrja ime në celularin që më kishte lënë mesazhin, më pyetën nëse e njihja z. H….. U thashë se nuk e njihja, por u ritregova se në kohën që unë isha duke udhëtuar në underground ai kishte lënë një mesazh me zë në celularin tim. Po, më tha zëri matanë celularit, po. Ashtu është. Ne tashmë e dimë se përse ju ka lënë atë mesazh z. H… në celularin tuaj.
Ai ishte një i panjohur për mua. Numrin e celularit tim e kishte marë nga revista ime „Albanian Post“, të cilën ia kishin lënë për ta lexuar aty në atë sallë të madhe të rehabilitimit në spitalin e Hammersmith dhe ndoshta kjo kishte qenë mundësia e tij e vetme dhe e fundit. Ai ishte babai i një vajze të vetme në Shqipëri. Ishte vetëm tre vjeçe dhe kërkonte që të gjithë ato para që kishte në llogarinë e tij bankare nga puna në emigrimi ti mundësoheshin ligjërisht asaj. Arsyeja ishte, se ai ishte një emigrant i paligjshëm dhe i kishte humbur të gjithë dokumentat në atë aksident të frikshëm, që në fillim i sakatoi këmbët e tashmë i kishte marë edhe jetën, pas mjaft përpjekjeve profesionale të mjekëve anglezë për ta shërruar nga dhe nga pandemia Covid-19.
Iu ktheva disa herë më pas mesazhit në celularit tim. E dëgjoja dhe shkruaja në një copë letër që trazohej nga pikat e lotëve që binin mbi të pa u kontrolluar. E ndërsa po shkruaja për të mundësuar ndihmën që mund të bëhej ligjërisht pas atij mesazhi, dora ime kishte ngecur tek ajo që ai më pyeste „A kam bërë unë si baba ndonjë mëkat?!
Tregim realist, njerezor, prekes dhe trondites. I shkruar bukur artistikisht. Urime, Myslim Maska