Mëdyshje prej Shekspiri
Vaso Papaj
I heq zvarr këmbët rrugëve, ndërsa era fort më rreh faqet. Shtjella pluhuri pas më ndjekin, s’vjellin fije tym oxhaqet. Mbi kurriz çanta e vjetër, mbushur plot rëndon nga rraqet. Veç beton e kulla të larta, s’ka më parqe, “ish” janë parqet.
Ham-ham, langonj na ndjekin, numërojnë të bukës çapa. Na shijojnë në tava të pjekur, si të ishim nga Shiroka, krapa. Të ushqyer dhe të nginjur, na duan hije, lidhur nga prapa. “Keni parë mbi ujë, tapa? Këmbë dhie, që s’bëjnë as hapa?...”
Linda, ti më ndjek për dore. Dora ime ngjanë copë druri. Don të flasësh po s’flet dot, si t’ kesh pranë një faqe muri. Linda, të lexojë në sy thellë: ti m’kërkon vendim prej burri. Bashkë të ikim gjer në vdekje, se të kam më shumë se nuri.
Ne do të nisim rrugëtim tjetër, pa Rozafat, pa edhe Brutët, S’durojmë më përrallë të vjetër, me Ali Babë-dyzet hajdutët. Dhe pse kurrë s’e duam luftën, gishtin zgjasin: ja rekrutët, Po s’na ngopin më joshje e lavde: “bravo studentë, s’u tutët”.
Rresht shtëpitë në lagjen tonë, kyçur porta, nxinë dritare. Do të shkojmë rrugëve të botës, se kjo e jona ësht’ kusare. Të ikim bashkë gjer prapa diellit, veç ai na mbron pa pare. Drita e tij do e mposht mallkimin, këtë etje për hakmarrje.
Linda pra, më zërë për dore. Është e jotja, edhe prej druri. Edhe ajrin na e vodhën, pas kësaj do të vlojë edhe huri. Linda, ta lexojë në sy thellë, atë mëdyshje prej Shekspiri: “Të rrosh a mos rrosh këtu! Qofsh më i keqi, qofsh më i miri?!”
Qershor 2021
Comentarios