Më zhgënjeu Shishtaveci, se ishte strukur mes drurëve…
Fatmir Terziu
Ishte vitit 1967. Trungu ishte i ndarë. Kudo ngufatej dhimbja e krijuar nga shumë arsye, por më së shumti nga errësira e pamasë. Demoni i shkatërrimit ishte nisur që ta shkatërrojë atë...
Nga mëngjesi në mbrëmje ushqehej ndryshe për ta kontrolluar brendësinë e një nxënësi të talentuar të shkollës së mesme, Gjimnazit “Sami Frashëri” që në atë kohë kishte emrin “Ivo Llolla Ribar”. Në bangat e kësaj shkolle fryma shqiptare e ushqyer që në vitin 1913, si një ndër shkollat e para të mesme në Kosovë, kishte fatin të ulej dhe Adem Hulaj. Shqiptaria e fuqishme e kësaj shkolle që nga koha kur i përkiste sundimit turk, ku nxënësit dhe mësimdhënësit ishin shqiptarë, edhe pse mësimi mbahej në gjuhën turke, ishte në majat e duhura e të kërkuara të kohës. Edhe pse pushteti i asaj kohe nuk lejonte shkolla në gjuhën shqipe, aty vlonte dashuria për shqiptarinë, edhe në kohën nga viti 1945 deri në vitin 1955 kur gjimnazi nisi të punonte në dy gjuhë, me emrin “Gjimnazi real shqiptar” dhe “Gjimnazi real serb” shqiptaria kishte këndin e vetë të merituar.
Adem Hulaj në një bisedë me ne thekson se drita e mësimdhënësve shqiptarë më ka mundësuar të më ngushëllojë në atë kohë të turbullt demonësh. Demoni i asaj kohe ishte mandatuar nga errësira, dhe synonte të më kapë mua... Ja një rast i dhimbshëm. Ndërsa kisha filluar vitin e tretë të Gjimnazit më shtyu dëshira të shkoja në buzë të kufirit me Shqipërinë dhe të paramendoja një plan. Shkova që herët në mëngjes në afërsi të fshtrave të Gorës dhe ndoqa nga larg të gjitha realitetet sipas një perceptimi që ishte strukur në vetvete. Ndodhesha në fshatin Plavë. Dhe që aty shikoja mjaft mirë Shishtavecin, fshatin në territorin e Shqipërisë.
Shishtaveci më ngjajti ndryshe. Shtëpitë ishin strukur mes pemëve dhe ata më ngjanin të mbuluara vetëm me rrasa dhe me kashtë thekre. U tromaksa. Ishte një zhgënjim dhe një tronditje e brendshme. Kështu plani im i arratisjes dështoi. Demoni ishte kryeneç dhe unë nuk mund të duroja më. U ktheva pas në fshatin tim dhe e mbajta këtë sekret të fortifikuar brenda meje, e që zgjohej vetëm nga armatura e të Plotfuqishmit në disa ëndrra të frikshme ...
Kështu Adem Hulajluftoi në betejën me Shkëlqimin e remë e të dalldisur ku thuhej zë pas zëri se Shqipëria e asaj kohe ishte më e bukur se Zvicra.
Nga pjesa më e thellë e shpirtit ai u përpoq të ndjehej ndryshe dhe jashtë këtij realiteti të dhimbshëm. Kështu iu nënshtrua gjuhëve të tjera, latinishtes, serbishtes, dhe bukurisë së shqipes që të hynte në përcjellje të lartë të rezultateve.
Objektivi ishte të përpiqej të mos lejojë që Demoni të bënte lojën e braktisjes së popullsisë shqiptare nga trevat e tyre.
Ai nuk pranoi të binte në betejë të lodhur, forca të blinduara të thyera, shkëlqimi hyjnor i copëtuar dhe kështu u bë mësues i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë ndërsa mbaroi shkëlqyeshëm Shkollën e Lartë të Prizrenit ku dallohej puna e Mehmet Topallit, Fuat Ostrozubës e mjaft të tjerëve pedagogë me nivel të lartë. Në kohën kur ai ishte gati për t'u dorëzuar në kthetrat e demonit arriti të përkushtohet më denjësisht për Gjuhën Shqipe. Gjuha shqipe thotë ai na shpëtoi nga dënimi, nga errësira e plotë... Dhe vetëm më Gjuhën shqipe ai u thoshte të tjerëve se Ylli rrezatues i mëngjesit do të imitojë dritën në thelbin e shpirtit tuaj...
Me këtë moto ai pa nga afër Prizrenin ndërsa ishte nxënës dhe mësonte frëngjishten. Eci tridhjetë kilometra në këmbë të gjente librin e duhur në Prizren. Më pas Prizreni i thelloi njohuritë e tij studentore në gjuhën shqipe. Mësuesi Adem Hulaje nisi mësimdhënien në Llapushnik, të Komunës së Dragoshit, pastaj në shkollën Teknike, e më pas në Shtëpinë Edukuese Korrektuese në Lipjanë e në Gjimnazin “Sami Frashëri” që në atë kohë kishte emrin “Ivo Llolla Ribar”.
Për më tepër, Adem Gulaj, rivendosi fuqinë e armaturës së tij atdhetare ndërsa kishte në duart e tij një dhuratë nga Blerim Muhaxheri, që kishte babanë një punonjës të Ambasadës së ish-Jugosllavisë në Tiranë, duke i dhënë kështu një Fjalor Drejtshkrimor të Gjuhës Shqipe. Duke mposhtur murtajën që endej në errësirë Adem Hulajme atë Fjalor ndërtoi plane reale dhe aktivizoi të gjitha forcat për mësimin e Gjuhës Shqipe të tjerëve. Ai e dinte se Demoni i shkatërrimit dobëson fuqizimin e lutjes në rritje...dhe ndaj u thoshte të tjerëve Qëndroni të bashkuar Vëllazërinë e Dritës shqipe...sepse kjo është një betejë e vazhdueshme midis Jetës dhe Shpirtit tuaj...shqiptar.
Adem Hulaj teksa nënqesh si me një shpoti të kohës që e habiti, por që e detyron të thotë një realitet se unë nuk u arratisa vetëm se më zhgënjeu Shishtaveci, se ishte strukur mes drurëve…, pasi ndjeja fukarrallëkun dhe jo bollëkun që mendonim në të gjithë.
Comments