top of page

MË LEJONI TË BETOHEM…



Një qytet me “Liri Fjale” s’mund të mos e ketë Fjalëtoren e vet. Banorët e Qytetit janë ndarë në “të thjeshtë”, pra të pa-aftë për artin e bërjes politikë dhe “jo të thjeshtë”, që do ta gjenin emrin në listat e asistencës, nëse ndonjë ditë njerëzimi do të vendoste ta shporrte politikën si profesion.

Fjalë-torja është mbledhur dhe pritet zgjedhja dhe betimi i Qytetarit të Parë. Emri, megjithatë, përflitet gjithandej, pra dihet. Mrekullia e Përfoljes në këtë qytet është shndërruar në mjeshtëri po aq delikate sa dallimi I një femre të ndershme në një shtëpi publike.

Qytetarët se si ndjehen kur lexojnë ndonjë të vërtetë në faqet e shtypit. Si të trembur dhe si menjëherë të përgjuar. Druajnë mos I thërrasin për dëshmitarë. Tërë ankth, mezi presin të kalojnë njëzetë e katër orët, o ca më gjatë: së shumti tri ditë, për të parë në po atë gazetë përgënjeshtrimin e radhës.

Mbas një periudhe shumë të gjatë, Qytetari I Parë pritet të jetë prej Lagjeve të Poshtme. Përfolja e Lagjeve të Sipërme dhe mërmërima e pa shqueshme e Lagjeve të Ndërmjetme u bë ditë që frynte.

Qe bërë kujdes që Fjalëtorja të mos ishte e njëjta me të legjislaturës para-ardhëse. Qenë sjellë kolltukë të rinj për presidiumin e ri, anëtarët e të cilit do të zgjidheshin edhe ata dhe, sigurisht, një i tillë fare i veçantë për Njëshin e Ardhshëm, Qytetarin e Parë, Njeriun që pritej të betohej. Qenë ndërruar edhe karriget në sallë dhe tavolinat: të shndritshme si pasqyra ku të zgjedhurit do mund të shikonin veten duke votuar ligjet e punët që i duheshin njeriut të Qytetit. Në tabelën elektronike, në pamjen ballore të sallës, pulsonin emrat e të zgjedhurve të cilët sapo kishin filluar të besonin se tash e mbrapa numëroheshin ndër kokat e mençura të qytetit.



Në ndarjen e tejdukshme të sekretarisë binin në sy një varg bukuroshësh, minifundesh, të tëra në dispozicion të njerëzve të mbledhur në atë sallë për të ushtruar fjalën e lirë… Pasi më i vjetri I Fjalëtores do të lexonte Formulën e Betimit, I para-përfoluri si Njëshi I ri, do të afrohej te Flamuri…

Nuk se kishte ndonjë kuriozitet kush e di se çfarë do thoshte. Ishte aq e ditur, nga të gjithë, absolutisht nga të gjithë, sa ishte e vetmja gjë në këtë qytet që nuk përflitej paraprakisht. S’kishte pse, asnjë mister nuk fshihte dot.

Ai do të qasej te Flamuri, do prekte njërin nga kindat e tij dhe, me dorën e vendosur në gjoksin ku merrej me mend rrihte zemra, do artikulonte fjalën e vetme, zgjedhur kush e di prej cilës kohë, një fjalë e ftohtë aq edhe ngjethëse, që merrte ngarkesë të allah-allah-shme në atë moment…

Në disa praktika krejt të shpejta, brenda pak minutash të hyrjes së tyre në sallë, Njëshi dhe Presidiumi u zgjodh. Pra, fjalët qarkulluar ditëve e netëve të mbrame ishin vërtetuar: I zgjedhuri ishte pikërisht Ai, I Përfoluri.

Po të vepronte si të tjerët, të mëparshmit e tij, Njëshat e tjerë, Qytetarët e Parë të deri-atë-ditshëm, ai mund të arrinte për te Flamuri në pak sekonda. Mjaft të vendoste të linte sallën, për tu ngjitur në podium dhe…

Bëri për andej. Po të vështrohej nga lozha e ambasadorëve, dukej sikur ndodhej pikërisht te Flamuri, por sikur s’e kishte me ngut. Në moshë thinjash, po vihej në dyshim në i paskej ditur si duhej lëvizjet për t’i kryer, në kohë. Në vështrim fizik, ky betim mund të shëmbëllente i thjesht sa betimi i fëmijëve në sy të moshatarëve të tjerë, në grindjeje mes tyre në lojë. “Betohu, betohu që s’gënjen…Betohu për nënë e motër…Thuaj më plaçin sytë…betohu pra, dhe vazhdojmë lojën!”

Fëmijët e gjithë botës, të gjithë kohëve, janë gati të betohen besueshëm. Të rriturve u kërkohet veç të duken të tillë…

Këtë gjë kaq të thjesht…pikërisht…nuk po e bëj dot, sikur thoshte ngala-ngeja e afrimit të tij për te Flamuri…

Përderisa pranove të zgjidheshe dhe u ngjite deri aty, cytnin sytë e Lagjeve të Sipërme, prandaj të zgjodhëm ty, shtonin Lagjet e Poshtme, po pra, ndaj edhe ne ramë dakord, shtonin të ndërmjetmit, betohu pra! Heziton, kështu?! Ai s’mund t’u thoshte si e mendonte atë çfarë vijonte pas shqiptimit të kësaj fjale. Pavarësisht se vazhdon shpërdorimi I saj, “betohem” e bart pa pushim ngarkesën e ngjizjes si fjalë.

Fakti që askush nuk e ka gëzuar deri në fund të drejtën që vjen prej këtij betimi, nuk e lehtëson si akt ceremonial. Edhe pse ne të gjallët jemi të prirë të harrojmë, së paku ta zvogëlojmë kontributin e të betuarve të mëparshëm, nuk është kjo që ma avashëson mbërritjen te Flamuri. Më lejoni t’u kujtoj se të shumtët, prej Qytetarëve të Parë apo Shefave të Qytetit, kanë mbyllur sytë mërguar, o ende nuk prehen në këtë truall. O, në ndodhtë, ka ndërruar varrin së vdekuri…

Të gjitha vajtje-mendjet mund të merreshin për të vërteta dhe, përderisa kishte ardhur deri aty, do duhej të betohej. Salla atje poshtë nuk pipëtinte. Të dy palëve atje poshtë: Kot bëni sikur grindeni me njeri tjetrin ju! Të tallur jeni, të prangosur me mandat jeni, ju dhe unë!

Lozhat e të ftuarve, diplomatët e huaj, nuk bëheshin gjallë. Gazetarët e kronistët vazhdonin të mbanin shënim dhe të transmetonin, edhe pse asgjë nuk ndodhte. Ishte e vështirë të harrohej se në atë sallë, së paku deri atë ditë, ishte e çmuar më shumë bindja, të mbeturit urtë dhe mirësjellja. Sinqeriteti ishte tjetër gjë.

Si gjithnjë, ata që kishin votuar, ishin jashtë kësaj salle. Ca pak të ftuarve prej tyre, njerëzve të thejsht qytetarë, te llozha përballë, do tu thoshte: Po ju kurrë s’keni fituar, për çfarë prisni ju të betohem?!

Më i moshuari prej të atyshmëve, avash-avashëm edhe ai, si për të mos rënë në sy a sikur më lehtë e kishte të nisej të dilte nga jeta, arriti më në fund pranë Njeriut që do betohej, e preku në sup, lehtë, si ta përshëndeste, ta kujtonte që ishte gjallë, ta nxirrte nga heshtja e më-vetshme, ta bënte të dijshëm se salla, gazetarët, të ftuarit në lozhat, kamerat e shtuara së fundi, gjithë bota mbase, priste betimin e Tij.

“Një fjalë e vetme është…Thuaje!” Dhe, fill në frymën tjetër, të fundit, merrte fund kjo ceremoni. Thuaje! Jepi fund, këtij…funerali, ta marrë e mira ta marrë, betimin dhe ty, bashkë me ne që të menduam tjetër gjë…

Të mefshtë, mbase pikërisht për mefshtësi e kishin zgjedhur, veç telash të mos hapte për ç’kishte ndodhur në qytet, për të shkuarën, por jo kaq sa të shkëlqente në mefshtësi…

Ndërdyshja që e vononte, në ishte shkak, do duhej të ishte ditur, do duhej të ishte thënë. Përpara se të zgjidhej, e jo tani, në pak minutat që duhej të mbylleshin me betim. Njerëzit me mëdyshje të mëdha ndodh të bëhen më të rrezikshëm se të këqijtë…

E zgjati dorën. Preku kindin e Flamurit. Ngriti sytë për nga salla. Ata të lagjeve të sipërme dhe ata të lagjeve të poshtme, të gjithë iu dukën si të ndërmjetmit: kotësira të zgjedhura. Të njëllojtë, edhe pse të ndarë rreptë nga njeri tjetri. Nyje të një rrjete hedhur në ajër për nga ai. E zbriti vështrimin tek të ftuarit prej shoqërisë qytetare. Shenjat civile ngjethnin me rrëgjimin e vështrimeve të ndrojtura të tyre. S’pritej të donin ta dinin arsyen e vonesës që po ndodhte. Megjithatë prisnin, edhe ata, të thuhej fjala e vetme, fjalë që kishte përse mezi e prisnin uniformat në sallë, në nisje të besonin se ishin zgjedhur prej tyre.

Të betohej, për Ta? Të premtosh diçka që s’varet nga ty? Të marrësh përsipër shpjegimin e ëndrrave që i kanë parë të tjerë? Një fat e kemi të gjithë, mbase. A ndryshon gjë prej kësaj formule betimi?

Megjithatë diçka do duhej ta thoshte, diçka që s’ishte thënë kurrë në këtë sallë, nga askush. As-se-si prej njëshave të mëparshëm. Në të gjithë kohët. Kurrë s’kishte ndodhur…

Me dorën mbi Flamur, e ngriti tjetrën për nga lozhat e diplomatëve të sezonit të fundit. Mes tyre zgjodhi dikë, ku ta ndalte vështrimin. Te zotëria që kishte pyetur gjatë për figurën e tij, e pastaj kishte dhënë pëlqimin. Atij kërkoi t’ia shihte të qeshurën në buzë. Kur dora e mbylli harkun e dilemës mbi sallën e Fjalëtores dhe pëllëmba preku në fundin e palës së xhaketës së kostumit të posaçëm për këtë ceremoni, foli.

“Më lejoni të betohem për popullit tim, zotërinj ambasadorë?”

[Në faqet 225-231, të librit “Qyteti i Ministrave”, TOENA, 1998]

19 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page