Më fal miku im, më fal! (Gomarit tim, krahut tim të fort)
Ti, miku im, nuk jeton më, e unë, të kujtoj me respekt. Ti, ishe mik i mirë imi; dorë e djathtë; krah i fort... Asnjëherë s`të pyeta për shëndetin, as për lodhjen. Ta kisha lakmi për durimin të cilin e mësova nga ti. Ti, nuk zemroheshe dot. Nuk t`kam parë kurrë të inatosur. As të lodhur s`të kam parë. Kur Ti pëllitje, zëri yt i ngjante një kënge të hareshme dhe, këtë e merrja si përshëndetje jo vetëm për mua. Edhe Ti, ishe në funksion të kursimit të ushqimit mbase të ishte e qart se, ky, më mungonte edhe mua. Fasulen e zier në veksh, e haja kokërr për kokërr, kurse ti, barin që e korrja buzë lumit, fije - fije. Sa shumë keqardhje ndieja kur samari të lëndonte, e unë duhej ta riparoja pa patur fare lidhje. Ishe edhe mjek i vetes e nuk e di si ia dilje. Me mençuri e qëndrim stoik përballëshe me të gjitha. Vetëm që të më ndihmosh. Dhe, dorën në zemër, na ke shërbyer me përkushtim.
Ti dhe unë së bashku e luftaum varfërinë. Ti, miku im, kaherë ishe paraardhës i makinës me avull, aeroplanit… E edhe internetit të sotëm sepse, Ti, njeriut i hape dimensione të reja komunikimi dhe transporti….. Dhe ti, miku im, do të mbetesh paraardhës i përhershëm i të gjitha arritjeve të reja….
Të falënderoj miku im, të falënderoj! P.S.: Miq të mi të dashur, në këtë kohë, njeriu, i harlisur pas hiçit, nuk e ka vështirë shpërfilljen e mirësisë së tjetrit. Mirënjohja është zbehur e zhdukur dhe falënderimi që nuk kushton asgjë, i mungon fjalorit të përditshmërisë. Nuk e kemi vështirë dhe nuk s‘kuqemi për t‘u krekosur se vet arritëm të jemi këtu ku jemi. E ai që nuk i është falënderues atij që e mbështeti në rrugën e arritjes, nuk e di a mund të jet mirënjohes edhe ndaj Zotit. Paç shëndet!
Comentários