Lyknidës


LIQENI I POGRADECIT (Ose liqeni i Lyknidës)

E keni parë liqenin e Pogradecit? Jo?! S’ka gjë. Do ta shikoni. Nuk është vështirë. Ja, sa të kaloni Qafën Thanës, para jush, nga e majta, do të shihet një hapësirë e gjerë ujore, e qetë, a e trazuar, në ngjyrë të kaltër në të gjelbër, të rimtë, që do t’ju befasojë më pamjen e saj, do të kënaqë sytë tuaj, që mund të jenë lodhur nga ndryshimi i shpejtë i pamjeve të afërta e të largëta, që janë shfaqur në ekranin e dritares suaj të kabinës së trenit, e maleve me pyje, shkëmbinjve, shtyllave të tensionit të lartë… Tani do të ndieni një kënaqësi të veçantë, një çlodhje, një gëzim, një freski. Sytë do t’ju fiksohen diku, në ndonjë pamje larg, apo vështrimi juaj do të rrëshqasë në gjithë hapësirën e liqenit dhe do të ndieni një diçka të veçantë që s’e keni ndierë ndonjëherë; një trazim të fshehtë, një dridhje gëzimi e keqardhje bashkë, të ngjashëm me atë kur sheh një vajzë të re, të bukur, tërheqëse, pamja e së cilës të ka bërë për vete qysh me shikimin e parë dhe ndien se do ta dashurosh atë për aq kohë sa do ta kesh pranë. Jo, do ta dashurosh edhe më. Edhe kur të jesh larg saj do të ndiesh atë dëshirën e fshehtë për ta parë prapë, për ta pasur gjithmonë pranë, do të ndiesh keqardhje që s’e keni njohur më parë. - Ah, sikur të isha piktor dhe ta pikturoja këtë liqen në këtë çast!- mund të dëgjohet një zë nga brendësia jote. Ke të drejtë. Një piktor do të mund ta shfaqte në pëlhurë bukurinë e atij çasti, ashtu siç mund të shprehte edhe një kompozitor ndjenjat e atij çasti. Por mos pandehni se e kanë të lehtë piktorët. Jo, bile e kanë shumë të vështirë, tamam sikur të pozojë para tyre një vajzë lozonjare, që s’mund të mbajë të njëjtën pozë për aq kohë sa do piktori. Kështu dhe ky liqen femëror i ndërron ngjyrat e pamjen jo vetëm në çdo stinë të vitit, por edhe në çdo orë të ditës. Të pakët janë ata piktorë që kanë mundur ta japin si të vërtetë në tablotë e tyre këtë liqen. - Si, a mund të ndryshojë ngjyrën një liqen? E ç’gjë mund të ndryshojë ngjyrën e liqenit? A nuk mund të jetë ai gjithmonë i kaltër në të gjelbër? - Ja që ngjyrën e ndryshon. Thamë se liqeni i ngjet me një vajzë të re. Pa mendoni një vajzë të re dhe të bukur, një vajzë që e di se bukuria e freskia e saj i bën për vete njerëzit, të gjithë njerëzit, të çdo moshe qofshin ata. Kës