top of page

Lutfi Turkeshi: Shefki Karadaku, Khajami i ditëve tona 


Nga libri “AND-ja e pandryshuar e Shefki Karadakut i autorit Halil RAMA

 

 Dr. Lutfi Turkeshi, Gazetar, studiues


Shkurt, poezi e veçantë, e jashtëzakonshme, e bukur... Është e tillë poezia e poetit Shefki Karadaku... Është shumë refleksive, sa më shpesh ta lexosh dhe rilexosh, gjithnjë do të nxjerrësh ndonjë ndriçim nga qielli me plot yje lirike të poetit të madh. Pra, kjo lirikë është identiteti poetik si katarzë…

Në librin tim “AND-ja e Shefki Karadakut” (monografi letrare),  një kapitull i veçantë   është me vlerësime të personaliteteve të letrave, ku autori i 35 veprave letrare në prozë e në poezi, portretizohet si një nga shkrimtarët e dalluar të kohës së tij. Kjo për faktin se Shefki Karadaku, me korpusin e tij letrar, ka hyrë denjësisht në historinë e letërsisë shqipe. Njëri nga analistët e veprës së tij, Prof. Dr. Lutfi Turkeshi, gazetar & studjues nga Republika e Maqedonisë së Veriut, jo më kot, e vlerëson Shefki Karadakun si “Khajamin e ditëve tona”. Në këtë konkluzion ai arrin pasi ka lexuar romanet “Puthja e ngrirë”, “Njëmijë vjet dashuri”, “Vila e magjepsur”, “Salamandrat”, “Filantropi”, “Panagjerikus” e të tjerë, dhe vëllimet poetike “Kënga e korrave të drithit”, “Melodi të Shkumbinit”, “Ylberi”. “Lumi me njëqind zemra” e “Feniks” të poetit e shkrimtarit Shefki karadakut.

Në kuadrin e Tetorit të letërsisë dhe arteve, i përcjell lexuesit të prestigjiozes “fjalaelire.com”, pikërisht këtë analizë të të ndjerit Turkeshi, i cili, ndër të tjera  vlerëson se “Tërë vargjet e poemës ‘Feniks’ janë të harmonizuara estetikisht në të gjitha nivelet e të shprehurit emocional, individual, stilit origjinal dhe figuracionit. Këto poezi janë shprehje e një personaliteti poetik jo të zakonshëm...”

Halil Rama – Mjeshtër i Madh                                                        *

Pas shumë shekujsh, kur rebeli pasardhës do të tundë prapë selvinë, që e preku (vite më parë) me diç të “hekurt”, si me turp do ta shoh se rreth saj do të mbijnë bota, sisteme, grushte shteti, piramida... Martesa njerëzish dhe qivure.

Është ky mesazhi poetik i Khajamit të ditëve tona, poetit Shefki Karadaku, i cili me mëse 20 vepra në prozë dhe poezi amësoi në hapësirat e demokracisë letrare...

Në romanet “Puthja e ngrirë”, “Njëmijë vjet dashuri”, “Vila e magjepsur”, “Salamandrat”, “Filantropi”, “Panagjerikus” e të tjerë dhe vëllimet poetike “Kënga e korrave të drithit”, “Melodi të Shkumbinit”, “Ylberi”. “Lumi me njëqind zemra” dhe “Feniks”, poeti e shkrimtari Shefki Karadaku asnjëherë nuk do t’i nënshtrohet jetës edhe pse e vuan atë... Dhe, duke mos aluduar në përmbysje biblike, synon t’i ndriçojë të errëtat e një sistemi jo perms kthesave shpirtërore, por përmes konstatimit “pesimist” se të gjithë elementet janë më të rremë se ëndrra dhe thekson se vdekja është mbi të gjitha e nuk pyet hierarki ose ndonjë formë “makijazhi”, ndaj neveria, njeriut ia ul moralin nga përsosmëria, kur bëhet fjalë për vdekjen nga e cila edhe thelbi i jetës bashkëkohore dridhet... kur midis hidhërimit dhe gëzimit hija është ekuivoke, prandaj poeti e di se qerrja që na tërheq dhe fjalët pa testament në largësitë e zymta të përditshmërisë, ikin tej dhimbjes njerëzore.

Këto mirazhe shpirti, që ikin me ëndrrat si një gënjeshtër tej, mes pikëllimit të paanë – janë sofrat njerëzore me kanune dhe karrare: “Bukë, kripë e zemër”! Larg tryezave dionisiane me “mish, verë e raki dhe net gri të orgjive...”. Janë çaste të fateve të grisura jo me gjumë somnabulash të poetit, por me një misticizëm të shprehur që ngjall emocione të një përkushtimi të vulosur, aludon në bindjen se çdo gjë përsëritet. Mbase edhe poezia e tij do ta ndiejë këtë rrezatim ndjesor...


“FENIKSI”, FRYT I IMAGJINATËS SË POETIT


“Feniksi” është, pra fryt i imagjinatës së poetit që sugjeron ndjenjë të një thellësie ekzistencialiste të paqartë, por të tejdukshme në jetë, që në amplitudën figurative nuk është feniksi që zgjohet nga hiri i detyruar si shpirt i freskët i një loje të gëzuar kozmike, as ndonjë stuhi kohore që kërkon t’i hedhë tutje nga pellgu i qetë mendimet flijetare dhe t’i kthejë sërish në një ind përimtimi artistik, por një dridhje që “hap plagët e kohës”, të shprehura në çast, stinë, vite dhe dekada, të tradhëtuara nga forca e vet. Kështu nis kalvarin e mundimshëm të shprehur në linjat plot tension me motive dhe dritë, bardi nazik i fjalës së shkruar poetike, esteti i shprehjeve kuptimore Shefki Karadaku. Ai shpesh nuk ndalet në fusha as edhe në lugina për admirime idilike. Mbase ato janë si rrjedhojë e barrës “së mëkateve” të servijuara nga syri poetik “sepse” ai e shikon edhe kohën përmes katarsisit ose lavazhit shpirtëror që s’e arrijnë kohën e vet. Megjithatë ca rreze optimiste amësojnë në botën dhe vizionin e mjeshtrit artistik, i cili në “errësirë” ndez qirinjtë e shpresës.

Leximi i veprës letrare artistike është një fenomen që manifestohet në mënyrë të ndryshme te secili individ, madje në mënyrë të ndryshme edhe tek i njëjti person me rastin e rileximit të së njëjtës vepër në intervale të ndryshme kohore, veçanërisht kur kjo vepër është poezi refleksive me plot rava asociative që e lëvizin çdo hije simbolike të filozofimit dhe tjetërsimit shpirtëror. E tillë është edhe përmbledhja filozofike “Feniks” e Shefki Karadakut. Gjatë çdo rileximi nxjerr diç të re...

 

LIRIKA E PËRMBLEDHJES “FENIKS”KA NJË FRYMË TË RE POETIKE

 

Shumë poetë kanë shkruar për sistemin monist, disa u afirmuan, të tjerët e mohuan dhe u shpallën dissident. Shefki Karadaku, që e përjetoi këtë periudhë këtë e konfiguron përmes një përimtimi të heshtur. Similituda poetike e Shefki Karadakut ka lindur nga vizioni i një përjetimi plot 13 vjet. Soditur dhe shprehur në varg duke shtruar argumente historike të kësaj kohe dhe pasqyruar përmes krahasimeve të ndritura... Pra, Shefki Karadaku, ky “skllav” i lirikës figurative është një poet si mag i madh i shtrirë në meditim nëpër zinxhirin qiellshpues. Inventiv me plot ide të qëlluara, thellohet në të gjitha kodet jetësore ndaj periudha që e portretizon në poemën lirike “Feniks” është një “tatuazh” kohe, që ka kontinuitet dhe zhvillim të përhershëm me mesazhe plot peshë. Veku poetik i rrjetës jetësore është vargu transcendent që njëherësh e shpreh vizionin e poetit për një botë të re, sepse botës plakë (e ka fjalën për sistemin të cilin e portretizon) i kalon koha dhe se paqja me këmbët në boshllëk nuk ka perspektivë dhe është një paqe false plot luftë fronesh dhe mjegull politike në eklipset e shtetit. Ndaj për këtë poeti prononcohet: “Isha i detyruar ta bëja këtë jetë poetike të dyfishtë... Kështu, brenda meje lindi një njeri tjetër, i cili mundi të krijojë gradualisht imazhin e pastër të një bote gati ireale, rrethuar nga një atmosferë e trashë heshtjeje dhe indiference pas së cilës modelonte e gjallë diçka stratosferike e pavëzhguar nga askush dhe e pangacmuar nga asgjë vulgare që mundi të sjellë izolimi i një shteti...”. Dhe në këtë izolim ku ndjen përplasjet poetike autori shton: “Unë mbase jam ai që s’di ç’të bëjë, ç’të ndërtojë e kokën time e kam nga blasfemitë pa kuptim, por që i trishtë qesh nga ironia pa vullnet që s’mundi të ndërtojë asgjë nga ëndrrat shtatanike dhe, pa forcë, pa pushtet u mbylla në vetmi nga ankthi, një cergë enda fort për të tronditur qeveritë e për të shkundur popujt nga letargjia si demon...”. Por, thekson më tej poeti me pesimizëm hezitues: “Mbeti kot dëshira ime... veç jehonë, e meqë s’mund asgjë të bëj me fjalë altruiste, me dhimbje gërryej fort ndërgjegjen time deri në fund e bëhem vetë makth sikur zemërimi të më mbysë nga jeta pa kuptim edhe qëllimi pa një cak...”. E konstaton këtë poeti figurshëm me ekzagjerime asociative për epokën që ec ngadalë, që çdo ditë të duket e gjatë sa muajt, vitet, e nuk ikin shpejt dhe ne durojmë nën strehët e mplakura... Dhe poeti në kërkim të bishtit të kësaj kohe të stërzgjatur kërkon magjinë e madhe për të krijuar harqet e fatit për të ruajtur gamën njerëzore që të zhdukë zymtësinë e terrorit dantesk dhe “atje” ku vegjetojnë meridianët e përbotshëm, ku “e bukur dita lind, por e zymtuar perëndon”, ditë me shqetësime dhe tronditje ku frika absolute shkakton heshtje akujsh. S’ka liri. Dhe vëren poeti se njerëzit që qëndrojnë në pushtet e mbjellin këtë heshtje, me ta, pra me emrin e tyre lidhet nxitja e luftës, ndaj në një kohë të caktuar ata nuk bëjnë gjë tjetër veçse gjallërimin e këtyre instikteve ua transmetojnë edhe të tjerëve... Dhe poeti e di se njerëzit fatkeqësisht, në shumicën dërrmuese e ndiejnë nevojën t’i nënshtrohen një pushteti, nga i cili entuziazmohen edhe kur ai sillet keq me ta, që këta njerëz mos demoralizohen, por të bëjnë përpjekje që ta njohin më mirë veten dhe brenda vetes të dallojnë të keqen (Frojdi)... 

Kjo vetëdije e pranisë së botës apo më saktë kjo vetëdije e afrimit të saj përmes krahasimit shoqërohet me njëfarë devocioni ndaj gjeneratës së re. Duke mos kontestuar mesazhin për ndërrime sistemesh, tërë këto i jep me përforcime sfondesh që në poemë i kryejnë funksionet metaforike-figuracion, që në fakt është akt vetëdijeje lidhur ngushtë përmes perceptimeve ndjesore dhe shprehja e këtyre ndjesive bëhet njëlloj si shprehja e një pikture ose muzike... Lirika e Shefki Karadakut është një akt i ndërgjegjes individuale poetike dhe admirimi përimtues që vjen nga thellësia, nga fundi i ndërgjegjes, si një ndriçim i padukshëm. Emocionet nuk janë hapërim në vend, por një kohë në ecje pa pushim... Gjithnjë të varura nga mendimi njerëzor, sepse jeta ku verifikohen këto mendime është e mbështjellë me plot ngjarje...

Ëndërron poeti një vend ndryshe nga ai që e jeton, kërkon një vend: “... me gjuhë mjalti dhe hareje pa ligje-despotike dhe kushtetuta plot dyshim...”. “Dëshiroj një Eldorado ku ju të gjithë të rrini zemërqetë...”. Është vizioni i poetit dhe optimizmit të tij se: “Do vijë çasti që nga karrigia bukuroshe të shoh të kaltër botën pa dimër stinash pa mërzi.?..”. Kështu këngëton me optimizmin e stinës së intuitës poeti, stinën që askush s’e sheh, por stinë që flet nga një botë e brendshme, nga disponimi i zbehur dhe i mërzitur dhe, si lunatik, me shpresë dëgjon se tufanet dhe rrebeshet do të pushojnë...

Kritika letrare e ndjek hap pas hapi letërsinë... Po qe se shikohet lirika e përmbledhjes “Feniks” lehtë vërehet se vëllimi ka një frymë të re poetike. Është një poemë me çelës që zhvillohet me një përpjetëz poetike alternative. Ajo ndryshon jo vetëm nga format stereotipe të poezisë shqipe, por edhe kundrejt poezisë që ka marrë përsipër të jetë avangardë e kësaj poezie...

IDENTITETI POETIK SI KATARZË

E veçanta e këtij vëllimi është se përkon me koordinata të përafërta të opsionit poetik filozofik të Khajamit. Poeti si edhe Khajami, marrëdhëniet me botën, pjesa materiale e së cilës i përgjigjet frymës poetike filozofike të poetit, shtrohet përmes asociacioneve – kjo veçanërisht vërehet në përsëritjen e dendur të metaforës së vetmisë... Ai pra, Shefki Karadaku, nuk shpall betejë për mëkatet duke shprehur përsosmërinë morale, por, përkundrazi, përmes “pasqyrës refleksive” që shikon botën i thekson krahasimet e jetës të mundimshme dhe të lodhshme shqiptare...

Si qiriri i Naimit që digjet në zgripin e honit të romantizmit evropian edhe Shefki Karadaku digjet në përimtim në “honet” e errësirës... së regjimit monist. Por, poeti thotë se poezia e tij futet thellë nëpër botra, gërmon mendimet, kohërat, thërret dhe qesh me zemrën copa-copa dhe shpërndahet në të gjitha trajtat... Si feniks, shkëlqen me ide kuarci duke ndërtuar “udhë betoni”...

I tillë është poeti Shefki Karadaku. Tërë vargjet e poemës “Feniks” janë të harmonizuara estetikisht në të gjitha nivelet e të shprehurit emocional, individual, stilit origjinal dhe figuracionit. Këto poezi janë shprehje e një personaliteti poetik jo të zakonshëm...

Ka poeti edhe idilin e vet të vendlindjes që është “... me çuka, rrape-qiparisa dhe subtropiku mund t’i flasë qershisë, por jo ajsbergë...”. Por, ka poeti edhe dashurinë e shprehur si Naimi e Çajupi: “Të këndoj ty bukuroshe si alku, unë s’jam poet i vjetër melik, po zemra po aq e lashtë sa dheu, përpara teje rreh si det antik...”, që pastaj të vijojë: “Po zemra e kërkon nudon e bukur, le të jetë ajo si mbretëreshë, që nëpër gjoksin e saj malli i shkurtër si tajfun floride të përqeshë...”.

Si të përfundojmë?! Shkurt, poezi e veçantë, e jashtëzakonshme, e bukur... Është e tillë poezia e poetit Shefki Karadaku... Është shumë refleksive, sa më shpesh ta lexosh dhe rilexosh, gjithnjë do të nxjerrësh ndonjë ndriçim nga qielli me plot yje lirike të poetit të madh. Pra, kjo lirikë është identiteti poetik si katarzë.

Gazeta “Fakti”, 8 mars 2001, Shkup


Poezi të zgjedhura nga Shefki Karadaku



1.Atdheu


Shpesh bie në mendime dhe them se jeta, fati

të trishtë janë si vjeshta që skuqet në drithërimë

po kur kuptoj se jam një shkëmb nën emrin tënd

guxim fitoj të endem, të qesh si perëndi.

Kallaji yt i çmuar dhe deti valëthinjur,

agimi i mbuluar me velin e njeriut

dhe molot ku vaporët në pritje detesh flenë,

të gjitha janë copëra nga zemra jote tokë!

një rrap që një fëmijë e luan e s’e heq

dhe topi buçimplotë i mbushur me urrejtje,

besimi në mendimin e nesërm dhe më tutje

janë germa nga një emër i bukur: Shqipëri.

Veçan ajo nuk ka as arin as njeriun

si gjithë nocionet e tjera sinonime,

por ka një gjë që zemrën e huaj nuk e prek:

udha që qesh e shkon në vatrën atërore.

Copëtoma zemrën ti por mos më lër pa të!

Kam parë udhëtarë që vinin nga shtegtimet,

me kamje pasuri të madhe, por plot lot

përkuleshin ndaj shkrepit të vjetër, strall prej mali

dhe s’donin asgjë tjetër veç gurët atërorë.

Të gjitha mund t’i falnin por atdheun jo!

Moj dorë e padukshme e vjeshtës amtare

si eliksir na deh në shtratin mortor.

Princ qoftë fati ynë, ose lypsar i shkretë,

 të lumtur venë në varr të gjyshërve të qetë.


2. Jam si Feniks       

                  

Jam si feniks,

me dy fytyra njerëzish,

me dy fuçi të mbushura me ndjenja,

dy zemra rrahin,

njëra për ju dhe kohën e sotme

dhe tjetra është dridhje

e pavdekësisë.

Për ju ndërtoj kritikë

dhe sekserë të poezisë

ndërtesa shkatarraqe

me dyer dhe dritare iluzore

në tokën e bekuar të së nesërmes

jam si feniks.

I shoh ato dhe qesh me veprën time

pa linja dhe arsye poetike.

Por vetëm me një lustër gënjeshtare

jam si feniks.

Kritikë dhe censorë të patrembur

barriera ngrini me servilizmin tuaj

për zemrën time të madhe dhe të bukur

që s’rreh për ju, po për njerëzimin

 jam si feniks.

 Ju merruni më mirë me lirikat

e mia mendjelehta poetike,

ato i pjell dhe s’ndiej habi dhe dhimbje

por vetëm një nevojë simbolike

jam si feniks.

Pastaj, si futem thellë nëpër botëra,

gërmoj mendimet, kohërat pushtet thella,

thërres dhe qesh dhe zemrën copa-copa

e kam shpërndarë në të gjitha trajtat

 jam si feniks.

1974


3. Femër!


 Femër!

emër që shfaqet në trajtat e drurit

emër që shfaqet në formën e gurit

 emër që shkrifet në jetën e barit.

 Femër!

emër që duket në këngën e zogut

emër që ngrohet në ditën e grurit

emër që dridhet në cipën e Iules.

 Femër!

emër që shtrihet në ëndrat e tokës

emër që hapet në thirrjet e luftës

emër që shtohet në farën e paqes.

Femër!

emër që mbillet në cipën e vdekjes

emër që shkrihet në udhën e jetës

emër që mbillet dhe korret çdo vit.

Femër!

Emër që duket në trajtat e botës

emër që endet në botrat e qiellit

emër që shuhet dhe ngjallet trefish.

Femër!

emër që varet në presën e thikës

emër që fshihet në gjuhën e gjarprit

emër që shfaqet në pushin e majit.

Femër!

emër që s’ikën nga buzët e malit

emër që s’zhduket nga shpata e tundrës

emër që s’tretet nga luga e epshit.

 Femër!

emër i paqes, emër i dritës

emër i jetës,  emër i yllit

emër i Iules,  emër i barit.

 

4. Khajam i pavdekshëm

1.

Kënaqem unë shpesh në birraritë e pazarit

e gotën kthej me fund porsi Khajami i pavdekshëm

në djall i them kollares edhe qëndrimit prej zyrtari,

në djall i them lirikës që po dremit në sup të vjeshtës.

 

Këndon Xhon kokërrelbi nëpër mejhanen shamatore

 e gotat rrëkëllen fyti i turmës si gjyryk

si gjithë poetët unë që nga Persia madhështore

me mall këndoj gëzimin e papërmbajtshëm që më mbyt.

 

Këndoj me mall rininë që fluturoi tutje hënës

e nëpër suka la vizione hijesh që nuk vijnë

këndoj unë pasionin që mijëra shekuj i dha femrës

shikimin e sorkadhes me kthetrat e hienës shkrirë.

 

Këndoj unë hapësirën e plotpushtetshme,

yjet, natën shtëpisë i këndoj që e vetmuar dikë pret,

ndërsa mbi podium për brengat, hallet qan cigankën

tenori i mejhanes me kokën rrasur në parket.

2.

Në mbrëmjet e qershorit kur kumria lë selvitë

e vjen te portokalli i zbukuruar me neon

qytetit tim të famshëm në oksident për birraritë

i bije unë me pash edhe këngët buza s’m’i pushon.

 

I bie unë me pash i turbulluar nga alkooli

që gjyshërit ma lanë si provë burri dje në jetë

I lumtur jam kështu se në zenit më çon idoli

i tmerrshëm i Bakusit që gjithë brengat m’i kthen fletë.

 

M’i kthen ai në këngë mendimet,

shpresat pa përgjigje, trishtimin tim gazmor

që nuk m’u nda si mik bonjak

megjithëse thotë fjalë e sharje, unë nuk tërhiqem

por me hashash alkooli e zgjoj gëzimin pranverak.

 

E zgjoj unë hapësirën që digjet thellë nëpër inde

me mallin pa rrugëdalje dhe dashurinë që m’u tret

dhe si prelud magjik nga përrallat, portat, yjet, qipshtet

sërishmi Desdemona orientale diç më flet.

 

5. Lejleku ylber


Ja iku dhe një ylber i bukur, lejleku shtegtar

ku do ta mbjellë vallë trishtimin e Shefkiut shqiptar?

 

6. Një mijë bebe

Ky është qyteti me një mijë bebe

Ky është qyteti me një mijë gojë

Ky është qyteti me një mijë shprehje.

 

E njoh këtë qytet të ngurtë nga betoni

e njoh këtë qytet të butë të dashurisë

e njoh këtë qytet të bardhë e të zi.

 

Para rrugës sime, një mijë rrugë të tjera

para dritares sime, një mijë dritare shoh

para mendimit tim, një mijë mendime të tjera.

 

Rri e sodis jetën që lind dhe mbaron frymën

rri e sodis dashurinë që lind një botë të re

rri e sodis vdekjen që lind nga dashuritë….

 

7. Nados


Fluturuan patat në Azi të lodhura

dhe mbi ne lëshuan klithma një natë

malli i tyre u gjymtua si terri në kodra

mbeti nëpër dritat e Tiranës si alarm i artë.

 

Mbeti ai nëpër dritaret e Nados sime

dritare njerëzore sigurisht janë ato

po antinjerëzorja jetë i mërgon mendimet

 tok me patat në Azi pa i kthyer dot.

 

Po të fluturoje dhe ti si patat e shkreta

s’di çfarë dhimbje do të provoje në shpirt

megjithëse edhe ne mërgohemi nga jeta

siç mërgohen patat në një kontinent të ri.

 

Edhe ne mërgohemi ngadalë nga qyteti

nga sheshet madhështore hoteli vigan

po ky është asgjësimi më i pamëshirshëm i njerëzve

që tej marrëzisë na shtyn si patat në tufan.

 

Po ky është asgjësimi më i thellë Nado

që as unë as ti s’kemi të drejtë ta kthejmë

vetëm të pikëllohemi mundet nëpër lulishte

ndërsa patat drejt Azisë më të pikëlluara venë.

 

8. ALBANËS

 

I njejti ajër, i njejti det bukuroshja ime,

Të njejtat re sjellin shi në Breshia dhe Tiranë,

 I njejti postier me të njejtën veshje

Sy, këmbë, qillota

Parakalon ngutshëm shtëpi

 Po të njejta

Dhe po të njejtën zemër mbush përkohësisht me mall…

 

Megjithatë bija ime

Edhe pse në të njetën botë,

Edhe pse deti, ajri, drurët, zogjtë

Kanë të njejtit at

Po të kisha krahë të fluturja gjer tek ti   

S’do të më ndalnin portet,

avionët, ambasadat, pabesitë

Dhe do t’ju thoja bija ime

Se vij nga një dhé alienësh krahëzjarrtë

Dhe nga një det sterrë

Ku notojnë përbindësha ballkanikë gri

Nga një qytet me shtëpi termitesh..

Dhe do të më kthenin pas si katapultë

Duke më thënë se deti s’është njësoj

Dashuritë, sytë, pendët, fluturimi qiellor.

 

Ah bija ime,

Rrëzëllim i një çasti magjik,

Mallin tani e kam veshur me po ato drurë

Që më tregon çdo ditë ti

Po me ato zogj savoje përrallorë

Po me atë stil drurësh paviezë të kuq

Po me ato uniforma romake gri

Po me ato mjellma të verdha të lumit

 Për të parakaluar lirisht

Gjithë ato kurthe urrejtjesh

Marrëzish pa fund

Për të parakaluar të njejtin ajër

Që thith ti….



(MARRË NGA LIBRI “AND-ja E PANDRYSHUAR E SHEFKI KARADAKUT”, I AUTORIT HALIL RAMA – “MJESHTËR I MADH”)

30 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page