Lumnie Thaçi Halili: Leximi si dialog kritik në tregimin “‘Bubullima’ e tragjedisë” të F. Terziut
- Jan 17
- 2 min read

Tregimi "'Bubullima' e tragjedisë” shihet qartësisht prej lexuesit se është shkruar nga thelbi i rrëfimtarit krijues të dallueshëm, Fatmir Terziu, nga ai habitat ku fjala e tij ndihet e sigurt, e përqendruar dhe e prerë ideoartistikisht. E them këtë, sepse proza e tij, përveçse rrëfen ngjarje, zbërthen mekanizma të fshehtë shoqërorë me një finesë që u përket vetëm autorëve që e njohin mirë terrenin e dramës njerëzore. Tregime, apo edhe ese të tilla, që në thelb bartin embrionin e një universi romanesk, dëshmojnë për një autor me vetëdije të thellë narrative, i cili sheh përtej çdo episodi, duke depërtuar në strukturën morale që e prodhon vetë tragjedinë.
Ky tregim flet për një makineri morale, për mënyrën se si shoqëria e shndërron një tingull të pafajshëm në dënim moral dhe një çast njerëzor në fat tragjik. Në kundërshtim me natyrën, vetëm njeriu e bën këtë në emër të një morali që ka harruar mëshirën. “Bubullima” nuk perceptohet si element natyror, por si konstrukt metaforik që shenjon amplifikimin patologjik të turpit në mendjen mashkullore dhe transformimin e tij në impuls dhune ndaj tjetrit, që këtu i referohet tjetrës. Ndërkaq, figura e Ferros paraqet individin e verbër të moralit, kur ai shkëputet nga mëshira dhe kthehet në instrument pushteti mbi trupin e tjetrit, duke e specifikuar për këtu, tjetrës.
Mizane mbetet figura e femrës që ndëshkohet jo për faj, por për mënyrën se si syri i të tjerëve e lexon dhe e vulos. Tek ajo përmblidhet drama e figurave femërore që paguajnë për shenja që nuk i krijojnë vetë, por që u ngjiten si etiketa të dhunshme të normës së turmës. Veshi i prerë shndërrohet në simbol të heshtjes së imponuar, ndërsa letra mbetet dëshmi e një etike të përmbysur që e dënon natyroren duke e maskuar dhunën në emër të nderit.
Në thellësi konceptuale, tregimi ngrihet si aktakuzë ndaj etikës së jashtme, ndaj atij rendi që e quan virtyt kontrollin dhe e damkos dobësinë si turp kolektiv. Diskursi e bën të qartë se tragjeditë nuk lindin nga mëkatet e vogla, por nga mendjet që nuk dinë të dallojnë njeriun nga norma. Shoqëria, në këtë rast, nuk është dëshmitare, por bashkautore.
Parë poetikisht, tregimi merr trajtën e një elegjie mbi zërin e shtypur, me malin si mendje të ashpër dhe fushën që bart barrën e gabimit të tjetrit. Në përmbyllje, heshtja e lisave përkufizon gjykimin e natyrës, një gjykim që nuk dënon. Vetëm njeriu e bën këtë, në emër të një morali që ka harruar si ta ndiejë njeriun.
Respekt për vizionin krijues të autorit, dhe njëherazi për zërin që e lartëson artin e tregimit në letërsinë tonë!









Comments