top of page

“Lulelofatat” e Bujar Bejkollarit


“Lulelofatat” e Bujar Bejkollarit, poezi të mallit për vendlindjen


Diplomuar në Universitetin e Tiranës për Gjuhë ruse dhe Gjuhë shqipe në vitin 1966, Bujar Bejkollari, i lindur më 1943 në Leskovec të Përmetit, ka punuar gjithë jetën si mësues në zona të rrethit të tij. Në vitin 1996 u vendos familjarisht në Tiranë. Vazhdoi si mësues në shkolla të kryeqytetit deri në vitin 2003. Aktualisht banon në Amerikë, por i ruan shumë fort lidhjet me Shqipërinë, pasi vjen shpesh. Gjatë viteve është marrë edhe me krijimtari letrare. Ka botuar librin “Magazina të shëndetit” (përkthim nga rusishtja), vëllimin me poezi “ Pengu i shpirtit tim”, në vitin 2010, librin tjetër me poezi “Ku më thërrasin rrënjët” në vitin 2018 dhe librin e katërt “Lulelofatat” në vitin 2022. Tek librat me poezi të këtij autori, nga vëllimi në vëllim vërehen ngjitje në stade më të larta, rritje cilësore për rrokjen e temave, mesazhet e përcjella, punën me vargun, përdorimin e figurave letrare etj. Që lexuesi të krijojë një imazh më të plotë dhe më të besueshëm për sa thamë më lart, po ndalemi te disa poezi të vëllimit të fundit. Te “Lulelofatat”, Bujari poezitë i ka sistemuar në tre grupime, sipas fushës e tematikave të tyre.

Pjesa e parë “Trokitje zemre” çelet me poezinë “Kënga ime e vonët” E nise… këngën tënde të vonuar, / varur majë lisash me pjergull, / andej nga fermentohet vera. / Zëri im trazohet me cicërimën e zogjve, / Me vlagën e ugareve, / freskinë e përrenjve… Këto vargje janë si një rrugë e shtruar me kalldrëm, me elemente jetësorë të këtij mjedisi gjurmëlënës në qënien e poetit, të cilëve ai do t’u këndojë me radhë faqe pas faqeje. Te “Mirë se u gjej” ai shprehet i përmalluar kur rikthehet në vendlindje, tashmë si vizitor : S’ka më të ngrohtë se zjarri i vatrës. / Mirë se u gjej, gurë të rrëzuar të rrugicës sime… Me të tillë frymë dashurie për vendin janë edhe “Monopati”, “Kopshti im”, “Për zogjtë”, “Fëmijëria ime”, “Largësi”, “Një mësim plaku”... ”Trëndafila maji”, “Atje ku më shpuri ëndrra”, “Sytë e tu” etj. Autori nuk nguron të japë edhe intimitete e përjetime shpirtërore, gjë që vërehet te “Ikja”, ku disa vargje janë : ….Ti ike mikja ime, / Hëna e ngrënë të ndoqi pas. / Me yjet fola për ty / Rri e pres / Një puthje mbeti varur në degën e shegës / Dashuria ime u bë dimër/ Ra guri i fundit i urës me qemer..….. ”Ndërsa kontrastin e jetës dhe pamjes së fshatit në dy kohë, kur gjallonte nga njerëzit dhe begatia dhe soti i braktisur e i heshtur, e shpalos dhimbshëm te “Këngë e pambaruar” … E tani, fshati me ara lëndina / mbështjellë me muzg e me shi, / Kyç i verdhë rri varur në vetmi /….. Kyçi si dëshmitar ruan nderin, djersën e të parëve… ”Puthja e nxituar” është metaforë për zhgënjimin e ndjenjave të çiltëra dikur, që ka lë gjurmë …. Një puthje te porta me qemer / nxitimthi degdisëm mbi ftua /…..Shkallët e jetës i ngjitëm ndryshe /… Për ty qyteti, si një këngë / që e la ison prapa /…. Për mua mbeti sofra e drunjtë fshatçe /… Puthja si një mall i largët / mbeti një konxhe… Poezia, në faqen 37, me të cilin është titulluar edhe libri, “Lulelofatat”, duket si vjersha e jetës për Bujarin. Ja si e ka “gdhëndur” këtë çast ai : Erdhe buzëbrëmjes, / kur hëna përqafi dy rrugët e kalldrëmta të lagjes. / U derdhën lulelofatat mbi flokët e tua, / E fshati nder krahët si një fëmijë gazmor. / Unë jam rritur me aromën e drurëve të fshatit / E qeshura jote e shtoi gurgullimën e Barishtes, / Më beso, / Ajo mbyll kanatat e gjithë dashurive. Mallit për fshatin ai i kthehet edhe te

Sërish ndien brejtje të brendshme për braktisjen e fshatit, kjo e shprehur edhe në vjersha të tjera si :

“Zërat e erës” Fshati i dashur !/…Malli më merr për çyrekët e grunjtë në sergjen…

”Nostalgji boshe”….. Botë memece që flet me katër-pesë oxhaqe, / Të merr malli për blegërima bagëtish, / Për zërat gazmorë të fëmijëve, / Rrugët rënkojnë…/ Drurët mbështjellë me heshjte…./ Unë vij nga vite me zëra, ku bota projekton të ardhmen në të tjerë planete… “Kur të vilen shegët”…Ndoshta do të kthehem një ditë, / kur të vilen shegët që mbolla. Një përshkrim mjaft të bukur e romatik të natyrës së vendlindjes në pranverë ky poet e ka “qëndisur” te poezia “Në pëllëmbë të erës” …Vetullat e hënës treten në muzgun e gjelbër, / Zërat e mekur të bulkthit humbasin brazdave, që flenë dremitshëm. / Një buf i vetmuar zgjat zërin lart në Boradhëz, / Përroi I Nikollovës merr pas shushurimën mbi degëlisash, / Pranvera i fal buzëqeshje shkëmbit, / tej në Gërmadhisht me një rrëke të derdhur / Mirë se vjen pranverë ! (Leskovec 2022)

Por në sytë e poetit gjurmë lë edhe e pëditshmja, bashkëudhëtarja e njësuar me veten, bashkëshortja, që jepet te “U plak gruaja” …Ka filluar të plaket gruaja / Rrathët, si lulet e një palme i fshihen nën gushë, / Thinjat gjetnajë e argjendtë merimange, / Gjithë ditën thur triko të veshë kujtimet e saj lulealli…. Vitet rrjedhin dhe mosha e tretë sjell me vete edhe të tjera përjetime. Kjo duket tek poezia “Muzgu i pleqërisë”… Muzgun e pleqërisë s’dua ta pranoj, / më rëndon me peshën e një guri, / vitet sërosur si stave e druve, / Një ndjenjë fshehtas më sëmbon, / Kur shoh brazdat e moteve në ballin tim… Maturia e njerëzve gjatë ecjes në jetë duket te vjersha “Masa” … Ne, masën e humbim në letër, / njeriu shpesh e humb edhe me fjalë /….Sa larg, sa pranë, jemi me masën, nga fillimi te fundi… Pasojat e padëshiruara për jetët e njerëzve të lëna nga pandemia duken te vjersha “Marsi i thyer”… Zëra të largët rënkojnë në muzg: / Covid-2019!..

Në pjesën e dytë “Buqetë me lulelindje” spikatin poezitë me tematikë familjare si “Gjyshet”, “Ti erdhe mes erës”,”Foleja ime” etj. Dhimbja për ikjen e nënës jepet tek “Nënës”… Nëna ime e dhimbsur / Fjalëpaka, gojëmbla/ Flokëmbështjellura me erë/ Tani të thërrasin shirat, por ti s’bëzan/ Me yjet, me hënën kuvendon/ Lulet e tua në ballkon/ më mbetën në ballkon si plagë/ E dashura nënë/ Lutem për ty …“Fjala e tim eti” është kujtesa e këshillave të urta që babai i ka dhënë për të ecur në jetë si njeri i virtytshëm. “Arensit në një vjetor” përshkruan atmosferën e gëzuar familjare gjatë festimit për një vjetorin e lindjes së nipit.

Në pjesën e tretë ”Vargje mbi tela” janë sistemuar poezi me tematika shoqërore, ndër të cilat mbizotëruese janë ato me zhgënjimet për ndryshimet e pritshme të vendit tonë, apo për njerëz e personalitete që kanë lënë gjurmë në shoqëri. … “Si bir i ajrit” ….Erdhi pranvera parajsa e stinëve/ Besuam tek “era e re”/ ….Premtuam!....Anija lundron “E brishta demokraci”… Në vendin tim, në Shqipëri/ Të kërkoj por nuk të shoh/ Të të prek por nuk të gjej….”Zhgënjimi”….Demokracinë e pritëm me ankth… “In memoriam për Frederik Reshpja”, ”Nuri Dragoj”, “Rrapo Këlliçit”. Pasojat e dallimeve klasore të provuara mbi shpinën e tij autori i jep tek vjersha “Monopati në Lajthizë” … Sa here gjurmët e mia vijnë aty/ Më sjellin ndërmend ditët e mia, bari-çilimi/ Trazohem në brigjet e shpirtit të një shprese/ të thyer nga dora tinëzare/ mbi skeletin tim njomëzak/ rëndojnë ca vite të gremisuar/ Tani me zërin plot thërras / Njerëz mos harroni ditët e mbarsura me vetëtima ! Ja edhe sqarimi që jep në fund të faqes ( Njëmbëdhjetë vjeç jam detyruar të vete bari me bagëtitë e familjes pë arsye politike të sistemit). Dhe mbylljen e këtij vëllimi poetik të bukur, për të cilin meriton fjalë kurajoze, poeti Bujar Bejkollari e bën me poezinë “Kënga e fundit”…Tani që jam në muzg të ditëve/ ngarkuar me trishtimin e botës/ Dashtë Zoti të prehem te rrënjët/ mbështjellë me këngë.

 
 
 

1 Comment


Eshref Ymeri
Eshref Ymeri
Mar 10, 2023

Ju lutem, më ndihmoni

ta gjej Bujarin


Në këtë Portal të dashur për mijëra e mijëra lexues, sapo lexova një analizë interesante të zotërisë Petrit Malushi, kushtua vëllimit poetik me titull “Lulelofatat” të poetit Bujar Bejkollari.

Analiza, që në titull, më ngjalli një ndjenjë të thellë mallëngjimi dhe nostalgjie, sepse më ktheu gjashtëdhjetë vjet pas, duke më sjellë në kujtesë kohën ku isha student (1962-1966) në Fakultetin e historisë dhe të filologjisë të Universitetit të Tiranës dhe autorin e këtij vëllimi poetik, Bujarin e dashur, e kisha shok klase. E kujtoj me shumë respekt, si një djalë të shkëlqyer, shumë të edukuar, të thjeshtë dhe tepër zemërbardhë. Fytyra e tij e qeshur rrezatonte fisnikërinë e shpirtit të tij të artë.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page