Luksi shqiptar për tu marrë me Koliqin dhe Camajn


lir Levonja

Në vjeshtën e vitit 1941 me vendim të Ministrisë së Arsimit në Shqipëri, nisen drejt Kosovës rreth 200 normalistë. Qëllimi hapja e shkollave shqipe, konsolidimi i gjuhës sonë. Njeriu që vendoi quhej Ernest Koliqi një shkodran race e për më tepër anëtar i lartë i një prej Universiteteve më në zë të Europës, si La Sapienza në Romë. Ai i përkiste një qeverie nën Italinë pasi Shqipëria ishte e pushtuar. Ndofta është një nga ndërmarrjet më të vyera pavarësisht faktit se kujt i përkiste kjo qeveri. Por është tmerrësisht e vështirë të kuptohet në Shqipërinë e mendjeve të indoktrinuara. Dhe as ka për tu kuptuar pasi mentaliteti social tek ne është o mendon e bën si mendoj e bëj unë, o je armik i popullit. Pavarsisht se çfarë mendon populli për ty, prapë ti je armik i popullit. Megjithëse po t'i referohesh kohës qeveritarë shqiptarë në qeveritë e varuara ka patur edhe para Mbretërisë, deri në Perandorinë Otomane. Madje kjo operonte e sundonte me ta aq sa pashai a pashallëku është akoma një obsesion në mentalitetit e burrit shqiptar. Por në konceptin bolshevik pushtimi fillon kur ata morën pushkën e dolën malit të luftonin për liri. Dhe kur u intereson atyre nuk do ta kenë për gjë të nxjerrin agjent edhe vet Ismail bej Vlorën a Isa Boletinin e Mitrovicës. Nga ana tjetër e quajnë teze Merkelin, kancelaren e Gjermanisë, si e si të futen në Europë, ndërkohë që rrëmojnë arshivat e shpallin tradhtarët, dezertorë, bashkëpunëtorë të gjermanit deri korifejt e letrave dhe mendimit si rasti Koliqi e Camaj. Megjithëse duhet thënë me zë të lartë që është në strategjitë e tyre të shpikin skupe e të zhysin në të njëjtën kohë cilin do, mjaft që të heqin vëmendjen nga dështimi i tyre. Dhe ja kanë arritur mrekullisht. Gjithë shtypit shqiptar është i përfshirë në një përplasje brinjësh aq sa vetë Ernest Koliqi dhe Martin Camaj do qeshinin po të ishin gjallë. Dihet botërisht që inteligjenca është viktimë e parë e sistemeve diktatoriale. Shqipëria nuk bëri përjashtim. U shpallën armiq deri vet komunistët e kulluar siç edhe është rasti i Petro Markos. Apo Sejfulla Malëshova e plot të tjerë, deri vonë, në të gjitha fushat. Madje shumë prej tyre ndërruan jetë të hidhëruar nga grabitja e partisë a e bindjeve tek revolucioni i masave, si rasti i gjeniut të skenës Kujtim Spahivogli etj. Në fakt ka kohë që ringjallja komuniste po ngre zërin deri për të drejta civile, për gjoja grabitjen e pronës private siç edhe bëri pak ditë më parë djali i ish diktatorit Enver Hoxha. Kurse Petro Markon e degdisën burgjeve vetëm sepse nuk pranoi të futej në një shtëpi të konfiskuar një civili, një qytetari me profesion inxhinjer. Dhe normale, e drejta njerëzore, mirëpo për djalin e Enverit që degdisi e surgjynosi thuajse një qytet me njerëz, bëmat e babait janë legjitime pasi ashtu ishte koha. Kjo ringjallje komuniste e suportuar nga rilindja, vetëm dje publikoi një paçaure me 3 faqe mbi vrasjen e 67 qytetarëve nacionalistë në Golem të Lushnjës, nga Mehmet Shehu me pretekstin se ata kishin armë në dorë dhe bashkëpunuan me armikun. Tre faqe me argumenta e materiale arshive si e si të spostojnë një datë, si e si të nxjerrin bashkëpunëtor me armikun vëllain e gjakut. Si e si ta quajnë normale vrasjen e 67 mendjeve ndryshe, atë që sot nuk ka këmbë të gjalli që nuk e ka dëgjuar postulatin prindëror se, derr bëhem dhe komunist jo. Kanë kohë dhe jo rastësisht, mbulojnë dështimet e halldupit të tyre. Si Koliqi dhe Camaj janë sot pjesë e programeve mësimore në tekstet e mendimit dhe fjalës shqipe. Dhe me meritë. Po ringjallja komuniste nuk duron dot këtë dhe me një gur vret tre zogj, ne, memorien tonë të vlertë, kohën tonë. Do thoni ju ja kanë dalë, sigurisht që po pasi sot çdo faqe personale në internet po merret me faktin a janë agjentë Koliqi dhe Camaj. Një luks shqiptarësh që djegin energjitë me korifejtë e tyre, ndërkohë që ringjallja vë monopol përmes tenderave, rrit borxhin publik, çon vendin në degradim total. Dhe kanë të drejtë se kanë gjetur. Ne nuk u ndamë me komunizmin siç e kërkoi koha, përkundrazi i pranuam pavarësisht kufomërisë së kampeve të riedukimit që i kemi gjithandej.


17 views

Shkrimet e fundit