top of page

LUFTRAT E STEBLEVËS 1913 – 1920



Nga Sakip Cami

Plasi pushka, gjëmoi toka

Del Stebleva në ato gropa

E mori vesh gjithë Europa

Nga kënga e Luftës së Steblevës

Pozicioni gjeopolitik i Steblevës, skajit të fundit të Gollobordës së Dibrës dhe fshatrave për rreth përballë qyteteve të Dibrës së Madhe dhe Strugës, një urë kalimi e drejtpërdrejtë për në Elbasan e Tiranë ka bërë që shumë kalime të armiqve dhe pushtuesve të bëheshin pikërisht në këtë vend.

Lufta e parë e vitit 1913

Në Steblevë forcat serbe kërkojnë rrugë për të kaluar për në Çermenikë, Elbasan dhe Durrës, kërkojnë që steblevasit dhe banorët e Gollobordës perëndimore të mos bënin rezistencë. Dhe mund të kishin marrë rrugë nëse pak kohë më parë që kishin kërkuar rrugë, të mos kishin bërë raprezalje, djegur shtëpia dhe therur gra e fëmijë.

Sadik Avda në emër të steblevasve i kthen përgjigje korrierit të ushtrisë serbe: -”Kështu premtuat edhe herën e parë, ju. Kësaj here derisa të kemi fishekun e fundit dhe frymën e fundit do të luftojmë dhe nuk do të ju lemë të shkelni në trojet tona.”

Luftëtarët kishin zënë pozicionet e luftimit që më parë, në Murin, në Killavec dhe te Varri i Gjizaxhiut ku kishte kodra dominuese. Po kështu edhe luftëtarët e fshatarave fqinj, Zabzunit, Borovës, Llangës dhe Sebishtit.

Të moshuarit, gratë dhe fëmijët me aq sa mund të merrnin plaçka shtëpie u nisën për në thellësi të vendit, për në Çermenikë dhe në Elbasan. Kështu do të bënte dhe nënë e bijë, Xhemile dhe Rabije Abazi, por Xhemilja kishte djalin në front, Ibrahimin.

-Nuk mund ta lë shtëpinë dhe vendin, vendosi ajo.

-Nuk mund ta le djalin, Ibrahimin dhe shokët e tij, pa mbështetje, pa ushqim e municion. Nusen e Ibrahimit e kemi dërguar me muhaxhirët e tjerë. O Zot nuk e gjen gjë ! Ajo pret edhe një fëmijë.

-Kam shumë ditë pa e parë vëllain, tha motër Rabija.

-Sa të përgatitim diçka për të ngrënë do të shkojmë ta takojmë në front, të keqen nëna

Përgatitën me shpejtësi bukë e ushqime dhe u nisën në drejtim të frontit. Kur nënë e bijë ishin larguar nga fshati dhe i ishin afruar frontit, flaka e shtëpisë së tyre dhe e shumë shtëpive u ngrit në qiell. Krismat dëgjoheshin në majën e Haxhimalit. Ata u nisën drejt majës.

Serbët i diktuan dy gratë me ushqime në shpinë dhe i qëlluan. Nënë e bijë ndaluan dhe thirrën:

-”Ç’bëni more ? Ne jemi gra dhe po shkojmë në rrugën tonë.

-Atëhere çfarë kërkoni në frontin e luftimit ? pyetën serbisht çetnikët.

Serbët u afruan, ua çanë çantat me bajoneta dhe panë se çfarë kishte në to, bukë, ujë, fishekë. Njëri nga ushtarët serbë e goditi me kondak të pushkës në kokë nënën Xhemilen. Ajo ra në tokë e gjakosur. Ushtari drejtoi bajonetën dhe ja çarku barkun. Xhemilja përpërlitej derisa i doli shpirti. Gjaku i rrithte sikurse një berri të therur. E para dha shpirt nënë Xhemilja. Rabija e shihte e tmerruar dhe pafuqishme për ta ndihmuar. Një ushtar tjetër ja drejtoi bajonetën asaj. Gjaku e mbuloi edhe Rabijen. Luftëtarët steblevas i panë dhe përqendruan mbi ata zjarrin e armëve të tyre, por deri në momentin kur luftëtarët arritën në vend, dy gratë trimëresha kishin dhënë shpirt dhe serbët ishin larguar. Emrulla Feta dhe Bilal Uliu vrapuan drejt vendit të masakrës, i njohën nënë e bijë dhe ja dhanë lajmin Ibrahimit, djalit dhe vëllait të vetëm. Gjëma e madhe shoqëroi edhe varrimin. I varrosën në mes të luftimeve, aty ku ata u vranë, në vendin e quajtur Varri i gjizaxhiut.

Luftime vazhduan edhe më të ashpra. Këto luftime udhëhiqeshin nga Hoxhë Hazis Lila, Islam Lama dhe Hoxhë Moglica. Në këto luftime mbetën në fushën e betejës Xhelandin Bande, Zenel Shapku, Alush Fejza, Mehmet Gaxha, Neslie Shabani, Adem Shabani, Hamdi Isaku, Selman Hasa, Zylyf Teta, Ibrahim Koduzja, Ibrahim Tetja, Ismail Qoli, Lutfi Lloshi, Shaban Lloshi, Zylyf Lloshi, Hysen Lloshi, Miftar Hasa dhe shumë të tjerë.

Lufta e vitit 1920

Në vitin 1920 Stebleva ishte një nga drejtimet e mësymjes së ushtrisë serbe përveç atij Mavrovë, Dibër, Bulqizë, Mat, Durrës dhe atij Prizren, Lumë, Shëngjin.

Stebleva në këtë luftë si gjithmonë veproi në bashkëpunim me fshatrat e tjerë fqinj Borovë, Zabzun, Llangë etj. Kjo luftë është drejtuar nga komandantë të sprovuar e të përgatitur në shkolla ushtarake dhe nga prijës vendas trima të çartur. Këto fshatra kishin një organizim të përsosur, një pleqësi të vendosur, një qeverisje vendore të shkëlqyer që dinte të përballonte çdo të papritur. Ata kishin organizuar sistemin e mbrojtjes territoriale të fshatrave sipas rregullave taktike e strategjike me pika vrojtime në maja dominuese në kodra. Funksiononin gjashtë pika vrojtimi nga kufiri deri në Fushë Studën. Në çdo pikë vrojtimi vigjilonin 20-25 burra të armatosur me armatim të marra ushtrive italiane, serbe, bullgare etj.

Në anën veriore e verilindore të fshatit Steblevë, ku rreziku dhe përqëndrimi i trupave të armikut ishte më i madh u ngritën tre pika vrojtimi, e para, tek Mashna e Rajkut dhe Stani i Balës, e dyta, në jug të fshatit në vendin e quajtur Murin dhe e treta, në jugpërëndim në kodrën e Killavecit, në vendin e quajtur lisi i Markut.Pikat më të rëndësishme ku ishte përqëndsrusr pjesa më e madhe e luftëtarëve të armatosur ishin ajo në Belishnicë, në malin e Pishteicës që mbronin fshatin nga mësymjet serbe, që vinin nga rruga e Klenjës në veri dhe ajo tek Mashna e Rajkut dhe stanit të Balit që mbronin fshatin nga mësymjet serbe nga Llakavica në lindje. Fshatrat Borovë, Zabzun e llangë do të ndihmonin me njerëz të armatosur, armatim dhe muncion Steblevën që ishte vija e parë e frontit. Gratë do të mërreshin me gatimin dhe furnizimin me bukë, ushqime dhe municione deri në llogoret e luftës.

Luftëtarët që luftonin tek Mashna e Rakut dhe tek Stani i Balës ishin: Tafil Bande, Iljas Elezi, Sali Gjini, Ibrahim Abazi, Murat Llapa që u plagos gjatë luftimeve, Sali Uliu, Demir Tamizi, Ibrahim Gaxha, Ahmet Gaxha, Islam Gjini, Spase Rajku, Bajram Nura, Liman Nura, Ismail Nura, Elez Hoxha, Ismail Hoxha, Hasan Hoxha, Adem Hoxha, Avdi Avda etj.

Në Belishnicë luftonin Zenel Kormaku, Rexhep Kormaku, Halil Murati, Emin Murati, Arif Lila , Ahmet Lila, Adem Bojaxhiu, Qerim Bojaxhiu, Ramiz Agushi, Nazif Lila, Can Agushi , Elmaz Gruja. Këtu u plagos Murat Caushi. Në Kojashume luftonin Jakup Agushi, Pajazit Agushi, Vahit Kormaku, Zenel Lila, Abedin Kuburi, Xhel Mrati, Sadik Murati, Zyber Murati, Ajdin Murati, Ramiz Agushi, Xhel Kuçuku etj. Në Murin luftonin Ahmet Gaxha, Ismail Muliu, Sali Uliu, Rexhep Tamizi, Ibrahim Abazi, Ymer Gjini, Xhafer Bale, Arif Bale, Ali Bale, Kapllan Kurti, Ramo Kurti, Hasan Kurti, Rexhep Bande etj. Në Pishteic luftonin Jakup Zhugli, Bajram Baba, Budin Budini nga Klenja, Sefer Maliqi nga Trebishti me gjithë çetën e tij si dhe Hasan Bande, Sekulla Çota, Vangjel Steva, Selman Kormaku, Ismail Kormaku, Arif Caushi dhe bij të tjerë steblevas. Në Killavec luftonin Emrulla Feta, Jonuz Disha, Destan Disha, Xhaferr Disha, Qerim Shabani, Sali Bajra, Bilal Bajra, Zenel Disha, Latif Disha, Stojan Cfarku, Ismail Muliu dhe Hajdar Balla nga Borova që u plagos gjatë luftimeve.

Nga zona e Steblevës ishin 160 luftëtarë të armatosur. Përballë qëndronin 400 e më shumë forca serbe dhe mercenarëve të komanduar nga Xhemal Kosturi dhe Daut Hodo. Raporti forcave ishte 1 me 2,5 në favor të armikut. Mercenarët që luftonin në krah të serbve nuk ishin nga Stebleva dhe fshatrat për rreth por rekrutë të rekrutur dhe paguar nga zona të tjera deri nga Bullgaria. Stebleva dhe fshatrat e Gollobordës nuk pranuan të rekrutoshin as me para dhe as me forcë nga serbët dhe veglat e tyre Xhem Kosturi dhe Daut Hodo.

Serbët kishin pushtuar gjithë krahinën dhe fshtarat për rreth, Klenjën, Gjinavecin, Trebishtin etj dhe kërkonin të pushtonin Steblevën, Borovën, Zabzunin dhe Llangën, por nuk gjetën mercenarë vendas. Populli patriot i këtyre fshatrave nuk pranoi të ju jepte rekrutë për të vrarë vëllezërit e tyre. Sefer Maliqi organizoi çetën e tij në Trebisht. Grabitjet serbe e revoltuan së tepërmi popullatën e uritur. Serbët i futën njerëzit e thjeshtë të hapnin rrugë e instikamë pa pagesë. Steblevën e rrethuan me llogore e instikame nga anët e lindjes, verilindjes dhe juglindjes. Vetëm ana përëndimore e Steblevës, ana e Borovës, Zabzunit dhe Llangës ishte e lirë. Përqëndrimet më të mëdha serbe ishin në veri të Steblevës në rrugën Klenjë-Steblevë ku ngritën edhe një postë ushtarake, në vendin e quajtur Tornino Bordo dhe në lindje në Llakavicë ngritën një tjetër.

Vija e frontit ndiqte këtë trajektore: Fusha e Llakavicës, Kratat e Rames, Mali Pishteic, Tornono Bordo, Krasta e Borovës, Zalli i Sebishtit. Në këtë gjendje rrethimi Stebleva mbijetoi për njëzetë muaj nga janari 1919 kur forcat serbe u futën në Gollobordë deri më 7 gusht 1920 kur ato u shpartalluan në Luftën e Steblevës.

... Duke u gdhirë 7 gushti 1920 forcat serbe dhe ato mercenare të drejtuara nga kapiten Xhem Kosturi rrethuan Steblevën duke kënduar këngë provokuese:

“O mos nuse moj syzezë

Nesër të çohesh herët në mëngjes

Të bësh gati kalin dori

Se do të nisesh për në Serbi…”

Pa mbaruar mirë kënga serbët u gjetën përballë zjarrit të forcave kryengritëse dhe të mirëorganizuara të Steblevës. Filloi luftë e ashpër midis çetnikëve serbë dhe luftëtarëve të Steblevës dhe të fshatrave të ardhura në ndihmë. Lufta zhvillohet e rreptë dhe në të katër anët. Luftëtarët e vendosur tek Mashna e Rrajkut, në malin e Pishteicës, në kodrën e Kojashumës dhe në Belishnicë, të organizuar dhe të fortifikuar organizuan rezistencë të pashembullt dhe i organizuan armikut humbje të shumta. Nga Killaveci dhe nga Murini dëgjoheshin thirrjet e trimave që u jepnin zemër shokëve në frontet e tjera, ku lufta zhvillohet më e rreptë.



Luftëtarja Neslie Shabani (Foto nga Muzeu Dibër)

”Gajret burra, armikut i bini se edhe Borova e Zabzuni ja mbrrini“ dëgjoheshin thirrjet e luftëtarëve. Zabzunasit dhe borovasit i dolën në shpinë arrmikut dhe ndihmuan forcat e Killavecit dhe të Murinit. Grupi i burrave nga Borova, së bashku me trimat e steblevës të përqëndruar në kodrën e Killavecit lëvizën në krahun e majtë nga ana e Rrakiqes dhe duke u ngjitur bregut përpjetë tek varrezat në hyrje të fshatit në Belishnicë i sulmojnë mbas shpine forcat serbe që kishin ardhur nga drejtimi i Klenjës. Ndërsa grupi i luftëtarëve të Murinit i përforcuar me burra të armatosur nga Zabzuni lëvizën nëpër pyllin e Golemravenit për tu dalë serbve nga mbrapa tek stani i Balës, për të shpëtuar edhe shokët tek Mashna e Rrajkut. Lufta zgjati rreth 48 orë. Forcat çetnike serbe të ndodhura midis dy zjarreve detyrohen të ngrenë flamurin e bardhë e të dorëzohen duke pësuar shumë të vrarë, të plagosur dhe dëme materiale. Ndërsa kapiteni i tyre Xhem Kosturi dhe zëvëndësi i tij Daut Hoda ja mbathën brenda matanë kufirit të 1913. Fshatrat e Gollobordës u zbrazën nga forcat serbe të cilët kishin 20 muaj që qëndronin në krahinë. Nga forcat serbe pati edhe 22 robër të cilët i përcollën për në Tiranë. Robërit në fillim u grumbulluan tek hauri i Sali Bajres dhe ruheshin nga Saliu, Ismail Musliu, Sali Gjini dhe Liman Lila.

Në këtë luftë spikati heroizmi masiv i luftëtarëve dhe luftëtareve të Steblevës si Adem Bojaxhiu, Vaid Kormaku, Ahmet Gaxha, Elez Hoxha, Zenel Kormaku, Rexhep Kormaku, Zenel Lila, Tafil Bande, Elmaz Gruja, Murat Llapa, Sali Gjini, Jonuz Disha, Destan Disha, Avdi Avda, Murat Caushi, Sali Uliu, Imer Gjini, Sadik Murati, Emrulla Feta si dhe grave trimëresha, Neslie Kormaku, Hatixhe Kormaku, Zylke Murati, Sulltane Hoxha, Fatime Hoxha, Gjyle Hoxha, Mejte Disha etj që gatuanin ushqim dhe transportonin municion për luftëtarët.

Në këtë luftë që mbeti në histori si lufta e Steblevës e vitit 1920 ranë në fushën e luftës Xheladin Bande, Zenel Shapku, Alush Fejza, Mehmet Gaxha, Neslie Shabani, Adem Shabani, Hamdi Isaku, Selman Hasa, Zylyf Teta, Ibrahim Koduzja, Ibrahim Tetja, Ismail Qoli, Lutfi Lloshi, Shaban Lloshi, Zylyf Lloshi, Hysen Lloshi, Miftar Hasa dhe shumë të tjerë.


40 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page