LUFTA E VLORES SIPAS ROMANIT HISTORIK “ULTIMATUM
TE PETRO MARKOS
Nga Sakip Cami
Ç’është kjo që po dëgjojmë
Shqiptarët po luftojnë
Me një mbret dyzet’ milionë
Italianët nuk donin të hiqnin dorë nga ishulli i Sazanit dhe qyteti i Vlorës, nga rrethinat e saj, megjithë vendimet e Konferencës së Paqes. Ata ishin shtruar mirë në Vlorë që nga viti 1914 gjatë luftës së parë botërore me qëllim final italianizimin e kësaj zone. Në fillim e filluan me burgosje e internime, me vrasje e dënime për të trembur e përkulur këtë popull me histori. Filluan të shfrytëzojnë dhe pasuritë e bitumit, naftës dhe ato medicinale. Në fillim vunë flamurin shqiptar krahas flamurit italian. Kështu e mbajtën deri më 15 maj të vitit 1916. Pas 17 majit e hoqën fare flamurin shqiptar. Në gusht të atij viti hoqën edhe shkrimet e tabelave dhe zyrave dhe i zëvendësuan ato me gjuhën italiane. Që nga 15 shtatori i vitit 1916 valonte vetëm flamuri italian. Vlorën e binjakëzuan me qytetin e Leçes të Rajonit të Pulias. Vlonjatët nuk kalonin më nga bashkia se nuk duronin flamurin italian të varur në godinën e saj.
Italianët i shkulte vetëm pushka. Dhe për këtë morën vendimet burrat e Vlorës dhe të Shqipërisë. Vendosën të festonin 28 nëntorin e vitit 1919, festën e flamurit tonë kombëtar, festën e pavarësisë. Burrat kuvendonin duke pirë duhan dhe duke marrë vendime.
Për festimin e 28 nëntorit u hartua një program i veçantë dhe u kërkua leja e festimit që më parë. Kjo u vendos që në mbledhjen e parë që u mbajt tek lokali kafe i Hamza Isait. Pjesëmarrja do të ishte shumë e madhe me të gjtha krahinat e Vlorës dhe rreth e përqark. Një kryesi e përbërë prej tre vetësh nën drejtimin e Osman Haxhiut ju drejtua komandantit të fuqive italiane në Ballkan, Gjeneralit Ferrero për lejen e festimeve. Gjenerali italian kundërshtoi në mënyrë kategorike. Ai tha se do të lejonte ngritjen e flamurit kombëtar, por nuk do të lejonte tubime masive dhe se do të merrte masa kundër atyre që do të tuboheshin rreth flamurit. Osman Haxhiu ju përgjigj flakë për flakë:” Ne do ta festojmë me çdo kusht dhe me çdo çmim festën e pavarësisë sonë. Askush nuk mund ta ndalojë popullin që të kremtojë festën e pavarësisë së tij. Ju bëni ç’të doni” dhe doli si furtunë nga zyra e gjeneralit italian.
Komiteti organizator kishte marrë masa për festime, por nuk donte të kishte gjakderdhje. Populli ishte njoftuar deri në krahinat e largëta. U hap fjala se italianët nuk do të lejojnë festime në qytet. Por nga ana tjetër u hap fjala se populli do të mblidhej tek xhamia dhe tek kisha për ceremoni fetare dhe se më pas do të shpërndahej qetësisht. Kjo ishte sa për sy e faqe, sa për të vënë në gjumë autoritetet italiane.
Të nesërmen më 28 nëntor 1919 ora 09.00 një grup hoxhallarësh me myftinë në krye si dhe kleri katolik e ai ortodoks të shoqëruar nga Osman Haxhiu dhe anëtarët e Komitetit organizator, me tre djemtë e Ismail Qemalit, dymbëdhjetë djem të rinj të veshur me kostume kombëtare dhe me flamurin kombëtar të qëndisur me ar u drejtuan tek Xhamia Plakhanë. Pas tyre hyri në xhami i tërë populli i pranishëm. Binin në sy edhe nxënësit e shkollave të drejtuara nga patrioti dhe profesori i tyre Jani Minga. Pas lutjeve dhe riteve fetare dhe pas fjalimit patriotik të Jani Mingës populli me flamur në dorë u drejtua drejt rrugës së madhe duke manifestuar me thirrje e brohoritje:
“Rroftë Shqipëria !”
“ Rroftë Flamuri Kombëtar !” ,
“Të huajt jashtë Shqipërisë “.
Ndërhynë menjëherë 200-300 karabinjerë të armatosur me revolver dhe me shpata që përpiqen të shpërndajnë turmën. Një major italian që ndodhej para karabinierisë urdhëroi me megafon:”Osman Haxhiu të shpërndajë turmën” . Osmani bën sikur nuk dëgjon dhe turma vazhdon të shtyhet përpara duke bërtitur:
“Rroftë Shqipëria e pavarur !”
“Të gjithë, me flamujtë tanë kombëtarë në duar ! “
“ Ta rrëzojmë flamurin italian ! “
“Vlora është e jona. “
“ Është e jona Shqipëria. “
“Rroftë flamuri ! “
“ Rroftë 28 nëntori ! “
“ Rroftë liria ! “
Karabinjerët godasin flamurin me shpata dhe bajoneta dhe rrethojnë Osman Haxhiun për ta arrestuar, por mbeten vetë të rrethuar nga turma e madhe popullore. Një pjesë e turmës me Osman Haxhiun hyn në xhami dhe del nga dera e pasme e saj. Populli egërsohet Nervozizmi arrin kulmin. Flamurin, ndonëse të grisur nuk e lëshojnë nga duart.
” Me duar, o djem, me duar, sakën se përdorni armët “ thirri Duro Shaska për të evituar gjakderdhjen.
Karabinjerët u rrëmbejnë fëmijëve të shkollave një flamur dhe ja vendosën në qafë një qeni. Protestuesit fyhen deri në tërbim. Egërsimi vazhdon edhe më i madh. Vazhdon përleshja në shesh. Ka shumë të plagosur, njerëz të shtrirë përdhe, midis tyre edhe fëmijë. Ka edhe shumë karabinjerë të plagosur. Populli shpëndahet duke kaluar rrugë më rrugë, kafe më kafe, duke kënduar hymnin kombëtar. Dita e flamurit u festua edhe nëpër krahina e fshatra. Një kryengritje e madhe po përgatitej.
Vlora kishte jo pak, por tre gjeneralë. Gjenerali Ferrero, gjeneral Piacentini dhe gjeneral Gotti i sapo graduar. Në Vlorë ishin 45 mijë forca ushtarake. Po zona që kishin pushtuar sa frymë bëhej ? Gjenerali para hartës fillon e bën llogaritjet. Vlorë, Tepelenë, Drashovicë, Gjorm, Brataj, Kuç, Himarë, Dukat, Kaninë gjithsej 32 mijë frymë. Po si është e mundur që të mos bëjmë zap një popull kaq të vogël ?
Gjeneral Piacentini ëndërronte që një kohë të shpejtë të bëhej politikan dhe të bëhej mëkëmbës i Mbretit të Savojës për Vlorën, të shëtiste me jaht në Sazan, Karaburun e Ujë të Ftohtë e të udhëtonte kudo në Adriatik.
Vartësit i thonin burri i Xhinës së bukur. Kur u martua me Xhinën ishte vetëm major dhe më pas i ngjiti shkallët e karrierës deri në gjeneral. Kështu si e kishte nisur me Xhinën me vehte në çdo ballo zyrtare së shpejti do të bëhej edhe gjeneral me katër yje. Por Xhina e kishte mendjen te koloneli, zëvendësi i gjeneral Piacentinit.
Gjeneral Gotti ishte kolonel dhe u gradua në Shqipëri , kur u emërua komandant i garnizonit të Kotës. Ngado që shkonte merrte edhe rruspijat me vehte. Ndërsa gjeneral Ferrero ishte për drejtimin e Ballkanit, por nuk po nënshtronte as edhe një qytet.
Vlonjatët në dasma hidhnin valle dhe këndonin këngë humoristike për tre gjeneralët. Azemi nga Dukati e kishte ngritur vetë këtë këngë:
“ Xheneralë italianë janë tre
Xheneral me tre nishanë është një
Është Ferrero kumandar, bej, o be
Që s’të zunë këmbët dhe, bej o be
I dyti sinjor Piacentini, kokëbosh
E njihni, apo s’e njihni ? Si kaposh.
Dhe i treti më i riu, shumë i zoti
Male fusha i përpiu, është Gotti. “
Për Luftën e Vlorës erdhën edhe djemtë nga Amerika Jaho Sinani, Bezat Hysi, Bilal Nivica, Etem Toto, Tahir Xhaferi, Aqif Përmeti, Kolonel, komandant i Regjimentit, Lutfi Bença, Myslym Bença, Hasan Bença, Kristo Bezhani, Prokop Bezhani, Rait Gume, Hamit Kaba e shumë e shumë të tjerë, një njësi e tërë ushtarake.
Më 29 mars 1920 bashkë me regjimentin e komanduar nga Kolonel Aqif Përmeti erdhi edhe banda muzikore e “Vatrës’ e drejtuar nga Prof. Thoma Nasi.
Korça u muar në dorzim nga ushtria franceze në maj të vitit 1920. Më 20 prill 1920 Fuqia Kombëtare hyri në Gjirokastër dhe u prit me lule nga populli. Fuqia kombëtare e bashkuar edhe me milicinë e Gjirokastrës hyri edhe në Delvinë.
Në fushën e Luzatit, afër Tepelenës, italianët kishin vënë afishe ku shkruhej se do të goditeshin me top të gjithë ata që do të kalonin të armatosur. Për këtë formohet një komision i cili shkon në Tepelenë dhe takohet me komandantin e regjimentit Italian. Ky komision ja bën të qartë komandantit Italian se xhandarmëria shqiptare ka ardhur të marrë në dorzim administratën e vendit. Komandanti Italian deklaroi se përveç bandës së “Vatrës’ nuk do të pranojë asnjë autoritet tjetër të armatosur.
Rreth 700 forca popullore rrethojnë garnizonin ushtarak Italian me 500 ushtarë që ndodhej në kalanë e Tepelenës. Pas dy ditë luftimesh italianët, të ndodhur edhe pa logjistikë të mjaftueshme, dorzohen, ngrenë flamurin e bardhë. Disa oficerë italianë dolën nga kalaja dhe kërkuan takime për bisedime me udhëheqësit e kryengritjes. Nga ana e kryengritësve shqiptarë në komision ishin Aqif Përmeti, Baba Ahmet Turhani, Jaho Sinan Islami, Azis Çami, Sulejman Luzati, Ahmet Kajca, Ali Bej Këlcyra, Riza Cerova.Komisioni u kërkoi italianëve që të dorzojnë armët, pasi edhe Drashovica dhe Kota kishin rënë dhe ushtria italiane atje ishte dorzuar.
Majori italian, Kolcini, nuk e besoi deklaratën dhe kërkesën e komisionit të kryengritësve dhe kërkoi ta verifikonte me anën e një togeri, të cilin e shoqëroi Haxhi Shehu. Nga Tepelena shkuan me makinë në Drashovicë dhe atje panë se kjo zonë ishte çliruar. Të nesërmen, pas kthimit të togerit nga Drashovica, italianët në Tepelenë pranuan të dorzonin armët, por me një kërkesë që në çdo dhjetë ushtar, të mbajë një armë dhe të liheshin të lirë të shkonin në Sarandë. Kjo kërkesë nuk u pranua, por u lejua vetëm që oficerat të mbanin pistoleta dhe dylbi, ndërsa të shkonin në Vlorë dhe jo në Sarandë.
Me 21 qershor 1920 rreth orës katër mbas dite Tepelena ishte e lirë dhe trupat italiane u nisën drejt portit të Vlorës, të shoqëruar nga luftëtarët shqiptarë. U zunë robër 301 ushtarë italianë, një major dhe shumë oficera të tjerë. U zunë gjithashtu armatime dhe logjistikë, dy topa, 14 mitrolozë, 300 pushkë, 6 mitroloza dore, 70 mushka, 35 makina telefoni, 2 makina telegrafi, 50 biçikleta, 32 karro.
Në qershor 1920 tepelenasit u nisën në luftën e Vlorës. Në ballë u printe Selam Musai. Më 3 shtator 1919 në Vlorë ishte formuar Komiteti përfaqësues i krahinave dhe qytetit të Vlorës i përbërë nga 12 vetë.
Qytetin e përfaqësonin: Qazim Kokoshi, i cili kishte mbaruar gjimnazin “Zosimea” të Janinës, anëtar i Klubit atdhetar “Labëria”, përfaqësues i Vlorës në Kuvendin e Gerçes. Osman Haxhiu, që kishte mbaruar Kolegjin amerikan të Stambollit, i biri i Haxhi Muhametit, njeri i pasur dhe me famë në Vlorë, prefekt i Vlorës dhe burrë shteti. Kol Tromara, pjesëmarrës aktiv i Federatës “Vatra’ të shqiptarëve të Amerikës. Më 29 mars 1920 vjen në Shqipëri me vullnetarët e “Vatrës”. Krahina e Dukatit përfaqësohej nga Imer Radhima, Mesapliku nga Ahmet Lepenica, Kudhësi nga Rrapo Çelo, Treblova nga Qazim Koculi, Drashovica nga Idriz Ladrri, Topalltia nga Mystehak Oshtima. Komiteti kryesohej nga Hamza Isai. Ai qëndronte në Vlorë, por kishte lidhje me të katër anët e Shqipërisë. Anëtarë të këtij komiteti ishin burra të tillë si Qazim Koculi, nga Treblova, komandant i përgjithshëm, Hysni Shehu, veprimtar i Klubit patriotik “Labëria”, mik i ngushtë i Ismail Qemalit. Mustafa Abazaj, i biri i patriotit Lulo Abazaj, i shquar në luftën kundër turqve. I pari që përhapi alfabetin shqip në Tërbaç. Një dhomë të shtëpisë së tij e kishte bërë shkollë. Myqerem Hamzaraj, student i Robert Kolegjit Amerikan të Turqisë. Në vitet 1918-1920 ka qenë një nga figurat kryesore atdhetare të Vlorës. Në moshën 25 vjeçare u bë anëtar i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare. Ahmet Lepenica, bashkëluftëtar i Mustafa Qemal Ataturkut. Kishte luftuar me armë në dorë për mbrojtjen e pavarësisë si dhe për çlirimin e krahinave të Jugut nga shovinistët grekë. Mori pjesë në mbrojtjen e Kongresit të Lushnjës. Më 29 maj 1920 u zgjodh kryetar i komisionit të oficerëve që do të drejtonte Luftën e Vlorës. Më 4 qershor 1920 bëhet komandant i trupave kombëtare. Alem Agai përkrahu ndër të parët lëvizjen kombëtare patriotike. Shkriu pasurinë e tij për atdheun. Në qeverinë e Ismail Qemalit u emërua komandant i xhandarmërisë shqiptare dhe mori gradën major. Beqir Agalliu, aga fisi i Agallinjve të qytetit të Vlorës. Ndërtoi edhe një xhami që mori emrin xhamija e Agallinjve. I arsimuar në Itali. Ishte në krye të demonstratës së 28 nëntorit të vitit 1919. Sali Bedini, Lindur në Armen të Vlorës, në lagjen e agallarëve, njeri me pasuri të madhe. Ishte anëtar i Klubit “Labëria”. Mori pjesë në Kuvendin e Drashovicës ku u miratua memorandum i Gerces. Duro Shaska, një nga mbështetësit më të mëdhenj të Ismail Bej Qemalit. Ka luftuar kundër andartëve grekë në Tepelenë dhe kundër forcave të Haxhi Qamilit. Një nga familjet më të pasura të Vlorës. Tregoi guxim dhe mençuri të madhe në demonstratën e 28 nëntorit të vitit 1919. Ali Bej Këlcyra i diplomuar për drejtësi në Universitetin e Romës. Zotëronte pesë gjuhë të huaja, frëngjisht, anglisht, italisht, greqisht dhe serbisht. Mori pjesë në Luftën e Vlorës si komandant i forcave të Dishnicës dhe Përmetit. Luftoi në Nartë. Hysni Lepenica nga Lepenica, kishte kryer arsimin mesëm në Kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër të Kalabrisë 1914-1918. Mësues gjuhe në periudhën 1918-1919. Komandant në çetën e Lepenicës në Luftën e Vlorës në vitin 1920.
Kryeministri Sulejman Delvina dhe ministri i brendshëm Ahmet Zogu, dy burrështetas të fuqishëm që e përkrahën pa rezerva Luftën e Vlorës siguruan përkrahje, mbështetje, forca dhe armatime edhe nga Tirana, Elbasani, Peqini, Berati, Gjirokastra.
Fill pas Kongresit të Lushnjës, Sulejman Delvina shkoi në Vlorë të shikonte nga afër gjendjen. Qeveria shqiptare nuk mund të pranonte që në Vlorë të qëndronin akoma italianët.
Kryengritësit e Labërisë e siguruan udhëtimin dhe qëndrimin e tij në Vlorë. Totua ishte shoqëruesi i tij kryesor. Amanet kryeministrin, i kishte thënë Osman Haxhiu. Totua e shihte me admirim kryeministrin. Goxha kryeministër, ma kanë besuar mua.
Gjenerali italian tërbohet nga inati. Si mundet të vijë ai në Vlorë pa lejen time. Dalëngadalë situata po i dilte jashtë kontrollit.
Një luftë e përmasave të jashtëzakonshme për një vend të vogël si Shqipëria dhe një krahinë si Labëria.Nga Tirana kishin ardhur forcat e komanduara nga Major Ismail Haki Kuçi dhe Major Ismail Haki Bej Libohova. Nga Korça kishin ardhur forcat e komanduara nga Kapiten Ferit Frashëri, Sami Koprencka e Tosun Selenica .Nga Çamëria erdhën forcat e komanduara nga Alush Taka e Muharem Rushiti. Nga Gjirokastra kryesonte forcat Javer Hurshiti e Xhevdet Picari. Nga Peqini erdhën forcat e komanduara nga Adem Gjinishi. Nga Mallakastra i komandonin çetat Bektash Cakrani, Telo Zace Behaj, Kamber Belishova e Hysni Toska, nga Mallakastra e egër Halim Hamiti, Baba Hasan Kremenari, Myslym Jonuzaj, nga Skrapari Riza Kodheli, nga Berati forcat e komanduara nga Seit Bej Toptani e Izedin Bej Vrioni. Erdhi edhe një çetë nga Amerika me në krye Aqif Përmetin dhe Kareiman Tatzatin.
Kishte edhe një grup artilierësh me komandant Azis Çamin dhe zëvendës Elmas Ademi, me artilier Xhafer Xhuveli dhe Avduraman Çiraku. Shoqëria “Vatra” e Amerikës dërgoi “Bandën” e shoqërisë së bashku me trupat vullnetare. Bandën e drejtonte muzikanti Thoma Nasi.
Luftëtarët i frymëzonin prijësit fetarë të të gjitha sekteve fetare si Babai i Teqes së Tepelenës Ahmet Turhani, Baba Xhaferi i Përmetit, Don Marku i Mirditës dhe Lezhës, At Shtjefën Gjeçovi i Shkodrës, myftiu Osman Muka, etj.
Xhovani Valencia, arbëresh nga Italia, me detyrë magazinjer ua dorzoi magazinat shqiptarëve. Në gjak i vlonte gjaku arbëror.
Në Baçalla e Dukat më 29 maj 1920, u mblodhën rreth 200 burra të krahinës së Vlorës, për t’i dhënë përgjigje aneksimit të Vlorës nga Italia imperialiste, forca që u shumëfishuan nga e gjithë Shqipëria e mesme dhe e jugut.
Mbledhja e parë në Barçalla’ u bë më 16 maj të vitit 1920. Hysni Lepenica shkon në Tragjas ku lajmëron Alem Mehmetin, Imer Radhimën, Sheme Sadikun dhe Tahir Hoxhën që të shkonin në malin e Shoshicës për tu takuar me Beqir Sulon, Muhamet Abedinin dhe Ahmet Lepenicën, të cilët ishin të ngarkuar nga Qazim Kokoshi, Qazim Koculi, Duro Shaska e Zaçe Xheloja për të lajmëruar e për tu mbledhur nga 4-5 burra për çdo fshat në një vend larg syrit të italianëve për të bërë organizimin e luftës kundër italianëve në zonën e Vlorës, Kurveleshit dhe Tepelenës.
Në Baçalla u morën një seri vendimesh të rëndësishme. U vendos t’u shpallej luftë forcave italiane në Vlorë, dhe krahina e Vlorës të bashkohej me pjesën tjetër të Shqipërisë. U zgjodh një këshill ushtarak prej 35 vetësh, i cili emëroi një komandant të luftës dhe zgjodhi një shtab prej 12 vetësh. Komandanti nuk duhej të bënte pjesë në këtë shtab i cili u quajt ”Komiteti Mbrojtja Kombëtare” ose si thirrej në popull “Komisjoni”. Vendimet e “Komitetit” ishin të detyrueshme për komandantin. Komandant u zgjodh major Ahmet Lepenica. Këshilli zgjodhi anëtarë të “Komitetit” Osman Haxhiun, Qazim Kokoshin, Alem Mehmetin, Beqir Agalliun, Ali Beqirin, Murat Miftarin, Hamit Selmanin, Hysni Shehun, Myqerem Hamzarain, Sali Bedinin dhe Qazim Koculin . Këta të dymbëdhjetë zgjodhën njëzëri kryetar të “ Komitetit” Osman Haxhiun .Policia e luftës komandohej nga Shero Emini e Ahmet Lepenica.Komandanti i përgjithshëm i luftës ishte Qazim Koculi.
Ky kuvend la si detyrë një grumbullim më të gjërë në Beun të Vajzës së Vlorës ku do të grumbulloheshin burrat e armatosur derë për derë.
-Te Rrapi i gurrave në Beun !
- Te Rrapi i gurrave në Beun !
Thirrja u përhap gojë më gojë. E kush nuk e njihte rrapin e gurrave në Beun të Vajzës së Vlorës. Kishin kullotur dhën e dhi. Kishin pirë qumësht dhish e kishin pirë raki me opingë. U dha porosi që të njoftoheshin edhe luftëtarët e Tepelenës, Kurveleshit dhe Mallakastrës që nuk kishin arritur të njoftoheshin më parë. Për në Beun do të grumbulloheshin çetat e armatosura. Erdhën ata, trimat e çartur, por të thjeshtë si toka që i lindi dhe i rriti, Selam Musa Salaria, Zigur Lelo Smokthina, Halim Xhelo Tërbaçi, Murat Tërbaçi, Osman Haxhiu, Mehmet Selimi, Kanan Maze, Sali Kapedan Vranishti, Jaho Sinani, Hodo Zeqiri, Thanas Beni nga Bregu, Totua, Shyqo Duka, të dymbëdhjetët e komisionit luftarak, komandantët e çetave së bashku me luftëtarët shoqërues. Fshatarët e Ramicës dhe të Velçës, të Vajzës dhe të Smokthinës, të Sevasterit dhe të Vernikut kishin vajtur më shpejt se e kishin më afër.
Para se të fillonte kuvendi luftëtarët ja morën një valleje të kënduar:
“E njihni apo s’e njihni
Gjeneral bej Piacentini
Edhe Gjeneral Ferreri
Që të dy janë turi derri!”
Në këtë grumbullim luftëtarësh morën pjesë mbi 2000 vetë nga Vlora dhe nga fshatrat e Kurveleshit dhe të Tepelenës, nga këta 1200 ishin të armatosur. Ishin armatosur me ç’kishin mundur, me pushkë, sopata, kama etj. Për organizimin e luftëtarëve u caktua një komision prej 30 vetësh, ndërsa Komiteti i Luftës i zgjedhur prej këtij komisioni përbëhej nga 12 vetë. Ai u emërtua:”Komiteti i Luftës së Vlorës“ dhe kishte komandant të përgjithshëm Qazim Koculin.
Me 18 maj 1920 ju dërgua një telegram ultimativ Gjeneralit Italian Piacentini ku i kërkohej që brënda 24 orëve të largohej nga Vlora së bashku me ushtrinë e tij. Ky telegram bëhej në emër të popullit të Vlorës, Kurveleshit, Tepelenës, Dishnicës dhe Himarës. Tekstin e telegramit ultimativ e përgatiti Avdul Kuçi. Përkthimin në italisht e bëri Ulise Bozo. Do ta dorzonin te gjeneral Piacentini Mehmet Selimi, Halim Laze dhe Adem Aliko.
Mehmet Selimi me kalë të bardhë kapton male e kodra dhe arrin te garnizoni italian. Roja nuk e lejon të hyjë.
-Kush je ti që kërkon të takon gjeneralin ?
-Jam Mehmet Selimi nga Mallkuqi.
Ordinanca e gjeneralit duke parë këmbënguljen e Mehmetit troket në zyrën e gjeneralit dhe pasi ai i thotë që të hyjë ordinance I shpjegon se një shqiptar kërkonte të hynte më çdo kusht te ju.
-Le të vijë, tha gjenerali. Porosia e gjeneral Ferreros ishte urtësia dhe afrimi me shqiptarët, shpërndarja e bukës dhe ushqimit falas në disa shkollla, sidomos tani në verë ku malarja bënte kërdinë.
Hyri Mehmet Selimi, trupmadh e trupgjatë me festen mënjanë e mustaqet e përdredhura. I përdrodhi edhe njëherë tjetër mustaqet sapo hyri për t’ja tërhequr vëmendjen Piacentinit.
-Flet italisht ? e pyeti përkthyesi.
-Nuk flas italisht, por shqip se jam shqiptar. Përkthyesi ja përktheu gjenrali.
-Po ti shqiptar je ? e pyeti Mehmeti.
- Nuk ka rëndësi, ju përgjigj përkthyesi.
-Nuk ka rëndësi për ty , jo për mua.
- Fol përse ke ardhur, që t’ja shpjegojmë gjeneralit.
-Unë kam sjellë një ultimatum nga populli shqiptar, tha Mehmeti dhe nxorri zarfin nga xhepi.
Gjenerali mori zarfin, nxorri letrën dhe filloi të lexojë ultimatumin nnë dy gjuhë, shqip dhe italisht.
Ndërkohë Mehmeti nxorri kutinë e duhanit, eshkën dhe unurin.
Pa e ndezur duhanin Mehmeti, gjenerali thirri: “No ! Mai !
Mehmeti e ndezi cigaren dhe sepse ajo i shijoi shumë, ndoshta nga britma e gjeneralit sikur ta kishte ngacmuar gjarpëri.
-Kush ta dha këtë letër ? pyeti përsëri gjenerali.
-Cili popull, more ?
-Populli shqiptar, u përgjigj Mehmet Selimi duke parë në dritë të syrit.
Koloneli i tha gjeneralit që ta përcillnin shqiptarin se nuk është punë çobenësh kjo, por një llogari e bërë mirë.
Gjenerali duke u përpjekur që ta përmbante vehten thirri kolonelin dhe e urtdhëroi që të bëheshin përforcime në Tepelenë, gjorm, Kotë, Drashovicë, llogara, Jonufër, Janinë. Kolonel gotti që këto ditë u gradua gjeneral të vejë në Garnizonin e Kotës.
Ne kemi forca jo për të mbajtur një qytet port, por për të mbajtur gjithë Shqipërinë e Jugut. Në Vlorë kemi përqëndruar rreth 20.000 trupa, tha Gjeneral Piaçentini.
Forcat xhenjere kishin ndërtuar vijën e fortifikimeve rreth qytetit ku u mobilizuan 1200-1500 arditë , nën komanden e kolonel Messe. Komanda e 4 e artilerisë së përzier, komanda e 157-tës bateri malore, batalioni alpin, batalioni 72 i infanterisë, qëndra e karabinjerisë etj., ishin në mbështetje të Divizionit italian. Në gjirin e Vlorës ndodhej flota detare me anijet “San Mario”, “Bruceti”, “Dulio”, “Alkina”, “Orion”, torpedinierët “Arcione” si dhe vapori “Loyd Triestino”. Aviacioni italian ishte i bazuar në një bazë afër Ujin të Ftohtë.
Përballë këtyre forcave italiane, të shumta dhe të specializuara, përballë këtyre gjeneralëve të sprovuar, u renditën gjeneralët pa dipllomë, të fshatrave të Vlorës, por që në zemrat e tyre kishin dipllomën e së drejtës, të mbrojtjes dhe të patriotizmit.
Nga luftëtarët e Vlorës dhe të Tepelenës bë një organizim i përgjithshëm. Nga çdo shtëpi do të merrej një burrë për luftë dhe kur shtëpia kishte 3-4 burra për armë do të merreshin dy luftëtarë. Do të përjashtoheshin vetëm familjet pa ndihmë.
Forcat e armatosura shqiptare u ndanë në pesë kollona: Kotë, Gjorm, Drashovicë, Llogara’ dhe Tepelenë. Në Kotë shkoi si komandant vetë komandanti i përgjithshëm Qazim Koculi me 350 luftëtarë. Në Drashovicë shkuan 300 luftëtarë. Në Llogara shkuan 250 vetë. Në Gjorëm shkuan 120 vetë. Në Tepelenë 250 vetë.
Komiteti i Luftës për Tepelenën dhe Përmetin përbëhej nga : Baba’ Ahmet Turhani, Aqif Përmeti, Jaho Islami, Koço Tasi, Ali Bej Këlcyra, Riza Runa
Në Kotë ndodheshin 4-5 depo me ushqime, ilaçe dhe armatim.
Sulmi në Kotë filloi në orën 02.00 pas mesnate. Armiku kishte ndërtuar edhe fortifikata dhe ishte shumë më i armatosur. Pushkën e parë në Kotë e zbrazi Qazim Koculi. Në këtë sektor kishin marrë pjesë edhe luftëtarët e Kurveleshit nën komandën e Riza Runës. Luftëtarët trima me ato pak municione dhe me gërshërë në duar kërcyen mbi telat e garnizonit armik. Ata hodhën gunat e leshta dhe të trasha mbi telat mbi gjëmba. Në Kotë u vra komandanti italian, një nënkolonel dhe shumë ushtarë. Ranë në fushën e nderit edhe 17 dëshmorë shqiptarë dhe u plagosën shtatë të tjerë. Dëmet në njerëz nga ana e armikut ishin të shumta: 165 ushtarë të vrarë, 1 kolonel, 1 nënkolonel dhe 70 oficerë komandues të vrarë, qindra të plagosur që u shtruan në spital. Garnizoni i Kotës me 300 ushtarë dhe 42 karabinjerë italianë u asgjësua. Depua e armëve dhe municioneve të tyre u muar në dorzim nga ushtria kombëtare shqiptare. Kënga popullorë thotë:”
“O bobo , ç’qenka Kota
Bitim mitroloz’ e topa
“Ndarja qe e tillë: Riza Runa kishte Kudhesin, Kurveleshin dhe Tepelenën. Nga Mavrova për në Kotë me 200 vetë. Ahmet Lepenica shkoi nga Dushku për në Kotë me 180 smokthinjotë, çeta e Dukatit shkoi në Llogara dhe në Gjorm.
Në betejë së bashku me Riza Runën ishte edhe Duro Shaska, Hazbi Cano e Mustafa Buzo nga Progonati, Kanan Maze nga Kudhësi, Jaho Islami nga Dukaj, Shaban Doraci nga Nivica. Trima të mëdhenj ishin edhe djemtë e Vërmikut. Zbardhi dita. Vazhdoi sulmi. U dha komanda:
-O burra përmbi ta !
-O burra përmbi tela !
-Vini gunat përmbi tela!
U hodhën mbi telat e garnizonit ushtarak. Kapën rob një ushtar që bënte roje dhe e dërguan tek Kolonel Gotti. Kolonel Gotti ja mbathi, doli nga një derë tjetër. Luftëtarët nuk e njohën dhe e qëlluan. Qëlloi Riza Cane dhe e vrau. Ai nuk e dinte vendimin për ta mbajtur rob kolonelin italian. Në këtë luftim u zunë robër 14 oficerë dhe 210 ushtarë. Zunë gjithashtu 3 topa, 14 mitroloza dhe shumë material lufte. Edhe Ahmet Lepenica me luftëtarët e tij kishte zënë rob 5 oficerë dhe 140 ushtarë italianë. Në darkë vanë në Drashovicë. Humbjet e italianëve ishin të mëdha. Forcat e luftëtarëve të Vlorës kanë pësuar pothuajse shumë pak humbje.
Me 10 qershor forcat bënë përpara për në Vlorë. U ndanë në shtatë çeta. Dukati zuri malin e Rrëzës dhe kalanë e Kaninës. Smokthinjotët zunë Qishbardhën, Kudhesin dhe Udhën e Vjetër. Kurveleshi dhe Tepelena shkuan nga Babica. Aty u ndamë në tre drejtime. Selam Musai ishte me 57 vetë.
Lufta për Vlorën vazhdoi e rreptë. Zjarri i pushkëve dhe gjëmimi i topave nuk pushoi për ditë dhe netë të tëra përmbi qytet dhe në fshatrat për rreth. Vapa ishte e padurueshme. Re me mushkonja e miza silleshin mbi llogoret e ushtarëve. Ethet malarike i kishin zënë dhe ishin mbushur spitalet fushore. Selam Musai vetë i shtatë u vra. Shefqet Islami nga Nivica u vra. Shumë shokë nga Kudhesi u vranë. Nga të shtënat e topave u nxi vendi me tym sa nuk shihnim as njëri tjetrin. Shumë avionë hodhën bomba mbi ne, por nuk patëm dëme në njerëz.
Me 13 korrik sulmuan shumë avionë luftarakë italianë. Njërin prej tyre e rrëzuan në fushë të Peshkëpisë dhe tjetri u rrëzua në fushë të Qishbardhës. Italianët u tërbuan dhe u erdhi çudi si mund të rrëzoheshin avionët me pushkë. Ata të armatosur me avionë, anije, topa, mitrolozë e armë të reja, ne me pushkë me gjalëm dhe me municione të pakta.
Luftëtarët ishin të vendosur të luftonim për lirinë e vatanit deri në pikën e fundit të gjakut, ishin të vendosur të mos ktheheshin pa fitore, pa i zbrapsur këmishëzinjtë në det. Më 22 korrik ishte sulmi vendimtar për rreth Vlorës. Forcat u ndanë në shtatë drejtime: Dukati dhe Tragjasi nga Kanina, Rrëza nga Qishbardha, Shulleri nga rruga e vjetër, Kudhesi nga Qafa e Koçiut dhe vetë Qazim Koculi dhe Duro Shaska nga mali i Mavrovës. Tepelena me Jaho Sinanin dhe Ismail Kuçin nga Risilia. Riza Runa dhe Ahmet Lepenica me Kurveleshin dhe Lepenicën zumë Qafën e Fierit. Bektash Cakrani dhe Mulla Kadriu dhe Ali Bej Këlcyra me përmetarët nga Narta. Luftë e rreptë u bë në Qafën e Koçiut. Luftë nga të katër anët. Qielli ndriste nga flakët e pushkëve.
Dhjetë anije luftarake goditën me predha bregun e Vlorës dhe të rrethinave. Avionë të panumërt bombarduan forcat kryengritëse shqiptare. Italianët humbën rreth pesëqind ushtarë e oficerë. Luftëtarët shqiptarë humbën 150 vetë nga rradhët e tyre. Forcave vlonjate u erdhi në ndihmë gjithë Shqipëria, nga Tirana, Mallakastra dhe Kavaja. Erdhi edhe xhandarmëria e Korçës me kapiten Ferit Frashërin. Për rreth 25 kilometra, prej Ujit të Ftohtë e deri në Panaja’ e Cerkovinë ishin përqëndruar 4000-5000 luftëtarë shqiptarë. Kishin zënë grykat dhe drejtimet kryesore. Komanda italiane pruri edhe arditët, formacionin më të zgjedhur të ushtrisë së saj. Këta sulmuan postet shqiptare natën e Bajramit, duke përfituar edhe nga një shi i dendur.
Forcat shqiptare zënë vijën e parë brënda 4-5 minutave, por të kërcënuar nga arditët italianë, nga sulmi i befasishëm i tyre detyrohen të tërhiqen në disa pika. Tërheqja u bë për tu marrë krahët arditëve. Pasi u morën krahët forcat shqiptare i venë midis dy zjarreve dhe i dërmojnë keqazi. Në Llogara italianët kishin ngritur një kala të pakapërxyeshme, por burrat e Lepenicës dhe të Gjormit, nën komandën e Sheme Jazos, pas tre ditë luftimesh të ashpra i detyruan të dorzohen.Pasi kishin rënë të gjitha garnizonet e italianëve dhe kishte mbetur vetëm Vlora, në Tiranë me 2 gusht 1920 u bë marrveshja midis qeverisë shqiptare dhe Italisë, ku Italia njihte sovranitetin e Shqipërisë. Më 3 shtator 1920 Komiteti hyn në Vlorë. Osman Haxhiu ngre flamurin në Vlorë.
Në Vlorë erdhi në ditët e luftës Banda Frymore e Elbasanit. Në ndihmë të luftëtarëve të lirisë shkoi nga Elbasani në Vlorë edhe një ekip mjeksor me në krye doktor Petraq Papën dhe një grup ushtarakësh me eksperiencë me në krye Mustafa Sejdinin.
Organizimi i kësaj lufte ishte në perfeksion. Kryqi i kuq amerikan me mjekë dhe infermiere ishte në spitalin e Kotës dhe u shërbente të plagosurve. Spitali në Kotë drejtohej nga Dr. Sezai Çomo dhe për mjekimet pëdoreshin mjekët italianë të zënë robër dhe dy amerikanë që kishin ardhur për ndihmë. Me ilaçe furnizonin farmacitë e Rexhep Hitos, Syrja Bej Libohovës, Fadil Kotonit, Nazif Halites dhe Kryqi i Kuq Amerikan.
Pergatiti: Sakip CAMI
Comments