top of page

Luftë kundër krimit të organizuar


Ministrat Patel dhe Çuçi


„E lumtur që ta takoja“ e nis komentin e saj në Twiter Ministrja e Brendshme e Britanisë së Madhe, Priti Patel, ndërsa fotografia që e shoqëron shpjegon se bëhet fjalë për takimin zyrtar që ka pasur me Ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Bledi Çuçi. Më tej komenti i Patel shënon si më poshtë: „Shqipëria është një partner kyç në trajtimin e disa prej sfidave më të mëdha me të cilat përballemi, nga migrimi i paligjshëm te krimi i organizuar. Sot ne nënshkruam një marrëveshje të re për të ndarë ADN-në midis forcave të zbatimit të ligjit, për të përshpejtuar hetimet penale.“

Kjo tregon se Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi i ka kthyer vizitën ministres britanike, menjëherë pas disa muajsh, kur ai priti në një vizitë zyrtare në Shqipëri, Ministren e Brendshme të Britanisë së Madhe, Priti Patel. Asokohe, dy ministrat respektivë, firmosën Marrëveshjen e Ripranimit, propozuar nga qeveria britanike pas daljes së saj nga Bashkimi Europian. Në kuadër të detyrimeve për përafrimin e legjislacionit për Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria” nënshkrimi i marrëveshjes, thuhej se vinte në përputhje me angazhimet e Shqipërisë për të luftuar migracionin e paligjshëm, si një prej nën-çështjeve thelbësore ku kërkohet progres i vazhdueshëm.

Më pas kanë qenë mediat e shumta britanike që kanë folur për një „marrëveshje“ që insiston se emigrantët e paligjshëm që tentojnë të shkojnë në Britani të Madhe mund të akomodohen në një qendër azili në Shqipëri. Qeveria shqiptare i mohon në mënyrë kategorike raportimet. Në një deklaratë për mediat, kryeministri Edi Rama ka mohuar lajmin e mediave britanike, duke e quajtur të rremë. Sipas kryeministrit Edi Rama, Shqipëria nuk do të jetë kurrë nga ato vende që do të ketë kampe emigrantësh. Britanikja “The Times”, në një artikull të saj ka shkruar se ministrat shqiptarë dhe ato të Mbretërisë së Bashkuar janë në bisedime sekrete për ngritjen e një qendre azili në Shqipëri. “Ministrat shpresojnë të nënshkruajnë një marrëveshje për dërgimin e emigrantëve, që kalojnë Kanalin drejt Shqipërisë, si një masë kryesore për t’i dhënë fund krizës”, shkruan “The Times”. Por këtë e ka mohuar dhe përgënjeshtruar menjëherë edhe Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Shqipërisë në Londër, Qirjako Qirko.

Por të gjitha shkojnë pas në kohë, vetëm në atë kur marrëveshjet bëhen zyrtare. Marrëveshjet tilla, ato të mëparshme midis dy ministrive, mësohet se janë hartuar duke u bazuar në modelin komunitar, si edhe duke respektuar parimet e shkëmbimit të informacionit mbi të dhënat personale. Qëllimi, janë procedurat e ripranimit dhe tranzitit në rastet e dëbimit të personave, hyrja ose qëndrimi i të cilëve është i paligjshëm në territoret e shteteve të tyre. Palët do të forcojnë bashkëpunimin në lidhje me luftën kundër migracionit të parregullt, duke zgjeruar bashkëpunim teknik dhe operacional në fushën e menaxhimit të migracionit të parregullt dhe sigurisë së brendshme

Mësohet se Ministri Çuçi njohu homologen britanike edhe një herë me prioritetet e Ministrisë së Brendshme, ristrukturimin e nisur në Policinë e Shtetit, si dhe progresin e arritur në luftën kundër krimit të organizuar në tërësi. Ministri shkruan në rrjetet sociale „Londër – Takim me homologen Priti Patel, me të cilën diskutova për nivelin e bashkëpunimit që kemi arritur deri më tani falë besimit dhe përkushtimit të dyanshëm. I kemi kapacitetet që këtë besim të ndërsjellë ta shndërrojmë edhe në veprime konkrete në drejtim të ngritjes së skuadrave të përbashkëta hetimore dhe operacionale. Luftën kundër krimit të organizuar nuk e bëjmë dot veçmas, prandaj duhet të bashkërendojmë përpjekjet dhe resurset tona në çdo kohë. Diskutuam gjithashtu edhe për emigracionin e jashtëligjshëm, i cili kurrsesi nuk mund të adresohet si problem pa përmirësuar kushtet e emigracionit të ligjshëm. I kërkova homologes britanike të rishikojë edhe njëherë regjimin e trajtimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Britaninë e Madhe, për t’i lehtësuar në raport me mundësi të reja punësimi apo lëvizjet sezonale. Në këtë pikë gjeta mirëkuptimin e saj të plotë duke më shprehur gjithashtu angazhimin për të bërë gjithçka duhet për integrimin e tyre. Asistenca britanike për Institutin tonë të Policisë Shkencore është një ndihmë që ne e çmojmë shumë. Me reformimin e këtij institucioni dhe adaptimin e teknologjisë e metodave moderne, do të plotësojmë një nga hallkat më kritike të zinxhirit të hetimit dhe dokumentimit të ngjarjeve kriminale në vend.“

Ministrja e Brendshme e Britanisë së Madhe ka riafirmuar marrëdhënien e fortë mes dy vendeve dhe vëmendjen e Mbretërisë së Bashkuar për Shqipërinë, në fusha të interesit të përbashkët, si dekurajimi i migracionit të paligjshëm, bashkëpunimi policor në funksion të luftës kundër krimit të organizuar.

42 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page