Luftë


Astrit Lulushi


Ora ka mbetur, akrepat nuk lëvizin më. Kohë të vështira për njeriun kanë ardhur, i kërkohet të bëjë luftë me armikun që nuk e sheh. Kjo është koha më e mirë që shtypësi ka parë ndonjëherë, ndërsa flet vetëm nga ekrani, rri i mbyllur, pasi vrasjet i kryen virusi. As opozitë e as rivalitet, as fjalë të lirë nuk ka. Armiku i vërtetë është virusi, dhe nëse vdes, thonë se fajin e kishe vetë. Të vjen keq kur sheh se njerëzit, personeli mjekësor, pranojnë të vetëflijohen. Thuhet se qeveria do t’i paguajë, por sa kanë paguar ata vetë në forma të ndryshme për një rrugë të tillë jashtë? Dikur kishte komando që paguanin që t’a kishin emrin në listë. Jeta në Irakun e Afganistanin në luftë u dukej më e mirë e më e siguruar sesa ajo në vendin e tyre në paqe. Çfarë gënjeshtre! Vetëm nëse e lexon tekstin me vemendjen që është shkruar, mund ta kuptosh të vërtetën. Pleqve në radhë të parë, si në kampet naziste të vdekjes, u thuhet: ndahuni veças se duhet të vdisni, ose gjatë revolucionit kulturor në Kinën e viteve 1960, kur fëmijët e rinia e organizuar sulmonin të moshuarit. Thonë se pas virusit, bota do të jetë ndryshe nga ç’e keni parë deri më sot. Do të ketë vetëm shtypës dhe të shtypur pa leje e me frikë për të kundërshtuar, pa zgjedhje, dhe pushteti do të vijë rrotull, si vorbulla gjithë përfshirëse e ujit. Nëse ky skenar nuk ndodh këtë herë, rruga është hapur, dhe shtypësi i pajisur me një armë të re, e di sesi të veprojë herën tjetër e tjetër. Pas panikut vjen shkatërrimi dhe mbi këtë ngrihet sundimi.

12 views

Shkrimet e fundit