Ajo jetonte e heshtur, mbyllur në guaskën e vetmisë, nën një qiell vështrimesh mëshiruese e keqardhëse të të tjerëve. Ishte kjo mbase arsyeja që po e përballonte vetminë: indiferente ndaj çdo gjëje që ndodhte rretheqark, ndaj njerëzve, ndaj stinëve. Një natë, s'di se si, u bë papritur e ndjeshme. Hëna e plotë, ndjellëse, i kishte shpërndarë rrezet pa kursim deri në kufijtë e largët të natës. Yjet shëndrisnin gjithë ngazëllim duke e futur hënën në mes si ta kishin mbretëreshën e tyre hirëplotë. Aroma lulesh vinin që nga jashtë, ku mbi të gjitha ndiehej ajo e luleve të portokallit. Një bulkth diku ia kishte marrë një kënge të përmallshme. Shqisat e gruas po fitonin ndjeshmërinë e dikurshme. Brenda asaj nate të magjishme çuditërisht u ndie e mjerë, tepër e mjerë. Ndjeu nevojën e pranisë së dikujt. Ai dikush në fillim qe pa formë, diçka si një mjegull. Pastaj erdhi e u qartësua, duke marrë formë njeriu. Formë mashkulli. Më pas ajo arriti të shquajë tek ai mashkull fytyrën e të shoqit.. Oh, oh, rënkoi gruaja e re. Ishte tronditur tmerrësisht. I shoqi kishte vdekur një vit më parë, në Itali, në një aksident automobilistik. Dheu i zi e kishte kalbur ditëshkurtërin! Oh, oh, rënkoi për të dytën herë duke u mbledhur kruspull në krevat, me duart e shtrënguara fort mes kofshëve. E gjithë nata sikur iu mblodh në sy. O zot, psherëtiu e përlotur, ç'faj paskam bërë që më ndëshkove kështu? Në atë gjendje dëshpërimi vetmia iu bë e rëndë plumb, njëlloj si vdekja. Fantazma e përfytyruar e të shoqit qe zhdukur, por ajo me mundim e solli atë para syve: gjysëm njeri e gjysëm mjegull, i heshtur, i plakur dëshpërimisht. E dëshironte praninë e tij e kësisoj fantazma iu bë e pranueshme për të përzënë vetminë.
Në netët e nxehta të verës, por edhe në netët e ftohta të dimrit të zymtë, ajo e kishte ndier deri në palcë mungesën e të shoqit. Në ëndrrat e përnatshme, i dilte në rrethana që i kishin përjetuar së bashku. Pastaj, për ca kohë, kujtimi i të shoqit sikur iu largua disi. Edhe fytyra e tij nëpër ëndrra i dilte e paqartë, e i turbullt. Kjo e shqetësoi edhe më tepër. Mos vallë nevoja dhe dëshira e papërballueshme për ta pasur të shoqin pranë fizikisht i qe shndërruar në një nevojë të përgjithshme për burrë? Një boshllëk i madh iu krijua në krahëror e nuk po e linte të merrte frymë. Vila e bukur dykatëshe me sallon e dhoma të mëdha, mobiluar shtrenjt e me shije, të gjitha të sjella nga Italia, tashmë nuk e ngushëllonin. Edhe paratë që i shoqi ia kishte lënë të depozituara në bankë, nuk i hynin në sy. Sikur ajo forcë madhore, e quajtur perëndi, t'ia ringjallte të shoqin me disa kushte, ajo qe gati t'i jepte të gjitha këto. Vetëm ta kishte pranë burrin e saj, aty në krevatin martesor, t'ia ndiente zërin e ëmbël, frymën e ngrohtë, rrahjet e vrullshme të zemrës, dridhjet e ëmbla të trupit; ta freskonte në netët e nxehta e ta ngrohte në netët e ftohta me trupin e tij, me fjalën përkëdhelëse, me gjithë qenien si bashkëshort. E përkulur në ballkonin e dhomës së gjumit, në katin e dytë, duke jetuar në çdo qelizë të trupit magjinë e natës dhe çastet e kaluara me të shoqin, gruaja e re u mbyt në ngashërime. Lotët iu bë sikur i buruan thellë nga skutat e zemrës, iu ngjitën vrulle-vrulle deri lart në sy e i shpërthyen nga aty nëpër faqe. Kur lotët buruakan nga zemra, atëhere përse kanë ngjyrë vese e nuk kanë ngjyrën e kuqe të gjakut?
Atë natë ajo ra për të fjetur me mendime të shqetësuara. Tëmthat i rrihnin me forcë dhe koka iu rëndua keq. Kur gjumi e mori, ajo u ndie si mbi valët e detit të trazuar në kohë shtrëngate. Ashtu, duke u përpëlitur, trupi iu zhyt nën ujë, iu rëndua si një gurë i madh, sytë iu errën krejt, fryma iu sos e ato çaste, nga thellësitë e trupit, i doli si klithmë emri i të shoqit. E thirri për ndihmë, për ta shpëtuar nga mbytja e nga guri i rëndë i vetmisë që, i lidhur në qafë, po e tërhiqte poshtë e më poshtë. Dhe, në kufirin midis jetës dhe vdekjes, ai e dëgjoi piskamën e saj. Në të dhjetën e sekondës iu gjend pranë. E shtrëngoi fort, si s'e kishte shtrënguar kurrë dhe e tërhoqi lart drejt jetës. Në krahët e tij ajo u ndie me krahë shqiponje e po fluturonte nëpër qiell. Ndjeu rrahjet e zemrës së të shoqit, firomën e ngrohtë kur ia ngjiti buzët për t'i dhënë ajër nga mushkëritë e veta, që ta sillte në jetë. Pastaj ndjeu fërgëllimën e ëmbël të duarve që e përkëdhelnin kudo butësisht dhe me mall. U përpoq t'ia shquante fytyrën, sytë, buzët, por, në errësirën e natës së çuditshme, gjithçka iu duk e turbullt, e mjegullt. Megjithatë ajo ngjeshi hundët në gjoksin e tij e, bashkë me erën e njohur, iu bë se ndjeu dhe erë dheu. Nuk i bëri përshtypje, por e thithi atë erë thellë në mushkëri, duke u mbushur më shumë me jetë. Trupi sikur iu shkriftërua, krahërori sikur iu hap në mes, si për t'i bërë vend që të hynte aty i shoqi, ashtu siç kishte ardhur: i nxituar, i lagur, me flokët e shpupurisur e me duhma dheu. Nga ftohtësia e ujit asaj i dridhej i gjithë kurmi, dhëmbët, buzët, por trupi i rëndë mashkullor e mbuloi të tërën me një ngrohtësi të ëmbël, të ëmbël. Gjithë aromat e zërat e natës iu trazuan nëpër trup. Vetë hëna, rrethuar nga yjet, kishte zbritur aty e nurshme, magjiplotë. Ai e puthte kudo i uritur, ia thithte gjinjtë pangopësisht, i nxitur nga rënkimet e saj të shpeshta. Gruaja e lëshoi veten plotësisht nën pushtetin mashkullor. Që nga nënbarku, një lëmsh i zjarrtë iu ngrit deri lart dhe po ia zinte frymën pa mëshirë, po e mbyste krejt:
- Oh…ohh…mh…mh…Aaaa!
Klithma e gruas, pas ofshamash e rënkimesh, ishte e gjatë, e thellë ,e përzier me dridhjet e trupit mashkullor, të cilat u shuan ngadalë-ngadalë, gjersa ia lanë vendin heshtjes, pranisë së natës me këngën e trishtuar të bulkthit aty rrotull.
Rrezet e diellit që depërtuan nëpër xhamat e dritares, zërat e njerëzve që gëlonin jashtë si dhe boritë e shpeshta të makinave, bënë që qerpikët e syve të saj të hapnin kanatet ngadalë, me përtim. Gjumi i kishte dalë më vonë se herët e tjera. Lëvizi ngathët gjymtyrët, në trup ndjeu një lodhje të mezidukshme, gjithsesi të ëmbël. Ora mbi komodinë shënonte tetë e njëzet. Duhej të ngrihej. Tendosi trupin e qëndroi ndenjur në krevat. Gjumi i qe larguar plotësisht. Në mendje iu ftillua ëndrra e çuditshme që kishte parë natën: ëndërr e trishtë, ëndërr torturë, një ëndërr e dëshiruar. Iu ftilluan përpëlitjet duke u mbytur në një det të trazuar, guri i rëndë i vetmisë, i varur në qafë e që e hiqte poshtë drejt thellësive, klithma për ndihmë, pastaj që prej dikah i qe shfaqur i shoqi! Ai e kishte shpëtuar nga tortura e mbytjes, e kishte sjellë në shtëpi, pastaj…pastaj… e kishte mbuluar me trupin e tij të ngrohtë valë, qenë shkrirë të dy në një dehje të gjatë, të thellë, deri në harrim. Ishte hera e parë, që nga vdekja,që e shihte në ëndërr duke bërë dashuri me të. Një dashuri ireale… Sikur të më ndodhë më shpesh, më mirë do të jetë, mendoi si ndër ethe. Buzëqeshi trishtueshëm e u përpoq të kujtonte fytyrën e burrit të vet atë natë. Por ajo iu shfaq e paqartë, e shfytyruar dhe e copëzuar në errësirën e natës.
Kur lëshoi këmbët nga krevati në dysheme, vuri re diçka që e befasoi dhe e hutoi krejt: të mbathurat nuk i kishte në vendin e vet, domethënë në trup. Me sy të trembur pa poshtë barkut të vet, se mos i kishin bërë sytë. Jo, pa mbathje në trup! I ra rrotull krevatit e alarmuar; ato ishin poshtë në dysheme. O zot, ç'po ndodh me mua, tha me vete. Ia kishte ngulur sytë me tmerr mbathjeve të veta poshtë, afër këmbës së krevatit, si të ishin ato dëshmi e një krimi të rëndë. Dhe për t'u bindur që nuk qenë pjellë e imagjinatës së sëmurë, u përkul e i mori në duar. Ato ishin, të sajat! Madje me gjurmë të freskëta, të dukshme, të një dashurie të fshehtë! Gjithçka po i dukej çmenduri, vazhdim i ëndrrës së përjetuar natën e kaluar. Budallaçkë, e qortoi veten, i ke hequr vetë të mbathurat nëpër gjumë! I vështroi përsëri; plot njolla lagështire! I rrahu zemra furishëm dhe mezi e mbajti veten mos rrëzohej. Atëherë u ul e dërmuar mbi krevat, ndërsa sytë i shihnin turbull. Nuk mund të pranonte kurrsesi mendimin që në dhomën e saj të gjumit të qe futur dikush, ta përdhunonte e ajo të mos zgjohej. E pamundur, thoshte me vete, e pamundur! Diçka tjetër i tërhoqi vëmendjen në dhomë: dera e saj ishte gjysëm e hapur! Kush e kishte hapur derën? Kush, pra, pyeti veten, pushtuar nga ethet e frikës e të tmerrit. Që gjatë natës nuk kishte dalë fare nga dhoma e saj, ajo qe e sigurtë. Që gjithçka kishte përjetuar me aq kënaqësi natës së kaluar, nuk qe thjesht një ëndërr. Aq më pak, me të shoqin e vdekur! Kishte qenë zhgjëndërr e tmerrshme! Dikush ka hyrë gjatë natës (aty pas orës një, kohë e përshtatshme jo veç për vjedhje, por dhe për aventura dashurie) në shtëpinë e saj! Dikush që e di se ajo grua e ve jeton e vetme. Është futur në dhomën e saj të gjumit dhe…dhe… O zot! Tamam në orët e gjumit të rëndë! U ngrit si e çmendur dhe tërhoqi fort flokët e shpupurisur. Që sot e tutje nuk jam më grua e ndershme, i tha vetes. Kam fjetur me një mashkull tjetër, duke tradhtuar tim shoq të vdekur! Bëri të ngrihej, por gjymtyrët i ndjeu si të paralizuara, këmbët sikur t'i kishte prej druri. Edhe truri i qe mpirë. I erdhi keq për veten. Dhe u shkri në vaj e qau pa zë, ashtu siç e kishte qarë të shoqin në ditën e varrimit. Nxitoi në banjë dhe u zhvesh. Të lahej, të hiqte nga trupi njollat e turpit të tmerrshëm, që do t'i linin gjurmë në ndërgjegje për jetë të jetëve! Para se ta hapte rubinetin e dushit, vëzhgoi me vëmendje trupin e saj. Me neveri vështroi rrëzë kofshëve njolla sperme e, vende-vende, skuqje të lehta të lëkurës! Aty para pasqyrës pa gjoksin e vet, thithat e gjinjve, më të fryra se zakonisht, të cilat akoma e ruanin ngjyrën e kuqëremtë që kishin marrë gjatë natës. Befas i kapi me të dyja duart, i tërhoqi fort me egërsi dhe ishte gati t'i shkulte nga kraharori, po qe se me atë veprim do të shpëtonte një herë e mirë nga makthi i vetëfajsimit. Rënkoi mbytur dhe vështrimi iu err nga dhimbja. Por dhimbjen në shpirt e kishte më të rëndë. Kur sytë rifituan qartësinë e zakonshme, vështrimi i ngriu nëpër gishtat e vet aty mbi gjoks: në gishtin e mesit, pranë gishtit ku mbante unazën e martesës, ishte edhe një unazë tjetër! Oh! Gjuha iu tha krejt dhe trupi sikur po i thërmohej në grimca pa peshë. Ishte gati t'ia jepte piskamës. Me dorën e djathtë që i dridhej fort e kapi atë unazë dhe e afroi para syve. Oh, oh, oh! Ishte unaza, që ia kishte vënë të shoqit në gisht ditën e fejesës. Atë unazë ajo ia kishte lënë fatkeqit të vdekur në gisht, ta mbante atje në varr, në shenjë besnikërie. Të martuar në këtë jetë e në jetën tjetër! Ulur në cep të vaskës pa ujë, sytë nuk po ia ndante unazës. Si u gjend ajo në gishtin tim, pyeti veten e tronditur. Nëpër ëndërr ajo e kishte thirrur të shoqin në emër, për ta shpëtuar nga mbytja. Dhe ai kishte ardhur menjëherë. Në errësirë tiparet e fytyrës nuk ia kishte shquar dot. Me erën e njohur të trupit, kishte ndjerë dhe erë dheu. Pastaj njollat e dyshimta nëpër çarçaf, mbathjet e hequra e të hedhura poshtë në dysheme; dera gjysëm e hapur e dhomës së gjumit... Dhe së fundi unaza e të shoqit, që kishte ardhur nga dora e tij në dorën e saj! Oh, mos jam akoma në ëndërr, tha me vete. Apo mos e gjitha që kemi jetuar ka qënë vetëm një ëndërr e shkurtër plot vuajtje, ndërsa jeta e vërtetë nis pas vdekjes? Unaza e të shoqit, vdekur një vit më parë, po i vetëtinte para syve! Ç' mesazh të ishte ky?! Po atë mbasdite shkoi e vendosi një tufë me lule të freskëta mbi varrin e të shoqit. Duke hetuar rrotull varrit, befas iu drodh i gjithë kurmi, kur vuri re që mbulesa e mermertë e tij kishte lëvizur paksa nga pozicioni i rregullt. Zemra sa s'i ndali! Deshi t'i thërriste varrmihësit që po hapte një varr aty pranë, por shpejt ndërroi mendje. Jo, jo..Më mirë jo.. Një shpresë e verbër, e ëmbël e përkëdheli nga flokët deri te gishtat e këmbëve. Le të rrijë ashtu ajo mbulesë, pak e hapur...s’ka gjë.. Le të rrijë ashtu…mbase…mbase… vjen përsëri ndonjë natë…, mendoi gruaja.
תגובות