top of page

LOTË MBI BUKË


Kostandin Vogli, shkrimtar

tregim


Sa u larguan gjermanët, zbarkuan anglezët, dhe pas disa ditësh Sofia me Stelën, me Andrean për dore dhe Galinë në djep zbritën në xhade dhe me një makinë angleze erdhën në Shëndëlli. Stela me Andrean e kishin për herë të parë, që hipnin në makinë dhe u strukën në një qoshe duke u mbajtur nga spontet e larta të makinës. Në çdo kthesë u dukej se makina mund të fluturonte në ndonjë humnerë. Dy ushtarë anglezë që ishin në makinë, ishin ndryshe nga gjermanët. Fëmijtë i shikonin të habitur. Një ushtar mori një bukë nga një arkë dhe filloi të priste një fetë te vogël. Fëmijtë shqyen sytë dhe me vështirësi kaptuan pështymën. Ishin jashtë mase të uritur. Ushtarët i vunë re veprimet e tyre, sepse fëmijtë u mllaçitën. Ushtari u preu nga një fetë të madhe. Ata zgjatën duart me ndrojtje. Buka ishte si pambuk. Nuk kishin ngrënë ndonjëherë, dhe nuk kishin parë aq bukë të bardhë. Anglezët tundën kokën me keqardhje, sepse e kuptuan që ata kishin shumë uri. Përkëdhelën Andrean në flokë duke thenë anglo, anglo. Ndoshta nga ngjyra Andrea u dukej edhe si anglez.

Të dy ushtarët i shikonin fëmijët me habi kur ata rrotullonin copën e bukës në duar dhe kur e provuan në gojë. Ata ndienin një kënaqësi që, ndoshta , anglezët për herë të parë, e vinin re. E ëma po i shikonte fëmijët e saj e kënaqur, por gjëndrat e pështymës i mbushën gojën. Ishte më e uritur se ata. Një neps i brëndshëm e shtyu të cimbiste pak nga copa e të birit. Ushtari sikur u kujtua, preu një copë dhe ia dha asaj. Gjithë turp e zgjati dorën dhe sytë ju zbardhën ashtu si ishte dhe buka. Ushtari tjetër hapi një kuti mishi dhe aroma e saj i bëri të ndienin një habi tjetër. Për herë të parë po shikonin të tilla ushqime.

Sofia ishte një grua tridhjetë e tre vjeçare dhe megjithëse kishte vuajtur shumë, e ruante akoma freskinë e moshës. Me ato dy sy të zinj të mëdhenj, i kishte detyruar ushtarët ta shikonin me neps. Vetëm se ata ndoshta i largonte ajo veshja e saj prej fshatareje të varfër dhe shumë e ndryshme nga veshja e fshatareve angleze. Ndoshta mendonin se po të ishte e veshur si grate tona angleze, do të ishte më e lakmuar. Sofia kishte një bukuri të vaçantë që binte shumë në sy. Kur zbritën i ndihmuan ushtarët. Hodhi trastat në sup, por ata nuk e merrnin me mend se çfarë kishte ajo në ato trasta. Me siguri që po ta dinin diçka do t’u kishin dhënë. Ku t’u shkonte mëndja atyre. Barku i ngopur nuk e shikon barkun e zbrazur. Rrugën për në shtëpi e mori ncituar me shpresë se në kopësht kishte fshehur një bidon me vaj, kur iku për në fshatin ku kishte lindur. Burrin së bashku me të tjerë i morën gjermanët në internim dhe këtu nuk kishte asnjë ndihmë.

Asgjë të gjallë nuk gjetën në shtëpi. Asnjë lloj kafshe, as për të ngrënë, as për qumësht, as për ngarkesë. Nuk kishte, as mace, as qen, asnjë pulë, bile as minj. Sa la fëmijtë dhe ngarkesën brënda, vrapoi në kopësht të merrte bidonin me vaj, që e kishte mbuluar me baltë, por në vend që të godiste bidonin me kënaqësi, goditi kokën duke ulëritur. Ishin 20 litra vaj. Shirat e vjeshtës e kishin zbuluar dhe dikush që krruante rrëzat e kishte vjedhur. Lotët i lagën bluzën. U kthye në dhomë duke mbajtr tëmthat. Tek ai bidon mbante një shpresë. Nuk kishte asgjë të mirë për të ngrënë në trastë, veçse pak bukë misëri, pak djathë, një dorë ullinjë dhe disa kokrra qepë. Kur iku nga shtëpia e të ëmës në mëngjes, kaq mundën t’i jepnin. Shkoi vetë e tretë në fshatin e lindjes dhe u kthye edhe me një djep. Kishte tre muaj që ishte shtuar një vajzë të cilën e kishte quajtur Galia. Kur hodhi sytë rreth dhomës ju shkreh më shumë të qarët, ashtu si shkrehet një pushkë pa dashur. Kulm fukarallëku se ky, nuk kishte më. “Ku të mbytem!?” Pa nga fëmijtë që shikonin të mberthyer rreth fustanit me keqardhje dhe e mbyti lëmshi që iu mblodh në grykë.

Vrapoi të dilte në shkallë, të mbushej me ajër, por sytë i shëtitën mbi ullinjtë, të cilat i ngrohën pak zemrën. Fshiu sytë me bishtin e shamisë së zezë që mbante në kokë, dhe i foli Stelës. “Të keqen mamaja, eja me mua të mbledhim ca ullinj. Pastaj t’i presim e t`I ziejmë më finjë. Do ëmbëlsohen pak. Do të dal dhe nëpër gjitonë të kërkojë ndihmë dhe hua” Fëmijtë e panë gjithë shpresë. “E thyen qafën gjermanët. Mbase u kthehet edhe juve babai, po rron dhe do të jemi mirë”. Stela hapi sytë frikshëm. “Pse, po rron, moj mama ?!.” Ashtu si për ata që që vranë në masakër, mendoi edhe për të atin. Ajo ishte shtatë vjeçe, dy më shumë se i vëllai dhe kishte dëgjuar më shumë për viktimat. “Ku ta dish, - dhe e ëma kryqëzoi duart. Atë çast u duk sikur shtërngoi gjoksin fort. Mbase dhe i kanë vrarë. Kushedi! – dhe në shpirt ndjeu një dhimbje. – Ndofta edhe nga ndonjë sëmundje, a nga uria. Kush do të jetë kujdesur për ta. Gjermani nuk i mori për majmëri. Lufta nuk ka mbaruar. Gjermanët janë në Shqipëri akoma. Sa njerëz do të vriten gjersa të dorëzohet Hitleri, ohu, nuk i dihet.” Kujtimi e çoi kur nxorrën nga gropat dyzetëetetë trupa gjysmë të kalbur, kur u larguan gjermanët nga fshati dhe i varrosën në varrezat e përgjithshme. E largoi mëndjen nga ato tmerre që kishte parë. U drodh nga të ftohtit, sepse ishte e veshur hollë, ashtu si edhe fëmijtë dhe u fut brenda për të shpënë në vëndin e vet hambarin, që e gjetën pranë derës, në pamundësi për ta vjedhur. E vetmja plaçkë e mirë nga më të këqiat në atë shtëpi. Nga ana e pasme kishte një vrimë të brejtur nga minjtë e uritur, të cilëve u kishte ardhur era miell. Pastaj pasi kanë përpjekur hundët nëpër dërrasa, kanë dalë prej andej, ose kanë ngordhur si shumë mace e qen, ose kanë gjetur ndonjë vrimë tjetër.

“Edhe pirostinë e kanë marrë. Nuk kemi ku të vendosim kusinë”. Dhe filloi të nxjerrë nga trastat enët prej bakri e alumini, lugët, pirunët, thikën, kusinë, tepsitë e ndonjë enë tjetër. Të gjitha ato që kishte marrë kur ikën. Ajo ishte e gjithë pasuria. Dyshekët me kashtë nuk i kishte ngacmuar njeri. Derën e gjeti të hapur, te goditur me ndonjë taban këpuce gjermane nga ndonjë ballist hajdut. Por edhe ai, ose ata , janë larguar pa marrë asgjë, ashtu si minjtë nga hambari. “Dy mbulesa që kemi i kam lënë te zonja Shana. Atë bukë që kemi do ta ruajmë për darkë, se tani jemi të ngopur me ato që na dhanë anglezët. Mbasi prenë ullinjtë që mblodhën, I hodhi në tenxhere për t’i zier me finjë. Por duhej të kërkonte hi, pak vaj për të ndezur kandilin edhe kripë. Kur i kujtoi te gjitha këto që do kërkonte, vuri duart në kokë, dhe sidomos që u kujtua të kërkonte edhe pakë bukë. U duhej edhe për në mëngjes.

Me Stelën për dore, shkoi tek shoqja dhe gjitonja e parë Shana, e cila u gëzua shumë kur e pa. Burri i Shanës ishte bari me dhi dhe kishte shpëtuar nga arrestimi gjermanë, ashtu si edhe barinjë të tjerë, e pak pleq. Shumë ishin vrarë. Gratë ishin bërë burra. Pikërisht se ishin familje barinjsh, diçka kishin. Dhe ajo u tregua shume miqësore.

Shana me sytë e saj të mëdhenj sa një rreth filxhani shprehnin dashamirësi. Pak më e gjatë nga Sofia dhe sigurisht më e madhe në moshë, kishte fëmijë të rritur. Pothuaj një skuader më djem dhe dy vajza. Ajo e mbështolli dorën e Sofisë me pëllëmbën e saj të madhe dhe të ashpër. Ishte si të gjitha grate e tjera të fshatit, me një veshje fund e bluzë, me shami në kokë, me një rryp lëkure në mes si të gjitha gratë e Bregut, me çorape të zeza dhe e mbathur me shollë lëkure. Me duar të ashpra dhe fytyrën të rrahur nga dielli, era, ngricat, shiu dhe rrallë herë nga flladi i ëmbël. Vetëm foma e fytyrës i ndryshonte. Nuk e kishte të gjatë si gratë e këtij fshati, po ashtu si edhe Sofia. Edhe ajo kishte ardhur nuse nga një fshat tjetër dhe me Sofinë duheshin shumë.

Shana e kishte ëmbëlsinë aty ku duhej, por si bijë çobani që ishte herë – herë nuk i mungonte ashpërsia. Pothuajse të gjitha grate e fshatit, nuk ndryshonin shumë nga burrat, ishin të ashpra si ata. Ishin të fushës, te bagëtisë, të ullinjve, bile edhe për t’i shkundur, të kopshteve, të nikoqirisë. Nga punët u ishin ashpërsuar edhe duart, sa edhe po të të perkëdhelnin të grisnin faqet. Lodhjet u largonin edhe ndjenjat, kështu që burrat nuk flinin me gra, por me “burra” Parfume që ato u thoshin erëza, si gra që ishin, nuk hidhnin, përveçse ndonjë rasti te rrallë. Kështu që pas martese, vetëm për pak kohë e ruanin freskinë. Bukuria u shkonte kot, sepse edhe një sapunë me aromë “mosko”që u vinte e ëma në pajë, futej përsëri në sepet, ë papërdorur. E mbanin vetëm te aromizonte rrobat në sepet.

Pas martese u futeshin punëve sa zgjoheshin zogjtë, deri sa i vinin të gjithë në gjumë. Dhe për justifikim thoshnin: bukuria duhet vetëm për pak kohë”. Ky ishte një mekat i trashëguar si për gratë edhe për burrat. Kjo vinte edhe nga izolimi shekullor me botën e qytetëruar. Ngërçi në tru nuk i linte të shkonin pak më përpara. Të gjitha këto gra punëtore ishin si dhitë e egra malore nubjane me brirë të mëdhenj dhimbjelënëse, rezultat i kërkimit të vazhdueshëm të ushqimit në një vend të lodhshëm dhe të thatë. Fukarallëku i detyron të fillojnë lakmitë për të hedhur diçka në hambare, të varin sa më shumë misra në kollonat e shtëpive, të shtojnë pemtarinë, apo bagëtinë dhetë hedhin diçka në xhepa, por zakonisht gratë kërkojnë rrush nga vreshti i egër. Fillojnë prap luftën për ekzistencë dhe janë shumë të shpejta aq sa të duken si devetë femra.

Sofia me mbulesat dhe disa ushqime sa për darkë dhe për mëngjes vrapoi për në shtëpi. Ndezi zjarrin dhe vuri ullinjtë të zienin me hi. Zjarri në oxhak filloi të ngrohë dhomën e ftohtë. Fëmijët e veshur hollë u afruan pranë oxhakut. Sofër nuk kishin. Shtroi një pecetë që e nxorri edhe atë nga trasta dhe u propozoi fëmijëve të hanin para se të errësohej. Bukën e anglezëve e kishin ngrënë që në orën dhjetë para dite, prandaj fëmijët me zi prisnin. Vendosi mbi të bukën e misrit të ngrohur pak në anë të zjarrit, djathin, ullinjtë dhe një kokërr qepë të shtypur. Shana i kishte dhënë një gjysmë buke dhe djathë, por Sofia nuk i preku ato. Do gdhihej dita tjetër.

Duke ngrënë ajo kishte hedhur shikimin në thellësi të zjarrit dhe mendimet iu ngatërruan me flakët. Ato tundeshin dhe asaj i dukej sikur i tundej koka. Mendimet ja rrëmbyen flakët dhe kaloi në marrje mëndsh. “Po nuk erdhi ai, si do bëj unë e zeza me tre fëmijë. Nuk kam asgjë. Me se do rrojnë fëmijët”. Po përtypej pa mënd. Për një çast iu hapën sytë aq shumë, saqë edhe zjarri u perhaps dhe i humbi ngjyrën. Diçka iu drodh para syve dhe humbi në një botë tjetër të çuditshme, sikur e rrëmbeu oxhaku dhe i ra buka nga goja. Duart iu drodhën dhe i ngelën bosh. “Mama!”, - foli Stela e trembur. Ajo u permënd dhe iu duk sikur u kthye nga ajo botë, ku notoi për disa çaste. I pa fëmijët e hutuar. “Po unë ç`bëj, po fëmijët!, - tha me vete dhe me gishtërinjtë fërkoi tëmthat. Ruajmë o Zot, mëndjen e kokës. Do të punoj argate nëpër shtëpitë e fshatit dhe do t’i rrit . Tani për fat ështe koha e ullinjve”. Këto fjalë i tha me zë dhe pa nga fëmijët që e shikonin të hutuar. Vajza në djep që zuri të qante, e solli përfundimisht në vete. “Mama, mos qaj, do të punoj edhe unë”, - i tha Stela dhe e përqafoi. E ëma u lotua duke parë vajzën shtatë vjeçare që u zotua se do të punojë edhe ajo.

Nuk kishin mbaruar së ngrëni, kur në derë u shfaq Çupua, kulishi i tyre. Nga mungesa e njerëzve ishte arratisur për të kërkuar ushqim, ku të gjente. Mesa duket i erdhi era njerëz, ndoshta pa pak dritë brënda dhe duke iu marrë këmbët u duk tek porta, me një ulërimë të mbytur, që nuk kuptohej në ishte hungërimë malli, dhimbje, apo urie. Qëndroi përballë portës së hapur, me të dyja këmbët e para të mbështetura tek pragu dhe po shikonte njerëzit e tij me ata sytë e zgurdulluar, por gjithë mall e shpresë. “Çupua! ” bërtiti Stela dhe vrapoi te dera. E ëma e ndoqi pas. U duk sikur një njeri i dashur u shfaq në pragun e derës në këtë kohë humbëtire. Ndodheshin në atë vetmi të madhe ku kishin mall të shikonin edhe një pulë të tyre. Këlyshi hunguroi kur ato iu afruan dhe i shikonte si një njeri që kërkon ndihmë. Stela u përkul dhe i kaloi dorën për ta perkëdhelur nga koka dhe e uli nëpër trup, por e ngriti e trembur. Iu duk sikur e kaloi dorën tek lesa e oborrit me thupra. Ajo ia shprehu të ëmës dhe asaj I rrodhën lotët e nxehta që nga brënda. Sofia i kishte të grumbulluara lotët në qeskat e syve. “U more kulish, më duhet të qaj edhe për ty? Do t`iu këput nga një copëz bukë edhe nga racioni juaj”. Copëzat që ia hodhi përpara këmbëve humbën çuditërisht sa të hapje e të mbykkje sytë. Copëzat u zhdukën në “shpellën e thatë”. “Jo është gjynah. Nuk duroj ta shikoj kështu deri nesër”. Dhe përsëri do të vraponte për tek gjitonet që ishin familje barinjsh. E ndiente sikur ndonjë fëmijë kishte uri. Ato që mblodhi ja zjeu në kusi duke i shtuar ujë dhe deri sa u ngop kulishi, nuk u ul të mbaronte bukën e saj të ngelur në mes.

Po hante dhe nuk e mbante dot të qarët, me një rrjedhë lotësh të pandërprerë të i pikonin mbi copën e bukës që e këpuste me dhëmbë. Ishte bërë e tëra helm. Zemra i ishte ngurosur si e mbështjellë me një qeskë akulli. Kur mendonte vetminë, ftohtësia i kalonte drejt e në tru, pastaj i rridhte në të gjithë trupin si ujë i ftohtë. Buzët e trasha i kishin plasur nga një nxehtësi sikleti që kishte kaluar dhe gjaku, që i

dilte kur këpuste bukën e kur përtypej me vështirësi, i ndryshonte shijen. Dhe kur përzihej edhe me lotët, sikur kaptonte bukë e helm.

 
 
 

Kommentare


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page