
LOJË ME DHJETË PASQYRA
tregim
Përgjigjem "Heiniken ose Korona” 1) e nuk di pse më shkrepi të numëroj shiritat e pasqyrave mbi murin përanash tavolinës. Shoh veten të dhjetëfishuar e më vjen të qesh kur të ngjashmit me mua thanë njëzëri:
-Edhe kikirikë të kripur brazili.
Kamarierja shkruan porosinë, unë vështroj kurmin e saj nga beli e poshtë. E veshur në mbathje të zeza, sandalet po të zeza, me taka të larta; lidhëset e sandaleve i gjarpërojnë pas pulpave.
“Edhe fytyrën e gjoksin i ka të bukura, mos e diskuto," - i them vetes, ndërkohë që dhjetë të ngjashmit me mua heqin kapelet, i vendosin në cep të tavolinave e shtrojnë flokët me gishta. Janë fytyrëkatrorë, lëkurënxirrë, si unë. Edhe ballet i kanë me gropa e me tegela plagësh. Pa dyshim janë Mirëmbajtës Oborresh. Hundët i kanë me samar, si timen, të shtrembëra si timen. Kërcet e hundëve i kanë thyer në sherret me grushta ose, kanë rënë nga kuajt, mbase nga aksidentet me motorçikleta e makina, ose, mendoj përfundimisht, kanë rënë kokëposhtë nga pemët, sepse janë Mirëmbajtës Oborresh.
“Jeni bërë pa qethur,” - dëshiroj t’u them e në çast kujtohem se sot është e dielë e berberanat amerikane të dielave janë të hapura gjer vonë. Ndërkohë që dhjetë të ngjashmit me mua zbulojnë veshët nga cullufet e përdredhura, mua m’u rizgjua dënkitja e dhëmbit të prishur. Shtyp me mollëzën e gishtit tregues rrënjën e dhëmbit, nën majën e hundës, por të njëjtën gjë bëjnë edhe të ngjashmit.
Dhëmbi i prishur më kujton Suzin.
“Oh, may God, 1) - kishte klithur Suzi pesë vjet të shkuara, në mëngjesin e asaj dite që më braktisi. - Shiko kur të më kesh ngjeshur infeksion me dhëmbin e fëlliqur,” - tha e mllefuar e flaku çarçafin mbi dysheme. E përfytyroj kur hyri rrëmbimthi në banjë, përveshi buzët, si luaneshë e egërsuar, e i fërkoi fort dhëmbët me furcë e kolinos. Pasi i shpëlau nga kolinosi, mbushi gojën me lëng gargare. Krahët e harkuara mbi kokë më lanë përshtypjen se Suzi atë ditë kërkonte ndihmën e shenjtëve protestantë që ata ta shpëtonin prej meje e nga infeksioni.
“Sa të fillojë sezoni i shirrave, do shkoj tek dentisti,” - i premtova që nga shtrati, ndërsa ajo kalonte lëngun e gargarës sa nga njëra anë e gojës në tjetrën, duke fryrë faqet si tullumbace. Asaj dite sytë gri i qenë bërë të mjegullt e unë e dija se kur Suzit i mjegulloheshin sytë, duhet të qëndroja larg; po ta prekja, të çirrte me thonj.
Kamarierja pastron me leckë tavolinën, të njëjtën gjë bëjnë edhe dhjetë kamerieret e tjera, të ngjashme me të nga beli e poshtë. Nuk di në janë bionde, por belin e vithet i kanë të ngjashme me Suzin. Suzi i ka flokë të verdha, si timet, por jo kaçurela. Që natën e parë, kur ajo fjeti në apartamentin tim, i pata premtuar, dhe e mbajta fjalën, në çdo katër muaj i dhuroja dyqind dollarë që ajo të dridhte flokët. Edhe atij mëngjesi, të asaj dite që ajo më braktisi, nuk m'u dhimbsën dyqind dollarë për në floktore.
“Kurmin po se po, - i thosha, - por edhe frymën e ke femërore," sepse, edhe në mëngjesin e fundit, fryma e saj guhaste lëkurën e gjoksit tim, në anën e zemrës, pikërisht ku ishte njëra nga kokat e tatuazhit të shqiponjës.
“Fli shpirt, fli, “ - i pata pëshpëritur dhe ajo kishte buzëqeshur në gjumë. Goja e hunda e Suzit kishin diçka të ngjashme me të luaneshës dhe asaj i pëlqente kur e quaja “luanesha ime.”
Mbaj mend se, ndërkohë që thëthija cigaren me marijuanë, e isha në pritje të dëgjoja të më thoshte “ma jep ta thëthij,” befas, Suzi çakërriti sytë, e këmba, që më pati shaluar, flaku çarçafin mbi dysheme. Sytë tona ishin takuar, për herë të fundit, në pasqyrën e banjës, por edhe atë çast, fytyra e saj më shembëlleu vërtet me fytyrën e luaneshës së zemëruar. Pikërisht atëherë, ajo shtyu fort me thembrën e këmbës kënatën e derës së banjës dhe mua më mbiu në sy imazhi i fundit i siluetës së saj. Dëgjova derdhjen e lëngut të gargarës në lavaman e kërcitjen e shulit që mbyllte derën nga brenda.
Sajoj përfytyrimin sikur dhjetë të ngjashmit me mua trokasin e i luten që ajo të hapë derën:
“Jemi për në punë. Duhet të lahemi e rruhemi,” - por Suzi përgjigjet me zë ledhatar e fallc:
“Mbajeni nepsin ngrehur gjersa të ktheheni nga puna.”
Shoh të ngjashmit me mua kur u japin shpatullave lart, përveshin mëngët e bluzave, ngjeshin brylat mbi tavolina e më mburren me muskujt e krahëve. I përfytyroj, të dhjetë, duke larë fytyrën me ujin e çesmës në kuzhinë, fshihen me peceta letre dhe pastaj shkulin nga kuletat secili nga dyqind dollarë e i lëshojnë mbi komodinën në anën e djathtë të shtratit.
“Ika, shpirt, - e kisha ngritur zërin, njëlloj thanë e dhjetë të ngjashmit me mua e, para se të tërhiqja kënatën, thirrëm në kor:
“Luaneshën sonte do ta shohim kaçurelse!”
Që kur nxorra makinën nga parkingu e tërë ditën më torturuan dyshimet se Suzi i ngjiste të ëmës dhe i qe rizgjuar instinkti i tradhëtisë bashkëshortore. Nuk pata durim të nxirrja degët e pemëve e të shkureve në anë të rrugës. Pa shkuar ende ora dy vendosa veglat në karrocerinë e makinës. Mora e gjobë nga policia rrugore, për shpejtësi, dhe mbrrita në San Petërsburg 1) kur dielli ishte gati në të perënduar.
Shoh se dhjetë të ngashmit me mua janë përlotur dhe më vjen keq për ta. Megjithatë, i vë të kapërcejnë shkallinat, dy e nga dy, e i step të habitur kur derën e apartamentit e gjejnë të hapur.
“Suzi, ku je fshehur, kaçurelësja jonë?”
Njëzet e dy sy pikojnë mbi shtratin e shkalafitur, pastaj rrokullisen mbi dysheme, e pastaj mbërrthen në dollapin ku Suzi vendoste rrobat e saj.
As varëset e rrobave nuk ishin aty.
Commentaires