top of page

LLESH NDOJ: “Qeliza kanceroze” socialistenë “trupin” kapitalist (demokratik) të vendit tone.



        

         Qelizat kanceroze, për ata që nuk i njohin konceptet biologjike - mjekësore, janë qeliza “të dala nga programi” gjenetik, të cilat shumëzohen në mënyrë të pandalshme, duke e bërë me madhësi jashtë përmasave normale organin në të cilin shfaqen e nxjerrë gradualisht atë jashtë funksionit. Jo rrallë, të shfaqura në organe jetike, qeliza të tilla bëjnë që të pushojnë funksionet jetësore të tyre, si pasojë edhe të të gjithë organizmit, duke sjellë vdekjen e tij.

Edhe shoqëria njerëzore është një “qënie e gjallë” që funksionon përmes organeve e sistemeve të organeve të saj, përfaqësuese apo të emëruara, përmes ligjeve e rregullave të saj, administratës, gjyqësorit, arsimit, shëndetësisë, policisë, mbrojtjes etj. Në se në një nga këto organe shfaqen “qelizat kanceroze” dhe nuk merren masa që ato të zbulohen në kohë e të luftohen në mënyrë efikase, organi e funksionet e tij rrezikohen, duke rrezikuar seriozisht jetesën e shëndetshme të krejt organizmit. Modestisht e shkurtimisht dua të përmend disa nga ato “qeliza kancerose” që në vendin tonë janë transmetuar (trashëguar) nga sistemi i mëparshëm, ai socialist, dhe që kanë gjetur terren të përshtatshëm e po zhvillohen me ritme të shpejta në sistemin kapitalist (demokratik) ku kemi mbi tridhjetë vite që zhurmojmë në luftën kundër tyre, por punë e rezultate ka pak. E keqja qëndron në faktin se ato “qeliza” nuk guxohet të “diagnostikohen” qartë e prerë dhe për më keq, edhe kur njihen si të tilla, me dashje, lihen “të lira” prej atyre që kanë detyrë t’i luftojnë, duke rrezikuar gjithë shoqërinë.

Si çdo qytetar, për më tepër një qytetar që pretendon ta fusë veten në klasën e atyre që quhen intelekrualë, edhe unë e ndjek me shqetësim situatën e vendit dhe me fjalën time, të vetmin mjet që kam në dispozicion, të kontriboj që këto “qeliza kanceroze” t’a kenë jetën sa më të shkurtër. Skandali i përmasave të mëdha që doli në sipërfaqe këto ditë lidhur me një nga spitalet tona të QSUT-s, atë Onkologjik, ku nga mbrojtës të jetës, mjekë e personel drejtues e ndihmës, shëndrrohen në “vrasës” të shëndetit të njerëzve, natyrisht që më ka shqetësuar, por ai nuk është i vetmi rast, dhe as një rast i shkëputur. Liria e zhvillimit të këtyre “qelizave kanceroze” është sistemike, ndaj edhe duhet të reagojmë të gjithë në mënyrën e formën e duhur për t’i thënë: Ndal e mjaft! kësaj situate.

1. Në sistemin e kaluar gjithshka i përkiste shtetit dhe ne, njerëzit që trajtoheshim si numra rreshtorë, ishim të xhveshur nga çdo e drejtë pronësie. E drejta e pronësisë, duam apo nuk duam ne, është një nga të drejtat bazë, e cila lejon zhvillimin normal ose kufizon edhe mundësinë e gëzimit të të gjitha të drejtave që duhet të gëzojë një njeri i lirë. Kalimi në sistemin e ri, kapitalist (të quajturit e tij demokratik, që për hir të së vertetës, është më shumë një maskë zbukuruese se realitet!) u shoqërua me mosndryshimin e konceptit ndaj pronës e pronësisë:

- Prona shtetërore, e vënë me mundin e djersën e gjithë shoqërisë, u shpërnda në mënyrë të parregullt, u rrëmbye nga pushtetarët dhe të fortit, të cilët fjetën si socialist dhe u zgjuan si kapitalistë. Ky ishte deformimi i parë, kanceri i parë i shfaqur pamëshirshëm në shoqërinë e pretenduar si demokratike, pasojat e të cilit janë sistemike dhe rrezikojnë krejt ngrehinën e këtij organizmi. “Kapitalistët” e rinj të rënë si me katapultë, nuk njohin e zbatojnë asnjë rregull në përdorimin e zhvillimin e kapitaleve të veta. Me to blejnë lirë fuqinë punëtore, blejnë shtrenjtë pushtetin, shtypin pamëshirshëm gjithshka u del përpara, nuk paguajnë as dogana, as taksa e nuk guxon kush tu thotë: Ndal! Më thoni se është ndryshe (me disa përjashtime, për të cilët ruaj respektin maksimal!) dhe unë dorëzohem. Këta tipa kapitalistësh “hyjnë kudo” se nuk kanë asgjë me djersën e tyre. E morën kapitalin nga djersa e të gjithëve, e rritën me djersën e punëtorëve të tyre të poshtëruar e të keqpaguar, e shtojnë duke fshehur doganat e tatimet. E vetmja gjë ku nuk e kursejnë është blerja e pushtetit, sepse që në origjinën e tyre të kapitalit, pushtetin njohin si burim të tij, jo djersën….

- Ligji famëkeq 7501 që ruajti të paprekur pronësinë socialiste mbi tokën, është një tjetër kancer i identifikuar, i transmetuar dhe trashëguar nga e kaluara socialiste. Sikur të mos mjaftonin tokat e parcelizuara në mijëra copa, tokat e lena djerrë e tokat e askujt që njohën pronarë të veshur me pushtet e armë vrastare, janë me dhjetëra jetë të dëmtuara nga konfliktet, është një ekonomi jo konkuruese në treg, janë miliona lek të hedhura dëm nga njerëzit e ndershëm thjesht e vetëm për këtë shkak. Ky “kancer” po godet ashpër edhe trendin e ri të zhvillimit ekonomik, turizmin. Nuk mund të ketë turizëm të zhvilluar pa ekonomi bujqësore të zhvilluar e prodhim vendas cilësorë e konkurues në çmime. Të dhemb shpirti kur i sheh tokat djerr e pyjet e kullotat bosh, kur sheh në treg 12 muaj prodhime të huaja, kur prodhimet vendase prodhohen e destinohen të kalben pa u shijuar nga konsumatori, as pa marrë prodhuesi mundin e vet, sepse mes tij, prodhuesit, e konsumatorit, nuk ekziston shteti që t’a kontrollojë tregtinë, ta mbrojë prodhimin vendas nga konkurenca e pandershme dhe t’a mbrojë konsumatorin e prodhuesin nga abuzuesit e pamëshirshëm në treg.

2. Sistemi i kaluar pretendonte të ishte i vetmi sistem pa taksa e tatime, gjë që ishte lehtësisht e kuptueshme se ishte një fiasko demagogjike e ideologjike, pasi ai i vilte taksat, por në mënyrë të tërthortë, ndërsa sistemi aktual, në emër të të qënit social, përdor politika taksimi ekstremisht të padrejta e jo zhvilluese. Nuk është e vështirë ta konstatosh këtë në çdo aspekt e jo vetëm në qeverisjen aktuale, por rastet e mëposhtme janë dukshëm të kapshme:

- Socializmi shquhej për kufinj të fortë. Asgjë nuk mund të hynte e dilte nga kufiri pa lejen e tij. Kështu vazhdon edhe 30 vite e më shumë që teorikisht jemi në kapitalizëm. Doganat mbeten burimi kryesor i të ardhurave të shtetit, duke qënë edhe burimi kryesor i korruptimit të tij. Një shtet i organizuar vjel të ardhura aty ku ato krijohen e në proporcion me sasinë që krijohen, ndërsa shteti ynë “i kap” në doganë aq sa don të kapë për vete, majm njerëzit e tij përmes korruptimit dhe taton “qorrazi” brenda vendit, aty ku e ka më të lehtë t’i vjelë paratë, kryesisht tek të ardhurat që sigurohen nga puna (borderotë), duke zhytur të ndershmit e lejuar të lulëzojë pandershmëria.

- Pse duhet të ketë biznese, të vogla e të mëdha, pa tatim? Ç’kuptim ka kjo, kur një punonjës shteti ose në sektorin privat e taton mbi të ardhurat nga puna prej 20, 30 apo 40 mijë lekësh, aktualisht edhe me shkallë tatimore që e kalojnë masën 40% (mbi 23% tatim mbi të ardhurat plus sigurimet shoqërore e shëndetësore)? Cili është ai person që mban në këmbë një biznes të tillë me fitime më pak se paga minimale e të punësuarit? Në vend që tatohen të gjithë e shteti të kompensoje ata që rezultojnë në rrezik falimentimi, siç janë aktualisht fasoneritë apo ndonjë tjetër, gjen rrugën më të lehtë që të përjashtoje nga tatimi kë të doje e të rjepë kë të doje, duke u sjellë praktikisht si një pronar i madh e i pamëshirshëm.

- E njejta gjë duhet thënë edhe për tvsh. TVSH - ja është taksë që paguhet nga konsumatori ose blerësi fundor. Pse të përjashtohen kategori biznesesh nga kjo taksë, kur ata e shesin mallin apo shërbimin bashkë me këtë e më shumë se kaq tek konsumatori dhe s’ia paguajnë shtetit, në vend që të përjashtohen (në se gjykohet) produkte apo shërbime jetike, pavarësisht se kush i ofron ato, e të kontrollohen me mekanzima ekonomikë çmimet e tyre?

- Po transparenca ku është? Në shtetin e mëparshëm ai mburrej se ka investuar e ka bërë këtë e atë punë të madhe, por ai nuk e ndjente nevojën e transparencës sepse e konsideronte (dhe ishte realisht) pronari i gjithshkaje në vend. Po tani? Pse vazhdon e njejta gjë me mburrje e pa asnjë transparencë për qytetarët? Edhe sot në ditët tona, mburren shtetarët se bëmë këtë e bëmë atë, në vend që të dalin e të thonë: Kemi caktuar kaq taksa, bazuar në këtë e atë përllogaritje, kemi mbledhur prej tyre kaq të ardhura, të cilat janë tuajat e po ua rikthejmë ato në formën e investimeve që i kemi adresuar, këtu apo atje, për këto arësye… Unë bëj pjesë në ata që dua të paguaj ç’i takon shtetit, sipas parimit të Jezusit: - Jepi Cezarit, ç’i takon Cezarit!, por…. Pse paguaj? Pse paguaj kaq shumë edhe për të ardhura që s’i vjel, vetëm se ky shtet na ka detyruar t’i regjistrojmë në border si të ardhura, e nuk paguaj vetëm për ato që marr realisht? Pse nuk di sa duhet t’i paguaj bashkisë, fjala vjen, dhe pse, por ajo mundohet “të më zërë pritë” në se i kërkoj ndonjë document, apo larg qoftë, leje varrimi, duke më treguar taksat e tarifat e pa paguara? Ja! Edhe kjo vërteton praninë e qelizave kanceroze socialiste në trupin kapitalist, lejuar të zhvillohen lirshëm e me dashje nga shteti ynë!

- Po bëhet zhurmë e madhe aktualisht sidomos, mbi pagën mesatare. Mesatarja, kjo qelizë kanceroze e ardhur nga sistemi i kaluar, po përdoret si maskë për të mbuluar sëmundjen e vërtetë e varfërinë. 900 mijë lekë paga mesatare është edhe kur dy persona marrin secili nga 900 mijë lekë (të vjetra!), por edhe kur njëri merr 1800 mijë e tjetri nuk ka asnjë, por gjendja reale s’është e njejta! Njëri ka të ardhura për të bërë pushime në Maldive, e ky është ose pushtetar, ose trafikant e kriminel, rrallë njeri i ndershëm, e tjetri nuk ka as bukë për fëmijët! Pagat reale janë ku e ku më pak se pagat nominale, pasi inflacioni gërryen çdo ditë dhe u pamundëson njerëzve të ruajn e rritin mirëqënien e tyre.

- Gjendja e pensioneve është edhe qesharake edhe dramatike, njëkohësisht. Si të mos mjaftoje grabitja që ligjvënës, pushtetarë të të gjitha niveleve, gjyqtarë e prokurorë na bëjnë me paftësi e korrupsion gjatë kohës që janë aktiv, grabitja vazhdon gjithë jetën me pensionet e larta që i kanë rezervuar vetes, ndërkohë që ka akoma pensionistë që duhet “të vdesin përditë ngapak” me 100 mijë lek të vjetra pension. Në socializëm, kooperativisti merrte 30 lek pension se “ishte pronarë”, ndonëse robtohej si askush në bujqësi, ndërsa punëtorët e shtetit 100 - 150 fishin e tyre. A s’jemi po aty veçse me maska demokratiko - kapitaliste?

3. Cili është modeli i shtetit që kemi zgjedhur? Në sistemin socialist shteti merrte përsipër gjithshka e ishte pronari real edhe i jetëve tona. Në kapitalizëm (demokraci) shteti heq dorë nga ushtrimi i disa funksioneve e luan rol rregullator, por edhe këtu njihen dy lloje qeverisjesh: ato liberale, që përdorin mekanzimat shtetërore për të ndërhyrë në ekulibrat e zhvillimeve ekonomike, dhe ato ndërhyrëse, që ndikojnë përmes mekanizmave të tregut, krahas të tjerave, për të realizuar objektivat zhvillimore. Askush nuk e di cili është modeli ynë i qeverisjes. Në pamje të parë, shteti ka hequr dorë nga gjithshka, në realitet të bën gropën për të gjitha, me mekanizma korruptive e jodemokratike.

- Meqë është në “rendin e ditës”, po flas për shëndetësinë. Shteti ka mbajtur mbi vete gjithë barrën e ofrimit të këtij shërbimi, bile pretendon se ky sherbim është falas. Kjo falas është edhe e gënjeshtërt, si në socializëm, pasi ne paguajmë për kujdesin shëndetësor, por edhe burimi i korrupsionit sistemik nga i cili vuan i gjithë sistemi. Duke mos patur mundësi reale t’i financojë disa shërbime që janë me frekuencë të ultë e me kosto të lartë, por duke ruajtur monopolin shtetëror mbi to, i ka hapur rrugë korrupsionit real e sistemik. Mjeku i spitalit shtetëror është edhe mjek i disa klinikave private, madje për ironi të fatit, ka edhe klinikën e tij dhe e drejton pacientin drejt pagesave korruptive, mundësisht edhe duke e falenderuar. Fakt është se në shtet gjenden të gjithë specialistët e shëndetit, shumica edhe mjaft të përgatitur profesionalisht, por këta lejohen lirshëm të abuzojnë me paaftesinë e shtetit për ti ofruar shërbimet, ose për të hequr dorë nga disa prej tyre, për të cilat nuk ia vlen të investosh në shtet, apo të mbash personel e paisje të niveleve të larta, por që fatmirësisht të sëmurët kanë frekuencë të ulët. Këto sherbime mund t’i kalojnë privatit e pacientët duhet të rimbursohen nga sigurimi i kujdesit shëndetësorë. Kostot për t’a mbajtur në shtet janë tepër të larta, kostot për pacientët janë të papërballueshme, shto këtu korrupsionin nga mjekët dhe mungesën e medikamenteve, që është veprim skandaloz! A nuk i ka hap udhë vetë shteti këtij kanceri brenda sistemit shëndetësor? A mos ndoshta vetë sistemi ka nevojë të rishikohet? A mos ndoshta mjekëve të shtetit u duhen dhënë paga e kushte pune më të mira që të mos lejohen të kenë dy e tre punësim edhe në privat e për më tepër të kenë klinikat e tyre për sëmundjet e shërbimet që mbulojnë në shtet? A mos ka kosto më të ulët lidhja e kontratave me spitale edhe jashtë vendit për këto shërbime të kushtueshme, e fatmirësisht jo aq frekuente sa të mbajmë në këmbë një sistem të tillë korruptiv? Bëj pjesë në ata persona që e nderojnë mjekun. Ishte ëndërra ime të bëhesha mjek dikurë, por sistemi i kaluar s’më lejoi. Megjithatë kjo s’më ndalon të them se ka shumë korrupsion tek mjekët. Edhe 10 milion t’ua bësh pagën, ata që e kanë “qelizën kanceroze” të korrupsionit nuk heqin dorë prej tij, gjë që të bën të drejtosh gishtin tek sistemi… Kështu e mos më keq është sistemi gjyqsorë, ndonëse bëj pjesë në ata që besoj, se në këtë sistem diçka po lëviz edhe pse me rezultate akoma jo të dukshme e të ndjeshme.

4. E njejta situatë, shpesh edhe më alarmante, shfaqet në administratën e shtetit. Si dikur e shumë më keq në mjaft sektorë, ajo shfaqet e paaftë, mendjemadhe, megallomane dhe e korruptuar, nisur nga koncepti se ata “janë të parët” e ne “shërbëtorët e tyre”, në vend që t’a konsiderojnë veten shërbëtorë të shoqërisë e cila i paguan nga taksat e veta. Është skandaloze që edhe sot e kësaj dite, besnikëria partiake, servilizmi e korruptimi (të bërit vegël e transferimit të të ardhurave të pa ligjshme) janë kriteret mbi të cilat ajo zgjidhet. Këtë shfaqje kanceroze e manifestojnë edhe të zgjedhurit, jo vetëm të emëruarit, për shkak se sistemi zgjedhor është i tillë që i bën ata “të kenë detyrime” vetëm ndaj shefave partiakë apo shtetëror e jo ndaj zgjedhësve.

Mund të rrjeshtoja sa të duash fakte të tilla, “qeliza kanceroze” të bartura me dashje nga e kaluara, të cilat po zgjasin në pafundësi tranzicionin tonë përmbi 30 vjeçarë, që janë burimi jo vetëm i deformimit ekonomik, por edhe i kriminalitetit të shtuar, e për më tepër po rrezikojnë fort të sotmen e të ardhmen e shoqërisë sonë. Këto “qeliza kanceroze” e kanë shpopulluar e po e shpopullojnë me ritme të larta atdheun tone të dashur, Shqipërinë.

Më ngjet e gjithë kjo situate me shprehjen e ish - udhëheqësit kominist Alia, ”…shkelim në rrugë të pashkelura”, kur bota prej shekujsh këto rrugë i ka bërë autostrada të kategorisë A…

Se ç’më ra ndërmend një shprehje popullore. Kur e pyetën një vajzë pas martesës se ku ndjehej më mirë, tek nana a tek burri, ajo u përgjigj:

- T’kisha kryet tek nana e … tek burri, do t’ishte më mirë!

48 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page