
-“Lisi i vetëm në fushë” në memorien time[1]
Më shumë se një opinion, ky shkrim është një përballje mes asaj që është evidente dhe asaj që autori Rexhep Shahu kërkon të shprehë, nëpërmjet sentimentalizmit të tij poetik dhe ligjërimit intensivisht të pikturuar me talent, ku spikatin ngjyrime dhe mendime shpesh alegorike, thellësisht të brendshme e me karakter pragmatik, që e bëjnë lexuesin të afërt e me shumë interes drejt vëllimin poetik të tij, “Lisi i vetëm në fushë”.
Hulumtimi i këtij shkrimi, fillon qysh me titullin, që për mua është psiko-analitik, ku autori ndodhet nën trysnin e një panoramë dhe përfytyrimesh të një realiteti të padëshirueshëm, të cilin e jeton nën ngjyrat e errëta, shprehje e vështirësive dhe problematikave të kohës. Të gjitha këto ndërlidhen midis vetes dhe botës sociale dhe ekonomike, e ndërlikohen me jetën, në të cilën vetë autori jeton. Vetë “LISI” është personazhi kryesor i vëllimit poetik, një personazh madhështor me integritet poetik, edhe pse i “vetëm”, përbenë një “personazh simbol”, që shpreh shumë.
Në fushën e jetës mes dhimbjeve, halleve, dilemave, rrethuar nga ngjyrat e errëta, ku “grija dhe e zeza” simbolizojnë fatalitetin e pamëshirshëm të kohës moderne, ku ende dëgjon gjithçka që sheh dhe ato që kurrsesi s’duhen parë... dhe ku “fati i autorit dhe fati i poezisë së tij, janë gjëra të ndryshme në jetë”. Vetë autori shprehet dhimbshëm: “Ëndrrat e mija lindin, por nga ngricat ato s’rrojnë gjatë.”[2] Një fatalitet i kohës, një fatalizëm, që aspak çuditshëm na shoqëron shpesh në udhëkryqet tona...
Ndërtesa poetike e këtij vëllimit e gjen lartësimin me strukturën e elementëve gjuhësorë dhe estetik, tek mjetet shprehëse artistike, të motivuara nga figurshmëria dhe elemente gjuhësore morfologjike, duke brendashkruar metaforikisht gjithë linjën e mendimit dhe të botëkuptimit të autorit, dhe shpalos bukur ato vlera poetike, të cilat vetë autori i kërkon nëpërmjet fjalës dhe kontekstit të poezive të tij. Gjithë filozofia e tij krijuese, është një spirale jete, dhimbjesh, të kundërtash, groteske, një realitet shoqëror që duhet të ndryshoj...!
Më humbi vetja...
Më humbi vetja, dheu i zi e përpiu/det’ i pangimë, ëndrra të pangime/në hijen time vetja u mbyt./S’lash vend që e reh dielli pa e lyp/as hije e skuta të errëta të botës e të vetes/pa hy s’lashë..../s’lash dyshim timin pa e pyetur për veten time/thërras sot pa zë me piskamë në breg të detit.[3]
Vetëm kaq pak vargje, do të mjaftonin të ballafaqoheshim me gjithë fillin filozofik të poetikës së tij, në raport me realitetin e hidhur e dëshpërues, në udhën e gjatë e të mundimshme, ku autori “lyp diell”...në hapësirë dhe në kohë, ku autori zhbiron “as hije e skuta të errëta të botës e të vetes/pa hy s’lashë...”, ku revolta shpërthen me zë të mbytur e thërmues“thërras sot pa zë me piskamë”... Një dukuri e tillë e përshkon tërë poezinë e poetit Rexhep Shahu, por jo vetëm në atdheun e tij, por edhe përtej vet-vetes...
Qielli dimëror
Qielli dimëror lotonte në Paris/Grija bëhej më gri....
Këtu gjithçka është gri/dhe ëndrra më bëhet e hirtë/Ti atje buzë detit të largët/Sheh rërën që lahet...../Këtu qielli loton shi/Ti lahesh me diell në atë anë/Nata parisiene më përpin/Në tingujt e bardhë.[4]
Përgjatë leximit tekstor të poezive në vëllimin poetik të R.Shahut përballemi me të menduarin kritik të gjërave e ngjarjeve mes “lojës” së mrekullueshme artistike, të vargëzimit me rimë të pamunguar dhe ritmin ledhatues të vargut, që nëpërmjet nje kontrasti poetik “...atje buzë detit të largët/sheh rërën që lahet...../Këtu qielli loton shi/, i jep atij elasticitetin estetik, me ngjyra dhe efekte, ku dallohet qartë..., mbizotëron nocioni i ngjyrave të “errëta”, duke na i dyzuar dhe limosur me merak mesazhet që poeti përcjell në tërë imazhin e tij poetik. Këtë dyzim e gjejmë thjeshtë edhe duke përmendur: “Grija bëhej më gri...” kontrastet brenda metaforës duken se flasin vete, mendimi rrjedh harmonikisht edhe mes ngjyrash: “gjithçka është gri.../ më bëhet e hirtë.../ tingujt e bardhë...etj.”
Në poezinë “Nata ka ra”dhe në poezinë “Ky qiell”poetikisht pasqyrohet terri grotesk, “gri-e zi”: “Nata ka ra/ e terri i saj n’dritare rri ulë/ngeshëm sheh/e më teron sytë..../Po s’erdhe me djegë natën e zezë,/mos mungo nesër n’kortezhin tim/ me hije njerëzish”.[5]
Siç e ceka edhe më lart, poeti të ngazëllen me ngjyrimet dhe efektet e shumta që përdor në poezitë e tij. Ato janë interesante, të motivuara dhe ngërthehen në vetvete. Bie në sy mënyra e të rrëfyerit të poezisë në raport mes kohës dhe vdekjes, të shtjelluara këto poetikisht brenda botës së pasur shpirtërore e artistike të autorit. Semantika e kontekstit të befason me atë ç’ka autori tregon...ai tregon bukur, pa droje, është i hapur në mesazhin e tij kur kërkon një realitet ndryshe pa “natë që rri ulur në dritare”; pa njerëz”hije”; pa natë “të zezë”, pavarësisht realitetit që e sheh me këto ngjyra fatale, pavarësisht se nuk e mohon vdekjen kur përmend “kortezhin” e tij.
“Thua nuk e djeg dot ti varrin/ku ma kanë mbyllë zërin/të mundem të flas dhe njëherë,/veç të them të dua.”poezia “Ka do ditë”.[6]
Tematika e poezive të autorit ka një mori motivimesh, që rrjedhin nga hapësira e këndvështrimit të tij si në gjetjen e fabulës, ashtu dhe në të “fshehtat” erotike ku spikat bukurisht lirizmi i dashurisë deri në sublimitet..., këndvështrimet janë të shumta, pasqyrimi i tyre vjen si rezultat i metaforave të përdorura me zgjuarsi artistike kur ai përzgjedh fjalën e duhur: “ma kanë mbyllë zërin” etj., dhe si një sprovë mes dashurisë (jetës) dhe vdekjes(varri) poezia vjen me dëshirën për ta jetuar atë dashuri: “të mundem të flas dhe njëherë...” duke përcjellë aromë-jete, aromë-drite, aromë-optimizmi për t’i treguar lexuesit se pas dhimbjes ka edhe dritë, ka edhe shpresë, ka edhe jetë. Pra nuk ka vetëm fatalitet për të treguar dhimbjen, (ku tregohet realist), por edhe shpresë në sytë e tij për të ardhmen, ai ndjehet edhe optimist...
Vargjet e mia
Vargjet e mia janë këngët tuaja të lumtura,/ëndrrat që s’i mban mend,/dhimbja ime e ëmbël,/që s’pati fat ta ndjeni...[7]
Duke lexuar vëllimin poetik të autorit Rexhep Shehu spikatin jo vetëm metaforat, por gjejmë së tepërmi edhe krahasime, antiteza, personifikime etj., të ndërtuara e të përzgjedhura për nga leksiku i pasur e kuptimi i brendshëm i figurshëm, që e bëjnë lexuesin të mendojë e reflektojë, duke e krahasuar atë çka lexon me vetveten e tij. Metaforizmi i gjendur dendurisht në poezitë e këtij vëllimit poetik, e vizaton mjedisin me efekte dhe detaje të veçanta për nga përdorimi “Vargjet e mia janë këngët tuaja të lumtura”; “ti theva tjegullat e shtëpisë me gurë inati”; vdekja mbledh plaçkat dhe niset për udhë” e tj.,, por më tepër ndihet shpirti, ai ka skalitur vargjet që të jenë të ndjera dhe kaq prekëse. Gjendja shpirtërore e autorit të lë mbresa përgjatë gjithë leximit të poezive, ajo është unike, e papërsëritshme.
“Vetëtimat dhe rrufet e zemëruara/egërsisht vizatojnë potretin tim në flakë.-E kam marr prej dore veten/Pronarët e qiellit janë harbut.-E pikturon dot heshtjen ti/heshtjen time që pikon pelinë.-Fol se ti theva dritaret e botës/ti theva tjegullat e shtëpisë me gurë inati.-Hënën duhesh ta ndjekësh netëve/Të lexosh dritën e saj me fëmijë në prehër,-Re shterpa/sillen kot mbi kokën time/shaluar mbi kuajt e mungesës,-Dimri iku/vdekja mbledh plaçkat dhe niset për udhë.”
Një tipar gjuhësor dhe estetik përbën fakti se, në poezinë ritmike e me rimë rreh më së miri edhe theksi i ngulitur nëpër vargje, gjë që i jep muzikalitetin e duhur vargut. Të gjitha vargjet mbarojnë me nyje të forta...a,e,i, o,,y dhe ë, për shembull: “për luftë/pa radhë/se ku/e çmendur/s’fitohet gjë/e zalle/pa zë. E përpiu/të pangime/ po e po/për veten time/...ta ndjekësh netëve etj.
Njësia frazelogjike si njësi sintagmatike e qëndrueshme dhe e leksikalizuar me një semantikë të kuruar e me kontekst shpesh të nënkuptuar është çerdhe a vatër e shumë kuptimeve si në gjerësi dhe në thellësi për lexues të ndryshëm dhe këto ndërtime të fuqishme artistike në poezi sjellin një fryme të re, atë moderne të lidhur ngushtë me lirizmin shpirtëror, të jetuar e të provuar si provë sublime jetësore...
Më Humbi Vetja[8]
Më humbi vetja
Më humbi vetja, dheu i zi e përpiu
det’ i pangimë, ëndrra të pangime
në hijen time vetja u mbyt.
S’lash vend që e rreh dielli pa e lyp
as hije e skuta të errëta të botës e të vetes
pa hy s’lash...
I kreha retë me gishta edhe ëndrrat po e po
yll pa pyetur s’lash në qiejt e pafund,
s’lash dyshim timin pa e pyetur për veten time
thërras sot pa zë me piskamë në breg të detit
thërras kot veten, brenda vetes thërras,
çfarë humbtë mos u getët kurrë, mërmërin deti a
thërret dikush zëngjirur brenda meje,
e unë s’e shoh kush thërret,
deti u step më keq se unë i shtangtë.
Poezi karakteristike me njësi frazeologjike të motivuara me metaforë me bazë foljore dhe emërore: “Më humbi vetja; vetja u mbyt; dheu i zi e përpiu; s’lash vend që e rreh dielli pa e lyp; I kreha retë; mërmërin deti; brenda vetes thërras e tj.”. Por mbi të gjitha një e folur brilante për të sjellë artistikisht mesazhin, atë që një autor kërkon ta adresojë tek lexuesi, si një komunikim mes asaj që ai e ka përbrenda dhe lexuesit që di të bëjë diferencën e të vlerësojë me metrin e tij.
“Atë Lis e do qielli i kaltër, në hijen e atij Lisi shtyjnë jetën burra e gra prej hijesh e kuaj të zi nisur për luftë, turfullojnë e rendin radhë e pa radhë. Në atë fushë më humbi vetja, me hijen time vetja u mbyt.
Rrufeja ra, Lisi shkrumb u dogj, tre fole mbetën pa fole. Tash sa kohë shoh veten e në Lis, mu në mes të fushës, gjysëm i plakur e gjysëm i kalbur, që shoh dhe ato që nuk duhen parë.”
Si përmbyllje:
Autorit Rexhep Shahu, me vëllimin poetik të tij, “Lisi i vetëm në fushë”, sjell tek lexuesi ynë një poezi me një stil shumë të përafruar me stilin e jetës së tij, me botën shpirtërore dhe karakterin e tij krijues. Ai përcjell mrekullisht imazhe fantastike mbi çka ai e përfytyron sot jetën . Ngjyrimet dhe figurativizmi i përdorur, prekim dhimbshëm tërësinë e poezisë dhe e sjellin atë simbolikisht, të veçantë në llojin e vet. Krahëgjerë është dhimbja e tij... lufton me të dhe perëndon vuajtja e tij në truallin ku jeton. Poeti “përplaset në xhamin e dritares së jetës, (zëri i tij)është “këngë nate; zog; flutur; lakuriq i trishtuar e tj.”, por nuk mposhtet...krahasimi i nënkuptuar me “Lisin” e bënë atë, një poet që lufton t’i rezistojë kësaj dhimbjeje: “...Atë Lis e do qielli i kaltër...”!
[1] Në proces botimi në revistën letrare “ILLZ”, Tiranë. [2] Hera herës ndihet një lloj fataliteti që e bënë autorin më sentimental në raport me shoqërinë ku ai është pjese e saj. E parë si koncept socolinguistik brenda konceptit tradicional të një gjuhe sociale që e sheh gjuhën dhe shoqërinë nga këndvështrimi i strukturave të ndërsjella si edhe nga pozitat etnolinguistike, që janë diskutuar e studiuar që nga Humboldt-i, Sapir-Whorf-i që merr në analizë raportin midis mendimit, shoqërisë e gjuhës... Filozofi e gjuhës, Sh. Rrokaj, Tiranë, 2010. [3]Rexhep Shahu, Vëllimi poetik “Lisi i vetëm në fushë”, f,11. [4] Po aty…f.19. [5] Po aty…f.41. [6] Po aty…f.52. [7] Po aty…f.78. [8] Po aty…f.11.
Comments