
LIRIKAT E KORÇES
(Cikël nga Moda e Varfërisë )
Konstandin Dhamo
VJESHTE
Ja, dhe mështeknat që frushullojnë,
Tek hyjmë në Korçën e vjeshtëzuar.
Si shkunden gjethet e feksin ar,
Trishtimin romantik duke na zgjuar…
Vitet kan’ shkuar, më kot bares
Në bulevard të gjej dikë q’e njoh.
Por dale, ka edhe rrugica me kalldrëm,
Dritare ka pas luleve n’oborr…
Por ka dhe kafene në shëtitore
Ku, si kujtim një gjethe bie mbi tryezë.
Korçarja e bukur paskësh ikur larg,
N’istagram veç, foto nuk harron të hedhë…
Ndanë pishinash mbi shezlong pozon;
Bikini i saj përndez një kitarë
Ç’e pandeh Parisin, Londrën ç’e pandeh ?
Miqtë e tu të presin me një serenadë…
Vjeshta ka praruar Korçën tej e tej;
Psherëtijn’ mështeknat, kushedi se çfarë…
Pa shih, si u zbardhin drurët edhe degët !
Ah, pritet të shtrojë dëbora e parë…
2010
LENDINA E LOTEVE
Lëndina e Lotëve tashmë
Një shatërvan të lartë ka në mes.
Ditë e natë
Lot që s’thahen ai derdh
Gjithë vezullime të prera argjendi,
Si dekoreve funebre…
Iknin mërgimtarët menatë,
Iknin iknin …
Gjysmë zemre me vete
Gjysmën tjetër në Korçë !
Eh, zemra thyer dysh,
Si edhe buka kur thyhet
S’u ngjitkësh sërish !
Iknin mërgimtarët menatë,
S’prisnin të ndriste
E t’u shfaqej Korça;
Dielli
Do t’i kthente mbrapsht !
Shkrehet shkrehet e s’resht
Ky obelisk lotësh !
1992
DEBORE
Pas kangjellash, te kopshtet plot dëborë
Trumba – trumba ulen zogjtë dimërorë.
Eci dhe dëshirë kam të shëtis,
Le të bjerë borë, ngado le të ndrisë.
Kështu e njoh Korçën, mall kështu më ngjall,
S’m’i fsheh dot kujtimet peizazh’ i kristaltë.