Liri Rama „një e panjohur“ dhe zëri i saj brilant



Prof Dr Fatmir Terziu


Çdokush me mendje të vetëdijshme ka diçka të strukur, të heshtur, të mëvetësuar, apo dhe të tjetërsuar për shkaqe të ndryshme, që e kërkon në brendësi të astarit të jetës së tij. Ata individë të caktuar që thonë se janë të painteresuar, që fshehin të shkuarën janë gënjeshtarë. E brendshmja i bren, i bën të jenë të ndjeshëm e kërkues në tërësinë e lidhjeve me jetën dhe për jetën, që u rodhi pa e kuptuar në skuta të tilla. Çdokush dhe të gjithë që janë “të painteresuar” mund të mos kenë kurreshtje nga ndonjë arsye e strukur, por janë të interesuar, ndonjëherë të mbytur, nga e Panjohura. Rastet janë të shumta, janë të panumërta.

E panjohura mund të marrë formën e çdokujt, në çdo kohë, ose në çdo vend, ajo ndjenjë që merret si e tillë natyrshëm të bën të pasigurt për të ardhmen e brezave që vijnë, është një lloj dëshire dhe dashurie që lidhet me arsyen e zbulimit dhe kërkimit më tej, më në thellësi të të panjohurave. E gjitha në këtë pikë mund të maskohet si me shumë emocione të tjera të tilla si ankthi e makthi, si arsyet e tjera që kërkojnë fikjen e emocioneve të tjera, por jo në formën e njohur. Të fshehtat ekzistojnë, ato në të vërtetë, janë si enigma, që nuk dimë se si ndodhën, ose ndikojnë ngjarjet e ardhshme të menjëhershme tek ne dhe tek të gjithë afër nesh. Nuk ka diçka të tillë si të mendosh se di diçka, ka thjesht të dish dhe të mos dish, pra të rezultojë në enigmën e të Panjohurës. E Panjohura nuk mund të pushojë së ekzistuari, është gjithmonë aty në pjesën e pasme të mendjes, duke shikuar, mësuar, duke pritur kohën e përsosur për t'u shfaqur në një formë të re më tipologjike duke ju bërë të bëni vetes pyetje si: „çfarë do të ndodhë më pas?“, „a do të ndryshojë rrjedha e jetës sime?“

Në këtë pikë ka shumë raste, por ajo që ndodh të shënohet më shumë është ajo që të bën të ndjehesh e të shprehesh për fate, fakte dhe të fshehta, që vijnë nga leximi, nga faktori libër, dhe nga ai jetë, në rastin më konkret nga leximi i të mrekullueshmes „Antologji e Këngës durrsake“ (Shkruar nga vetë artistët). E në këtë vepër mjaft të rrëndësishme, mjaft origjinale, mjaft e vlerësuar dhe nga qindra të tjerë, natyrisht syri dhe mendja ndalen aty, ku pikërisht jeta pikëtakon të pathënën, „të panjohurën“ ndoshta, me një qëllim të atillë, që memorja dhe ajo që ke mësuar që në fëmijëri të shtohen dhe të plotësojnë një jetë me vlera, një vlerë të ndjeshme të kulturës dhe traditës së bukur shqiptare e më gjerë.


Liri Rama, mjeshtre e këngës kavajase

Në këtë pikë fjalët janë ato që shkojnë për një zë brilant, që ishte një udhëtim drejt një magjie, plot variacion, timbër dhe mrekullimi, që sa më shumë të shtyhesh në morinë e tingujve dhe trajtave të saj, aq më shumë ndihesh i pushtuar nga magjia e një arti muzikor.

Në këtë vepër njihet si Këngëtarja e njohur kavajase. Dhe aty ka një emër mjaft të ndjeshëm për mjaft breza, që ndoqën dhe gati kënduan të gjithe këngët e filmit „Udhëtim në Pranverë“ (ku thuajse në çdo këngë është transfiksuar një varg dhe një arsye me emrin e Partisë moniste dhe kreut të saj të asaj kohe). Por në tërë atë që mbetet si vlerë, mbetet edhe emri i këngëtares, Liri Rama. Me emrin e këngëtares së shquar kavajase është e lidhur memorja e vajzave artiste të ish-Fabrikës së Qelqit të Kavajës, ku kënga e saj ishte gati një hit, por dhe kënga lirike e njërës nga trevat më të pasura artistike të kulturës popullore dhe folkut shqiptar. Më pas thuajse të gjitha këngët e kënduara prej saj janë bërë memorje tek mjaft dashamirës.

Duke lënë mënjanë propagandën e filmit që cituam më lart, por duke parë figurën e kompletuar dhe dëgjuar zërin tipologjik të këngëtares, mbase disa vargje nga teksti i këngës “Duart e arta” kushtuar vajzave të fabrikës së qelqit dhe xhamit, që e popullarizoi së tepërmi Liri Ramën, na bëjnë të themi më shumë për të. Sikurse dihet, në filmin muzikor “Udhëtim në pranverë” (prodhim i vitit 1975) ndodhet dhe klipi i kësaj kënge: „Çelin qershia e lule nëpër gota, trandafili dhe mimoza t’verdh’/Lule më t’bukra vizatojnë gocat, sikur ti na erdhe moj pranver'.../Shifni lulkuqet si kan’ çel’ petale trandafili në qelq kundërmon/Ngjyrat ma t’ bukra t’florës shqipëtare vajzat nga Kavaja pikturojn’...“ E në këtë vetë filmi na udhëton si në një konkurs mes zërave dhe timbreve të shumtë, me të cilën dalin e fokusohen emra të njohur të këngës dhe muzikës shqiptare të asaj kohe. Aty, jo thjesht, por dukshëm Liri rama konkurron denjshëm.


Për këtë këngëtare të denjë, për këtë artsite që ka emrin e saj edhe në këtë vepër, që cituam më lart, natyrisht dihet dhe shkruhet bukur. Ka kënduar që e vogël me Shtëpinë e Pionierit Kavajë. Këndoi në Tabllonë Muzikore „Kacamicrri“ të Teatrit të Kukullave të qytetit të saj. Ka fituar shumë çmime në Festivalet e Shkollave të Mesme. Më pas kreu Shkollën Pedagogjike „17 Nëndori“ në Tiranë dhe kthye duke punuar si mësuese muzike në Kavajë, ku këndonte në aktivitetet të ndryshme artistike, këndoi me grupin në fabrikën e Qelqit. Për zërin e saj të bukur dhe interpretimet dinjitoze këngëtaren e ftuan të këndonte shpesh edhe për publikun Durrsak. Këndoi me sukses me „Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore“, Pallatin „Rinia“, në Festivale të Këngës Popullore e të Muzikës së lehtë. Artistët, artdashësit e kanë përgëzuar këngëtaren, duke e cilësuar „Mjeshtre“, pasi e kanë quajtur mjaft të respektuar e të domosdoshme prezencën e saj në atë vepër, dhe që ajo është pjesë e respektuar e Antologjisë.

Por, kjo „Mjeshtre“, ky profil krejt i veçantë muzikor, natyrisht ka dhe „të Panjohurat“ e jetës së saj, që natyrshëm mund të jenë shumë, sikurse tek të gjithë. Ajo që mbetet e rrëndësishme është rrjedha e jetës, origjina e saj e nderuar, vlera e një fisi me emër, në të cilin ajo u gjend si përfaqësuese e denjë. Udhëtimi drejt këngës së këngëtares së mirënjohur është një udhëtim që është zgjuar nga tingujt e çiftelisë, dhe ato tinguj të trashëguara nga një fis i tërë, i sillte në veshët e saj që në fëmijëri babai i saj Emin Rama, një njeri fisnik dhe mjaft punëtor. I Ati i saj, e vizitonte shpesh vendlindjen e tij, Trebishtin e Gollobordës dhe asnjëherë në netët e gjata të mikpritjes nuk linte mënjanë çiftelinë e tij. Ai gjithnjë mburrej me të dhe thoshte se do t'ia trashëgonte dhe të bijës, tek e cila shikonte vetëm dritë, dritë që ndriçonte ëndërrat e tij të dikurshme, e që tashmë i jepte dritë dhe errësirrës, që e kishte ndjekur fëmijërinë e tij.

Kështu Emin Rama, u duk se kishte bërë atë që duhej kur vajzën e tij të talentuar e dërgoi me studime në Tiranë, ku tashmë rrugët ishin të hapura e në muzikën e telave të çiftelisë së tij, natyrisht do të ushqehej dhe zëri cicërrues i Lirisë, këngëtares që duartrokitej gjatë. Ajo u bë gradualisht një këngëtare e apasionuar, që zërin e saj melodioz, aq spontan, siç timbri dhe melodia e çiftelisë së tij, siç ishin spontane tingëllimat e duarve të arta të vajzave që prodhonin art me duart e tyre mbi qelq. Liri Rama ka dhe një të fshehtë tjetër, përveç origjinës së saj, ajo krijonte dhe vetë, shprehej estetikisht në muzikë, por kjo i mbeti në sirtare, i mbeti në vetvete. E aty ajo gatoi artin e fshehtë të dashurisë. U dashurua vetëm me muzikën. Muzika është arti i dashurisë, që buron nga shpirti dhe derdhet në mijëra tinguj e nota, në ujëvarën e së bukurës, që na josh të bëhemi pjesë e saj, thotë një i urtë i kësaj bote. “Muzika është gjuhë botërore, që s’duhet përkthyer” thoshte Auerbahu. “Atje ku ndërpritet biseda, atje fillon muzika”, shkruan Lunaçarksi, një nga kritikët më të mëdhenj të artit në të gjitha kohërat.

Liri Rama, edhe nga „e panjohura“ forcohet e ridimensionohet si një zë origjinal, me një timbër dhe profil të veçantë muzikor, që me atë talent dhe dhunti natyrale ishte e denjë të bënte emër në një kohë tjetër. Liri Rama, është dhe mbeti ashtu, sikurse u shpreh i Ati, Emini, në një dasëm të një kushëririt tim në Elbasan (martohej Fadil Rrustem Terziu), ku e bija e tij, Liri Rama, mbajti gjallë me orë të tëra mby dyqind dasmorë: „duket se ka lindur për të kënduar“. E natyrisht të lindësh dhe të rritesh nën timbrin e çiftelisë dhe duarve të arta artistike të vajzave artiste të Kavajës, është një favor që jo gjithkush mund ta ketë. E lindur dhe e formuar në këtë mjedis dhe nga rrugëtimi artistik ku ajo vajti, thuajse në çdo cep të Shqipërisë, i ktheu ndjesitë shpirtërore të saj në tinguj, e bëri melodinë ndjesi, kujtesë, dhimbje e krenari, emocion e shpagë dhe e nisi si mesazh dashurie drejt çdo zemre që dashuron këngën dhe muzikën.

Liri Rama kështu i shtohet një origjine, një treve të nderuar e me vlera të larta, që nxorri nga gjiri i saj emra të mëdhenj të artit dhe kulturës shqiptare, por dhe të mjaft fushave të tjera.

79 views0 comments

Shkrimet e fundit