
LINKOLNI NËN ÇINAR
Nga Fatmir Terziu
I.
Vetëm disa u kthyen. Aty nën Çinar glasat e fluturakëve të frikësuar e kishin menderosur atë ndenjëse ku prapanicat kishin vite që kishin formatuar vetëm një pikëbythje. Në atë menderosje trupat, si trembëse nate të ngulura në këmbë druri, lëvizën diku më tutje, ku shfaqej një gjelbërim i shkelur me këmbë të mërzitura. E aty vetëm kurrizi ndiqte pasojat e një kohe të lodhur me ëndërra. Të shtrirë në kurrizin e tyre, e ngulën vështrimin në qiellin e lartë, që natën u dukej si e vetmja arsye që mund të shpresonin, me shpresën se do të kapnin një pamje të një bishti të artë në rënie. Shalë të bardha e të kremosura kapërdiseshin në majanë e kubesë dhe e qelqta e mufatur ua sillte lëngun në gojë e në grykë. Por kubeja e errësirës u shpua nga shkëndijat e panumërta, që ndiznin qetësisht galaktikat e tyre të largëta, sikurse ndodhte me cigaret dhe llullat e të mërziturve aty ndanë Çinarit, në paskrahje, pikërisht në atë gjelbërim të shkelur e të shkelur rrëndë.
Ishte e bukur dhe e frikshme të imagjinoje distancat e paimagjinueshme ndaj atyre pikave të shkëlqyeshme. Zemra po ngushtohej në mendimin e shkurtësisë së jetës njerëzore dhe keqardhjen, që nuk do t’i arrijë kurrë ato. Bari, erë e stinës së venitur, i butë dhe i lagësht, e zezërima në errësirën e muajit të pranverëprurjes, shtriqej në shpatet e kodrës ku ishte trashur zgjatima e hijes së Çinarit mbi ngrehinën e ngurtë. Rrjedhat e dalldisura, të holla, e të holla të Lumit, rridhnin poshtë në përcjellje të zhaurimës dhe e zgjonin luginën akoma, e akoma më poshtë, duke gjurmuar e ushqyer me gojën e hapur digën që ndante dritën me errësirën.
Pastaj pashë zogun e vetmuar, të hallakatur në degët e Çinarit! Unë nuk do ta quaj me emrin e tij, ti e quan një pëllumb, një skifter, një lejlek, një shpend, por ai tashmë është bërë një objekt, një objekt anatomik me krahë dhe pupla. Ai mund të jetë, ose nuk mund të quhet shtëpiak, ai fluturon këtu dhe atje për të gjetur synimin e jetës së tij: një organizëm i zakonshëm, një fenomen i mistershëm, një pjesë e vogël e jetës anonime ...
Por ishte një zog. Një qiellor i gjallë, një prirje e tretur e pikëtakimit me Tokën dhe Qiellin, që fluturonte midis boshllëqeve të degëve të mufatura të Çinarit dhe ngulfatej mbi gryka, mbi maja dhe pyje, për një qëllim të vetëm …, me një pikë në qenien që e priste poshtë tij në rrafsh, në mes të Tokës së Artë.
Dhe Zogu fluturoi atje ... E pashë duke djegur qiellin mijëra vite më parë, ishte kohë e errët, retë po peshonin mbarsjen e tyre, lagështia ia kishte lodhur krahët, por ishte duke nxituar për diku. Mbante në sqepin e tij, edhe rrënjët, edhe degët e Çinarit, edhe gjethet edhe këngët që zgjoheshin aty nën e mbi Çinar.
Ditët poshtë Çinarit lëvizin kohërisht, me gjithë çmendurinë dhe sharmin e zogut në krah të tij. Gjatë kësaj ambushtie, njerëzit dhe kafshët kalojnë pranë pemës që u mban dhe u zgjon shpresat, dielli ulet dhe ngrihet dhe hëna kolovitet mbi të. Stinët ndryshohen në fletët kalendarike dhe ndërthuren si fijet që thurrësit e fatit i sjellin parlamentarisht për secilin nga ndenjësit e pritshmërisë së atjetejshme të sigurtë për rikthimin e jetës. Pushimet dhe pushtimet e shkruara në historira janë larguar, katastrofat dhe ngjarjet e treguara brez pas brezi kanë ardhur dhe kanë shkuar. Zogu ende qëndron i shastisur mbi Çinar… dhe gojën ka ditë, javë e muaj që nuk e hap…
Thonë se po ndodh diçka e pabesueshme. Thonë…, por vetëm aty nën Çinar. Të huajt janë me hallet e tyre, dhe madje këtë herë delegesën e kanë kashtisur me gjini. E sytë e shohin …, e veshët e dëgjojnë. Është e Huaja që pritet të thotë fjalën e pritur për gojën, apo sqepin e zogut. E pritja ishte shprishur. E Huaja kishte pëshpëritur. Është farë e mbarë…, fara që zogu mban në gojën e tij.
Deri në fund të verës fara do të lëshohet nga goja e zogut në tokë, se zogu e ka rrëmbyer atë dhe e ka bartur atë misionarisht. Gjatë rrugës zogu ka hequr keq, ndoshta ngaqë kanë fryrë erëra të ndryshme, ose ngaqë ka pasur takime me zogj më të fortë, ose diçka tjetër ... Hamendja kishte mbetur te Fjala…, pëshpëritja te Fara, fundja mbijetuan dimrin dhe shfaqjet e lidhura me dimërimin ... E Huaja dëgjonte…, dëgjonte dhe … ende nuk e kishte krijuar mendimin e duhur.
Pastaj njerëzit rifilluan ritualin ditë-ditës nën Çinar. Aty, tek ky pikëtakim, ka mbetur nyje tashmë tridhjetëvjeçare, zgjidhja e enigmës, e cila tani shtrihet deri tutje në zyrat me çatitë e tyre të kuqe dhe ndërtesat e bojatisura, me të kaluarën e tulltë dhe me të sotmen e … me të sotmen, nëse ajo ekziston si e tillë. E ardhmja ... e ardhmja si gjithnjë varej nga era e ndryshimit…
II.
Para se të ndodhte që të frynte era e ndryshimit në Çinar, Emetori studioi për Edukim Fizik, por pasionin e kishte Gjuhë dhe Letërsi. Të rinjtë nga Çinari, jo se preferuan vetvetiu profesionet praktike, por nuk kishin zgjidhje tjetër, disa fatlidhur ishin aplikues për mjekësi, juridik dhe shkollën e Lartë të Ministrisë Brendshme dhe disa fatshkruar për agronomi, veterinari, zootekni. Emetori fatlidhjen e kishte me letërsinë. Ai nuk u interesua shumë për karrierën e tij, por ai ishte i interesuar për botën e mistershme të shkrimeve dhe sekretet e saj të mahnitshme, çudinë e të ekzistuarit, pafundësinë, ekzistencën dramatike. Ai ishte i lumtur, natyrisht, që ai do të ishte ndër të paktët me arsim të lartë për Gjuhën dhe Letërsinë në rajonin e Çinarit dhe gëzimi i tij ishte i dyshimtë, sepse babai i tij, tashmë i dëbuar nga partia për shkak të mosmarrëveshjeve me linjën e imponuar të partisë, ishte i shqetësuar se ata do ta parandalonin djalin e tij në këtë aventurë jete të shkrimit dhe leximit.
“Njerëzit e moshuar duan të na japin këshilla të mira. I kompenson kjo me paaftësinë e tyre për të dhënë një shembull të keq. Mos harroni: Dëgjojini ata! Vetëm me fjalët e tyre, vetëm ju do të jeni në gjendje të kapërceni sprovat që do t’ju krijojë jeta. Askush tjetër!” U dëgjuan këto fjalë teksa sytë dhe veshët nën Çinar në atë Shtator të vitit 19... menjëherë rrokën fjalët dhe trupin e hollë të Emetorit
Emetori u foli bashkëmoshatarëve. Të moshuarit ndjenë dashuri dhe iu kthyen buzëqeshur me një ndjenjë të dhimbshme përgjegjësie brezash. Në të njëjtën qasje, e bardha e dëborës nga dëbora e pakmbetur rrëzë majave të Çinarit, dukej se po buzëqeshte me ta… i riu nga Çinari po shkonte në universitet.
Përmes dritares së autobusit, Emetori e përthithi Çinarin dhe e mësoi përmendësh ngjyrën e duhanit që dridhnin e tymosnin si kaherësh, në shqisat e tij, ai mbeti me buzëqeshjen e të moshuarve ... dhe me përhumbjen që shkonte e zhytej thellë e më thellë në hapësirën që i kishin krijuar librat.
Ndërsa librat ishin bërë shoqëria e vetme, interesimi i tij për letërsinë u bë më shumë se një pasion. Ai ndiqte rregullisht seminare mbi filozofinë e historisë dhe teorinë e letërsisë. Në esenë e tij për Abraham Lincolnin, lexoi se ishte një amerikan që kurrë nuk kishte menduar të bëhej president dhe pse lexonte prej tij një fjalim që mbetej simbol i demokracisë. Emetori lexonte esenë dhe shihte në të kaluarën, për t’i dhënë kuptim paraardhësve, që krijuan një komb të ri të konceptuar në liri, të përkushtuar për të besuar se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë. Emetori, ndërsa e lexoi këtë ese, theksoi me vete se nëse vetëm një herë besimi i njerëzve humbet, ajo kurrë më, nuk do të fitohet. Ata mund të gënjehen për një kohë, madje disa mund të gënjehen më shumë, por jo të gjithë njerëzit mund të mashtrohen gjatë gjithë kohës.
Kishte një raund të duartrokitjeve, por vetëm ai vuri re buzëqeshjet e frikshme të pak njerëzve në bankat e para që pinin fshehurazi vodka në gota plastike ..., ndërsa Emetori po rifreskonte memorjen e tij me mrekullitë e Linkolnit. Pastaj ata e quanin Peshkop, dhe ky pseudonim e mbërtheu aq shumë, sa nuk iu shqit kurrë. Edhe kur filloi të botonte në gazetën lokale… pasthirmat ishin ndjellëse dhe ndjekëse… Peshkop!
Peshkop? Por e kishte dhe një të mirë. Dhe këtë e prvuan të gjithë kur ai i la me sytë e ngulur e që nuk shkuleshin dot: “Fara? Farë është e mira, farë është edhe e keqja, çfarë është njerëzore, çfarë është e vërteta dhe gënjeshtra? Pyetje të përjetshme për të cilat askush nuk ka gjetur përgjigje. Kanë kaluar vite … dhe ju e ndjej, ju shikoj se po më vështroni me sy të tendosur ...!? Ata dëgjuan pastaj akoma më shumë nga goja e Emetorit, përzgjedhje nga Ray Charles, Tom Jones dhe më së shumti Pink Floyd dhe The Uall ...
- E mo, mjaft më … mjaft më ngelëm me Linkolnin në Çinar… dhe …
- Çfarë është e keqe dhe çfarë është e mirë? A mund të themi me siguri se e dimë përgjigjen?
Edhe tani nën Çinar kjo pyetje i mundon të gjithë. E mundon edhe vetë Emetorin që e ka kapërcyer gjysëmshekullin dhe ka mbetur… ende duke ripërsëritur Linkolnin…
E pyeti Siguri, një baterist që punonte për sektorin e përgjumur të Çinarit, por që ndodhi të shkruhej në fletët e letrat e atij vendi se ishte dhe do të ishte dashuronjësi i shumë-qarkullueshëm i Bitëllsave në vite në një qytet ku nafta kishte arsyen e vetme të pyeste vetveten. Pse ndodhem në një vend ku s’kam asnjë lidhje me rrjedhën e naftës? Ky ishte qyteti i Djegmës.
- “Unë mendoj se ne jemi gjithmonë në një situatë të zgjedhur. E mira është sikurse duhet të jetë tek një njeri, që është në luftë me të keqen, dhe jo vetëm me atë që njohim si të keqe në të. Nga jeta ime deri tani, dhe nga letërsia filozofike që lexova, arrij në përfundimin se kontradikta nuk është një e thjeshtë midis të mirës dhe së keqes. Është brenda nesh,” u përgjigj Emetari, duke kujtuar fjalët e babait të tij, të cilat kurrë nuk ishin larguar nga kujtimi i tij, edhe atëherë kur e larguan nga Partia, edhe kur e përjashtuan të birin nga Universiteti … edhe...
“Sado e vështirë të jetë, që ta besosh, ekziston e keqja. Shikoni, nuk mendoj se e keqja është origjinale. A nuk është vrasja një e keqe? Po për përdhunimin, a kemi ndonjë arsye tjetër…, por…? - Ildi, i cili më vonë u bë drejtor i Kontrollit të Sigurisë së Automjeteve, u bashkua me bisedën.
Shumë shpesh, Sibora nga qyteti i Djegmës ishte e pranishme në ambientet ku ndodhej Emetari. Shpesh duke u përkulur në shtratin e Emetarit, duke kaluar këmbët e saj të gjata midis asaj leshnaje të shprishur të këmbëve të tij, dhe shpesh ato këmbë shumë të bukura shmangeshin nga përplasje të tjera. Sytë e saj të djegur në mes me një të zjarrtë të papushimshme dhe buzët e fryra e të cilindërta rrallë ndërhynin në biseda. Por ajo shpesh përsëriste, “Verën e kaluar, Emetari dhe unë ishim në një ekspeditë toponimie në pasnajën e Çinarit. Ne bëmë një punë shumë të mirë”.
Drita, që mbushi hapësirën e trupave tërhoqi vështrimin e mashkullit trup harmonik, sytë jeshile të lehta, flokët kafe, buzët e ngushta. Në takim merrnin pjesë Xhilda, Mona dhe Ridi nga Fakulteti i Biologjisë, rinosha të urtë dhe të bukur nga fshatrat përreth Çinarit, me maturinë që e sillnin prej librave të shkollave të mesme. Ata dëgjuan me vëmendje, pa marrë pjesë aktive në diskutime, kështu që prania e tyre nuk ishte le të supozojmë se e keqja nuk është origjinale.
Emetari ndezi një cigare. “Të bashkë-lexuar, ata thonë se djalli nxiti të keqen, por a nuk jemi mësuar ta bëjmë vetë?” Unë thashë pak më parë se ne jemi vazhdimisht në një gjendje zgjedhjeje që nënkupton lirinë e zgjedhjes midis opsioneve të ndryshme. Unë kam një pyetje, a është mirë apo keq që njerëzit në rajonin e Çinarit, të mos munden të shohin të afërmit e tyre në anën tjetër të Maleve Kuturisja, dhe pjesa tjetër nuk mund të dalin jashtë? Dhe a e dini se sa të rinj kanë vdekur pranë kufirit? A jemi të lirë të zgjedhim? Mund t’ju them … edhe thjesht për anët tona në kufirin tonë jugor. Kloni është një rrjetë teli e lartë e prirur të gjakosë dhe të marë jetë njerëzish përbrenda, me një zakon të tij të shpërndajë vdekjen e lirisë së njeriut në një qasje më të gjerë, se ajo hapësirë e butë e tokës së lëruar para tij. Ata thonë se kishte fusha minerare midis brezit të butë dhe klonit, shpjegoi Emetari dhe vazhdoi.
“Thelbi i pyetjes është se si dhe çfarë zgjedhim? Edhe skllavi ka një zgjedhje midis pajtimit pasiv dhe krenar; midis pajtimit dhe rezistencës.”
“Dhe ju, Emetar, mendoni se fajin e ka vetëm sistemi ynë?” Drivali, që thuhej se ishte nga Fakulteti i Mjekësisë, i cili menjëherë u përfol se kishte një në kokë e dy në majë … dhe tjetrin shpërthim gati në gojë, pasi ndërhynte në mënyrë të zhurmshme.
“Shihmë këtu, e keqja varet nga këndvështrimi. Për shembull, nëse dikush e bën atë të keqe dhe e pëlqen atë, çfarë ndodh atëherë? Ne kemi parë filma që vrasësit serialë kënaqen kur presin dikë dhe e varrosin. Dhe pse na lejon Zoti, pse nuk na ndalon? Pra, ka njerëz që kënaqen të jenë të këqij?”
“Epo, çfarë do të bëj me atë që është i sigurtë, se do të më fiksojë vetëm dhimbjen e kokës. Dhe…, pse nuk e shikoj punën time, por ulem për të biseduar me të?”, mendoi Emetari, por prapë vendosi me qetësi të përgjigjet.
“Bota është një gjë e madhe dhe e komplikuar. Dhe kështu, nuk ka të ngjarë të kuptohet plotësisht, pasi ai ka fenomene dhe ngjarje të tilla, ku ushqimi për kreativitet është më se i mjaftueshëm. Askush nuk e di se si është krijuar bota, disa madje mendojnë se bota funksionoi si një paisje, dhe mund të ofrojnë ndryshime në pajisjen e saj.
Ai foli me qetësi dhe gjithashtu vazhdoi të dëgjonte me qetësi.
“E kaluara dhe e tashmja janë të mbushura me shembuj të vandalizimit të mendjes dhe gjeniut, ndaj mjetet primitive të punës u shndërruan në një mjet për gjueti, në një bombë neutroni dhe mjete të tjera edhe më monstruoze të shkatërrimit në masë ... Unë pyes veten nëse është e mundur që bukuroshja (duke e marë Siborën në krahët e tij) të frenojë pasionet shkatërruese njerëzore, të vrasë egoizmin, ligësinë, urrejtjen apo të eliminojë të keqen në botën e paarsyeshme, të pamëshirshme, të pangopshme? A do të tejkalojë bukuria e cinizmit, egoizmit, konsumizmit, hedonizmit, dashurisë ndaj vetvetes, agresionit, korrupsionit, zemërgjerësisë, vetë-këmbënguljes etj. Dhe a nuk janë dashuria, e mira, e vërteta më të afta për të shpëtuar botën …? …Eh bukurinë… ku ka më mirë se bukuria… sesa bukurinë …?
Heshtja ishte kryefjalë e momentit. Askush nuk foli. Pastaj me një buzëqeshje, Endri bërtiti: Le të shtypim fillesat. Jepni disa mendime!
Shishja e rakisë shkoi në heshtje dorë për dore. Dhe lëngu, si një shpirt i humbur, për fat të mirë u pasua në fytyra të qeshura, zbrazi veten nga qelqurina.
“Secili prej nesh mbart një McCarthy,” tha Emetari në mënyrë sarkastike, duke shikuar në cepin e dhomës, ku rrjetat prisnin viktimat e tyre ...
“Kush është ky?” A kemi ndonjë të tillë siç e quajti ai, Maak ... ”, pyeti Drivali i tronditur, si një qen që ngec duke u zvarritur nëpër gardh. Emetari e shikoi drejt e në sy dhe e ndërpreu.
“Kryetar i Komisionit për Hetimin e Aktivitetit Komunist në Kongresin Amerikan në vitet ’50. Ajo u krijua për të thyer shtyllën kurrizore shpirtërore të amerikanëve. McCarthyists luftuan në të gjitha sferat e jetës, në shkolla, kinema, teatër, politikë, universitete ..., duke shkatërruar jetën e mijëra intelektualëve ...
Endri ngriti kokën dhe pa që mizat e natës po pushtonin llambën e dritës dhe më pas ngordhnin dhe binin në dysheme. Sytë iu errësuan.
“Emetar, hesht!” E dini, ajo kokë nuk kupton. Ju ende …, edne jeni për një ese mbi Linkolnin. Vetëm për t’u dëbuar nga universiteti na mëson?”
“Po, lërini të gjitha këto gjëra jashtë mendjes suaj dhe bisedoni për lopën dhe gomarin,” tha Siguri me një zë të qetë, i cili dinte ta mbante gjuhën e tij pas dhëmbëve ...
“Stërgjyshi im ka marrë pjesë në disa luftëra të ashpra gjatë sundimit të fundit Otoman. Atje, ku luftoi ai, më thoshte gjyshi takoi njerëz të ndryshëm dhe mësoi një mori gjërash”, shtoi Bumi, i cili kishte talent të fliste. “Ai më tha një herë se si një pronar kërkonte falje nga deveja e tij e destinuar në ikjen e fundit në shkretëtirë, duke iu drejtuar asaj:
“E shtrenjta deve, më fal për gjithçka!”. Unë ju ngarkova shumë, ju dhashë në kurrizin tuaj të bukur më shumë bagazhe sesa mund të mbanit, ju mbaja të etur, ju dhashë më pak ushqim, ju rrihja shumë shpesh. Unë ju trajtova keq, jam i vetëdijshëm për këtë dhe ndjehem fajtor. Para se të largohesh nga kjo botë, a do të m’i falësh të gjitha këto?”
Deveja iu përgjigj: “E vërtetë, është … më se e vërtetë është … gjithçka që thua, mjeshtër. Unë do t’ju falë të gjitha këto, por nuk do të mundem, pse është gjithmonë një karavan si unë pas meje”.
Atëherë a do ta shkruajmë esenë tonë? Atë pra … “Linkolni nën Çinar!”
III.
“Ditari” i Emetarit, u lexua me detyrim në sallën e Gjyqit të Popullit, nga i akuzuari për bashkëpunim me studentët, Profesori Lefter, që kishte studiuar në një vend të huaj: “Kam ardhur për të studiuar në kryeqytet vite më parë. Unë jam një student i vitit të katërt. Unë ndjek Edukimin Fizik por kam dëshirë letërsinë dhe filozofinë, dhe ëndrra ime e fëmijërisë ishte të bëhesha …, por fati vendosi ndryshe ... U zgjova duke e kërkuar dhe duke e ditur që ai ishte zhdukur, unë qava, pyeta ku e fshehën, më kot ... Unë qava përsëri ... Por ai ishte fati i disa të rrinjve si puna ime… Ai fat nuk shkruhej dhe thuhej se nuk ishte shkruar ndonjëherë në jetë të jetëve.
Tani kujtimet më vijnë në kujtesë ... Një ditë shkova në një fshat afër Çinarit, ku u takova nga mësuesi i fshatit Lefteri, i cili më mbante shumë afër. Jo vetëm sepse ai kishte kaluar shumë vite duke dhënë mësime në këto vende, por ai kishte punuar si agronom dhe zooteknik. Ai ishte bërë pjesë e historisë së këtij rajoni ose historisë së vetë Çinarit. Të gjithë atyre u dukej se ky njeri kishte lindur këtu, një njeri urtë, i mirë, me flokë të bardhë. Vetëm një ose dy e dinin që ai kishte ardhur këtu nga një fshat tjetër 40 vjet më parë. Sidoqoftë për mua ai ishte një emblemë. Unë e quaja mjeshtër…
Mjeshtri lefter më kapi dorën.
“Djali im, a…a, erdhët më në fund?” Ai më pyeti, sa me mëdyshje dhe po aq me entuziazëm dhe vazhdoi.
Sa është ora?..., prit një minutë.
Me të shpejt, ai shkoi në shtëpinë ku jetonte. Pas disa minutash, ai u kthye, duke mbajtur në duar një libër me kapakë të trashë. Me duar të dridhura, ai e hapi dhe lexoi:
“Kjo është një letër e dërguar nga babai juaj Komitetit Qendror të Partisë, që kërkon që dënimi i tij të shfuqizohej dy vjet më parë.” Unë bëra çmos për të zbuluar pse babai juaj u përjashtua nga Partia. Kërkova dokumente, bisedova me njerëzit, por nuk kuptova asgjë. Po e mbaj këtë letër. Unë kam dashur të ta jap kohë më parë, por nuk isha i bindur dhe i vendosur. Lexojeni, është mirë të lexoni të kaluarën. Babai juaj ishte pak i trembur, por i vërtetë dhe i sinqertë. Ai u bë viktimë e njerëzve ziliqarë, të paaftë dhe hakmarrës. Në ato vite, fatkeqësia e tij më e madhe ishte se nuk kishte njerëz serioz, kishte vetëm njerëz të vegjël rreth tij. Dhe ata nuk e falën. Babai juaj u përjashtua nga Partia, iu privua e drejta për të mbajtur detyra në parti, biznes dhe punë publike, në një kohë ai punoi në ndërtim, ku një kovë betoni i ra në kokë dhe mezi shpëtoi. Dhe ai ishte një nga kuadrot kryesore të partisë, kryetari i parë i Çinarit, funksionari i parë i partisë, organizatori kryesor i reformës kulturore dhe arsimore. Ai u shpall më pas një nacionalist borgjez. Dhe ai nuk e dinte se çfarë do të ishte të bëhesh nacionalist. As që e kishte kuptuar ndonjëherë!
Keqëdashësia dhe zilia, djali im, nuk janë të reja. Ekziston një shëmbëlltyrë që i atribuohet Shën Gjonit, i cili, pas vizitës së tij në rajonin e Shijonit në shekullin e tetëmbëdhjetë, shkruajti, se kur dikush është shumë i talentuar, ai ndryshon shumë nga pjesa tjetër në mendje, shenjtëria dhe shfrytëzimet tokësore, ndaj pushtetarët i thanë që vendi i tij nuk ishte në mesin e tyre, por se ai duhet të shkonte në udhën e tij një orë e më parë për ta ndihmuar atë të shpëtonte botën, dhe ata e ndihmuan për ta çuar në botën tjetër duke ia prerë kokën, por ndërsa ata ia prenë kokën trupi i tij qëndroi në këmbë i vetmuar dhe koka e tij mbeti në ajër ... Dhe ata që shkuan ta ndihmonin, ata që i besonin fjalës së tij të shenjtë e panë veten para litarit. Mjeshtri Lefter pushoi, mori frymë dhe vazhdoi.
Ata thonë se litari është i bukur kur është i gjatë dhe kur historia e jetës është e shkurtër. Epo, me sa duket babai juaj i shkruajti disa letra drejtimit qendror të partisë duke kërkuar që anëtarësimi i tij të kthehej. Fatkeqësisht, nuk gjeta asnjë gjurmë të tyre. E fundit, e pabotuar që gjeta mes faqeve të tregimit të Mitrush Kutelit, është në përgjigje të letrës nga i njëjti menaxhim drejtuar atij siç ju thashë.
Me duart e tij të etura, ai shpalosi letrën dhe e lexoi: “Dr. Simoni, me të vërtetë, kanë kaluar më shumë se dy vjet nga dëbimi juaj nga partia, por kanë kaluar vetëm tetë muaj nga konfirmimi juaj nga udhëheqja qendrore. Kjo është arsyeja pse komiteti i kontrollit e ka shqyrtuar kërkesën tuaj dhe vendosi tani që të mos plotësojë dëshirën tuaj të aplikoni përsëri për një anëtar të partisë, pasi është shumë herët. Vazhdoni të merrni një pjesë aktive në jetën shoqërore dhe politike dhe në ndjekjen e detyrave ekonomike, duke përshpejtuar kështu pranimin tuaj përsëri në radhët tona”.
Dëgjova në heshtje dhe u enda rreth e rrotull. Mjeshtri lefter ndaloi, shikoi përqark, dhe unë u ndjeva dhe madje pashë që po shikonte rrethnajën përmes meje ...
“Këtu, bir,” ai më dha një copë letër. “Ju e keni … duhet që ta lexoni letrën e babait tuaj tani”.
E pashë në fillim me sy atë letër ku dominonte e verdha dhe lexova: “Shokë, më ... Gusht 1962, mora një përgjigje në lidhje me disa nga deklaratat e mia në lidhje me dëbimin tim nga partia e ... Janar 1960, si dhe kërkesën time drejtimit qendror të partisë për të rifituar anëtarësimin tim. Në letrën tuaj ju më informoni se kanë kaluar vetëm tetë muaj pasi që u vërtetua dënimi im. Dua të theksoj se kanë kaluar saktësisht dy vjet nga përjashtimi im. Në disa prezantime të mia kam shprehur arsyet e përjashtimit tim, dhe në aplikacionin tim kam përshkruar punën time dhe rezultatet e saj… dhe tani vazhdoj të punoj në mënyrë aktive si në punën time ashtu edhe në sferën publike. Nuk kam ndërmend të përshkruaj përsëri se çfarë dhe si punoj. Ju lutemi referojuni udhëzuesve dhe shërbimeve përkatëse”.
Unë e ndërpreva leximin dhe, ndërsa lexoja shpesh, mbyllja sytë dhe përlotesha duke ndjerë neveri. Më pas vazhdova:
“Bazuar në të gjitha këto, përfundoj: Dy vjet dhe tetë muaj kanë kaluar që kur dënimi im u konfirmua (Unë do të doja të deklaroja këtu për herë të dytë se nuk kam asnjë ide pse u përjashtova). Megjithë përjashtimin tim nga partia, unë vazhdoj të punoj me të njëjtin entuziazëm si më parë. Ndërsa gjithmonë ka qenë një nder i madh për mua të jem në radhët e partisë, unë kërkoj nga ju që të ktheni anëtarësimin tim në të. Unë mendoj se kam mjaft raste pas meje dhe një besim në të ardhmen se kam të drejtë të jem përsëri kandidat ...”
Kjo ishte letra. Kam psherëtirë, por kishte një boshllëk shpirtëror, goja ime ishte e thatë, zemra ime po rrihte. Unë isha në ankth, duke menduar ... Pse babai im u përjashtua nga partia dhe u pushua nga çdo punë. Çfarë bëri ai, çfarë nuk bëri, si ia punuan atij? Pse? Pyetjet ishin plot. Koka ime trullosej pa gjetur një përgjigje ... Në mendjen time erdhën fjalët e babait tim “Shkalla dhe Kloni më tradhtuan. Dhe veçanërisht … ai zog që cicërrua dhe zgjoi kufitarët e pikës kufitare.” Në atë kohë, unë isha i vogël dhe nuk i kushtova vëmendje këtyre fjalëve dhe nuk dija se çfarë do të thoshte “të tradhtoje”. Nuk e dija se të kërkoje lirinë tënde ishe tradhëtar i partisë? Nuk e dija se tradhtia ndaj partisë ishte krimi më i madh ... Tani e di se territori i tradhtisë është i pafund ...
Sqepi i zi i pikëllimit ka vetëm një gjuhë dhe ai është loti. Mjeshtër Lefteri më kapi lehtë kokën dhe më foli përsëri: “Djali im, zhvillimi ynë pas viteve 50 dhe 60 të shekullit XX u quajt i përshpejtuar. Zgjimi i një jete të re më pas ra në duart e njerëzve me arsim të ulët. Kishiin vetëm kurse partiake afatshkurtra në qendra e lagje, dhe kur ata u kthyen në vendet e tyre të lindjes u emëruan drejtuesit e partive dhe zonave. Ata kurrë nuk kanë marrë trajnimin e nevojshëm intelektual dhe teorik për të udhëhequr proceset e thella në shoqëri. Për të vërtetën, më duhet të them se ata quheshin drejtues kompetentë, përfshirë babanë tuaj. Ai besoi shumë në parti ... Tani ju siguroj se kurrë nuk kam parë një vështrim kaq të zbrazët në jetën time ...
vazhdon....
E shkruar për rrjedhë të kohës në Mars të 2020-tës…
Comments