
po ndihet aroma e fushave me karafilë të kuq
ësht’ koha për dashuri në Malaga
saqë mund t’përfytyrosh njëherësh në t’njëjtën
kohë
një poemë, një sekuojë, një tingull
me sa mall
tek rri në shtëpinë e gruas trupqumësht
të qetë si agimi n’kanapenë me kadife t’alltë
me palcën e puthjes s’afshtë në gushë
mes refleksesh drite ujërash t’lumit që përplasen
n’muret e dhomës me valë të dridhshme
n’heshtjen e dashurisë që ësht’ mu si jeta e përjetshme
se nuk flitet në përjetësi
i kam kënduar të gjitha këngët e gëzimit
të gjithë sonetet e shendit
nëpër kurmin e saj me sa ajth
hija e shpirtit, të ushtruarit e jetës
paqësia ajrore e lëvizjes, si krahu i rregullt i kondorit
si kurba e qetë e vezëve
si dunat e vogla me bruka që rrethojn’ si mburojë
plazhin e gjer’ kum të Bashtovës sime
atje larg
po ndihet aroma e fushave me karafilë të kuq
ësht’ koha për dashuri në Malaga
saqë mund t’përfytyrosh njëherësh në t’njëjtën kohë
një poemë, një sekuojë, një tingull
me sa mall…
Durim Çaça
Comentários