LIDHUR ME VENDIN E HEROIT NË BASHKËKOHËSINË TONË


Besnik Mustafaj



(Është fjala për esenë e Rexhep Shahut “Bisedë e përfytyruar me Havzi Nelën)


Poeti Rexhep Shahu, te botimet “Klubi i poezisë”, ka nxjerrë një libër, i cili, sipas mendimit tim, meriton vëmendje. Fjala është për esenë “Bisedë e përfytyruar me Havzi Nelën”. Do vënë më së pari në dukje se kjo vepër është pjesë e një pune të jashtëzakonshme që Rexhep Shahu, në kuadër të “Klubit të poezisë”, ka bërë vitet e fundit dhe vazhdon të bëjë plot përkushtim për gjurmimin dhe nxjerrjen në dritë të veprës letrare të poetëve të pushkatuar nga regjimi komunist, vepër kjo e lënë kryesisht në dorëshkrim, dhe ruajtur më së shumti nëpër arkivat e Sigurimit si “provë materiale e krimit të tyre kundër diktaturës së proletariatit”, apo edhe andej – këndej nëpër të afërmit të tyre. Të shtatë fletoret me poezi të Havzi Nelës, për shembull, vëllai i tij i kishte varrosur në rrënjë të një peme. Nderimi i sinqertë, që po shpreh në këtë rast për Rexhep Shahun, i shkon edhe sipërmarrësit Flamur Hoxha, i cili përbën një shembull të bukur, por fatkeqësisht ende shumë të rrallë në botën shqiptare të sipërmarrjes, duke hequr një pjesë të fitimeve të veta për t’u dhënë jetë projekteve letraro - politike të “Klubit të poezisë”. Sjellja, për më tepër me cilësi të lartë editoriale, e veprës së papërfunduar letrare të Havzi Nelës, Trifon Xhagjikës, Vilson Blloshmit, Genc Lekës dhe ndonjë tjetri, është një shërbim shumë i çmuar që i bëhet jo vetëm kujtesës politike të shoqërisë tonë, por mbi të gjitha letërsisë dhe më gjerë, kulturës tonë kombëtare. Uroj me mendje dhe me zemër që Rexhep Shahu dhe bërthama rrezatuese e “Klubit të poezisë” të kenë vullnet të fortë për ta vazhduar këtë punë, pa u shkurajuar nga vonesa e mirënjohjes publike dhe shtetërore, me të cilën shoqërohet përkushtimi i tyre.

Do të kisha thënë pa ngurrim se libri “Bisedë e përfytyruar me Havzi Nelën” është një shprehje sipërore e këtij përkushtimi të Rexhep Shahut. Kjo që po them e do një shpjegim. Në këtë rast, Rexhep Shahu nuk ka ndërmarrë shkrimin e një biografie të poetit martir. Ai nuk është më as në rolin e hulumtuesit të zellshëm të shkrimeve poetike ose jo të Havzi Nelës, me qëllimin e lartë për t’i botuar ato, duke i bërë kështu pasuri publike për mbarë shoqërinë tonë. Ai me sa duket e ka mbaruar këtë punë, të paktën në pjesën e saj më thelbësore dhe ndjen në vazhdim nevojën sa intelektuale aq dhe morale të shkojë më tej për të na dhënë shembullin, i pari, ashtu siç beson se i takonte, të marrëdhënies që duhet të ndërtojë një pjesëtar i elitës së sotme shqiptare me Havzi Nelën. Por jo thjesht tashmë me poetin Havzi Nela. Elitës së sotme shqiptare, asaj intelektuale dhe asaj politike, nuk do të duhej t’i mjaftonte pozita e lexuesit kureshtar, qoftë ky edhe dashamirës për poezitë e Havzi Nelës. Rexhep Shahu, nëpërmjet kësaj sprove, synon me seriozitet të madh të na kujtojë bindjen e tij prej pasardhësi se Havzi Nelës nuk do t’i pëlqente kurrsesi që elitën shqiptare të shekullit XXI në semantikën më të gjerë të kësaj fjale ta shihte kaq të rehatuar në kanapenë e shtëpisë së vet, mbathur me pantofla të ngrohta, me librin e poezive të tij në dorë, duke përsiatur në heshtje rreth estetikës së pakryer të këtyre vargjeve. Në këtë kuptim, Havzi Nela, me krejt jetën e tij, ku krijimtaria poetike është shprehje e vetëm një aspekti të caktuar të kësaj jete komplekse, shndërrohet në qasjen e Rexhep Shahut në një referencë sublime, një standard për të gjykuar mbi të sotmen e atdheut dhe të shoqërisë së shqiptarëve përsa i përket cilësisë së lirisë dhe demokracisë, që ata gëzojnë, pësojnë apo edhe ndërtojnë.

Duke zgjedhur një qasje të tillë, e cila si stil shkrimi nuk është më e lehta, autori Rexhep Shahu nuk niset paraprakisht nga qëllimi i bukur romantik për të sublimuar më tej poetin martir Havzi Nela, duke e kthyer atë në një ikonë të “revolucionarit të pamposhtur” siç e përcakton vetë në tekst. Nuk ka shfaqje idhujtarie në këtë qasje. Mua, të paktën, gjatë leximit të vëmendshëm, nuk ma la për asnjë çast ndonjë përshtypje të ngjashme. Përkundrazi. Autori i tekstit gjen brenda vetes gjuhën e duhur për ta nxjerrë martirin nga bota e amshueme, ku prehet prej 30 vjetësh, e sjell në bashkëkohësinë tonë dhe i jep atij një energji specifike për veprim të drejtpërdrejtë prej heroi të gjallë mbi aktualitetin. Pra, duket se autori i esesë e vendos heroin në detyrën e tij përballë historisë së kombit. Ka një shëmbëllim prej rilindasi në këtë qëllim të Rexhep Shahut. Rilindasit, siç dihet, e sollën fuqishëm Skënderbeun në kohën e tyre për ta bërë udhërrëfyes shpirtër të ndërmarrjes së tyre.

Nuk po them kurrsesi se Rexhep Shahu e krahason Havzi Nelën me Skënderbeun. Po dua vetëm ta vendos sprovën në fjalë në suazën e një tradite kombētare. Asgjë më shumë. Fjalën e kam, pra, te shërbimet e gjithëkohëshme politike dhe kulturore te heroit për të frymëzuar kombin, duke i ushqyer atij besimin në vete. Parë kështu, heronjtë janë një pasuri e çmuar për të sotmen dhe të ardhmen dhe jo një stoli e mbyllur në kornizë, që na zbukuron të kaluarën. Në këtë frymë edhe autori i esesë konstaton me të drejtë se në një masë të madhe shoqëria e sotme shqiptare është tulatur moralisht, po humbet kthjelltësinë politike, po bjerr guximin për të kundërshtuar, po pajtohet me frikën, po mësohet sërish me të keqen. Thënë shkurt: po nënshtrohet. Në këto rrethana, Rexhep Shahu merr përsipër të bëjë të mundshmen e vet si poet: me penën e tij të shqetësuar rreket t’i vendosë kësaj shoqërie e posaçërisht elitës ose asaj që do të duhej të ishte elitë, përballë heroin e përshtatshëm, atë që është sakrifikuar pikërisht për idealet e lirisë politike dhe të demokracisë. Nga kjo pikëpamje, titulli i esesë “Bisedë e përfytyruar me Havzi Nelën” më duket jo aq domethënës për përmbajtjen. Shkrimtari i madh grek Niko Kazanzaqi ka një libër me titullin “Raport për El Grekon” e ku ai, si procedim letrar, e vendos veten në pozitën e raportuesit para El Grekos. Më duket se diçka e ngjashme do t’i shkonte edhe esesë së Rexhep Shahut.

Duke i “raportuar” me nerv Havzi Nelës për gjendjen, ku është katandisur liria jonë politike dhe demokracia, Rexhep Shahu nuk pretendon për asnjë çast se është zbuluesi i parë i krizës së thellë morale, që ka mbërthyer shoqërinë tonë dhe posaçërisht elitën, e cila po humbet me shpejtësi referencat ndaj vlerave themeltare. Fjala është për ato vlera, të cilat do të duhej ta bënin këtë elitë vazhduese të ëndrrës së heroit martir. Autori i esesë nuk shfaq asnjë shenjë protagonizmi. Në tekst ai sillet si dikush, që po konteston një lëngatë të dallueshme me sy të lirë nga kushdo. Po ashtu, duke thirrur në skenë heroin, të cilin nuk e kërkon si udhëheqës të aktualitetit, por si mishërues frymëzimi, ai përsëri nuk pretendon për risi. Rexhep Shahu, përmes kësaj sprove, po na thotë se, për të dalë nga bataku e për ta shpëtuar të ardhmen, na mjafton përvoja që kemi, mjaft që këtë përvojë ta nxjerrim nga arkivi, ta shqyrtojmë me sy kritik për ta pastruar nga gabimet dhe ta përvetësojmë si energjitizëm. Është një kurë e provuar se përtërin. Unë për veten time kështu e lexova


Dhjetor, 2020


52 views0 comments

Shkrimet e fundit