top of page

LIDHJET E VEXHI BUHARASË ME FIERIN




Emri i poetit, dijetarit dhe orientalistit të njohur beratas, Vexhi Buharaja, i cilësuar “Porta shqiptare e orientit,” zë një vend të nderuar në kulturën tonë kombëtare. Për veprën dhe kontributin e tij, është folur dhe shkruar shumë, por askush nuk e përmend raportin që ka pasur ai me Fierin, arsimin fillor që mori këtu dhe vitet e fëmijërisë së vonë që kaloi në këtë qytet. Në këtë shkrim do të sjellim të dhëna të reja, të panjohura e të papublikuara deri më sot, për të hedhur dritë, pikërisht mbi këto lidhje të Buharasë me qytetin e Fierit.

Vexhi Buharaja lindi, më 12 maj 1920 në lagjen “Murat Çelepi” të qytetit të Beratit. I ati, Ibrahimi dhe gjyshi, Ismaili, ishin imam dhe të njohur për dituritë e tyre të gjëra. Ata zotëronin disa gjuhë të lindjes, veçanërisht, osmanishten dhe persishten, duke krijuar kështu një trashëgimi të pasur fisnore, e cila do manifestohej fuqishëm te Vexhiu.

Personaliteti krijues i Vexhiut filloi në vitin 1940 kur u diplomua në Medresenë e Përgjithshme të Tiranës dhe filloi punë në redaksinë e revistës “Kultura islame.”Ndërkohë, bashkëpunonte me revistat “Zani i naltë” dhe “Njeriu,”me pseudonimet “Valter Çokdari” dhe “Lulëzira.” Këto vite u mor edhe me krijimtari letrare, kryesisht me poezi. Në vitin 1942 u paraqit në një konkurs letrar me poezinë “Përballë Tomorit” dhe u vlerësua me çmim të parë. Në vitin 1944 u kthye në Berat pranë familjes dhe më 1946 u dënua dy vjet me heqje lirie, i akuzuar për propagandë antikomuniste. Në vitet e burgut mësoi rusishten dhe, mbas tij, ka punuar për ca kohë mësues i gjuhës ruse. Zotëronte 7 gjuhë të huaja të lindjes e perëndimit, midis të cilave persishten e osmanishten. Në vitin 1965 u emërua në Institutin e Historisë, në sektorin e mesjetës, ku punoi për dhjetë vjet si përkthyes i osmanishtes. Gjatë kësaj kohe ka shqipëruar akte të Rilindjes sonë Kombëtare, akte dhe memorandume të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, epistolarin e Ibrahim Temos dhe Dervish Himës të përbërë nga 64 letra, regjistrat kadastralë osmanë të sanxhakëve të ndryshëm shqiptarë, ka transkiptuar 250 mbishkrime osmane, gdhendur nëpër mure kalash, institucione fetare, varre e artifakte të ndryshme etj. Ndërkohë, ka përkthyer veprën shkencore të Hoxha Tahsinit, përmbledhjet poetike “Ëndërrime” dhe “Katër stinët” e Naim Frashërit, dramën “Besa” të Sami Frashërit etj. Një nga kontributet më të rëndësishme të tij është përkthimi i veprave të letërsisë klasike perse, si: “Gjylistani e bostani” i Saadi Shirazit dhe “Shahnameja” e Firdeusit. Në vitin 1975, si pasojë e ashpërsimit të luftës së klasave, e hoqën nga Instituti i Historisë e u rikthye në qytetin e lindjes, ku punoi faturist në një nga berberhanat e komunales. U nda nga jeta, më 5 korrik 1987 në moshën 67 - vjeçare, i prekur e i dëshpëruar deri në pikëllim të thellë, për vlerat e përbuzura dhe kontributin e tij intelektual.

Vexhi Buharaja

Emri dhe vepra e Buharasë u vlerësua fill pas rënies së sistemit komunist. Në vitin 1994 iu akordua titulli “Mësues i Popullit” (post mortem) e në vazhdim mori titullin “Qytetar Nderi” i Beratit. Biblioteka publike e këtij qyteti dhe medreseja mbajnë gjithashtu emrin e tij.

Për të janë botuar dy libra monografikë nga autorët Ahmet Kondo dhe Yzedin Hima; është mbajtur një simpozium shkencor; është bërë një dokumentar historik dhe janë botuar dhjetëra artikuj vlerësues. Është përfshirë në fjalorin Enciklopedik të hartuar nga Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë dhe kultura jonë e sotme e quan me përcaktorin sinjifikativ, “Porta shqiptare e orientit.”

Por, mjerisht, biografët, nuk e kanë trajtuar një element shumë të rëndësishëm në jetën e tij: transferimin e familjes Buharaja në qytetin e Fierit dhe arsimimin e tij në shkollën fillore të këtij qyteti. Madje, në mënyrë fiktive, thuhet se shkollën fillore e ka mbaruar në vendlindje. Është pikërisht ky aspekt i jetës së tij që duhet korregjuar. Arsimin fillor Buharaja e ka nisur në Berat, por e ka mbaruar në Fier. Në Fier ka marrë edhe dëftesën e mbarimit të saj. Këto të dhëna i gjejmë në amzën e shkollës mashkullore të Fierit, e cila prej vitesh ka qënë në fondin e Muzeut Historik të qytetit e, tashmë ndodhet në Arkivin e Shtetit Tiranë.

Familja Buharaja është shpërngulur nga Berati në pranverën e vitit 1930 dhe është vendosur me banim në lagjen “Liri” të Fierit, pasi Ibrahimi u emërua myfti në xhaminë e këtij qyteti. Sipas amzës, Vexhiu është regjistruar në klasën e tretë, më 7 prill 1930. Në amëz mban numrin 666, ndërsa në regjistër numrin 47. Duket qartë se dy klasat e tjera të fillores dhe gjysmën e vitit të tretë i ka mbaruar në Berat. Gjithashtu, në këtë dokument, si datë lindjeje shënohet viti 1919 dhe jo, 1920. Gjithsesi kjo është një e dhënë anësore për këtë rast që, ndoshta është e vlerësuar më parë ose do rivlerësuar nga biografët e tij.

Në vitin e tretë jepeshin 14 lëndë mësimore, nga të cilat, në shtatë prej tyre, Vexhiu është vlerësuar me notën 1 dhe në shtatë të tjerat me notën 2. Kujtojmë se në sistemin arsimor të kohës, shkalla e vlerësimit të nxënësve fillonte me numrin 1- shumë mirë, numri 2- mirë, numri 3 - kënaqshëm, numri 4 - disi dhe numri 5 - keq.

Lëndët që janë vlerësuar me notën e lartë 1 janë; këndim, trajtë e përjashme e shkrimeve, kaligrafi, histori, gjeografi, dituri natyre dhe histori natyre. Këtu shtohet edhe vlerësimi me po këtë notë edhe për sjellje, zell dhe pastërti. Shtatë lëndët e tjera të vlerësuara me notën 2 janë; shkrim ortografi, hartim, aritmetikë e gjeometri, vizatim, këngë, gjimnastikë dhe punë dore.


Nga ky vështrim, vihet re se prirjet e nxënësit shfaqen dukshëm në drejtim të lëndëve shoqërore.

Më 28 shtator 1931, Vexhi Buharaja regjistrohet në klasën e katërt me nr. regjistri 14. Këtë vit rezultatet janë më të larta. Nga 14 lëndë që zhvillohen, 10 prej tyre vlerësohen me notën 1 dhe katër me notën 2. Edhe këtë vit, shfaqet dukshëm dhuntia për lëndët shoqërore. Lëndët e vlerësuara me notën 2 janë; ushtrime gramatikore, aritmetikë e gjeometri, vizatim dhe këngë. Hartimi që ishte 2 nga klasa e kaluar tani vlerësohet me 1.

Në klasën e pestë regjistrimi bëhet më 19 shtator 1932, me nr. regjistri 27. Këtë vit përfshihen 17 lëndë dhe ai e përfundon klasën me 15 lëndë të vlerësuara me notën 1 dhe vetëm 2 me notën 2. Sërish edhe këtë vit me 2 vlerësohet Aritmetika e gjeometria dhe trajta e përjashme e shkrimeve. Ndërsa sjellja, zelli dhe pastërtia vazhdojnë të vlerësohen për çdo vit me notën 1.Në vitin 1933, merr edhe dëftesën e lirimit dhe shkon në Medresenë e Tiranës. Pra, dëftesa e Buharasë mban vulën e shkollës mashkullore të Fierit. Disa nga shokët e klasës së tij kanë qenë: Thoma Bitri, Koço Shallapi, djali i deputetit dhe tregtarit të Fierit, Aleks Spiro Papa, kosovari Bejrush Kollçaku, hebrejtë: Mimiko e Pepe Kantozi etj.

Në vitin 1932, në po këtë shkollë regjistrohet edhe i vëllai i tij Ismaili, i cili kishte lindur në Berat në vitin 1925. Nga ky regjistrim shikojmë se familja Buharaja tashmë ka lëvizur me banim nga lagjja “Liri” në lagjen “Pasha,” sot “Kongresi i Përmetit.” Gjithashtu Ibrahimi është emëruar zëvendës myfti i xhamisë së Fierit. Ismaili kryen në Fier katër klasë. Në vitin 1937 familja transferohet sërish në Berat.

Sipas këtyre të dhënave, familja Buharaja ka qëndruar në Fier për rreth 7 vjet dhe gjatë kësaj periudhe Vexhiu, edhe pse mbaroi shkollën e iku student në Tiranë, pushimet vjetore, sigurisht që i ka kaluar pranë familjes. Pra sheshet dhe rrugicat e lagjes, moshatarët, shokët e klasës e të shkollës, atmosfera urbane, xhamia në qendër të qytetit, ku punonte i ati, ambientet artistike e sportive të atyre viteve të hovshme të jetës fierake, gjithçka e gjallë dhe e bukur e këtij qyteti, ka krijuar te djaloshi i ri, lidhje shpirtërore dhe ka lënë gjurmë të pashlyera në edukimin e tij shkollor dhe shoqëror. Për më tepër këto ndikime janë të pashmangshme në moshën e fëmijërisë dhe atë të adoleshencës. Këto gjurmë lidhjeje dëshmohen edhe nga krijimtaria e tij poetike. Nga tre poezitë e nominuara që ka shkruar, krahas Lasgush Poradecit dhe Margarita Tutulanit, njëra i kushtohet dëshmorit Jashar Cakrani. Pra njëri nga tre heronjtë e tij është fierak. Por mjerisht, sipas dëshmisë së biografit të tij, A. Kondo, kjo poezi që mund të hidhte dritë mbi njohjen e Buharasë me dëshmorin, nuk është gjendur ende. Mendojmë se ngjarja e madhe e Kryengritjes antizogiste e 14 gushtit të vitit 1935 në Fier, ku Jashari ishte pjesëmarrës dhe u dënua me vdekje, të ket qenë baza fillestare e njohjes së poetit me heroin e mëvonshëm të poezisë së tij, i cili e frymëzoi atë edhe me heroizmin e spikatur gjatë Luftës Antifashiste, ku ra edhe Dëshmor i Atdheut.

Zbardhja e raporteve të Buharasë me qytetin e Fierit, ka rëndësi jo vetëm për plotësimin e saktë të biografisë së tij, por edhe për korelacionin e qytetit të Fierit me figurat e rëndësishme të kombit. Fakti që ky dijetar ka mbaruar shkollën fillore në Fier dhe ka jetuar këtu për disa vjet, dëshmon për një lidhje të qytetit me figura të njohura të historisë dhe kulturës shqiptare, për gjurmët që ka lënë ai në personalitetin e tyre krijues dhe anasjelltas, në rrezatimin e veprës së tyre në historinë e këtij qyteti. Kujtojmë këtu se në këtë shkollë, kanë marrë mësime edhe Heronjtë e Popullit: Vojo Kushi nga Shkodra, Kastriot Muço nga Vlora, shkrimtari e studiuesi Petro Janura nga Manastiri etj. dhe kjo është një vlerë e shtuar edhe për vetë shkollën mashkullore të Fierit, për historikun e saj dhe rolin që ka luajtur ajo në trashëgiminë arsimore të qytetit të Fierit.

Nuri Plaku

36 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page