Raif GASHI
Bedri Tahiri na vjen me një libër tjetër, kësaj radhe pak më ndryshe. Me shtjella vjen, se vetë jeta e tij është një shtjellë e pandalshëm dhe e guximshme, duke mos pyetur as kohët më të liga, që i ranë nëpër atdheun tonë, gjithnjë pa na pyetur neve, e as Bedri Tahirin.
Pra, të gjitha kohëve, në secilën kohë Bedriu ju doli ballë për ballë, pa u lodhur fare. Po pra, ky është vetë misioni i shkruesit, të qesë në vargim letre jetën, ngjarjet e saj, historike, edhe atë përmes reportazheve, tregimeve historike, gjithnjë duke e ndërthurë dhe ndihmuar nga ngjarjet e vërteta, që Bedriu merr për temë trajtimi dhe shkrimi, gjithnjë duke i ngjeshur dhe pjekur mirë artistikisht e duke i futur në letërsi përmes reportazheve letrare, pa mos shikuar kohët e vështira që ndodhej atdheu.
Kësaj radhe Bedri Tahiri na vjen me një libër të ri me titull ”Shtjella lufte”, ku ka grumbulluar shkrime- reportazhe letrare të një periudhe të fundshekullit të kaluar, të cilat i afron nëpër gazeta ditore dhe revista të atyre viteve, pra më hollësisht nga viti 1995-1998.
Autori, duke e ditur që vjen nga Galica, edhe këtyre shtjellave nuk mund t’i ikën e ta nisë pa Galicën. Pra, librin e nisi me tregimin historik “Si i shpëtoi Rahimja zjarrit”?, botuar në gazetën Bujku, e enjte 16 shkurt 1995. Të gjitha luftërat më së paku e kishin mëshirë Drenicën e në këtë kohë Galicën. Këtu rendi ishte te familja e Azem Galicës dhe tragjedisë që i ndodh nga sero-çetnikët. Aty ishin 25 lirat e kalit të shitur, që ia kishte lidhur e ëma. Sa fat jete sjell kali i shitur. Falë këtyre lirave, shpëtoi Rahimja, e cila nuk u bë kufoma e shtatë e atij varri familjar.
Bedriu, prej Galicës na dërgon në Prekaz, në Prekazin e Mehajve, që aq bukur na e rikthen 13 majin e 1981-ës, atë ditë kur Mehajt ia lëkundën themelet Jugosllavisë. Pra, përmes shkrimit “Gjakun nuk e lau shiu”, botuar po në gazetën Bujku, e enjte 16 maj1995, autori na e rikthen heroizmin e Mehajve, duke e shkrirë në tregim historik aq bukur saqë duke e lexuar këtë shkrim të duket se po i sheh, flakët e barutit që dilnin nga frëngjitë e pamposhtura të kullës së tyre, e në këto flakë mbillej fara e lirisë. Autori me një njohje të thelluar të shkrimit dhe përkujdesit të lartë dator nuk lë asgjë të ikën nga kjo kullë: ”Vrushkujt e gjakut vaditën lulëkuqet e etura”.
Dhe, liria do vjen, po, po ajo erdhi. Bedriu nuk ndalet, në shkrimet e tij nuk ka temë vetëm heroizmat, por edhe plagën më të madhe të kombit, shpërbërja e tij përmes migrimit nëpër botë, për bukë dhe jetë më të mirë, por në kohën kur ky shkruan edhe për t’i shpëtuar armikut serb. ”Merre lopën e qite në pazar- më tha një ditë”, e nisu te djali, i tha gruaja burrit. Shkrimi ”Një grusht dhe nga Kosova”, që është një roman i shkurtër që aq bukur e sjell këtë plagë reale dhe të pashëruar kurrë, e që autori na e sjell, nga gazeta Bujku, e enjte 27 qershor 1996.
Dhe vazhdon me shkrimin ”Amaneti i brezave”. Çdo trimëri do edhe mençuri, po në gazetën Bujku, e premte 2 gusht 1996. He sa varret iu fshehën historisë anë e kënd shqiptarisë. Në shkrimin e datës 22 ”Varri që flet shumë”, 22 gusht1996, po në gazetën Bujku autori shtjellon temën e varreve të humbura e të rrafshuara, të përbashkëta të të vrarëve dhe masakruarve, pa dallim moshe e gjinie, ku si lokacion ka Qyqavicën e Drenicën.
”Përpara shfaqet një si gropë. Nuk ka gurë e shenja. Të gjithë janë varrosur në një vend, dosido dhe është heshtur. Është heshtur edhe për gjëra tjera. Mirëpo ky varr kolektiv dëshmon shumë. Është një varr që flet shumë. Të tilla ka anë e kënd Kosovës...” nga rrëfimi i xha Sadriut nga Brusniku.
Autori kujdesshëm flet me Azem Galicën dhe me familjen e tij, me Mehajt, me Deliajt, me Jasharët, me Polluzhën, me Gradicën, me dëshmorët, me martirët e vendit, me mësuesit e kohës, bashkëbisedon me nënat shqiptare, me plisbardhët shekullor, me mërgimin dhe mërgimtarët dhe lotët e tyre, flet me secilin cep të atdheut të tij.
Libri ka pikat e rëndësishme që e ndërtojnë, dromca jete në kohë dhe për kohën, por sfiduese për kohën kur u shkruan dhe u publikuan këto reportazhe. Libri ka karakter historik, sepse përmes këtyre shkrimeve na sjell pjesë të historisë, për shekujt vitet, por vlera e saj është se shkruhet në kohën e sundimit më të egër të fundshekullit të kaluar, pra ky libër prek jetën në kohë dhe ka jetuar me kohën e viteve 199-1998.
Temat që trajton autori janë tema të ndërlidhura me të kaluarën e shqiptarëve, dhe të sjella me një mjeshtri të rrallë artistike deri te lexuesi, me një guxim intelektual në një kohë pushtimi. Autori pasuron shkrimet me argumente historike, të lexuara, të dëgjuara dhe të jetuara vetë. Pra, ka një përvojë jetësore, pasi vetë ishte pjesëmarrës i ditëve më të vështira dhe më të lavdishme, të kombit, pra vitet e luftës çlirimtare.
E vërteta qëndron se këto shkrime janë shkruar para disa viteve dhe ishin komunikim me lexuesit përmes gazetave: Bujku, Bashkimi sindikal, revistat Bota e re dhe Shkëndija.
Përkundër stuhive që i sillte jeta, Bedriu nuk dorëzohej, pra gjente energji që të bëjë luftën e tij me laps dhe mendje për të ndritur e mos harruar të kaluarën e kombit dhe vendit të vet, duke i ikur heshtjes në secilën kohë dhe hap jete, pa marrë parasysh rrethanat që krijonte koha.
Prishtinë, mars 2020
Comments